More
    KreuLetërsiBibliotekëKate Chopin: Puthja

    Kate Chopin: Puthja

    Përktheu Artemisa Kuznetsov

    Jashtë kishte ende dritë të bollshme, por, pas perdeve të lëshuara dhe pranë zjarrit që po shuhej e lëshonte një shkëlqim të zbehtë, dhoma ishte përshkuar nga hije të thella. Brantaini ishte strukur në njërën prej këtyre hijeve; ajo e përfshinte krejtësisht, por kjo nuk i shkaktonte asnjë shqetësim. Errësira i jepte guxim të ngulte sytë, plot zjarr, mbi vajzën që rrinte ulur pranë oxhakut. Ajo ishte mjaft e hijshme, me një ngjyrim të pasur e të gjallë, tipik për një zeshkane plot shëndet. Qëndronte krejt e qetë, teksa përkëdhelte me përtim gëzofin prej kadifeje të maces që rrinte mbështjellë në prehërin e saj; dhe herë pas here hidhte një vështrim të ngadalshëm drejt hijes ku qëndronte shoqëruesi i saj. Ata bisedonin me zë të ulët, për gjëra të parëndësishme, që në dukje nuk kishin të bënin fare me atë që u pushtonte mendjen. Ajo e dinte se ai e donte—një djalë i sinqertë e paksa i rrëmbyer, pa dredhi të mjaftueshme për të fshehur ndjenjat e tij dhe pa asnjë qëllim për ta bërë këtë. Për dy javë me radhë ai kishte kërkuar me zell e këmbëngulje shoqërinë e saj. Ajo ishte e sigurt se ai do t’i shprehte haptazi ndjenjat e tij dhe kishte vendosur ta pranonte. Brantaini, megjithëse disi i parëndësishëm dhe jo shumë tërheqës, ishte tepër i pasur; dhe ajo e pëlqente dhe e dëshironte jetën që mund t’i ofronte kjo pasuri.

    Gjatë një pushimi të shkurtër në bisedën e tyre, teksa po pinin çaj dhe flisnin për takimin e radhës, u hap dera dhe hyri brenda një i ri që Brantaini e njihte mirë. Vajza ktheu fytyrën drejt tij. Një hap a dy e sollën pranë saj, dhe, pa i dhënë kohë të dyshonte për qëllimin e tij—sepse ajo ende nuk e kishte kuptuar që ai nuk e kishte parë vizitorin që ndodhej aty—u përkul mbi karrigen e saj dhe e puthi me zjarr, në buzë.

    Brantaini u ngrit ngadalë; vajza u ngrit menjëherë pas tij, por me nxitim, dhe i sapoardhuri qëndroi mes tyre, me një shprehje ku hutimi përpiqej të mbulonte një përzierje zbavitjeje dhe sfide.

    “Mendoj,” belbëzoi Brantaini, “se kam qëndruar më gjatë seç duhej. Unë… nuk e kisha idenë… më duhet t’ju them lamtumirë.”

    Ai po shtrëngonte kapelen me të dyja duart dhe, me shumë gjasë, nuk e vuri re që ajo po i zgjaste dorën; aftësia e saj për të menduar dhe vepruar shpejt nuk e kishte braktisur krejtësisht; por asaj i mungoi guximi të fliste.

    “Mallkuar qofsha nëse e pashë të ulur aty, Nati! E di që ishte tmerrësisht e pakëndshme për ty. Por shpresoj që këtë herë të ma falësh—këtë gabimin tim të parë. Po çfarë ke kështu?”

    “Mos më prek! Mos m’u afro!” shpërtheu ajo me zemërim. “Si guxon të hysh në shtëpi pa trokitur?”

    “Hyra bashkë me vëllain tënd, ashtu si bëj shpesh,” u përgjigj ai ftohtë, duke u përpjekur të justifikohej. “Hymë nga ana tjetër. Ai u ngjit lart dhe unë hyra këtu me shpresën për të të gjetur. Shpjegimi është i thjeshtë dhe duhet të të bindë se ajo që ndodhi ishte e paevitueshme. Por, të lutem, më thuaj se më fal, Natali,” iu lut ai, duke zbutur tonin.

     “Të të fal? Ti nuk e di çfarë flet. Lërmë të shkoj. Do të varet nga… diçka tjetër nëse do të të fal ndonjëherë.”

    Në takimin tjetër – atë për të cilin ajo dhe Brantaini kishin folur më parë – sapo e pa të riun aty, iu afrua me një sjellje të ëmbël dhe të këndshme.

    “Mund të flas me ju për disa çaste, zoti Brantain?” e pyeti ajo me një buzëqeshje të hijshme, por të trazuar. Ai dukej tepër i trishtuar; por kur ajo i kapi krahun dhe u largua me të, duke kërkuar një vend më të tërhequr, një rreze shprese u përzie me mjerimin pothuajse komik në fytyrën e tij. Ajo po shfaqej hapur dhe me sinqeritet.

    “Ndoshta nuk duhej ta kisha kërkuar këtë bisedë, zoti Brantain; por… por, oh, kam qenë shumë e trazuar, pothuajse e mjerë, që nga ajo përplasje e vogël atë pasdite. Kur mendova se si mund ta kishit keqinterpretuar dhe se mund të kishit besuar gjëra”—në fytyrën e tij të rrumbullakët e të çiltër, shpresa po merrte dukshëm epërsi mbi mjerimin—“…natyrisht, e di që për ju kjo nuk do të thotë gjë, por për hir të vetes sime dua të kuptoni se zoti Harvi është një mik i vjetër dhe i ngushtë. Ne kemi qenë gjithmonë si kushërinj—madje mund të them si vëlla e motër. Ai është shoku më i ngushtë i vëllait tim dhe shpesh sillet sikur gëzon të njëjtat privilegje si pjesëtarët e familjes.

    “Oh, e di që është absurde, e panevojshme dhe madje qesharake për dinjitetin tim që ta them këtë,” tha ajo, gati duke qarë, “por për mua ka shumë rëndësi çfarë mendoni ju për… për mua.” Zëri i saj ishte i ulët dhe i trazuar. Mjerimi u zhduk krejtësisht nga fytyra e Brantainit.

    “Atëherë, për ju vërtet ka rëndësi çfarë mendoj unë, zonjusha Natali? A mund t’ju quaj zonjusha Natali?”

    Ata hynë në një korridor të gjatë e të zymtë, me bimë të larta dhe të hijshme në të dy anët, duke ecur ngadalë drejt fundit të tij. Në kthim, fytyra e Brantainit shkëlqente, ndërsa ajo kishte një shprehje triumfuese.

    Harvi ishte një nga të ftuarit në dasmë; ai iu afrua pikërisht në një nga ato çaste të rralla kur ajo ndodhej vetëm.

    “Yt shoq,” i tha ai me një buzëqeshje të qetë, “më ka dërguar të të puth.”

    Një skuqje e menjëhershme përshkoi fytyrën dhe qafën e saj të lëmuar e të rrumbullakët.

    “Mendoj se është krejt e natyrshme që një burrë të sillet bujarisht në një rast si ky. Ai më tha se nuk dëshiron që martesa e tij të ndërpresë plotësisht atë afërsi të këndshme që ka ekzistuar midis nesh. Nuk e di çfarë i ke thënë ti,” shtoi ai me një buzëqeshje të pacipë, “por më ka dërguar këtu që të të puth.”

    Ajo u ndje si një lojtar shahu që, pasi lëviz me mjeshtëri gurët, më në fund e sheh lojën të rrjedhë sipas dëshirës së tij. Sytë e saj, të butë dhe të ngrohtë prej gëzimit, shkëlqenin teksa u ngritën drejt tij; buzët i dukeshin të etura për puthjen që po prisnin.

    “Por e di,” vazhdoi ai me qetësi, “këtë nuk ia thashë burrit tënd—do të tingëllonte si mosmirënjohje, por ty mund të ta them: kam hequr dorë nga puthja e grave. Është e rrezikshme.”

    Epo, asaj i mbetën Brantaini dhe milionat e tij. Njeriu nuk mund t’i ketë të gjitha në këtë botë; dhe, në fund të fundit, ndoshta ishte paksa e tepruar nga ana e saj të shpresonte për më shumë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË