More
    KreuLetërsiBibliotekëM. T. Edvardsson: Një familje gati normale

    M. T. Edvardsson: Një familje gati normale

    Përktheu: Evis Cerga

    Prolog

    Gjykata e rrethit është në qendër të qytetit Lund, dy hapa nga ndërtesa e komisariatit të policisë dhe po aq larg nga Stacioni Qendror. Të gjithë ata që jetojnë në Lund, kalojnë përditë përpara ndërtesës së gjykatës, por pjesa më e madhe e tyre e shkojnë jetën pa shkelur kurrë brenda asaj ndërtese. Deri para pak kohësh, te këta njerëz bëja pjesë edhe unë.

    Tani jam ulur në një stol jashtë Sallës nr. 2 të kësaj gjykate dhe ekrani përpara meje më informon se brenda po zhvillohet një seancë gjyqësore për një çështje vrasjeje.

    Brenda në sallë, në anën tjetër të derës, është ime shoqe. Përpara se të hynim në gjykatë dhe të kalonim tek inspektimi, ndaluam një çast te shkallët dhe u përqafuam. Ime shoqe ma shtrëngoi dorën fort dhe më tha se tani gjërat nuk vareshin më nga ne, se vendimi ishte në dorë të tjetërkujt. Të dy e dimë se kjo nuk është plotësisht e vërtetë.

    Altoparlanti kërcet dhe mua më kaplon një valë të përzierash. Dëgjoj emrin tim. Është radha ime. Ngrihem nga stoli, duke m’u marrë mendtë, dhe roja i sigurisë më hap derën. Ai tund pak kokën, por shprehja e fytyrës së tij nuk shfaq asnjë emocion, asnjë mendim. Këtu nuk ka vend për to.

    Salla nr. 2 është më e madhe nga sa e prisja. Mes turmës së njerëzve që qëndrojnë ulur, shoh time shoqe. Duket e lodhur, e drobitur. Faqet i ka të riguara nga lotët.

    Një çast më vonë, shoh time bijë.

    Është e zbehtë dhe më e dobët nga sa mbaj mend; flokët i ka të pakrehur dhe më sheh me sy të zbrazët. Nuk di se si e mbaj veten të mos vrapoj që ta marr në krah dhe t’i them: “mos ki merak, ke babin këtu, gjithçka do të shkojë mirë”.

    Kryetari i trupit gjykues më fton të ulem dhe përshtypja ime e parë për të është pozitive. Më krijon përshtypjen e një njeriu të mençur, e njëkohësisht të ndjeshëm, edhe pse autoritar. Nuk besoj që anëtarët e tjerë të trupit gjykues ta kundërshtojnë, kur të vijë puna te vendimi. E, për më tepër, e di që edhe ai vetë është baba.

    Meqë jam person i afërt i së pandehurës, nuk më lejohet të betohem. E di që gjykata do ta dëgjojë dëshminë time me dijeninë e plotë që, në këtë çështje, ime bije është personi i akuzuar. Por di gjithashtu se ajo çka unë përfaqësoj dhe sidomos profesioni im, do ta bëjë gjykatën të mendojë se fjalët që do të them, janë të besueshme.

    Kryetari ia jep fjalën prokurores. Marr frymë thellë. Ajo çka do të them do të ndikojë në jetët e shumë njerëzve, për shumë vjet. Fjalët e mia mund t’i vënë kapak gjithë historisë. Ende nuk e kam vendosur se çfarë do të them.

    BABAI

    Nga fryti i gojës së vet njeriu do të ngopet me të mira, dhe nga puna e duarve të tij do të shpërblehet.

