More
    KreuOpinionMajlinda Rama: Ali Aliu mes tri shteteve letrare

    Majlinda Rama: Ali Aliu mes tri shteteve letrare

    Jeta

    Në raste përvjetorësh, sidomos përvjetorë të tillë, përballë një shekulli pa pak, mendimi personal por edhe publik ndalet më tepër tek retrospektiva sesa tek perspektiva, për arsye që dihen. Dhe, në rastin e akademikut Ali Aliu, kemi të bëjmë me një kalendar jetësor, nga ata që dëshmojnë, jo vetëm virtyte individuale, por edhe një rrugëtim të gjatë që matet me peshën e veprave të tij. (Zakonisht, kjo është e vërteta e përballjes me vitet, që vjen një kohë, kur duhet të kthesh kokën pas dhe të shohësh, jo vitet, por gjurmën që lë dhe majën ku ngjitesh). Dhe, në këtë kontekt, Ali Aliu ka lënë gjurmën e vet të dukshme me tërë veprimtarinë e tij shkencore, letrare, kulturore, por edhe qytetare dhe patriotike. Veçanërisht, ai mbetet modeli i intelektualit të përkushtuar dhe me kontribut të rëndësishëm në formësimin dhe zhvillimin e identitetit dhe kulturës shqiptare.

    Ali Aliu u lind në një familje me kulturë dhe tradita në Prespë. Në fëmijëri, babai i lexon pjesë nga ‘Qerbelaja’ dhe ‘Lulet e Verës’ së Naimit, të cilat mund të kenë qenë shkëndijat e para që do ta ndikonin intelektualin e ardhshëm dhe do të formonin tek ai bazat e pasionit për gjuhën dhe dashurinë për kulturën shqiptare, për vendin dhe popullin e vetë. Me mungesën e dashurisë së nënës që e la jetim, (vetëm 5 muajsh), por dashurinë me familjarëve të tjerë dhe me sytë drejt majës së malit Pelister, rrëzë të cilit u lind, nisi rrugëtimin gazetari, kritiku letrar, profesori dhe akademiku i ardhshëm, i cili do të bënte bashkë, në një letërsi të madhe kombëtare, letërsitë e tri ‘Shqipërive’, siç i quante Ali Podrimja, apo trekëndëshit Shqipëri – Kosovë – Maqedoni e Veriut.

    Jeta e Ali Aliut ndërlidhet me ngjarje dhe zhvillime të kohës kur ka jetuar, ajo ballafaqohet me probleme thelbësore të karakterit kombëtar, politik, historik, të identitetit kombëtar dhe kulturor, me çaste heshtjeje dhe demonstratash, disfatash dhe ringritjesh të shqiptarëve. (Dhe në fakt, në këto rrethana, historia na ka treguar që intelektualët e mëdhenj e mbajnë peshën e rëndë të fatit të popullit të tyre, si edhe në rastin konkret. “Është portret i vendosur në kornizat e ngushta të një orvatjeje shekullore për mbijetesën e një populli, për mbrojtjen e një kulture dhe gjuhe të vjetër aq sa edhe vetë shkëmbinjtë e Ballkanit”, përmend Kim Mehmeti në monografinë ‘Kështu ecën njeriu’).

    Angazhimi patriotik u vu re qysh në vitet e studimeve në Beograd, kur ai dhe poeti Agim Gjakova, ndonëse fare të rinj, kaluan jo pak peripeci. Ata u përndoqën dhe burgosën për shkak të aktiviteteve të tyre propagandistike në mbrojtje të të lirisë së fjalës dhe të drejtave të shqiptarëve. Më vonë, pas studimeve, Ali Aliu filloi punë te “Flaka e Vëllazërimit”, ku sërish do të vihej në krahë të shqiptarëve të nëpërkëmbur. Në vitin 1967, ai ‘theu tabunë e heshtjes kronike’ për padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve në Maqedoni. Me serinë e shkrimeve “Tetova parë nga afër”, ai zgjoi shpresat në zemrat e shqiptarëve që mendonin njësoj dhe kërkonin të drejtat e mohuara. Këto shkrime u konsideruan si nxitëse të demonstratave të vitit 1968 në Tetovë. Siç vë në dukje, Fatmir Sulejmani, ‘autoriteti i Ali Aliut në Maqedoni u rrit ndjeshëm pas publikimit të shkrimeve të tij kritike ndaj padrejtësive shoviniste maqedonase’. Duhet përmendur se, për shkak të zërit të tij të vazhdueshëm protestues, pushteti maqedonas ia hoqi nga qarkullimi të gjitha tekstet shkollore, antologjitë e hartuara prej tij, por edhe veprat tjera studimore, duke i sekuestruar në të gjitha libraritë, programet shkollore apo bibliotekat ku ato gjendeshin.

    Pas përndjekjeve të shumta në Maqedoni, Aliu u vendos në Kosovë, ku vazhdoi të kontribuonte në jetën intelektuale, por edhe aty, do të zgjaste pak qetësia e punës si mendimtar dhe njeri i shkencës. Në kohën e shqetësimeve të mëdha politike dhe shoqërore, me nëpërkëmbjen brutale të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe represionin serb, sigurisht thirrja e parë shkonte që intelektualët të bëheshin bashkë. Aliu u rreshtua në krahë të studentëve që protestonin dhe të miqve dhe kolegëve të tij që padrejtësisht u përndoqën dhe arrestuan.

    Pak vite më vonë, Ali Aliu bashkë me intelektualë të shquar të kohës, si Ibrahim Rugova, Jusuf Buxhovi, Fehmi Agani, Bujar Bukoshi, Mehmet Kraja dhe shumë figura të njohura shkrimtarësh e intelektualësh, u bënë nismëtarët e parë të proceseve të pluralizmit, duke themeluar të parin organizim politik në Kosovë, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

    Më tej, Ali Aliu vijoi të ishte një ndër promovuesit kryesorë të kauzës së pavarësisë së Kosovës në diasporë. Ai ndërrmori disa nisma që mbanin qëndrim ndaj diskriminimit dhe gjenocidit, si dhe loboi për çështjen kosovare në arenën ndërkombëtare, duke u marrë me organizimin e shqiptarëve në diasporë, një nismë që pati sukses dhe gjeti mbështetje të madhe. Në fillim të viteve 1990, me hapjen e zyrës së përfaqësisë diplomatike të Kosovës në Tiranë, Ali Aliu u vendos në krye të saj, duke luajtur një rol kyç në promovimin e interesave të Kosovës.

    Vepra

    Në historinë e letërsisë shqiptare, figura e Ali Aliut qëndron në krye, si një ndër kritikët më të shquar me ndikim të lartë në jetën shoqërore e kulturore. Jetëshkrimi i tij shënon një udhëtim të gjatë dhe të pashkëputur të përkushtimit që pati dhe ka ndaj letrave, duke lënë një gjurmë të thella në identitetin kombëtar.

    Me një karrierë mbi 60 vjeçare, në fushën e studimeve letrare, ka dëshmuar dhjetra vepra të rëndësishme. Njihet si hartues tekstesh shkollore dhe universitare, librave në formën e leximeve alternative, paraqitje të përmbledhura të teorisë së letërsisë, monografi, antologji, artikuj studimorë, përmbledhje me studime, ese, kritika letrare etj.

    Në tërë veprimtarinë e tij si kritik, Ali Aliu, shfaqet si një kritik që nuk kritikon, porse synon të zbulojë shtresat kuptimore dhe bukuritë e veprës. Nuk kërkon skema dhe teori që të kanalizojë vlerësimin e tij mbi veprën dhe as humb kohën për të gjetur se cilës teori mbi kritikën do të zgjedhë. Kjo e ka çliruar nga formatet klasike të njohura të studimit të tekstit. Ai lexon dhe reflekton mbi leximin. Është lexuesi më i thellë i tekstit dhe më i kujdesshmi ndër ta.

    Teoritë mbi kritikën letrare na sugjerojnë disa syresh të tilla, (nënlloje apo nënsisteme); kritika që lëvron Ali Aliu zë shtrat në kritikën impresioniste, të cilën Zhyl Lemetër e konsideron si kritikën më të vërtetë, pasi kriter themelor për vlerësimin e tesktit ka përshtypjen, impresionin, gjurmën që lë leximi, emocionin që mbetet. Këto përjetime dhe mbresa sigurisht që nuk mashtrojnë asnjëherë, madje, në rastin konkret me Aliun, kanë krijuar empati mes kritikut, krijuesit dhe lexuesit, duke ndërtuar një lidhje unifikuese të mrekullueshme të kësaj trioje, si një vatër policentrike që jep dhe merr valë komunikimi. Sepse Aliu nuk ngre mure, por krijon ura mes tyre.

    Është thellësisht refleksiv. Reaksionet e shpirtit gjatë leximit i përçon në mënyrë të përsosur tek lexuesi, saqë kur e lexon, (ndonëse libra voluminozë), nuk bëhet i lodhshëm, përkundrazi lexohet si një studim, si një ese, si një krijim estetik më vete, që ecën dhe të rrëmben. Pra, befas të fut në një hulli të re, dhe ndërton një botë mbi botën e parë, atë që lind nga teksti ku ai referohet.

    Ndoshta pa e patur qëllim në vetvete, por duke e njohur mirë letërsinë, filozofinë, psikologjinë dhe fushat afër e rreth tyre, profesori duket se e mban me vete lupën shqyrtuese, duke hulumtuar në çështje filozofike (kritika filozofike) varësisht gjatë leximit të tekstit, të cilat mund t’i dalin gjatë rrugës, sikurse janë çështje të ekzistencës njerëzore, humbjes apo absurdit, gjetjen e kuptimit të jetës, etj.

    Veçanërisht në studimin e poezisë, (që, padyshim është lexuesi më elitar i saj), fokusohet në estetiken dhe filozofiken, synon të zbulojë detajin e veçantë, mesazhin, etj. Pra, thënë me pak fjalë, veprimtaria studimore e Aliut shpalosë interpretime të thella mbi disa aspekte, të cilat përfundojnë si analiza të suksesshme, por edhe si lexime alternative për t’i dëshmuar lexuesit dritare të reja leximi e përjetimi, për ta ndihmuar atë që ta mbërrijë thelbin e veprës, duke ia lehtësuar procesin e të kuptuarit, por edhe ta ndihmojë atë (sidomos studentët dhe studiuesit e rinj) të zhvillojë një sens kritik të mendimit dhe, në disa raste, kjo mënyrë e të bërit kritikë zgjat fije mbi çështje jo thjesht të ekzistencës, por edhe mbi botëkuptime metafizike, që shpesh na çojnë drejt dilemave dhe pikëpyetjeve mbi qenien, shpirtin dhe materien.

    Alfred Uçi e quan Ali Aliun “Gjeneral” të mendimit kritik, dhe në fakt, kushdo që e njeh, e dëshmon se Ali Aliu, nuk ka vepruar si individ, por si një institucion i mëvetësishëm, që në laboratin e vet mbi gjysmëshekullor, ka marrë statusin e primarit. Falë dashurisë, përkushtimit, por edhe ndershmërisë me lexuesin dhe krijuesin, ai ka arritur të fitojë të drejtën si Certifikues Zyrtar i veprës letrare. Nuk njoh ndonjë rast, të ketë shkruar Ali Aliu për ndonjë shkrimtar të ri dhe të mos i jenë hapur dyert e universit. (Po citoj një ish-profesorin tim, i cili thoshte “Le të shkruajë edhe keq, mjafton që për veprën tënde të ulet dhe të shkruajë Ali Aliu”).

    Gjatë aktivitetit të tij mbi mendimin kritik, u ka dhënë hapësirë të rëndësishme autorëve të traditës, por kontributi më i madh shënohet në studimin e letërsisë bashkëkohore shqipe. Letërsinë e ka parë si një të tërë, mjafton që ajo të ketë qenë e shkruar në gjuhën shqipe, duke kapërcyer kufijtë gjeopolitikë. Ka studiuar vepra dhe autorë që i ka parë si përfaqësues të denjë të brezave letrarë, por edhe si një dëshmi e letërsisë së mirë kombëtare. Përmendim këtu, De Radën, Naim Frashërin, Fan Nolin, Faik Konicën, Lasgush Poradecin, Jakov Xoxën, Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë, Fatos Arapin, Azem Shkrelin, Ali Podrimjen, Luan Starovën, Xhevahir Spahiun, Sabri Hamitin, Mehmet Krajën, Zija Çelën, Zejnullah Rrahmanin, Luljeta Lleshanakun, Flutura Açkën, Rita Petron, Mimoza Ahmetin, Lindita Ahmetin dhe, (me përulje e them, ndihem e privilegjuar që në kolanën me shtatë autorë bashkëkohorë, njëri libër monografik i profesorit është për krijimtarinë time, titulluar “Majlinda Rama dhe universaliteti i saj krijues”).

    Si dashamirës i letërsisë, me kureshtje i ka ndjekur nga afër zhvillimet letrare, ka lexuar me pasion mbi çdo gjeneratë, duke mbërritur deri te letërsia e re që po zhvillohet sot tek ne. (Ndryshe nga pjesa dërrmuese e kritikëve të institucioneve tona, studiuesve të punësuar, profesorëve të universiteteve apo edhe akademikëve, që e kanë, në një sens, obligim për ta vijuar ndihmën në krijimin e zinxhirit të brezave krijues, por, në fakt i injorojnë dhe distancohen prej tyre duke i paragjykuar, Ali Aliu është krejtësisht ana tjetër e medaljes. Ai e lexon letërsinë e re pa paragjykime dhe është mbështetësi më i madh i të rinjve. Nuk lodhet kurrë t’i lexojë, me shpresën se mos bën zbulimin e radhës të talentit të ri, siç edhe ka ndodhur me rastin e shkrimtarëve të rinj, Andreas Dushi dhe Ervin Nezha… Madje, duhet thënë se profesori, shkrimtarët tek të cilët fokusohet, i ndjek në gjithë ecurinë e vet krijuese, nuk i braktis ata, duke u bërë një dritë e ndezur orientimi dhe mbështetjeje e vazhdueshme njëkohësisht.

    Gjatë gjithë karrierës së tij, Ali Aliu rezonon ndikim në formimin e opinionit publik, në lidhje me vlerat letrare dhe kulturore. Kritikat pozitive që ai ka bërë, kanë nxitur hapësira të reja mbi cilësinë dhe vlerën e letërsisë, kanë dhënë impakt të rëndësishëm në formimin e perceptimeve dhe qëndrimeve të shoqërisë sonë ndaj krijimtarisë letrare. Ka ndikuar në zhvillimin e kulturës dhe traditave letrare, në ruajtjen dhe përhapjen e trashëgimisë kulturore, në krijimin e një kuptimi më të thellë dhe më të qartë të identitetit kulturor.

    “Don Kishoti shqiptar’’

    “Don Kishoti shqiptar’’, që botimet “Toena” e kanë sjellë të ribotuar me disa plotësime, dhe që nga profesor Shaban Sinani mësova që qenka libri më i përkthyer i profesorit, është një libër, veç të tjerash, origjinal, i një “ideje fatlume”, siç e quan Gane Todorovski. Bosht i të cilit janë studime depërtuese dhe analitike. Një mendje si e Aliut mund të kërkonte shtigje të tilla, të të gjeturit të elementit donkishotesk në një ambient e letërsi tërësisht shqiptare.

    Titulli i librit, në pamje të parë sikur krijon një abstragim çoroditës, por në fakt, secili nga ne e ka, në mos një grimcë donkishotizmi brenda vetes. Kjo është lavdia e dorës së Servantesit, i cili pas betejës së Lepantos, me heshtën letrare krijoi personazhin e të gjithëve, Don Kishotin, që vazhdon të bëjë xhiron e botës tejendanë, gjithmonë si një model referencial, me një dritëz të re interpretative, krahasimi, kontrastuese, dystuese, gjykimi, vlerësimi a simbolike.

    Është e thjeshtë dhe lehtësisht e skanueshme nga lexuesit e të gjitha shtresave: Don Kishoti udhëton muzave krijuese përmes filozofisë së tij, pra përmbajtjes dhe idealit, sepse, nëse do të ishte për jashtësinë shprehëse të tij, siç janë forma dhe zbrazëtia, sigurisht që askush nuk do të merrej me të, e ca më pak kritiku i njohur Ali Aliu.

    “Don Kishoti shqiptar’’ është një libër që paraqet një formë të re leximi dhe interpretimi, zbërthimi psikologjik, perceptimi mbi botën e mirë, por edhe si një kod që dinë ta çkodifikojnë vetëm të ngjashmit, vetëm ata, shpirtrat e të cilëve, kanë të njëjtën hapje ndaj botës, që kërkojnë harmoninë perfekte, që kanë të njëjtat dëshira për ta parë universin në paqe, njeriun më të mbushur, sidomos në kohë të tilla kur vlerat njerëzore po humbasin e zbehen çdo ditë.

    Alonso Kishano alias Don Kishoti, ky kalorës i arratisur, pluhurosur në jermin shekullor, mbërrin po kaq aktual në historinë e letërsive tona. Figura e Don Kishotit është bërë proverbiale, por kuptimi i tij nuk qëndron te një kalorës mendje-erë që humb kufijtë e kohës, por së brendshmi, në konceptin dhe përpjekjet e gjithëmundimshme të tij për një botë më të mirë. Ky është thelbi, në filozofinë e studimit të Ali Aliut, i cili e ka rrëmbyer këtë personazh dhe e ka sjellë në hapësirë e kontekst kohor gjithëshqiptar.

    Aliu ka ditur të qëmtojë tekste, periudha dhe autorë, të cilëve u ka gjetur “Fijen e Arjanës“, të përbashktën e tyre, që i lidh në idealin donkishotesk. Ky këndvështrim, duket se mund të lindë vetëm nëse je edhe vetë një njeri me ideale e qëllimmirë si Don Kishoti dhe, për mua, edhe vetë autori i tekstit është njëri ndër ta.

    *Fjala e mbajtur në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë me rastin e 90 – vjetorit të akademikut Ali Aliu.

    Referenca:

    Mehmeti, Kim. (2007). “Kështu ecën njeriu”.

    Sulejmani, Fatmir. (2024). Citime nga shkrimet për akademikun Ali Aliu.

    Podrimja, Ali. (2013). Vepra.

    Aliu, Ali. (2024). “Don Kishoti shqiptar”, ribotim i plotësuar.

    Aliu, Ali. (2019). “Kolana e autorëve bashkëkohorë”.

    Arkiva Personale dhe Biblioteka Kombëtare për veprat e Ali Aliut.

    NJË KOMENT

    1. Po ç mund, ose a ka vend të thuhet- shkruhet komenti kur atë mbi të bukurën e thot, shkruan krujuesja – poete Majlida Rama, një grue e arrirë tash më në ,,ARTBËRJE ” Profesor dr, Ali Aliun qe e njoh qysh nga vitet e 70-ta konsideroj një ,,ARKITEKT MENDIMI VLERASH: në kulturën letrare në gjuhën Shqipe, Ai ndërtoj një ,, BAZAMENT” bashkë me të tjerët të tij në fushën e kulturës që sot, sigurisht edhe të gjithonshmës do i shërbej,mbaj DRITË të shohin ecët gjeneratat qe vijnë. E përgëzojmë intelektualin A.A. Gjithashtu edhe shkrimin shumë të përkushtuar të zonjës M. Rama shkrim ky qe gjithsesi nuk është i mjaftueshem, për punën ,, KOLOSALE” qe ka bërë profesor dr, Ali Aliu si një ..SHTYLLË GRANITI në letrat Shqipe. Urime shëndet këtij ,, INSTITUCIONI sikur -Ali Aliu , me fat qe e kemi. Qamil Foniqi- Mwegimtari

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË