Nga prof. as. dr. Anton Papleka
Në librin Lulja saksifrazh, poeti dhe eseisti i njohur botërisht, Octavio Paz ka shkruar: ”Ekzistojnë familje shkrimtarësh; megjithatë këto familje nuk i bashkon as gjaku, as gjeografia, por i bashkojnë shijet, parapëlqimet, obsesionet.” Megjithëse greku Konstantin Kavafi, portugezi Fernando Pesoa dhe shqiptari Millosh Gjergj Nikolla kanë lindur në vende të ndryshme, kanë jetuar dhe i kanë krijuar veprat e tyre në hapësira kulturore të veçanta, mendoj se ata i përkasin një familjeje letrare, të atillë siç e ka konceptuar Paz- i.
Është e vërtetë se midis kulturës greke, kulturës portugeze dhe asaj shqiptare ka dallime të dukshme, megjithatë nuk duhet të harrojmë se ato përfshihen në areale kulturore më të gjera, siç janë kultura mesdhetare dhe ajo indoeuropiane. Kjo bashkëpërkatësi mund të shpjegojë në shumë raste afritë befasuese midis veprave të autorëve që janë objekt i këtij hulumtimi.
Para se të përqasim jetën e Kavafit, të Pesoas dhe të Migjenit si dhe veprat e tyre, duhet të vëmë në dukje se paralelizmat jetësore dhe analogjitë tekstore kanë natyrë dhe rëndësi të ndryshme. Disa nga këto ngjashmëri nuk varen fare nga subjekti krijues, por janë rezultat i kushteve historike e kulturore, i faktorëve thjesht objektivë, i lojës së mistershme të rastësive. Me një fjalë, ato mund t’i quajmë dukuri objektive. Përkundrazi një kategori tjetër e ngjashmërive që do të shpalosen në vazhdim të këtij studimi, varen nga subjektiviteti i autorëve, nga zgjedhjet që kanë bërë ata, pra, nga shijet, nga parapëlqimet dhe nga obsesionet e tyre. Kjo do të thotë se këto dukuri kanë karakter subjektiv.
Për të përfunduar këtë studim, u desh të kapërcehej një pengesë jo e vogël që lidhej me faktin se Kavafi dhe Pesoa njihen botërisht, çka nuk mund të thuhet për autorin tjetër të kësaj trinie, Migjenin, i cili nuk ka pasur fatin të përkthehej në mënyrë sistematike në gjuhët vehikulare të planetit tonë as të jetë objekt i studimeve të kryera nga kritikë apo nga estetë të njohur në hapësirën europiane dhe në atë botërore. Madje edhe në Shqipëri ku Migjeni vazhdon të jetë një nga autorët, për të cilin shkruajnë jo vetëm amatorët e letërsisë, por edhe studiuesit seriozë, përgjithësisht vepra e tij është konceptuar dhe është analizuar si një dukuri më vete, e shkëputur nga konteksti kombëtar dhe nga ai transnacional. Sigurisht, një qasje e tillë nuk është e mjaftueshme për të hedhur dritë mbi veçantinë e këtij autori, mbi vlerat dhe risinë e veprës së tij të jashtëzakonshme. Për sa i përket kësaj çështjeje, e quaj të udhës të kujtoj se disa dekada më parë, Chklovski ka theksuar se vepra e artit perceptohet në lidhje me veprat e tjera artistike dhe me ndihmën e asociacioneve që lindin prej tyre. Këtë pikëpamje e ka mbështetur edhe Tzvetan Todorov-i, i cili ka shkruar:”Në të vërtetë, të interpretosh një vepër, letrare apo jo, pa u larguar asnjë çast prej saj, pa e projektuar gjetiu, veçse te vetvetja, kjo gjë është e pamundur.”
Kjo qasje krahasimtare synon pikërisht të mbushë këtë mangësi në fushën e studimeve për Migjenin dhe për veprën e tij. Gjatë hulumtimeve që i paraprinë këtij studimi, u binda se Migjeni mund të qëndrojë denjësisht përkrah bashkëkohësve të tij të mëdhenj, Kavafit dhe Pesoas.
Përkimet që kam vënë re midis jetës së tre autorëve të lartpërmendur dhe veprave të tyre, i kam ndarë në dy grupe të mëdha :
I. PARALELE BIOGRAFIKE
Për arsye objektive, njohuritë e mia rreth jetës së poetit grek Kavafi dhe jetës së poetit portugez Pesoa janë të pjesshme. Megjithatë gjatë leximeve kam vënë re se paralelizmat midis tyre në rrafshin jetësor nuk janë të pakta.
Për shkak të natyrës së këtij studimi, të konceptuar si skicë, po përmend disa nga këto paralelizma, pa i shtjelluar, pa i ilustruar:
1. Kavafi, Pesoa dhe Migjeni nuk erdhën në jetë në familje të kamura
2. Ata qenë jetimë. Ky fakt luajti një rol të konsiderueshëm në jetën e tyre, sepse i detyroi të krijonin një personalitet të fortë, zhvilloi tek ata pavarësinë e të menduarit
3. Ata u shkolluan në gjuhë të huaj
4. Ata patën nëpunësira modeste
5. Ata mbetën beqarë deri në fund të jetës
6. Akmeja e krijimtarisë së tyre përkoi me dekadat e para të shekullit XX
7. Ata vdiqën pak a shumë në të njëjtën periudhë : Kavafi më 1933 ; Pesoa, më 1935 ; Migjeni, më 1938
8. Ata e humbën jetën për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme
9. Asnjëri nga këta të tre autorë nuk arriti të botonte në gjallje të tij një përmbledhje me krijimet e veta
10. Duke pasur parasysh shkëputjen që bënë në rrafshin estetik, në raport me traditën letrare, secili prej tyre është konsideruar si autori më i rëndësishëm i vendit të vet, në shekullin XX
11. Ndikimi që ata kanë ushtruar mbi shkrimtarët pasardhës, ka ardhur duke u rritur
12. Studimet që u janë kushtuar veprave të këtyre autorëve, nuk janë kufizuar vetëm në vendet ku kanë lindur, por ato janë shtrirë në hapësira kulturore të tjera.
II. ANALOGJI TIPOLOGJIKE
1. Kavafi, Pesoa dhe Migjeni kanë përdorur maskën e heteronimisë
2. Ata qenë admirues të gjuhës dhe të poezisë franceze
3. Ata zotëronin disa gjuhë të huaja
4. Ata zgjodhën gjuhën amtare për të krijuar veprën e tyre
5. Ata zotëronin një kulturë të përzier
6.Ata iu kundërvunë kulturës së mjedisit ku rrojtën, kulturës së epokës së tyre
7. Ata qenë poetë të qytetit. Jeta dhe vepra e tyre qenë të lidhura me një qytet të vetëm : Kavafi qe i lidhur me Aleksandrinë ; Pesoa, me Lisbonën ; Migjeni, me Shkodrën
8. Ata qenë antikonformistë, antidogmatikë
9. Ata milituan për një laicitet modern
10. Ata qenë kundër idhujve
11. Ata patën simpati për njerëzit e thjeshtë, për shtresat e ulëta të shoqërisë, për të margjinalizuarit
12. Ata patën një biografi të zbrazët : pa ngjarje të bujshme, sensacionale
13. Ata nuk bënë pjesë në asnjë hierarki
14. Ata trajtuan një tematikë universale si : dashuria, vdekja, fati etj.
15. Në krijimet e tyre, dashuria nuk jepet si një përjetim i menjëhershëm, por si ndjenjë apo akt i përjetuar përmes kujtimit
16. Ata denoncuan katandisjen e qenies njerëzore thjesht në një objekt seksual
17. Secili prej tyre përkrahu emancipimin seksual të shoqërisë tradicionaliste të vendit të vet
18. Në veprat e tyre, zuri vend të gjerë njeriu i tjetërsuar
19. Ata shprehën revoltën kundër çdo ngujimi individual apo shoqëror
20. Melakolia dhe trishtimi qenë lejtmot ive të veprës së tyre
21. Ata paraqitën pasojat e rënda të krizës ekonomike, të papunësisë
22. Ata e trajtuan temën e lypësisë si një dukuri tipike e jetës bashkëkohore
23. Ata vunë në dukje se shoqëria kapitaliste i stimulonte shabakimin, të pirët dhe format e tjera të evazionit
24. Mërzia ishte një nga atributet e jetës moderne
25. Shpeshherë rezignata ishte rrugëdalja e vetme që i mbetej njeriut
26. Nata dhe errësira bëjnë pjesë në simbolet e tyre kryesore
27. Në veprat e tyre shfaqet simbolika e maskës
28. Pagjumësia ishte treguesi i shqetësimeve shpirtërore dhe i turbullirave shoqërore
29. Një nga kryetemat e tyre qe roli i parasë në shoqëri
30. Gota dhe helmi simbolizonin rrëgjimin e njeriut dhe dekadencën e shoqërisë moderne
31. I burgosuri ishte një nga protagonistët e krijimtarisë së tyre
32. Ata patën antipati për turmën
33. Ata parapëlqyen situata shpirtërore që luhateshin midis ëndrrës e zhgjëndrrës
34. Ata i përshkruan gjerësisht të keqen, të shëmtuarën, skenat e pështira, anët e errëta të jetës
35. Ata i bënë një interpretim modern temës së trupit
36. Ata e admiruan detin
37. Ata u shprehën hapur si antimilitaristë, e konsideruan luftën si shkak fatkeqësish e shkatërrimesh
38. Ata theksuan se problemet individuale dhe ato shoqërore nuk mund të zgjidheshin me anë të lutjeve fetare
39. Për ta, fati ishte një forcë e verbër dhe e kobshme
40. Veprat e tyre i mbështolli një atmosferë tragjike dhe pesimiste
41. Toleranca ishte një nga konstantet e veprave të tyre
42. Krijimet e tyre patën karakter kritik
43. Ata kërkuan ndryshimin e shoqërisë së tyre të prapambetur e konservatore
44. Në disa tekste, ata parashtruan pikëpamjet e tyre për raportin midis artit dhe realitetit
45. Ata aktivizuan në krijimet e tyre disa elemente biblike
46. Ata u detyruan t’i dredhonin censurës që sundonte në vendet e tyre
47. Të pakënaqur nga shoqëria ku jetuan, ata patën nostalgji për një të kaluar hipotetike, legjendare, të cilën e konsideronin më të denjë sesa koha e tyre
48. Politikisht dhe estetikisht, ata qenë shumë më të përparuar sesa mjedisi që i rrethonte
49. Ata i dhanë përparësi nëntekstit
50. Ata i lanë vend të gjerë praktikës letrare të transtekstualitetit
51. Në veprat e tyre, ka referenca për filozofinë dhe filozofët
52. Përmbledhjet që përgatitën për botim patën një strukturë të paramenduar
53. Ata kultivuan poezinë dhe prozën
54. Ata përdorën vargjet e lira e të bardha, por nuk e braktisën për fare rimën
55. Metafora ishte tropi i tyre i parapëlqyer
56. Ata i stigmatizuan tipat dhe dukuritë negative me anë të ironisë
57. Në tekstet e tyre hasen disa simbole të përbashkëta si: flamuri i leckosur, zemra e plasur etj.
58. Elementet mitologjike që aktivizuan këta autorë, qenë të kufizuara dhe iu nënshtruan praktikës çmitologjizuese
59. Ata u shkëputën nga traditat letrare të vendit të tyre, për të hedhur themelet e një tradite moderne
60. Ata iu kushtuan tërësisht letërsisë : letërsia qe thelbi, strumbullari i jetës së tyre
61. Ata qenë emancipues të shoqërisë së tyre, të letërsisë së vendeve të tyre…
Jam i bindur se po të bëhet një shqyrtim më i hollësishëm, mund të gjenden edhe analogji të tjera midis veprave të Kavafit, të Pesoas dhe të Migjenit.
Ngjashmëritë që përmenda më lart, nuk duhet të na bëjnë të harrojmë se midis veprave të tre autorëve që janë objekt i këtij studimi, ka edhe dallime që nuk janë të pakta. Për hir të postulatit që thotë se përjashtimet përforcojnë rregullën, po përmend disa nga këto dallime :
Në qoftë se nga ana sasiore, krijimtaria e Kavafit dhe ajo e Migjenit kanë qenë modeste, kjo gjë nuk mund të thuhet për krijimtarinë e Pesoas, i cili ka qenë një autor prodhimtar dhe ka lënë një vepër voluminoze.
Ndryshe nga Kavafi, nga i cili na kanë mbetur vetëm tri tekste në prozë, Pesoa e Migjeni e lëvruan gjerësisht prozën.
Në qoftë se në veprën e Kavafit, formalisht mbizotëron tema historike, në veprën e Pesoas dhe në atë të Migjenit ka përparësi absolute tematika bashkëkohore.
Në qoftë se vargjet e Kavafit e të Migjenit nuk janë çliruar plotësisht nga prozodia klasike, vargjet e Pesoas janë tërësisht të lira…
Së fundi, mendoj se elementet arketipale, trans-nacionale dhe trans-historike kanë ekzistuar gjithmonë, por ato janë bërë më të dukshme në letërsinë moderne, sidomos në periudhën e sotme të globalizmit, e cila ka si devizë të saj njësinë përmes larmisë (unitetin përmes diversitetit). Ky globalizëm që ndodh në ditët tona edhe në fushën e letërsisë, nuk është gjë tjetër veçse përfundimi i një procesi historik.
Gusht 2014