Mbi librin “Të vegjlit e mi” të Ylli Pangos
Letërsia është një shumëllojshmëri stilesh, formash, qasjesh, narrativash. Gjen aty të madhen, përmasat historike dhe ekzistenciale të krejt një populli, gjen tragjiken, dramatiken dhe sublimen, por gjen dhe të voglën, të zakonshmen, të thjeshtën, aty ku drita vjen e përthyer mes ca thurimash shpirtërore si të truara, delikate, herë mallëngjyese e herë ngazëllyese, nën një brishtësi njerëzore ku ti sheh diku thellë një pikë loti, një krenari të fshehtë prindi për fëmijën e vet. Kështu m’u duk edhe libri “Të vegjlit e mi” i Ylli Pangos, profesor i mirënjohur i psikologjisë, botim i fundmë i “Onufrit”. Është një libër (a “libërth” siç e quan ai) që nuk bërtet. Butë e pa mburrje ai rreket të marrë formën e një dëshmie jete, në fakt të tri jetëve, në një rrugë ku drita e të porsalindurit, birit, ka shkrepur, ndërsa drita e të madhit, babait, shijon atë ngjyrën e kuqe në të portokalltë të perëndimit, nokturnin e paqtë në një të mbrame të lumtur (pse jo!).
Qysh në kredon e librit, Pango flet për familjen e tij të re, tre njerëz, tre breza, bashkuar nga fati në turbullirat e jetës, sa nga Shqipëria ku autori njihet si profesor e njeri i dijes, aq dhe nga Ukraina e përgjakur, nga Odesa prej nga është gruaja e tij, 43 vjeçe më e re, e cila vendosi të jetoj këtu, në Shqipëri. Dhe të dy u bënë prindër në kohë të vështira, për t’i dhënë jetë e lumturi një krijese, tashmë 4 vjeç, djalit të tyre. Një histori mallëngjyese, si dy pemë lidhur e gërshetuar bashkë, me një filiz në mes, dygjuhësh, Danja. Një shkrepje drite për prindërit ky Danja-Danieli, një blatues lumturie e rilindjeje, gati një ëngjëll mbrojtës i jetës së tyre.
Ja, kaq është e gjitha. E thjeshtë apo jo? Madje ndokush mund të thotë, e “rëndomtë”. Po, do të përgjigjesha unë, e thjeshtë është, madje dhe e “rëndomtë” nëse doni ta quani kështu, veçse kësaj fjale tashmë unë do t’ia hiqja nuancën e thjeshtëzimit dhe përsipër do t’i hidhja petkun estetik të së hijshmes, të asaj që edhe e njohim edhe nuk e njohim, që është si ne por dhe ndryshe nga ne, që falë të përditshmes e të zakonshmes jetësohet e dritëron e veçanta, e pazakonta. Dhe ky është një ligj i hekurt i letërsisë së mirë. Përmes një mënyre të tillë të shkruari e tok me të, përherë ka frymuar një letërsi e dëlirë, jo pretencioze, e jashtme, e mbytur në poza e shtrajtime, por e kredhur në ato valëzime ndjenjash, përjetimesh dhe emocionesh që njeriu merr e jep në jetë. Është diç e vërtetë. Si një ag e muzg njëherësh. E treguara këtu nuk është vetëm brenda Ylli Pangos, po aq ajo është dhe brenda meje, brenda teje, atij, atyre, të gjithëve. Kësodore letërsia, libri, rrëfimi migron tej, shkon te lexuesi, gjen aty një xhep të ngrohtë, kuvendon me të. Dhe kështu libri ikën si tinëz nga e vogla, e thjeshta, e “rëndomta” duke shkelur në sinorë të tjerë, tek e brendshmja, tek ajo që na ndodh edhe neve, të gjithëve, komunitetit, popullit, pra te fuqia sintetizuese e artit dhe te universalja. Pse e them këtë? Sepse duke lexuar librin e Yllit mendja ime u ndez nga një mori kujtimesh për fëmijët e mi, gruan time, jetën time. Dhe kështu, besoj, letërsia kthehet dhe bëhet një apostullim mirësie, një mesazh human e social. Sepse kur lexuesi i saj hyn e del lirisht në një tjetër jetë, tashmë nën përthyerjet e ligjësive të letërsisë dhe, ca më tej, kur ai ngacmohet prej saj, kur bashkëjeton me fatin e personazheve, me rrëfimin, me fjalën e krehur, kur gjen vetveten aty, identifikohet, atëbotë libri e ka mbërritur misionin e vet estetik për bukuri.
Ylli i quan gruan dhe djalin e vet, “të vegjëlit e mi”. Dhe ka një përdëllim të rrallë. Ndofta mosha e tretë që ai përjeton, te 72 vjetët jo aq të lehtë, e ka përhiruar ndjenjën e tij. E gjitha ka një dëlirësi. Ata ia kanë zbukuruar jetën. Dufet e tij lirike janë sa prej shkrimtari aq dhe prej babai e burri. Janë të vërteta, të sinqerta dhe kjo e bën prozën e tij gati trasparente, ku ti njeh vetveten, sepse edhe ti bën qasjen tënde me një jetë të tillë, siç ngjet në letërsi me procesin e identifikimit të lexuesit me personazhin, që tashmë është edhe personazh, ta quajmë “letrar”, edhe një njeri i njohur me emrin Ylli Pango, i cili na rrëfen, tashmë si shkrimtar, për jetën e tij të “dytë”. Dhe kjo jetë është një dashuri trifytyrëshe: Marina-Danja-Ylli. Sa do doja ta shenjtëroja paksa këtë TRINITET njerëzor!…
Unë mund të nxirrja nga ideja e vetme që e ka krijuar këtë libër – të lësh një dëshmi dashurie të thellë për fëmijën tënd ditëve të tua të mbrame – një mori idesh a, thënë më saktë, një mori përjetimesh e drithërimash prindërore, që gjithkush prej nesh, në mos ashtu e në mos kështu, i ka pasur si të tijat. Pikërisht kjo ngjashmëri përjetimesh, ndjenjash e qëndrimesh prindërore e afron së tepërmi librin me ne, domethënë me pritësin. Ca më tepër këtë afrim e kryen edhe stili, sinqeriteti i rrëfimit, flukset lirike, ngashnjimet e lumturisë apo frikërat gjer në panik të ngjarjeve të rënda si sëmundja e të shoqes etj. Ja, po kujtoj ca prej tyre:
…Lindja e djalit të tij, Danielit apo Danjës, si fatlum në ditën e Shën Valentinit, më 14 shkurt, sillet si përjetimi i po asaj “ndjenje universale të mrekullimit dhe nemitjes përpara lindjes e rilindjes për të miliardën herë të njeriut, krijesës së gjallë më të çuditshme e më të mrekullueshme që njohim deri më sot”. (f. 11).
…Shqipëria e paradokseve, kur në periudhën e Covid 19, djali i vogël dy muajsh shihet nga shteti si i rritur dhe i jepet leja të bëjë psonitë e pazarit, teksa babës e nënës u refuzohet kjo e drejtë. Sigurisht është një qasje ironike, por aty sheh pikërisht dhe absurden, paradoksalen, mjete letrare të përdorura me finesë dhe inteligjencë nga autori.
…Përsiatjet për moshën, raportet e tij me të birin, të qenit një baba i madh me flokë të bardhë apo një gjysh, lyerja e flokëve dhe tëhuajtja e fëmijës duke iu dukur i ati një “xhaxhi” (Djadja, në rusisht).
…Arrati të bukura në përfytyrime pasvdekësore, ku shpirti i ngarkuar gjithë mall e lot derdhet si një përroskë vrapacake mes një lirizmi mallëngjyes prej babai apo, siç e quante i biri në rusisht dhe shqip “pa-bi” (papa rusisht dhe babi shqip).
…Te pjesëza “Brishtësi” ka një himn për amësinë, krijimin e njeriut si akt i perëndishëm; pena e shkrimtarit bëhet ajo vetë e brishtë, si një syth në rritje mbushur me lëng, si një përshkrim i tëri poetik, në disa paragrafe do ta quaja prozë poetike, ku ndihet se si një zemër babai dhe intelektuali rreh e i blatohet asaj që riprodhon jetën, dashurinë, mallin: gruaja si nënë. (f. 81-83)
…Habitë që të jep kureshtja e fëmijës, hapja e botës së tij, befasimet, dëshira për të vizituar Antraktidën ku humori përzihet me dijet që përfton një fëmijë i vogël nga televizioni, rrjetet e internetit.
…Një përshkrim i mrekullueshëm për sëmundjen e të shoqes, pritjen e ankthshme të rezultatit të analizave dhe më në fund një vrullim ndjenjash babë-nënë-bir, një gazavaj, një klithmë çlirimi ku triumfi i jetës dhe e qeshura plikset me kthetrat e shkulura të vdekjes nga mishi i jetës, me rrahjet e tre zemrave bërë bashkë në një ritëm. (“Danjës i sëmuret mama”, f. 123-128)
Ngjizja e kërij libri ka ardhur drejtpërdrejt nga zemra e Ylli Pangos, ai ishte brenda shpirtit të tij, brenda përjetimeve të habitshme prej një babai “gjysh”, siç ai e thotë me humor për veten. Por ishte dhe një shtysë, një dorë përdëllimtare diku që i dha besimin, mbase Fryma, dremitur diku në qoshkat e mendjes së tij, për të krijuar këtë poemë atnore. Ishte poeti ynë i njohur Bardhyl Londo, mik i autorit, i cili teksa lexoi disa përjetime kësilloji, i shkroi: “Një himn i vërtetë për njeriun, shkruar me një stil dhe gjuhë që të mahnitin. Ruaje ta lexoj Danieli kur të rritet”. Dhe Ylli përfundon: “Mendova t’i lë djalit dhe nënës së tij diçka më shumë, që mos të më harrojnë. Një libërth…”
Ia paske mbërritë Ylli Pango, pa merak!…