    Fjalët e urta 12:14, Bibla e re standarde amerikane

    1

    Ishim një familje më se e zakonshme. Kishim punë interesante, që paguheshim mirë, dhe një rreth të gjerë miqsh. Gjatë kohës së lirë, merreshim me sport dhe ndiqnim aktivitete kulturore. Të premteve e porosisnim darkën me telefon; hanim përpara televizorit, duke parë Idol dhe na zinte gjumi në divan përpara se të mbaronte votimi. Të shtunave drekën e hanim në qendër, ose në ndonjë nga qendrat tregtare. Shikonim ndeshje hendbolli ose shkonim në kinema; më pas, pinim ndonjë shishe verë me miq. Çdo mbrëmje na zinte gjumi përkrah njëri-tjetrit. Të dielave bënim shëtitje në pyll, ose shkonim në muze, bisedonim gjatë në telefon me prindërit ose përfundonim të ulur në kanape me ndonjë roman në dorë. Mbrëmjet e të dielave shpesh na gjenin ulur në krevat mes letrave, dosjeve, kompjuterave dhe dokumenteve të përhapura ngado, duke u përgatitur për javën e ardhshme të punës. Të hënave në mbrëmje, ime shoqe shkonte në joga, ndërsa të enjteve unë luaja basketboll. Kredinë e shtëpisë e shlyenim gjithmonë me përpikëri; plehrat i ndanim sipas kategorive të caktuara dhe nuk e kalonim kurrë shpejtësinë. Librat që merrnim nga biblioteka i kthenim gjithmonë në kohë.

    Sivjet, pushimet i bëmë më vonë se vitet e tjera: fillim korriku deri nga mesi i gushtit. Pas disa verave të këndshme në Itali, vitet e fundit kishim nisur të udhëtonim jashtë shtetit në periudhën e dimrit, kështu që në verë mund të qëndronim në shtëpi apo të bënim ndonjë ekskursion në bregdet, te miq apo të afërm. Kësaj here morëm me qira një shtëpizë në ishullin Orust.

    Stela kishte punuar gjatë gjithë verës te H&M-ja. Po kursente për një udhëtim të gjatë në Azi, në dimër. Ende më mban shpresa se do t’ia dalë të shkojë.

    Unë dhe Ulrika sikur rizbuluam njëri-tjetrin këtë verë. Tingëllon si një klishe, madje tepër e zakontë; askush nuk do ta besojë se mund të biesh përsëri në dashuri me gruan pas njëzet vjetësh bashkë. Ishte njësoj sikur vitet që kishim kaluar duke u kujdesur për të rritur fëmijën tonë kishin qenë vetëm uvertura e historisë sonë të dashurisë. Sikur ne të kishim pritur vetëm të vinte kjo ditë. Neve, së paku, kështu na duket.

    Të rrisësh një fëmijë, është njësoj si të punosh diku me kohë të plotë. Kur fëmijët janë të vegjël, ti pret momentin që ata të bëhen të pavarur dhe gjatë gjithë kohës të bren shqetësimi se mos mbyten me diçka, ose mos bien diku e vriten. Pastaj fillon parashkollori dhe ti vazhdon të shqetësohesh, sepse nuk i ke më fëmijët përpara syve, ke frikë mos bien nga shilarësi ose mos nuk afrohen me shokët e shoqet. Më pas nis shkolla dhe ti vazhdon të shqetësohesh se mos fëmija yt nuk do të jetë në gjendje të përshtatet, nuk do të jetë në gjendje të bëjë shokë dhe gjithë vëmendja përqendrohet te detyrat e shtëpisë dhe aktivitetet jashtëshkollore, te topi dhe fjetjet te shtëpitë e shokëve. Me fillimin e gjimnazit shtohen shokët e shoqet, festat dhe konfliktet, bisedat me profesorët. Ti shqetësohesh për drogën dhe alkoolin, ke frikë se mos fëmija zë shoqëri të keqe dhe vitet e adoleshencës kalojnë si në një telenovelë, me 190 km/h. Papritmas, fëmija yt nuk është më fëmijë dhe ti mendon se më në fund shqetësimet e tua sosën.

    Kjo verë, të paktën, kaloi pa probleme të mëdha me Stelën. Jeta jonë familjare nuk kishte pasur kurrë më parë kaq harmoni. Paskëtaj, gjithçka ndryshoi.

    Ishte e premte gushti, Stela mbushte tetëmbëdhjetë vjeçe dhe unë kisha rezervuar një tavolinë në restorantin tonë të preferuar. Italia dhe kuzhina italiane kanë qenë gjithmonë të preferuarat e familjes sonë dhe në lagjen Väster kishte një restorant të vogël që shërbente makarona dhe pica. Mezi po prisja të kaloja një mbrëmje të qetë me familjen.

    Una tavola per tre,- i thashë një kameriereje me syçka si të një drenushe dhe vath në hundë.- Me emrin Adam Sandel. Kam bërë një rezervim për në orën tetë.

    Ajo hodhi sytë përreth disi në ankth.

    – Një minutë,- tha dhe u largua mespërmes restorantit të mbushur plot me klientë.

    Ulrika dhe Stela u kthyen nga unë, ndërsa kamerierja bisedonte me kolegët, duke bërë me duar e me këmbë.

    Doli që kushdo që kishte marrë rezervimin tim e kishte shënuar gabimisht për ditën e enjte.

    – Ju prisnim dje,- tha kamerierja, duke kruar zverkun me stilolaps.- Por do t’ju sistemojmë. Ju lutem, prisni vetëm pesë minuta.

    Disa tipa duhej të çoheshin, ndërsa personeli tërhiqte një tavolinë. Ulrika, Stela dhe unë rrinim në mes të restorantit të mbushur plot dhe bënim sikur nuk i vinim re vështrimet e bezdisura të klientëve të tjerë të lokalit. Isha gati të ngrija zërin e t’u thosha se nuk ishte faji ynë, por i restorantit.

    Kur më në fund tavolina jonë u bë gati, nxitova ta fshihja fytyrën pas menysë.

    – Ju kërkojmë ndjesë,- tha një burrë me mjekër të thinjur, i cili me shumë gjasë duhej të ishte pronari.- Ëmbëlsirat i keni nga lokali.

    – Nuk ka problem,- i thashë, si për ta qetësuar.- Njerëz jemi. Gjëra të tilla ndodhin.

    Kamerierja mori porosinë për pijet.

    – Një gotë verë të kuqe?- pyeti Stela.

    Po më kërkonte leje. Unë u ktheva nga Ulrika.

    – E po, sot është ditë e veçantë,- tha ime shoqe.

    Bëra “po” me kokë në drejtim të kamerieres.

    – Një gotë verë të kuqe për vajzën që sot ka datëlindjen.

    Pasi mbaruam darkën, Ulrika i dha Stelës një kartolinë me motive të Josef Frankut.

     – Hartë është kjo?

    Buzëqesha djallëzisht.

    Dolëm nga restoranti dhe i kërkuam Stelës që të shkonte te qoshja nga pas. Atje kisha parkuar atë pasdite dhuratën e saj të datëlindjes.

    – O ba, të thashë që kjo është shumë e shtrenjtë!

    Stela vuri duart në fytyrë, sikur nuk po u besonte syve.

    Ishte një Vespa Piaggio bojërozë. Pak javë më parë e kishim parë një të tillë në internet dhe, domosdo, ishte i shtrenjtë, por në fund ia mbusha mendjen Ulrikës se duhej t’ia blinim vajzës.

    Stela tundi kokën dhe psherëtiu.

    – Si nuk më dëgjon një herë, o ba?

    Ngrita dorën, siç bëjmë kur duam të ndalojmë dikë, dhe buzëqesha.

    – Mjafton një “faleminderit”.

    E dija që Stela donte para të thata, por nuk më dukej aspak interesante t’i jepja para për datëlindje. Me Vespan, ajo mund të shkonte më shpejt dhe më lehtë në punë apo te shoqet. Në Itali, çdo adoleshent e ka një Vespa.

    Stela na përqafoi dhe na falënderoi disa herë, përpara se të futeshim sërish në restorant, por unë nuk e di përse u ndjeva disi i zhgënjyer.

    Kamerierja na solli tiramisu dhe, pasi të gjithë thamë se nuk kishim më vend ku ta fusnim, nuk lamë asnjë thërrime.

    Kafenë e shoqërova me limonçel.

    – Tani mua më duhet të iki,- tha Stela, që mezi po e mbante vendi.

     – Kaq shpejt?

    Pashë orën e dorës. Nëntë e gjysmë.

    Stela mblodhi buzët dhe filloi të tundej sa para-mbrapa në karrige.

    – Mirë, po rri edhe pak,- tha.- Nja dhjetë minuta.

    – Po ti ke datëlindjen,- i thashë.- Dyqani nesër nuk hapet përpara dhjetës, apo jo?

    Stela psherëtiu.

    – Nesër nuk jam në punë.

    Nuk ishte në punë? Ajo punonte çdo të shtunë. Ashtu e kishin marrë në punë te H&M-ja. Një punë që kishte nisur për fundjava, ishte kthyer në një vend pune për gjithë stinën e verës.

    – Kam pasur dhembje koke gjithë pasditen,- tha ajo në mënyrë disi evazive.- Migrenë.

    – Ju the që je sëmurë?

    Stela pohoi me kokë. Pastaj tha se nuk ishte ndonjë problem: një nga vajzat që punonte aty mund të mbulonte turnin e saj.

    – Ne nuk të kemi rritur kështu,- iu drejtova Stelës, që ishte ngritur dhe kishte marrë xhaketën nga shpinorja e karriges së vet.

    – Adam,- m’u drejtua Ulrika.

    – Po pse me kaq nxitim?

     Stela mblodhi supet.

    – Kam lënë diçka me Aminën.

    Pohova edhe unë me kokë, duke kapërdirë pakënaqësinë time. Me sa dukej, kështu e kishin tetëmbëdhjetëvjeçarët.

    Stela përqafoi fort të ëmën. Unë nuk arrita as të ngrihesha gjysmë nga vendi, kur ajo më hodhi krahët rreth supeve dhe më përqafoi si për të kaluar radhën.

    – Po Vespa?- e pyeta, ndërsa Stela pa nga Ulrika.

    – Do ta çojmë ne në shtëpi,- tha ime shoqe.

    Kur Stela kishte dalë nga restoranti, Ulrika fshiu buzët ngadalë me pecetë dhe më buzëqeshi.

    – Tetëmbëdhjetë vjet. Sa shpejt fluturon koha!

    Ishim të dy të lodhur kur mbërritëm në shtëpi atë mbrëmje. Kishim zënë qoshet tona në divan dhe po lexonim, ndërsa në sfond nga magnetofoni vinte zëri i Leonard Cohenit.

    – Vazhdoj t’i qëndroj mendimit se ajo duhet të jetë më mirënjohëse,- i thashë sime shoqeje.- Sidomos pas incidentit me makinën.

    Incidenti me makinë… i kishim vënë edhe emër.

    Ulrika nuk e mori mundimin të fliste, a thua se kjo temë nuk i interesonte, dhe as nuk i ngriti sytë nga libri që po lexonte. Jashtë, era ishte shtuar dhe muret dukej sikur kërcisnin nga forca e saj. Vera ishte në grahmat e fundit; gushtit po i vinte fundi, por aq më bënte. Vjeshta më kishte pëlqyer gjithmonë, sepse më jepte ndjesinë e një fillimi të ri, si fillimet e një dashurie të re.

    Kur pak më vonë e lashë romanin që po lexoja, vura re se Ulrikën e kishte zënë gjumi. Ia ngrita kokën me kujdes dhe ia vura mbi jastëk. Po bënte gjumë shumë të paqetë dhe, për një çast, mendova ta zgjoja, por ndërrova mendja dhe vazhdova të lexoja. Nuk kaloi shumë dhe germat zunë të më zvogëloheshin, derisa u bënë të padukshme. Gjumi më zuri me një peshë të rëndë që më ishte krijuar në gjoks nga hendeku që ishte hapur tashmë mes meje dhe Stelës, mes njerëzve që kishim qenë dhe atyre që ishim shndërruar, mes imazhit dhe realitetit.

    Kur më doli gjumi, Stelën e gjeta në mes të dhomës. Ajo ecte sa para-mbrapa, ndërsa drita e hënës i derdhej në flokë dhe supe. Edhe Ulrika ishte zgjuar dhe po fërkonte sytë. Dhoma u mbush me ngashërima.

    U ngrita.

    – Çfarë ka ndodhur?

    Stela vetëm tundte kokën, ndërsa lotët i rridhnin faqeve. Ulrika e kishte rrokur në krahë dhe, kur më në fund sytë m’u mësuan me errësirën, e kuptova që Stela po dridhej.

    – Asgjë, asgjë,- tha ajo dhe doli nga dhoma bashkë me të ëmën.

    Unë mbeta pas, me një ndjenjë të pakëndshme zbrazëtie.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË