More
    KreuLetërsiShënime mbi libraKlara Kodra: Qeshja e Zotit dhe kaosi i vlerave

    Klara Kodra: Qeshja e Zotit dhe kaosi i vlerave

    Raimonda Belli Gjençaj është një autore që gëzon aftësinë për t’u rinovuar nga një vëllim në tjetrin edhe për ta befasuar lexuesin. Romanet e saj të joshin qysh me titullin e tyre që nuk është i thjeshtë, po domethënës si një fillim kodi për t’u deshifruar: “Epitafi i fundit”, “Butonat prej platini”, “Shtatë shpirtërat e Terezës”, “Koha në mes”… Dhe ja titulli i romanit të porsabotuar. Një frazë enigmatike “Zoti qeshi deri në fund”. Kjo frazë është në fakt zbërthimi i fjalës së urtë “Njeriu mendon, Zoti qesh”. Një fjalë e urtë që duket sikur përkufizon lëmshin e fateve njerëzore ku vepron shkakësia, po edhe rasti i paparashikueshëm. Ai rast që shkrimtarët realistë të shekullit të nëntëmbëdhjetë nuk e përfillnin.

    Dhe Raimonda, në thelb, në veprat e saj të gjertanishme i ka qëndruar besnike realizmit. Sigurisht, jo realizmit famëkeq socialist që në fakt s’ishte aspak realizëm. Realizmit në kuptimin historik, mimezisit që ka luajtur një rol të rëndësishëm në letërsinë europiane (po edhe botërore, po të kihet parasysh realizmi i Biblës). Është fjala për riprodhimin e ligjësive social-psikologjike reale, veçse jo në mënyrë fotografike, po duke u shndërruar në një realitet më koherent se realiteti i njëmendtë ku rasti dhe absurditeti luajnë rolin e tyre, si vë re me mprehtësi Mopasan në parathënien e “Pierit dhe Zhanit”, duke parashtruar poetikën e realizmit kritik. Te kjo autore personazhet kanë tipicitetin dhe motivimin e tyre social-psikologjik.

    Megjithatë në realizmin e Raimondës depërtojnë edhe elemente moderniste, ndonëse në të rrallë.

    Në romanet e kësaj autoreje nuk vemë re shkatërrimin e subjektit, as edhe të personazhit si karakter, veçori dalluese këto të modernizmit.

    Megjithatë në to është i pranishëm një tipar që e ka dalluar romanin që në kohët e hershme, qysh në fillimin e Rilindjes Evropiane me romanin e famshëm të Servantesit “Don Kishoti i Mançes”, relativizmin, pranimin e dy a më shumë të vërtetave të mundshme. Kjo shpjegon se si një personazh idealist si Don Kishoti, i pajisur me tipare nga më fisniket si vetëmohimin dhe dashurinë ndaj njerëzve të tjerë dhe guximin, bën të keqen duke synuar të mirën dhe një personazh si Sançoja, i shqetësuar më tepër për të mirën e vet personale, në saje të mençurisë praktike dhe një lloj instinkti për drejtësi që ka populli i thjeshtë, luan më së miri rolin e vet si guvernator i ishullit.

    Në pesëdhjetëvjetorin që pasoi Luftën e Dytë në Shqipëri kur u afirmua diktatura komuniste, në poetikën e një drejtimi artificial si realizmi socialist pretendohej ekzistenca e një të vërtete absolute e lidhur me konceptimin marksist të botës.

    Si rrjedhim, afirmohej mundësia për të shënuar një vijë të prerë midis personazheve pozitive dhe negative, duke i sterilizuar kështu mundësitë e shumta të letërsisë.

    Letërsia shqiptare, e lindur vonë, nuk e njohu, as realizmin e antikitetit (në dy format që u zhvillua ky realizëm, sipas përkufizimit të Ojerbahut (Auerbach), realizmi i Biblës dhe ai i letërsisë greko-romake), as realizmin e Rilindjes europiane dhe shumë pak realizmin kritik, të afirmuar në shekullin e nëntëmbëdhjetë që e ndërthuri me romantizmin dhe sentimentalizmin deri në vitet 30-të, kur u shfaqën elementet e para të modernizmit me romanin “Pse?” të Spasses.

    Ky lloj realizmi, i pranishëm te Migjeni dhe shkrimtarë të tjerë të rinj të viteve 30-të, nuk arriti të zhvillohej plotësisht se u ndërpre nga realizmi socialist që lindi me pretendimin e të qenit një realizëm i një lloji më të lartë (një realizëm, jo mohues, po afirmues) po u shndërrua në një neoklasicizëm të ngurtë, më të ngurtë se klasicizmi historik.

    Pas viteve 90-të, romani shqiptar u lëkund midis realizmit dhe modernizmit, elementë të të cilëve ishin zhvilluar më parë fshehurazi, të mbuluara me koracën zyrtare të realizmit socialist.

    Shkrimtarë si Dritëro Agolli e ndonjë tjetër, i qëndruan besnikë në thelb realizmit, disa të tjerë (F.Kongoli, Z.Çela, deri diku V.Graçi) e ndërthurën realizmin me modernizmin, të tjerë thelluan modernizmin e tyre si Kadareja, të tjerë akoma ndërthurën modernizmin me pasmodernizmin (R.Dibra, A.Tufa).

    Raimonda i mbeti besnike vetvetes, po duke u pasuruar në çdo vëllim. Karakteristik është fakti se në këtë roman të fundit personazhet e saj s’kanë më emra, po identifikohen me profesionin e vet (ose pasurinë e vet), Pronarja,Psikologu (Menaxheri), Gjenerali, Inxhinieri, Piktorja, Infermierja, Shoferi, Kuzhinierja, Pastruesja. Mungesa e emrave është tipike për romanet moderniste, po autorja i ka lënë pa emër personazhet e veta, duke dashur të shprehë një tipar të epokës sonë konsumiste, kur njeriu identifikohet jo me thelbin e vet ekzistencial, po me paranë ose me punën që prodhon para. Natyrisht, edhe emri në vetvete është konvencional dhe nuk e shpreh thelbin e njeriut, po lidhet tradicionalisht më ngushtë me individualitetin njerëzor të papërsëritshëm.

    Nganjëherë ndonjë emër personazhi mund të ketë një valencë simbolike siç ndodh konkretisht me protagonisten e romanit të parafundit të Raimondës, Stelën (Stela – yll).

    Romani i fundit i Raimondës shpreh më dëshpërimisht fuqinë e tmerrshme të parasë që mund të të japë iluzionin e të blerit të rinisë dhe të dashurisë siç ndodh në lidhjen e pazakonshme të Pronares dhe Psikologut, lidhje dashurore që shpërfill tabunë e moshës, të një pesëdhjetëvjeçareje me një njëzeteshtatëvjeçar. Nga ana e djalit kjo lidhje erotike është e llogaritur për të fituar pasuri. Në synimin e tij që të arrijë të shtjerë në dorë paratë e Pronares ai është i barabartë me shokët e banesës nga të cilët dallohet meqenëse ngjan se ka në dorë disa letra fituese, rininë, bukurinë, mençurinë. Po këtu hyn në lojë rasti (apo fati?). Ai luan me zotësi dhe siguri dhe ecën i pa shqetësuar drejt pasurisë së ëndërruar, sidomos në çastin kur në jetën e tij shfaqet embrioni i një fëmije, i ngjizur prej atij vetë. Vetëm kaq? Jo, s’mjafton: në këtë lojë vlerash e kundërvlerash, protagonisti në një çast të caktuar, duke rënë në kontakt me mirësinë dhe fisnikërinë e partneres, nis të ndjejë për të diçka që i ngjan dashurisë; në një tjetër çast ai degradohet edhe më nga ana shpirtërore, duke i mbajtur të fshehur partneres ekzistencën e një mbese, trashëgimtare e mundshme që është njëkohësisht edhe motra e tij.

    Karakteri i tij vihet në provë, atij nuk i mungojnë cilësitë, ai është larg së qeni vetëm një përbindësh i ftohtë, s’është as përbindësh moral. Nuk ka cinizmin e Bel-Amisë së Mopasamit që e flak tutje zonjën Valter pasi ka përfituar sa ka mundur prej saj.

    Në karakterin e tij ekzistojnë forca që mund ta ngrenë lart, ashtu si mund ta gremisin poshtë. Autorja është treguar realiste dhe objektive në pasqyrimin e një personazhi të tillë, të paaftë për t’i rezistuar disa tundimeve të forta, po edhe i gatshëm për t’u penduar.

    Në figurën e Pronares shkrimtarja ka vizatuar një karakter po aq kompleks dhe të besueshëm: ajo nga njëra anë është grua e emancipuar, afariste e zonja, e aftë për të komanduar; nga tjetra është edhe e brishtë, e ndjeshme, e etur për rolin tradicional të bashkëshortes dhe nënës dhe e gatshme për të pranuar edhe disa thërrime dashurie dhe lumturie, në mënyrë që të shlyejë plagën e dashurisë së humbur dramatikisht në rini; bujare në thelb aq sa arrin të falë rivalen e vet që e ka edhe motër.

    Një tjetër figurë personazhi tërheqëse është ajo e Infermieres, e përkushtuar ndaj njerëzve dhe ndaj tezes e cila nuk e njeh, viktimë për një farë kohe e Shoferit, po krenare dhe dinjitoze, e shtyrë nga një tërheqje e pashpjegueshme ndaj Psikologut.

    Një figurë simpatike është ish Roja me përkushtimin e vet ndaj familjes dhe sidomos të birit.

    Ka edhe figura personazhesh ku vlerat dhe kundërvlerat ndërthuren si Piktorja, grua e talentuar, po që ka si të vetmin synim gëzimet hedonistike të dashurisë të kuptuar si kënaqësi dhe lluksit, disi cinike dhe e ashpër; Pastruesja, grua punëtore, e dhëmshur dhe e sakrificës, po e deformuar nga një psikologji prej skllavi, e paaftë për të luftuar për lumturinë dhe dinjitetin e vet; çifti Gjeneral-Inxhinier me dashurinë e pazakonshme që shkel tabunë e gjinisë, po edhe me frikën e zgjedhjes që kanë bërë.

    Shoferi nuk është personazhi tradicional negativ, ndonëse tek ai peshorja anon nga ligësia. Është i acaruar nga fëmijëria e vet e pafat dhe braktisja prej prindërve aq sa ka kaluar në thatësi shpirtërore dhe ligësi; është i aftë si të përdorë dhunën që i përshtatet më tepër karakterit të tij, po dhe të hakmerret në mënyrë të rafinuar; është një shembull i deformimit shpirtëror në një shoqëri që përkrah egoizmin.

    Shohim se këto personazhe pa emër kanë megjithatë thelbin e tyre social, psikologjik, valencën e tyre ekzistenciale; nuk mund t’i ndash prerazi në të mirë dhe të liq, po mund t’i kuptosh, madje të ndjesh empati për ta, ndonjëherë edhe admirim.

    Pronarja, pavarësisht asaj që ndodh, ka arritur të rilindë moralisht dhe të shijojë disa çaste lumturie.

    Edhe protagonisti, Psikologu, pas gjithë përpjekjeve për t’u bërë zot i gjithçkaje që sheh dhe përfytyron, arrin në një farë katarsisi. Edhe pse amanetin e të atit, e ka lënë pas krahëve, ai reagon kur rastësia i zbulon misterin; do të afrohet me gjysmën e gjakut të tij do të përpiqet të nisë një jetë të re, të rikthehet te vlerat shpirtërore që i ka transmetuar i ati.

    Qendra, e përfytyruar nga autorja, brenda së cilës lëvizin tërë personazhet, i ngjan një mikrobote a një shteti në miniaturë me hierarkitë e ndryshme, qeverisë e simbolizuar nga Pronarja, ushtrinë (Gjenerali), administratën (Ekonomisti), gjykatën (Avokati), ndërtimet (Inxhinieri), mjekësinë (Psikologu, Infermierja), artin (Piktorja), shtresat e varfëra (Shoferi, Kuzhinierja – Pastruesja).

    Epidemia e Covidit është një kob social dhe ekzistencial me fuqi shkatërruese dhe izoluese që e thellon veçimin midis njerëzve. Në vepër ndeshen Erosi dhe Tanatosi, duke iu kundërvënë njeri-tjetrit. Vdekja rrëmben disa krijesa njerëzore, por gjithçka zhvillohet në logjikën e kohës dhe të ngjarjeve.

    Megjithatë jeta thotë fjalën e fundit. Protagonisti dhe e motra shpëtojnë dhe mund ta nisin jetën nga e para. Dashuria që mbeti potenciale midis tyre dhe, për fat, nuk arriti të bëhet inçest, do të marrë tashmë një formë tjetër njerëzore, vëllazërore.

    Kuptimplotë është edhe fakti se djali i vogël i ish Rojes mbijeton dhe e përshëndet jetën me klithmat e veta.

    (Pushkë e ka zërin, pushkë” thotë për të i ati).

    Romani nuk shfrytëzon teknika të tilla si retrospektivën, ndërthurjen e kohëve, monologun e brendshëm.

    Është një vepër ku rrëfimtari di po aq sa personazhet, kështu që lexuesi befasohet në çdo hap. Dialogët janë të gjallë, dinamikë dhe të rrjedhshëm, pavarësisht nga disa elementë letrarizimi të lehtë. Herë pas here përdoret ligjërata e zhdrejtë e lirë. Ka momente kur realiteti shihet me këndvështrimin e Psikologut, ndonjë tjetër me këndvështrimin e Pronares. Autorja di të alternojë fjalitë e shkurtra me frazat e gjata duke ruajtur një ritëm që pulson bashkë me jetën e personazheve. Autorja ka shpalosur edhe këtu fantazinë e vet të begatshme dhe aftësinë e vet për të zhbiruar në thellësi të shpirtit njerëzor.

    Romanin e përshkon një patos dramatik që në ndonjë moment të caktuar shndërrohet në tragjik.

    Këto lloje patosi ndërthuren me patosin satirik që shfaqet në vizatimin e ndonjë personazhi apo në ironinë e situatave. Autorja ka ditur të dallojë në nuancat e dashurisë erotike (me guxim, po pa rënë në banalitet), po edhe të dashurisë njerëzore, “agapes”.

     Raimonda ka ditur të distancohet nga krijesat e veta, megjithatë prapa tisit të objektivitetit ndihet dhimbja dhe dashuria që ajo ndjen për to.

    “Zoti qeshi deri në fund” ngjan si thriller, po është një vepër e nivelit elitar që shkrin elemente tradicionalë dhe modernë.

    Ashtu si natyra rilind me çdo fëmijë, edhe shkrimtari rilind me çdo vepër, duke derdhur gjak të ri në gjininë dhe llojin, në stilin dhe gjuhën.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË