More
    KreuLetërsiBibliotekë"Kënga e këngëve", tregim nga Arb Elo

    “Kënga e këngëve”, tregim nga Arb Elo

    Eda ka qenë lexuesja ime e parë, por ajo nuk e dinte ose nuk donte t(i)a dinte se shkruesi i mesazheve isha unë. Një herë më doli nga mendja të ndërroj profilet e ia dërgova vjershën e radhës me emrin tim të vërtetë, mirëpo ajo kujtoi se po i luaja ndonjë rreng e më qeshi në fund të një mesazhi, – më dërgoi një smiley – pasi më kishte shkruar: “Jo keq, por duhet të punosh goxha për të arritur hijeshinë e stilit të murgut…”

    Pasi Eda besonte se mesazhet ia dërgonte një murg nga Mali Athos – që banonte fillimisht në Ardenicë, të cilin m’u desh pasta ta transferoja në një vend ku nuk lejohen gratë, kur Edës iu ngrit mendja të shkonte e ta takonte në manastir.

    Kishim qenë bashkë në të njëjtin kurs gjuhe dhe të njohur të zakonshëm, gjer ditën kur një shoku ynë i përbashkët pati hapur asokohe njëfarë pijetoreje për artistë të rinj – apo pijetore për të rinj që donin të bëheshin ose u dukej vetja artistë; vështirë të sqarohej kjo – dhe ndodhi që haseshim thuajse çdo mbrëmje dhe aty vura re se ndieja edhe më shumë se kaq për të, ngase nisa ta mendoja edhe në kohën që s’gjendej atypari, mirëpo shoqëria që kishim derimë atëherë me njëri-tjetrin e që kësisoj u forcua edhe më, jo vetëm nuk më ndihte t’ia shprehja këtë tërheqje, por edhe po më pengonte, pasi Eda nisi më trajtonte gjithnjë e më shumë si mik të ngushtë, dhe çdo përçapje për diçka më shumë se aq, qoftë edhe në të menduar, nisi të më dukej si abuzim me mirëbesimin e saj.

    Ndaj mbase mora një herë të shkruaja çka duhej t’ia kisha thënë përndryshe gojarisht dhe ia dërgova si mesazh në Facebook nga një i panjohur, i cili nuk merrej vesh pse i shkruante, gjë që m’u duk fillimisht si ndërmarrje e pashpresë, e cila ose do të injorohej nga ajo në rastin më të mirë, ose do të merrte ndonjë sharje të hidhur si përgjigje, në rastin më të keq, dhe Eda s’ta përtonte edhe për fjalë të ndyra, kur e donte puna.

    Sidoqoftë kjo paskësh qenë për mua, me sa dukej, alibia më e mirë për të shkruar lirisht dhe, meqenëse bëhej fjalë për diçka të pafajshme e të dëlirë, sipas meje gjithnjë, nuk i vuaja as brerjet e zakonshme të dyzimit të ndërgjegjes në raste të tilla, – aq më tepër që mesazhet e mia qenë jopersonale e të mirësjellshme; në më të shumtën e tyre lirike – në mos poezi që përshkruanin gjendjen time shpirtërore atëbotë, nga autorë të njohur, apo edhe të shkruara vetë më vonë, kur Eda nisi të më përgjigjej, aspak me egërsi, siç e kisha menduar në drojën time, por thjesht e me dashamirësi, si ç’bëjnë pothuaj gjithmonë vajzat për të qenë, kur u drejtohesh butë  dhe njerëzisht, gjë të cilën unë e kam mësuar, për fat të keq, kaq vonë.

    Fillimisht i pata dërguar një fragment nga »Kënga e këngëve« të Biblës, të cilit ajo, besimtare e lëkundur ato vite, ia kishte krahasuar gegnishten e përkthimit me atë në anglisht, për t’u bërë pastaj kureshtare për dërguesin e për t’i kthyer këtij përgjigje, mua domethënë, teksa më pyeste njëkohësisht se kush isha.

    Për një trill të çastit, e përfytyrova këtë si murg që ka hequr dorë nga epshet, për t’iu dorëzuar megjithatë dashurisë hyjnore të patrup, qoftë kjo edhe e gjinisë tjetër. 

    Një rishtar në Manastirin e Ardenicës, që merrte e jepte me botën me anë të internetit, – histori kjo, që po të shqyrtohej mirë, linte me siguri goxha për të dyshuar, – mirëpo ja që kjo s’ndodhi me Edën, të cilës mbase, më shumë se të dyshonte, i vinte për mbarë të besonte, gjë që, kur e kam menduar më me ngé, kishte shumë të ngjarë ta kisha bërë unë vetë më së pari, duke mbyllur me dëshirë jo vetëm njërin sy, por të dy të mundshmit, ndoshta ngase shumëkujt – përfshirë këtu natyrisht edhe pakësinë time – i pëlqen të besojë që një i/e panjohur diku në botë e dëshiron vetëm për atë çka është vërtet, domethënë për shpirtin/fjalën e tij/saj dhe jo atë që duket, kupto: trupin, pamjen, a gjësende të tilla të përkohshme.

    Marrëdhënia jonë e dytë paralele – efemere, si të thuash zuri fill pra si rastësishte relativisht lehtë, me një profil të rremë murgu. Edhe vetë e vija re se ndryshoja disi së brendshmi, kur shkëputesha prej profilit tim, atij të përditshmit, normalit, për t’u lajmëruar prej tjetrit, atij anormalit, hyjnorit, qiellorit, prej të cilit i dërgoheshin asaj vargjet më të ndjera për dashurinë e më gjerë të kinse poetëve më të njohur e më të panjohur botërorë e shqiptarë.

    Këtë ndryshim nisa ta vija re pas duzinës së parë të mesazheve edhe tek Eda, kur gjendesha aty pranë dhe asaj i vinte mesazhi i radhës, gjithnjë e më dendur përgjatë kohës kur priste që t’i vinte tjetri, ndryshim që, nga ana tjetër ma përforconte mua nxitjen për t’i shkruar më shpesh, deri në një pikë vlimi, gjersa ana tjetër jona, (ajo e përmalluara, eterikja, absolutja sipas Platonit) nisi të dominonte tokësoren, rutinën e punëve e halleve të përditshme e të na bënte më ëndërrimtarë, më të ndjeshëm, fundja më të bukur: të paktën kështu më ngjan kur e kujtoj nga pas atë kohë, që erdh’ e u bë kështu ndër më të bukurat e jetës sime.

    Kështu e vlerësoj tani që po shkruaj këto radhë, se asokohe nuk isha i ndërgjegjshëm për këtë, i humbur ashtu në metatekstin e identitetit tim, që ia kisha falur bujarisht një tjetri, – ndonëse në marrëdhëniet tona të përmbrëmshme s’kishte ndryshuar asgjë, po të heqim këtu përqafimet disi më kapërthyese e ca më të fikëta kur piqeshim dhe ndaheshim me njëri-tjetrin.

    Për të qenë edhe vetë dëshmitar i dehjes që shkaktonin tek Eda mesazhet e murgut, që tanimë kishin kapur përmasat e letrave, nisa ta ruaja çastin e dërgimit për kohën kur qemë bashkë: ia nisja ato nga celulari disa minuta pasi qemë takuar dhe përjetoja jo pa ego letrare përndezjen e lëkurës së saj që kuqërremej lehtë, fryrjen e lehtë të buzëve dhe kafshimin e tyre nën vetëdije nga dhëmbët e parë, të cilët e shfaqnin hapur padurimin para se t’i merrte dhe kënaqësinë kur i merrte vërtet. 

    Kjo më ngazëllente deri aty sa të gjeja një sebep për t’u larguar ca prej aty që të shkruaja lirisht a për t’u mbyllur në tualet, vetëm e vetëm për t’i hartuar një tjetër syresh, që i binte të ish edhe më i zjarrtë, edhe më cerebral se i pari, porse, në të vërtetë, duke i shkruar Edës, unë po shkruaja poezi të mirëfilltë, me aq sa mundesha, natyrisht, poezi që i drejtohej femrës ideale, Sulamithit, Beatriçes, Margaritës, Tanushës sime në këtë botë, rolin e të cilave e luante për mua Eda, jo Eda tokësore dhe mikesha ime, por marrësja e kumtit, abstraksioni i saj, kuqëlima mbi mollëzat pra e jo mollëzat vetë.

    Edhe për këtë u kthjellova shumë më vonë, kur vjershat që i pata dërguar erdhën e morën gati vetiu përmasat e një vëllimi të mundshëm me lirika. Eda m’i tregonte edhe mua mesazhet që merrte e shpesh edhe m’i komentonte e mua më dukej pastaj se ishte vërtet një tjetër ai që ia kish nisur, ndonëse koha mes shkrimit prej meje dhe marrjes së tyre nga ajo ish e atypëratyshme. Shpesh kam patur ndjesinë se ajo, ashtu siç edhe unë vetë, megjithëse e merrte me mend se mesazhet i vinin nga unë, në mos e dinte këtë me siguri, parapëlqente të besonte se shkruesi ishte tjetërkush dhe, duke qenë se kjo më ndodhte edhe vetë, s’do të më kishte habitur fare po të kishte qenë vërtet ashtu, siç nuk më dridhej qerpiku dhe nuk e tradhëtoja asfare veten kur ajo më lexonte vjershën e radhës e harroja ndërkaq që atë e kisha shkruar unë, deri aty sa edhe të prekesha prej saj.

    Një natë, pasi ia pata ruajtur gati me sadizëm dozën e dy-tri ditëve pa ia dhënë, një vjershërim të gjatë, i cili ato ditë më ngjante goxha i kulluar, e bëra atë gati në celular në xhep veç për të shtypur »dërgo« dhe prita rastin kur lamë lokalin dhe po ktheheshim për në shtëpi. 

    Ajo kishte qenë gjithë mbrëmjen disi munguese dhe e hutuar në bashkëbisedim, të cilin e kishte ndërprerë shpesh pasjellshëm për të parë për të satën herë celularin, i cili tringëlliu zbehtë kur erdhi mesazhi, krahasuar kjo me klithmën e saj kur pa dërguesin. 

    Ndaloi atëherë, u ul në anë të trotuarit, u ula edhe unë në krah të saj e këndja e saj ish edhe këndja ime; heshti, pasi mori frymë thellë kur mbaroi së lexuari, m’u kthye papritur si të ish një tjetër dhe m’u lut pastaj befas ta merrja në krahë e ta puthja. 

    Mbylla sytë dhe bëra ç’më tha dhe, ndërsa po humbja në errësirën e ngrohtë e të thellë të buzëve të saj, më shfaqej në t’errëtin e kapakëve të syve të mi nga brenda koka e Deas, e përshoqëruar me tekst, me rreshta nga të parët që i kisha dërguar asaj:

    N’shtrojen teme, natën, kam kërkue dashtunën e zemrës s’eme: 

    e kam kërkue, por gjetë s’e kam.

    Kam me u çue, kam me iu sjellë qytetit; nëpër rrugë e sheshe; due me e gjetë dashtunën e zemrës seme.

    E kam lypë gjithkah, por s’e kam gjetë.

    Më gjetën rojat

    Kur po putheshim me Edën pata papritur ndjesinë që ai që po puthte nuk ish ai që e meritonte këtë, ndaj u tërhoqa prej saj ngadalë, duke ia rrëshqitur buzët prej buzëve në qafë e më tej në faqe, për të përfunduar në ballë, gjë që atë e bëri të vinte përhumbur buzën në gaz, a thua se e priste këtë, se po priste të shugurohej ashtu nga vetja ime e dytë, që tanimë kishte zënë vendin e së parës, nga vëllam Thoma Andoni, murg solemn në vetminë e tij lirike, që tjetrin/tjetrën e donte, në mos më shumë se veten e tij, të paktën po aq sa atë vetë.

    Ndërsa ajo, vetja pra që po i linte vendin, po largohej disa buzë më tutje tok me tundimin, bashkë me Edën që tashmë ishte Afërdita – ndoshta edhe djalli vetë, por këtu u nguta t’ia pres fillin mendimit – e kjo më bëri të ngrija kokën për të kërkuar në qiell simotrën yllësore me të njëjtin emër.

    Kur e gjeta, ashtu të vogël e të jermët në zbardhëllimin e saj, pak më t’afërt e më të skuqur se drita e ftohtë e yjeve të tjerë, m’u bë e qartë se nuk e kisha synuar asnjëherë vërtet as Edën, vajzën e dashur të kursit, me të cilën qemë bërë miq, e as femrën në të, porse diçka më të fshehtë e më supreme se aq, diç’ që s’e kish të nevojshme të duhej nga unë, por unë nga ajo, duart m’u ftohën e bëra t’i fus nën zhgun, porse gjeta veç xhaketën time laike, ngase duart qenë ende të miat e gjendesha akoma në Tiranë, diku nga Komuna e Parisit, e jo medoemos në malin Athos.

    Ne u ndamë pastaj si zakonisht, përqafimi qe më i fiktë se kurrë dhe, ndërkohë që këmbët po më çonin drejt banesës sime, u bëra sërish e dalëngadalë ai i zakonshmi, i cili u pendua keq kur masturboi në banjo, me imazhin e Edës natyrisht, për rastin e çuar dëm. Menjëherë pas zbrazjes po ai u ndie po ashtu i vërtetuar në  të mosbërit po ashtu asgjë në të vërtetë me të, saqë u ul e shkroi ca vargje për takimin tjetër. 

    Ishte tjetër orgazmë kjo e të shkruarit, më e gjatë e më qëndrueshme dhe sidoqoftë, – për këtë shkrova atë natë – do të kishte qenë përnjëmend humbje, nëse do ta kisha shkëmbyer atë tantra verbale me erotikën kohëshkurtër e bumerangeske të një marrëdhënieje të supozuar normale, të njërës nga ato marrëdhënie që i ndodhin përditë shumëkujt, të cilat gjehen a të gjejnë pa shumë mundim pothuaj kudo. 

    Ndërsa ardhja e pafund e asaj që nuk vinte asnjëherë e tëra dhe asnjëherë kulmore ishte diçka pa barazvlerë, madje – edhe këtë ia shkrova atë natë për të nesërmen Edës – ndodhte pikërisht kur shkëmbimi ishte a priori i përjashtuar, pasi marrësi isha veç unë vetë e ajo/ai që më donte vërtet vetëm dhuronte e prandaj njeriut që e kërkon atë i duhet të lerë njërën për të marrë tjetrën, të heqë dorë nga femra, familja e fëmijët, për t’u dashur së fundmi si ç’duhet.

    Mirëpo ky argumentim nuk është se e bindi as vetë shkruesin e tij, vëlla Thoma Andonin, që u shtri fill paskëtaj për të fjetur, pasi pati hedhur sytë së pari nga dritarja jashtë e sipër, qe mbushur aty me frymë dhe pati mërmëritur si me vete një Ati ynë në qiej

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË