Për Shqipërinë, vend ku nuk kam shkelur ndonjëherë por që e njoh nga romanet e mira të Ismail Kadaresë, kam pasur një nga diskutimet më të nxehta që mbaj mend. Kundërshtari im ishte një djallushkë femër, në dukje, që quhej Uma Thurman, suedeze me origjinë dhe artiste me profesion, me një siluetë si shufër dhe me flokë të rimtë, me të cilën, për kënaqësi të syve të mi dhe tmerr të shijeve e bindjeve të mia, para dy vjetësh u bëmë bashkë në jurinë e Festivalit të Kinemasë të Venecias.
Duke përdorur mjetet e pafundme bindëse (inteligjencën, qarjen, joshjen, shantazhin, frikën, lutjen) dhe një aftësi për intrigë të denjë, si ajo e Makiavelit dhe Rastinjakut bashkë, ajo ia arriti që t’i jepte çmimin special të konkursit filmit të tmerrshëm Natural born Killers (Vrasës të lindur) të demagogut Oliver Stone, dhe të futë në listën e fitimtarëve filmin L’America, të italianit Amelio, film që e tregon Shqipërinë si një vend makthesh, i populluar nga turma njerëzish të pazhvilluar që lypin ose vjedhin, grumbuj njerëzish-larva të shushatur nga uria dhe kotësia. Jam i sigurt se ata që nuk e njohin Shqipërinë, si dhe unë, dhe që shohin këtë film, kanë për të besuar se është një film profetik, sepse në një vend të ngjashëm dhe me njerëz të tillë, tmerret që po ndodhin këto ditë, në një farë mënyre duhet të ndodhnin, shpejt apo vonë. Si ato që ndodhën në Ruandë, Burundi apo Haiti.
Megjithatë, e vërteta është se shpërbërja e përgjithësuar dhe kaosi shoqëror e politik që ka pushtuar Shqipërinë, për të merituar ato keqardhje të këndshme ose befasi të frikshme që dëgjojmë dhe lexojmë përditë në mediat e vendeve të civilizuara, në vend të flitet për tragjedinë shqiptare sikur të flasësh nga hëna, do të ishte mirë ta na e ilustronin për shkak të mosnjohjes tonë, dhe të na hapnin sytë në lidhje me filmin tepër të dobët, mbi të cilin mbështetet moderniteti, progresi, kultura demokratike në shoqëritë e zhvilluara. Ashtu si edhe në ish-Jugosllavi, kriza e Shqipërisë tregon se, ndërkohë që hyrja në civilizim është e gjatë dhe e vështirë, rënia në barbari është mjaft e lehtë, një rrezik kundër të cilit nuk ka ilaç përfundimtar.
Një nga shpjegimet më absurde mbi shkërmoqjen e rendit në Shqipëri, është se fajin e paska “kapitalizmi”, apo, siç preferon gjuha e pakuptueshme e mirëmenduar, “ultra-liberalizmi” që ish-kardiologu dhe i përkrahuri i Enver Hoxhës, presidenti Sali Berisha, u përpoq ta fusë me forcë për të kënaqur zotërit e tij perëndimorë (kryesisht Shtetet e Bashkuara, të cilët e trajtuan me shumë mirëdashje, në krahasim me rivalët e tij politikë, që kur u shpall antikomunist). E vërteta është krejt ndryshe. Gjysmë shekulli despotizëm stalinist që vuajti shoqëria shqiptare, e sterilizoi në atë mënyrë jetën shoqërore dhe ekonomike – aty funksionoi vetëm jeta e dhunshme dhe policore – sa asnjë institucion nuk mund të hidhte dot rrënjët paskëtaj, kur diktatura u shemb. Ajo u shemb por, atje lart, nuk u zhduk: si unazat e gjarprit që i pret kokën, vazhdoi të godasë me metodat e zakonet e saj dhe një numër i mirë korifenjsh e përfituesish, me një makijazh të lehtë reformisti, ruajtën pushtetin e tyre edhe në demokracinë e brishtë që erdhi për ta zëvendësuar atë diktaturë. Shembull më i mirë i tyre është vetë Sali Berisha, të cilin regjimi e birësoi deri në ekstrem duke e lejuar të udhëtojë e të studiojë jashtë shtetit (privilegj i paimagjinueshëm për një shqiptar të zakonshëm) dhe që pastaj u bë drejtues në Partinë e Punës dhe mjek kryesor i Enver Hoxhës, Komandantit. Kur mbërriti ora e ndryshimit, u vetëshpall demokrat, konservator dhe “atlantist”, dhe, për ta provuar këtë, sapo fitoi zgjedhjet e 1992-shit, futi në burg vejushën e Hoxhës, zëvendësin e tij, Ramiz Alinë, dhe një grusht funksionarësh të regjimit të përmbysur. Qeveritë perëndimore pranuan deklaratat e tij se demokratizimi i Shqipërisë ishte vënë në vijë.
Në të vërtetë, bëhej fjalë për një farsë të pastër. Njësoj si në Rusi dhe për të njëjtat arsye, dobësia apo pazotësia absolute e institucioneve civile – veçanërisht ajo e drejtësisë dhe e gjykatave – u la fushë të lirë veprimi perandorisë së mafiozëve, bandave të kriminelëve të kryesuar nga ish-sigurimsat dhe burokratët e regjimit komunist, të cilët morën në dorë administrimin e ndërmarrjeve (ose më mirë për t’i asgjësuar ato), për t’i shitur apo privatizuar, madje ata u pajisën me pasaporta dhe viza për të qarkulluar mall lirshëm. Po bën, pak a shumë, një vit që pati një dokumentar të mrekullueshëm mbi këtë temë nga BBC, i cili me dëshmitarë interesantë tregonte se si industria e narkotrafikut kishte krijuar filialet e veta në Shqipëri me siguri të plotë mosdënimi. Dhuna e ashpër u bë e vetmja formë e ligjshme, dhe korrupsioni u shtri në të gjitha nivelet e shoqërisë, si skena kryesore e mbijetesës.
Në këto kushte, në Amerikën Latine, Ushtria nxjerr tanket në rrugë dhe merr pushtetin. Por, në vende si Shqipëria (ose Rusia, për rastin), anoreksia ekonomike që rezulton për disa dekada centralizmi, estatizmi dhe planifikimi, është aq e thellë sa edhe institucionet e privilegjuara, si Forcat e Armatosura, nuk ngrihen dot në këmbë nga rraskapitja dhe rrënimi i plotë ku janë katandisur, madje nuk kanë më as shpirtin dhe as reflekset e domosdoshme për të bërë një Grusht Shteti. Lehtësia me të cilën turma e dalldisur sulmoi kazermat dhe komisariatet në Tiranë, Durrës, Shkodër e vende të tjera dhe rrëmbeu të paktën 300.000 pushkë, është tepër kuptimplote për moralin që sundonte në shtresën ushtarake. Prandaj, është e mundur të pohohet se, në disa qendra, vetë oficerët e nxitën bastisjen, për të fshehur trafikun me armë dhe municione, i cili kishte kohë që ishte bërë burim kryesor jetese për ushtarakët.
Në këtë kontekst varfërie ekonomike, pavendosmërie politike, zbrazëtie institucionale dhe pasigurie kolektive, rezulton shumë e lehtë që njeriu të besojë në mrekullinë, siç ishin “firmat piramidale”. Është interesante se ky lloj mashtrimi përsëritet herë pas here në vendet e varfra ose në kohë krizash dhe, megjithatë, jo vetëm që askush nuk vë mend, por mijëra apo miliona të pafajshëm bien përsëri në kurth. Kjo është vërtet absurde, deri qesharake. Një bankë ose një financier ofron interesa tepër të larta dhe me një afat të shkurtër për kursimet e klientëve të vet, dhe investitorët e parë, në fakt, vazhdojnë të përfitojnë, sajim që qëndron në këmbë vetëm po të vazhdojnë depozitimet e klientëve të rinj. Në momentin që numri i tyre bie apo rritet alarmi dhe fillon tërheqja e klientëve, atëherë skema shembet: mashtruesit zhduken dhe viktimat ngelen me gisht në gojë. Ky lloj mashtrimi është shumë i hershëm, por, me sa duket, e reja në këtë rast është se një vend i tërë pati aq shpresa sa e la veten të mashtrohet me një mendjelehtësi të padëgjuar më, duke bërë që të pasurohen mashtruesit me kursimet e tyre të varfra pa kurrfarë mundimi. Por nuk duhet kështu, dhe as nuk është mirë të jetë kështu. Në qoftë se pasuria bie nga qielli dhe nuk vjen si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme, krijon zakone të liga dhe nuk të përgatit për të përballuar vështirësitë dhe fatkeqësitë. Kështu për shembull, ari i zi që ka mbytur nëntokën e Venezuelës, i ka sjellë asaj më shumë fatkeqësi se sa mirëqenie. Mirëqenia që vjen nga aftësia dhe përpjekja është një mijë herë më e mirë nga mirëqenia që vjen aksidentalisht – nga lotaria apo mrekullia -, sepse vetëm e para ka mundësi të zgjasë dhe të shtohet, siç e kërkojnë rrethanat.
Ndoshta duhet thënë e njëjta gjë edhe për demokracinë, këtë sistem që, me gjithë defektet e veta, është sistemi që na mbron më mirë kundër brutalitetit dhe që u reziston më shumë kohë tentativave të herëpashershme të kthimit të barbarisë prej të cilave ankohen të gjithë kombet. Ajo që ndodhi në Rusi në ditët tona dhe në një pjesë të madhe të ish-perandorisë sovjetike, katastrofa mizore ku është zhytur Shqipëria, peripecitë e tmerrshme që kanë pllakosur vendet e Amerikës Latine në përpjekjet për të arritur progresin dhe modernizimin e vërtetë, po ashtu gjakrrjedhja dhe zia e madhe që vuajnë sa e sa kombe afrikane nuk tregojnë se ka popuj të aftë dhe popuj jo të aftë për të qenë të lirë dhe të begatë. Por, tregon se liria dhe prosperiteti nuk vijnë nga mbrëmja në mëngjes. Ato fitohen dhe meritohen, pak nga pak, përmes disa praktikave, gjatë adaptimit të disa ideve dhe praktikave, me anën e të cilave bën të funksionojnë institucionet (dhe jo e kundërta). Diktaturat gjithmonë dobësojnë dhe dëmtojnë këtë proces: të gjitha diktaturat, por, më shumë se askush tjetër, diktaturat si ajo që vuajti Shqipëria – ose që po vuan tani Koreja e Veriut apo Kuba dhe Kina -. Diktatura që kanë marrë përsipër gjithë përgjegjësinë e jetës së qytetarëve të tyre, duke i kthyer këta në automatë të thjeshtë, veprimet e të cilëve, të rëndësishme apo të parëndësishme, të vendosen nga vetë pushteti gjithëpërfshirës, i cili i edukon, i ushqen, i ndihmon, i informon dhe u jep punë. A do të jenë në gjendje të veprojnë me përgjegjësinë e tyre këta qytetarë të cilët gjatë brezash kanë qenë të kushtëzuar e të komanduar për të qenë të bindur, për të qenë thjesht instrumente? A do t’i respektojnë institucionet këta njerëz, të cilët lindën dhe vdiqën midis institucioneve që kurrë nuk e merituan respektin e tyre si qytetarë? Si mundet që këta, nga mbrëmja në mëngjes, do të bëhen qytetarë që duhet t’u besojnë ligjeve dhe të jenë të përgjegjshëm për lirinë e tyre, liri që ishin mësuar ta shikonin si një perde të thjeshtë tymi pas së cilës fshihej arbitrariteti, liri që ishte vetëm një fjalë boshe dhe që shërbente vetëm për të ndritur fjalimet e diktatorëve?
Tragjedia e Shqipërisë, këtij “vendi të lashtë të shqiponjave”, nuk filloi me mashtrimin e firmave piramidale. Ajo që shohim tani nuk është veçse plasja e qelbit të një lunge të krijuar gjatë dekadave të despotizmit dhe shtypjes së egër.
El Pais, 1997
Përktheu nga origjinali Bajram Karabolli