More
    KreuLetërsiShënime mbi libraLekë Tasi: Mikpritja e “Vizitorit të papritun”

    Lekë Tasi: Mikpritja e “Vizitorit të papritun”

    Libri “Vizitor i papritun” i Rrok Ndojës

    Të shohësh një matematikan që shkruan poezi nuk është një gjë që të habit. Ndodh kudo në botë, pra edhe në Shqipëri. Pamja këtu më duket se bëhet më interesante kur pasurohet prej penash shkodrane.

    Më rezultuan në çast në mendje jo një po dy matematikanë nga ai qytet, që kam pasur rastin t’i njoh edhe si autorë vargjesh. i pari Rrok Ndoja dhe i dyti i ndjeri Luigj Toni me poemën “Resurgens…”

    Personalisht i pata lexuar Ndojës disa vjerrsha në FB dhe pata ndjerë kënaqësi për elegancën e metrikës, të kombinuar me bukurinë e tingullimit sikurse pa asnjë dyshim e ka gegërishtja. Ky lexim

    freskonte tek unë konsideratën, madje admirimin, për atë traditë të pashkëputur dhe të papërsëritshme

    të Shkodrës në kultivimin e gjuhës shqipe në shumë zhanre. Një plotësi, që nuk e gjen në vise të tjera.

    Fakti që studimet klasike, të cilat e formojnë letrarin në këto fusha (ku hyjnë edhe përkthimet nga gjuhët e lashta), janë të gjitha prej filologësh dhe poetësh shkodranë është mjaft domethënës.

    Ato poezi, që i pata lexuar, i gjeta të përfshira tek përmbledhja ”Vizitor i papritun”.

    Qysh me titujt e gazmoreve lexuesi kupton se nji tjetër prurje, të përditësuar, i rezervon libri nga i pashtershmi humor shkodran. Por në rastin e këtij autori, mbas një leximi më të zgjeruar, të kënaq aftësia imagjinative e tij. Ai krijon nga asgjëja gjithçka. Episodin, të bazuar mbi një tipar njerzor o mode të re që sjellin vjetet, tipat e prezantuar që luajnë aty si personazhe, emrat e tyre sipas roleve që

    u ka caktuar, epitetet sipas kthesave që merr aksioni dhe më në fund, batutat që i fikson ata me vendin

    që u përket: njerin si humbës, hipokrit o budallë, tjetrin si të zgjuar o thjesht si bartës të së vërtetës ose

    të arsyeshmes. Gjithë kjo me një gjuhë të kursyer që i ngjason lojës me një tel nga një gisht virtuoz… Në përmbyllje të mjaft prej tyreve deduktohet një moral, që edukon posi dikur klasikët mbi kotësinë e gënjeshtrës, të shtirjes ose të hilésë, të ardhura ndryshe sot prej shtrëngimit që shteti ose faktorë të tjerë në kohëra ia kanë imponuar qytetarit. Skenat e ndërtuara me fantazi përmbajnë dhe të tjera hollësi nga jeta, të moshës e të pafajsisë, si maçoku i pakënaqur në pritje të ”dashnisë mbi çati” dhe maçi i vogël që s’kupton çka është, ose nipi që don të marri gjyshen për grua; po dhe gjëra edhe më të rënda si tek “Dialog në burg” ose tek ”Dëshprimi i malsorit” që sjellin katandinë e kohës kur barazia ose luajaliteti mes njerëzve, madje edhe mes të afërmve, i ka lënë vendin prej kohësh hiléve të llojit modern.

    Vrojtimet ndër tipa të Ndojës na japin plot xhevahire se si …njeriu pretendon të japi mend pa pasë për vete (Mbrojtje), lehtësinë e hajdutit të madh për t’ia hedhur burgut kundrejt të voglit pa mjete e pa miq (Dialog në burg), shkenca e keqadresuar (Ligjërata e profesorit), fryrjen me trimni që e çpon dhe e shfryn si gjilpëra balonën një fakt i thjeshtë (Tiranë ’72), por edhe e përkundërta: urtia e të pranuarit të difekteve të veta (Preferencë), papjekuria e të folurit pa u menduar mirë (Reflektimi i Colit), se si shijohet jeta, me punë e qef apo vetëm me qef (Menaxhim), pjekuria e ardhur prej zhgënjimeve seriale (Bestytni…), cinizmi modern mes dashnorësh (Ndamje) e plot të tjera, që në këtë rreshtim të kufizuar mbeten jashte edhe pse mund të jenë më të goditura. Themi xhevahire, sepse të ujdisura me një batutë “të paguar” (shpesh të pëshpëritur) dhe të hartuara me frazeologji për t’ia pasur zili Shkodrës si …me burrni e dije t’kishte lanë mbas bishtit, ose lypin pleq me pré pleqni e të tjera me bollëk, janë si matrica dhe evidentojnë tipare të mençurisë shqiptare, sidomos në ato pika ku kërkohet lakonicitet.

    Por nuk është vetëm te gazmoría virtyti i këtij libri. Në një moment lexuesi kujtohet për poezinë “Vizitor i papritun”, që autori e ka quajtur të përshtatshme për t’i dhënë titullin përmbledhjes. Kjo poezi, së bashku me “Dëshprimi i malsorit” dhe ndonji tjetër, u japin një dridhje tjetër lloji emocioneve tona duke na kujtuar thënien e njohur qesh se nuk qaj dot, sa herë del në pah drama, e jona dhe e botës. Një humor prej disa dhjetra faqesh s’mund të mos përziehej me këtë, le ta quajmë satirë të hidhur, kur ndeshet me fakte të tilla që kanë hyrë tanimë në indin e shoqërisë njerzore. Autori edhe këtu e jep me finesë këtë harresë që e kemi zhvilluar për njeri-tjetrin. Dhe në mungesë të zgjidhjeve për problemet, rëndësi marrin mjetet letrare që e japin dhëmbështrënguar këtë të qeshur, sepse ashtu mund të veprojë më me nerv një libër humoristik.

    Uroj që libri ”Vizitor i papritun” i Rrok Ndojës të ketë publikun e merituar, ndërsa atij vetë i uroj dorë të mbarë në krijime të tjera, po kaq origjinale.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË