More
    KreuArte pamoreLeonardo da Vinci: Unë di edhe të pikturoj

    Leonardo da Vinci: Unë di edhe të pikturoj

    nga Walter Isaacson

    Sapo arriti në atë momentin e padëshiruar të të mbushurit tridhjetë vjeç, Leonardo da Vinci i shkroi një letër sundimtarit të Milanos, ku i listonte arsyet përse ai duhet t’i ofronte një vend pune. Ai kishte qenë një piktor pak a shumë i suksesshëm në Firence, por kishte pasur probleme në përfundimin e pikturave që i kishin porositur e tashmë ishte në kërkim të horizonteve të reja. Në dhjetë paragrafët e parë, ai u bëri një përmbledhje dhuntive të tij inxhinierike, përfshirë edhe aftësinë për të ndërtuar ura, kanalizime uji, topa, mjete ushtarake të blinduara dhe godina publike. Vetëm në paragrafin e njëmbëdhjetë, diku nga fundi, ai shtoi se ishte edhe artist. “Sikurse edhe në pikturë, unë mund të bëj gjithçka”, – shkroi ai.

    Walter Isaacson

    Po, ai mund të bënte gjithçka. Ai do krijonte dy pikturat më të famshme të historisë, Darka e fundit dhe Mona Lisa. Por në mendjen e tij ai ishte po kaq i talentuar si njeri i shkencës dhe inxhinierisë. Me një pasion të gjallë, por edhe të fiksuar, ai kreu studime që përbënin risi në anatomi, fosile, zogj, mbi zemrën, makineritë fluturuese, optikën, botanikën, gjeologjinë, rrjedhën e ujit dhe armatimet; duke u bërë kështu prototipi i Njeriut të Rilindjes, një frymëzim për të gjithë ata të cilët besojnë se “veprat e pafundme të natyrës”, siç i quante ai, janë të thurura së bashku në një harmoni të mbushur me modele të mrekullueshme. Aftësia e tij për të ndërthurur artin dhe shkencën, e shndërruar në ikonë përmes vizatimit të tij të një njeriu me përmasa perfekte me krahët hapur brenda një rrethi e katrori, i njohur si Njeriu Vitruvian, e bëri atë gjeniun më krijues të historisë.   

    Zbulimet e tij shkencore e furnizonin me dije artin e tij. Ai rripte lëkurën nga fytyrat e kufomave, analizonte muskujt që kryejnë lëvizjen e buzëve, e më pas pikturoi buzëqeshjen më të paharrueshme të botës. Studioi kafkën njerëzore, bëri vizatime të detajuara të kockave dhe dhëmbëve dhe krijoi agoninë në skeletin e Shën Jeromi në shkretëtirë. Eksploroi matematikën e optikës, pasqyroi se si rrezet e dritës godasin kornenë e syrit njerëzor, e kështu prodhoi iluzione magjike të ndryshimit të perspektivës pamore te vepra e tij Darka e fundit.

    Duke lidhur studimet e dritës dhe optikës me artin e tij, ai u bë mjeshtër i përdorimit të hijes dhe perspektivës për të modeluar objektet në një sipërfaqe dydimensionale, duke i bërë ato të duken si tredimensionale. Kjo aftësi “për ta bërë një sipërfaqe të sheshtë të paraqesë një objekt të modeluar dhe të ndarë nga plani, – tha Leonardo, – ishte synimi parësor i piktorit”. Kryesisht për shkak të punës së tij, dimensioni u shndërrua si risia supreme e artit të Rilindjes.

    Teksa plakej, ai vazhdoi me zbulimet e tij shkencore jo për t’i shërbyer artit, por i udhëhequr nga një instinkt ngazëllues për të kuptuar sa më mirë bukuritë e thella të natyrës. Kur nisi të studionte teorinë se përse qielli na duket ngjyrë blu, kjo nuk ishte vetëm për të fituar njohuri që të mund t’i përdorte në pikturat e tij. Kurioziteti i tij ishte thjesht një fanatizëm i pastër, personal dhe i bukur.

    Por edhe teksa merrej me studimin e qiellit blu, shkenca e tij nuk ishte e ndarë prej artit. Të dyja ato i shërbenin pasionit të tij energjik, që nuk ishte gjë tjetër veçse dëshira për të ditur çdo gjë mbi botën, përfshirë edhe pozicionin që ka njeriu në të. Ai kishte një vlerësim për gjithësinë e natyrës dhe ishte i dashuruar pas harmonisë së modeleve të saj, të cilat i shihte të përsëritura në fenomene të vogla e të mëdha. Në blloqet e tij të shënimeve ai do vizatonte flokë kaçurrela, dallgë uji, vorbulla ajri, bashkë me disa formula matematikore që i shpjegonin të tilla spirale. Në Kështjellën Windsor, teksa po shikoja “Skicat e turbullta” të cilat ai i bëri në prag të fundit të jetës, pyeta kuratorin Martin Clayton nëse mendonte se Leonardo i kishte bërë ato si vepra arti apo studime shkencore. Teksa po flisja, e kuptova vetë që ishte një pyetje pa vend. “Nuk besoj se Leonardo do e kishte bërë dot dallimin”, – u përgjigj ai.

    Vendosa ta shkruaj këtë libër, pasi Leonardo da Vinci është shembulli i përkryer i tematikës kryesore të biografive të mia të mëparshme: se si aftësia për të lidhur disiplina të ndryshme, si arti dhe shkenca, shkencat shoqërore dhe teknologjia, përbëjnë çelësin e risisë, imagjinatës dhe gjenialitetit. Benjamin Franklin, një figurë që e kam trajtuar në të shkuarën, ishte një Leonardo për epokën e tij: pa asnjë shkollim, ai u vetarsimua duke u bërë një dijetar tejet krijues dhe shkencëtari, shpikësi, diplomati, shkrimtari dhe strategu i biznesit, më i miri i iluminizmit në Amerikë. Përmes një balone në fluturim, vërtetoi se vetëtima është elektricitet dhe shpiku rrufepritësin për ta zbutur atë. Ai skicoi gjyzlykë me dy vatra përqendrimi, instrumente muzikore që të mahnitnin, soba me djegie të pastër, bëri harta të gjirit të detit dhe themeloi stilin e veçantë të humorit amerikan. Albert Einstein, teksa haste vështirësi në studimet e tij mbi teorinë e relativitetit, merrte violinën dhe luante Mozart-in, dhe kjo e ndihmonte të lidhej sërish me harmoninë e kozmosit. Ada Lovelace, së cilës i dedikova një profil në një libër për shpikësit, kombinoi ndjeshmërinë poetike të babait të saj, Lord Byron, me dashurinë e nënës së saj për bukurinë e matematikës, duke hedhur idenë e parë për një kompjuter me funksione të përgjithshme. Dhe Steve Jobs arriti kulmin e shitjeve të produktit të tij përmes një imazhi të shenjave rrugore, ku tregonte ndërthurjen e arteve liberale me teknologjinë. Leonardo ishte heroi i tij. “Ai e shikonte bukurinë si në art ashtu edhe në inxhinieri, – tha Jobs, – dhe aftësia e tij për t’i kombinuar të dyja ishte ajo që e bënte atë një gjeni”.

    Po, ai ishte gjeni: me një imagjinatë të shfrenuar, kuriozitet të zjarrtë dhe aftësi krijuese në shumë disiplina. Por këtë fjalë duhet ta përdorim me kujdes. Duke i vënë Leonardos etiketën “gjeni”, në njëfarë mënyre, ia ulim disi vlerat, pasi e bëjmë të duket sikur ishte i goditur nga rrufeja. Biografi i tij i hershëm, Giorgio Vasari, një artist i shekullit të gjashtëmbëdhjetë, e bëri këtë gabim: “Ndodh që, në një mënyrë mbinatyrore, një personi të vetëm i dhurohet me bollëk nga qielli bukuri, hir dhe talent aq i madh, saqë çdo vepër e tij është hyjnore dhe çdo gjë që bën duket qartë që vjen nga Perëndia dhe jo nga arti njerëzor.”Në fakt, gjenialiteti i Leonardos ishte njerëzor, i nxitur nga vullneti dhe ambicia e tij. Nuk vinte si dhuratë hyjnore, ashtu si Newton apo Einstein, të cilët kishin një mendje me një fuqi aq të madhe funksionale, saqë ne njerëzit e thjeshtë nuk mund ta kuptojmë. Leonardo pothuajse ishte pa shkollë dhe me vështirësi arrinte të lexonte latinisht apo të bënte përllogaritje matematikore disashifrore. Gjenialiteti i tij i përkiste një lloji të cilin ne mund ta kuptojmë, madje edhe ta përdorim si shembull. Ishte i bazuar mbi aftësi të cilat ne mund të aspirojmë që t’i arrijmë te vetja jonë, si, për shembull, kurioziteti dhe vëzhgimi intensiv. Ai kishte një imagjinatë aq joshëse e cila lodronte me skajet e fantazisë, gjë që edhe ne duhet të përpiqemi ta ruajmë te vetja jonë dhe duhet t’ua pasojmë edhe fëmijëve tanë.

    Fantazitë e Leonardos shpaloseshin në çdo gjë që ai prekte: shfaqje teatrale, planet për ndryshimin e rrjedhës së ujit, skica për qytetet ideale, skema për makineri fluturuese dhe pothuajse çdo aspekt tjetër i artit të tij dhe inxhinierisë. Letra e tij drejtuar sundimtarit të Milanos është një shembull i mirë për këtë, pasi aftësitë e tij mbi inxhinierinë ushtarake vetëm sa i kishte në mendje. Roli i tij i parë në oborrin e sundimtarit nuk ishte për ndërtimin e armëve, por për të organizuar festivale e parada. Edhe në kulmin e karrierës së tij, shumica e makinerive të tij luftuese apo fluturuese ishin më shumë vizionare sesa praktike.

    Në fillim unë mendova se ndjeshmëria e tij ndaj fantazisë ishte një dështim, që shpaloset në mungesën e disiplinës dhe zellit, dhe në prirjen për të lënë përgjysmë vepra arti apo duke lënë pa përfunduar studime të ndryshme. Vizioni pa zbatueshmërinë është vetëm një iluzion. Por unë zbulova se aftësia e tij për të zbutur vijën ndarëse midis realitetit dhe fantazisë, ashtu si edhe teknika e sfumaturës për zbutjen e vijave në pikturë, ishte çelësi i krijimtarisë së tij. Aftësia pa imagjinatë është shterpë. Leonardo dinte si të mblesëronte vëzhgimin me imagjinatën, ndaj edhe mbetet novatori më i madh i historisë.

    Pikënisja ime për këtë libër nuk ishin kryeveprat artistike të Leonardos, por blloqet e tij të shënimeve. Unë mendoj se mendja e tij shpaloset më mirë te mbi 7.200 faqet e blloqeve dhe shënimeve të tij, të cilat, për mrekulli, mbijetuan deri në ditët e sotme. Na doli që letra qenka një teknologji e jashtëzakonshme e ruajtjes së informacionit, e lexueshme edhe pas pesëqind vitesh, gjë që është e vështirë të thuhet për shënimet tona në rrjetet sociale.

    Kliko për ta blerë tani

    Fatmirësisht, Leonardos nuk ia mbante xhepi ta shpërdoronte letrën, kësisoj ai mbushi çdo cep të faqes me vizatime të shumëllojshme dhe me shënime të vogla për t’u lexuar me lupë, të cilat duken të zakonshme, por na japin informacion mbi ecurinë e mendjes së tij. Të shkarravitura krah njëra-tjetrës, pa lidhje midis tyre, gjenden përllogaritje matematikore, vizatime të të dashurit të tij të ri mistrec, zogj, makineri fluturuese, zbukurime teatri, valë deti, valvulat e gjakut, koka groteske, engjëj, sifone, kërcej bimësh, kafka të prera, këshilla për piktorët, shënime për syrin dhe optikën, armë lufte, fabula, gjëegjëza dhe studime për piktura. Madhështia ndërdisiplinore shpaloset në çdo faqe, duke na ofruar një pamje të mrekullueshme të një mendjeje që vallëzon me natyrën. Blloqet e tij të shënimeve janë të dhënat më të mëdha që ka krijuar ndonjëherë kurioziteti njerëzor, një guidë mahnitëse e njeriut të cilin historiani i shquar i artit Kenneth Clark e quajti “mendja me kuriozitetin më të pakapërcyeshëm të historisë”.

    Perlat e mia të preferuara në blloqet e tij të shënimeve janë listat e gjërave që planifikon të bëjë. Njëra prej tyre, e cila daton në vitet 1490 në Milano, është lista e gjërave që dëshiron të mësojë për atë ditë. “Matja e Milanos dhe rrethinave të qytetit”, është e para në listë. Kjo ka një qëllim praktik, pasi shpjegohet nga një shënim tjetër në listë: “Vizato Milanon.” Shënimet e tjera tregojnë që ai kërkonte me këmbëngulje të gjente njerëz të tjerë që t’i mësonin gjërat që ai nuk i dinte: “Gjej mjeshtrin e aritmetikës të të mësojë se si të sheshosh një trekëndësh… Pyet Giannino bombarduesin sesi është e rrethuar kulla e Ferrarës… Pyet Benedetto Protiniari-n sesi arrijnë të ecin mbi akull flemingët në zonat e ulëta… Gjej mjeshtrin e hidraulikëve të të mësojë sesi të riparosh një grup, një kanal dhe një mulli sipas mënyrës në Lombardi… Gjej përmasat e diellit siç të ka premtuar mjeshtër Giovanni Francese, të cilin e thërrasin Francezi.” Ai është i pangopur për dije.

    Herë pas here, vit pas viti, Leonardo liston gjërat që duhet të bëjë apo mësojë. Disa prej tyre kanë të bëjnë me studime të detajuara, të cilat neve as që na shkon në mendje t’i bëjmë. “Studio këmbën e patës: nëse do ishte gjithmonë e hapur ose gjithmonë e mbyllur, shpendi nuk do ishte në gjendje të bënte as edhe një lëvizje.” Të tjerat kanë të bëjnë me pyetje, si përse është qielli blu apo fenomene aq të zakonshme, saqë neve as na shkon në mendje t’i mendojmë. “Përse peshku në ujë është më i shpejtë sesa zogu në ajër, kur duhet të jetë e kundërta, duke qenë se uji është më i rëndë dhe më i trashë sesa ajri?”

    Më të mirat janë ato pyetjet të cilat duket se janë tërësisht të rastësishme. “Përshkruaj gjuhën e qukapikut”, – udhëzon ai veten. E kujt në këtë botë do t’i shkrepte në mendje që një ditë, pa as edhe një arsye, do donte të dinte se ç’pamje ka gjuha e qukapikut? E si do ta zbulosh këtë? Dhe nuk është as informacion që Leonardos i duhej për të pikturuar një tablo apo për të kuptuar fluturimin e zogjve. Por ja që është në ato shënime dhe siç do e shohim më vonë, ka gjëra të mrekullueshme që mund të mësojmë për gjuhën e qukapikut. Por arsyeja kryesore përse ai donte ta dinte ishte sepse ai ishte Leonardo: kurioz, pasionant dhe gjithnjë i mbushur me habi.

    Por më i çuditshmi është ky shënimi: “Shko çdo të shtunë te banja e nxehtë ku do shohësh burra lakuriq.” Arrijmë ta imagjinojmë Leonardon duke e bërë këtë, për arsye anatomike dhe estetike. Por a duhej ta kujtonte veten që të shkonte e ta bënte këtë? Tjetra në listë është: “Fry mushkëritë e derrit dhe vëzhgo nëse zgjerohen në gjerësi dhe gjatësi, apo vetëm në gjerësi.” Ashtu siç shkroi kritiku i artit për New Yorker, Adam Gopnik, “Leonardo mbetet i çuditshëm, më i çuditshëm s’ka ku të vejë, dhe nuk kemi se çfarë t’i bëjmë këtij fakti”.

    Për t’i shtjelluar këto çështje, vendosa të shkruaj një libër që të bazohej kryesisht mbi këto blloqe shënimesh. Nisa me pelegrinazhet e mia për të parë origjinalet në Milano, Firence, Paris, Siatëll, Madrid, Londër dhe në Kështjellën Windsor. Ky ishte zbatim i urdhrit të Leonardos që për të nisur një studim, duhet të shkosh te burimi: “Ai që mund të shkojë te burimi i ujit, nuk shkon te brokja me ujë.” Gjithashtu u zhyta në pirgun e artikujve shkencorë dhe disertacionet doktorale mbi Leonardon, ku secili prej tyre përmban vite të tëra pune për tema të caktuara. Gjatë dekadave të fundit, sidomos që nga zbulimi në vitin 1965 i shënimeve të tij, që njihen si Kodikët Madrid, ka pasur shumë përparime në analizimin dhe interpretimin e shkrimeve të tij. Gjithashtu, teknologjia moderne na ka zbuluar informacione të reja mbi pikturat e tij dhe teknikat që përdorte.

    Pasi u angazhova i tëri me Leonardon, bëra aq sa munda që të isha më vëzhgues ndaj fenomeneve të cilat më parë i injoroja, duke u përpjekur që t’i shikoja gjërat ashtu siç i shikonte ai. Kur pashë dritën e diellit që përplasej te perdet, e binda veten të ndaloja e të shikoja se si hijet përkëdhelnin palat. U përpoqa të shoh se si drita e reflektuar nga një objekt ngjyroste me delikatesë hijet e një objekti tjetër. Vura re se si shkëlqimi i një pike të shndritshme mbi një sipërfaqe të lëmuar lëvizte kur unë tundja kokën. Kur shikoja një pemë larg e një tjetër më pranë meje, përpiqesha të krijoja imazhin e linjave të perspektivës. Kur pashë një spirale uji, e krahasova me flokët kaçurrela. Kur nuk e kuptoja dot një koncept matematikor, përpiqesha sa të mundja ta imagjinoja si një figurë. Kur shikoja njerëz që darkonin së bashku, studiova marrëdhënien midis lëvizjeve dhe emocioneve të tyre. Kur pashë lindjen e një buzëqeshjeje në buzët e dikujt, u përpoqa të kuptoja misteret e brendshme të njeriut.

    Jo, as që iu afrova Leonardos, as të kuptoja si ai e as të fitoja ndonjë talent sado të vogël me talentin e tij. As që iu afrova qoftë edhe një milimetër aftësisë për të skicuar një makinë fluturuese, të shpikja një mënyrë të re për të bërë harta, apo të pikturoja Mona Lisën. E forcova veten e me detyrim u bëra kurioz për gjuhën e qukapikut. Por mësova nga Leonardo se si dëshira për t’u mahnitur me botën që ne hasim çdo ditë mund ta bëjë më të pasur çdo moment të jetës sonë.

    Ka tre dëshmi madhore mbi Leonardon nga shkrimtarë të cilët pothuajse ishin bashkëkohësit e tij. Piktori Giorgio Vasari, i lindur në vitin 1511 (tetë vite përpara se të vdiste Leonardo), shkroi librin e parë të vërtetë mbi historinë e artit, Jetët e piktorëve, skulptorëve dhe arkitektëve më të shquar, i botuar në vitin 1550, dhe u ribotua në vitin 1568 me korrigjime të bazuara mbi intervista të tjera me njerëz të cilët e njihnin Leonardon, përfshi edhe nxënësin e tij Francesco Melzi. Një shovinist fiorentin, Vasari i përkushtoi Leonardos, sidomos Mikelanxhelos, respektin më të plotë për krijimin e asaj që ai e quajti, për herë të parë e shkruar në letër, një “rilindje” në art.  Ashtu siç Huckleberry Finn tha për Mark Twain, kishte gjëra që Vasari i ekzagjeroi paksa, por në të shumtën e rasteve tha të vërtetën. Ajo që na mbetet është një përzierje thashethemesh, zbukurimesh, sajesash dhe gabimesh të paqëllimshme. Problemi qëndron se në cilën prej tyre hyjnë ato anekdotat aq piktoreske – si për shembull, ajo e mësuesit të Leonardos që e hodhi penelin e vet kur pa talentin e nxënësit të tij.

    Dorëshkrimi anonim i shkruar gjatë viteve 1540, i njohur si “Anonimo Gaddiano”, sipas emrit të familjes që e zotëronte dikur, përmban detaje shumëngjyrëshe mbi Leonardon dhe fiorentinë të tjerë. Edhe këtu, disa prej pohimeve në këtë dorëshkrim, si, për shembull, Leonardo jetoi dhe punoi me Lorenzo de’Medici, mund të jetë e zbukuruar, por na jep detaje interesante që tingëllojnë të vërteta. Për shembull, Leonardos i pëlqente të vishte tunikë ngjyrë rozë e cila i varej deri te gjunjët, ndonëse të tjerët vishnin rroba të gjata.

    Burimi i tretë i hershëm është nga Gian Paolo Lomazzo, një piktor i cili u bë shkrimtar e më pas u verbua. Rreth vitit 1560 ai shkroi një dorëshkrim të titulluar Ëndrrat dhe argumentet i cili u botua më vonë në vitin 1584 si një tekst voluminoz mbi artin. Ai ishte nxënës i një piktori i cili e kishte njohur Leonardon dhe ai intervistoi Melzin, nxënësin e Leonardos, duke bërë kështu të kishte informacion të dorës së parë mbi historitë e mjeshtrit. Lomazzo zbulon shumë të dhëna mbi prirjet seksuale të Leonardos. Për më tepër, ka edhe dorëshkrime të tjera më të shkurtra prej dy bashkëkohësve të Leonardos, Antonio Billi, një tregtar fiorentin, dhe Paolo Giovio, një mjek dhe historian italian.

    Shumë prej këtyre dokumenteve të hershme përmendin pamjen dhe personalitetin e Leonardos. Ai përshkruhet si një njeri i pashëm dhe i hirshëm. Kishte kaçurrela të derdhura dhe të arta, një trup muskuloz, një forcë fizike të admirueshme dhe një elegancë në sjellje teksa shëtiste nëpër qytet me veshjen e tij shumëngjyrëshe apo kur ngiste kalin. “I bukur në pamje dhe në personalitet, Leonardo ishte tërheqës dhe plot hir”, – shkruhet në dorëshkrimin e Anonimo-s. Për më tepër, ai ishte një bashkëbisedues tejet tërheqës dhe i dashuruar pas natyrës, i njohur si njeri i ëmbël dhe i dashur si me njerëzit ashtu edhe me kafshët.

    Ka më pak pajtueshmëri për disa specifika të veçanta. Gjatë studimit tim zbulova se shumë fakte mbi jetën e Leonardos, që nga lindja e deri te vdekja e tij, kanë qenë temë debati, miti dhe misteri. Do përpiqem të jap vlerësimin tim më të mirë e të përshkruaj polemikat dhe kundërargumentet përmes shënimeve.

    Gjithashtu zbulova, si fillim u shtanga, por më pas e pashë si kënaqësi, që Leonardo nuk ishte gjithmonë një gjigant. Ai bënte gabime. Merrej me gjëra pa lidhje, sinqerisht e kam, ndiqte probleme matematikore që vetëm sa ia çonin kohën dëm. Fatkeqësisht, shumë prej pikturave të tij i la pa përfunduar, në veçanti Adhurimi i mbretit, Shën Jeromi në shkretëtirë dhe Beteja e Anghiari-t. Kësisoj, sot kemi vetëm pesëmbëdhjetë piktura që i atribuohen plotësisht apo pjesërisht atij.      

    Njeriu Vitruvian, rreth 1490

    Ndonëse në përgjithësi ai konsiderohej nga bashkëkohësit e tij si miqësor dhe i sjellshëm, kishte raste kur Leonardo ishte i zymtë dhe i trazuar. Shënimet dhe vizatimet e tij janë dritare e qartë e mendjes së tij eksituese, imagjinare, maniake, e me raste, edhe e ngazëllyer. Nëse do kishte qenë student në fillim të shekullit të njëzetë e një, do i kishin dhënë një recetë me ilaçe për të stabilizuar luhatjet e humorit dhe çrregullimin e mungesës së vëmendjes. Askush nuk duhet t’u bashkohet opinionistëve të cilët e konsiderojnë atë si një artist gjeni të trazuar, për të besuar se ne jemi me fat që Leonardo ishte i lirë të përdorte veset e tij për të masakruar demonët e tij e për të zgjuar dragonjtë.

    Në një nga gjëegjëzat në blloqet e tij të shënimeve gjendet kjo e dhënë: “Figura të mëdha do shfaqen në formën njerëzore dhe sa më shumë t’i afrohesh, aq më shumë përmasat e tyre të stërmëdha do zvogëlohen.” Përgjigjja është kjo: “Hija e njeriut gjatë natës me një dritë.” Ndonëse e njëjta gjë mund të thuhet për Leonardon, në fakt, unë besoj se ai nuk zvogëlohet nëse zbulohet se është njeri. Si hija, ashtu edhe realiteti i tij, meritojnë të shihen si madhështore. Gabimet dhe sjelljet e tij të çuditshme na bëjnë që edhe ne të identifikohemi me të, të ndihemi se edhe ne mund të matemi me të dhe t’i vlerësojmë edhe më shumë momentet e triumfit të tij.

    Shekulli i pesëmbëdhjetë i Leonardos, Colombus dhe Gutenberg, ishte koha e novacionit, e zbulimit dhe përhapjes së dijes përmes teknologjive të reja. Thënë shkurt, ishte një kohë si kjo e jona. Ndaj edhe ne kemi shumë për të mësuar nga Leonardo. Aftësia e tij për të ndërthurur artin, shkencën, teknologjinë dhe imagjinatën mbetet një recetë e përjetshme për krijimtarinë. Kështu ishte edhe stili i tij i jetesës, paksa mospërputhës me shoqërinë: i kundërligjshëm, homoseksual, vegjetarian, mëngjarash, i shpërqendruar, me raste edhe heretik. Firence lulëzoi gjatë shekullit të pesëmbëdhjetë, sepse ishte komode me njerëz të tillë. Mbi të gjitha, kurioziteti i pashteruar i Leonardos dhe eksperimentet e tij duhet të na kujtojnë rëndësinë e bindjes, si për veten ashtu edhe për fëmijët tanë, që të mos marrin thjesht dije, por të jemi të vullnetshëm ta analizojmë atë – të jemi krijues dhe si njerëz të talentuar, mospërputhës dhe rebelë të çdo epoke, të mendojmë ndryshe.  

    Përkthyer nga Bledar Kurti

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË