More
    KreuOpinionJola Tasellari: Propaganda e leximit sezonal - a ekziston?

    Jola Tasellari: Propaganda e leximit sezonal – a ekziston?

    Në studimet bashkëkohore të marrëdhënies midis lexuesit dhe veprës letrare, koncepti i “leximit sezonal”, pra një tendence klasifikimi të veprave letrare në “libra vere” dhe “libra dimri”,  përfaqëson një fushë ende të paqartë studimi, e cila, në kompleks me ekonominë e tregut dhe rregullave të marketimit, ka arritur të shtrihet përtej etiketave të tregtisë apo konvencioneve sociale. Kjo ndarje është ngulitur gjithsesi në përvojën kulturore dhe psikologjike të leximit, duke reflektuar transformime në historinë e letërsisë, thellime të marrëdhënies mes gjendjes emocionale të lexuesit dhe një ndarje të konstruktuar kulturore që bashkon dhe ushqen nevojën dhe ftesën për lexim.

    Përdorimi i ambientit, stinëve, natyrës dhe kapriçove të saj në letërsi dhe në pasqyrimin njerëzor nuk është diçka e huaj për ne. Romantizmi na mësoi më së miri se ekziston në fakt një lidhje mes gjendjes njerëzore dhe asaj natyrore. Megjithatë, kjo mbetet në kufijtë e brendshëm të fiksionit. A mund të gjykojmë njëlloj kur i kalojmë këto kufij? Kur analizojmë dëshirat, ndjenjat dhe emocionet në jetën reale? Nga ana tjetër, me këtë logjikë, koncepti i leximit sezonal nuk është thjesht një klasifikim sipërfaqësor, por pasqyrim i mënyrës sesi ngjarjet, temat dhe motivet letrare rezonojnë me stinën kur lexuesi ballafaqohet me tekstin. A janë detyrimisht librat që përmendin stinën e verës libra që përmbushin kriteret e një letërsie të lehtë e jo të lodhshme, kësisoj ideale, për lexime vere? Për shembull, në veprën “Getsbi i madh”, stina e verës është më shumë sesa sfond; ajo është një dimension emocional i fortë, që të fton në pasion dhe brishtësinë e personazheve. Atmosfera e ngrohtë dhe e gjallë e verës ndikon një përvojë leximi që lidhet me lirinë dhe aventurën, duke e kthyer shpesh në rekomandim leximi për verë. Por a aplikohet kjo logjikë edhe për “I huaji” nga Albert Camus? Po “Zorba” nga Nikos Kazantzakis?? Këtu pastaj dalim plotësisht nga klasifikimet “e lehtë – jo e lodhshme”, duke na ngritur një hipotezë të dytë, se nëse është konteksti letrar apo ai tekstual që determinon letërsinë në verore apo jo.

    Kur Pierre Bourdier analizon raportet mes prodhimeve artistiko-kulturore (veçanërisht letrare) me normat dhe kontekstin social, ai refuzon hapur idenë se arti është një prodhim krejtësisht dhe vetëm individual. Arti dhe veprat letrare janë pjesë e fushave ku lëvizjet dhe klasifikimet, siç mund të pretendojmë se është klasifikimi në sezonale për letërsinë, ndikojnë në mënyrën se si individët ndërveprojnë dhe u qasen atyre (Bourdieu, 1993). Kjo qasje, ndonëse jo plotësisht në kontekstin letërsisë sezonale, është gjithsesi thelbësore për të kuptuar se pse dhe si ndarja në libra vere dhe dimri nuk është thjesht një ndarje me baza estetike, por një konstrukt social, ekonomik dhe mandej, edhe psikologjik.

    Thënë kështu, përtej kontekstit narrativ dhe social, duhen marrë në konsideratë dhe ndryshimet psikologjike të lexuesit përgjatë stinëve të ndryshme. Studimet mbi sindromën afektive sezonale (SAD) tregojnë se ndryshimet në dritën natyrale ndikojnë në energjinë psikofizike të individit. Kjo lidhet ngushtë me preferencat për (shpesh) kategori të ndryshme leximore gjatë verës dhe dimrit. Në këtë kontekst, shpesh leximi i autorëve si Dostojevski, me tematika të errëta, tragjike dhe të përplasjeve të thella emocionale, me ngjarje të vendosura në ambiente të acarta e me dëborë, ngjall tek lexuesi nevojën për thellim dhe njëkohësisht përjetim. Ndërkaq, veprat që nxjerrin në pah dinamika sociale, pasione, romanca, udhëtime, shijime e kënaqësi të jetës, janë parë si më të përshtatshme për ambientin e gjallë dhe veror. 

    Megjithatë, gjërat bëhen më objektive nën lenten e marketimit dhe ekonomisë së tregut të epokës moderne, ku tregu i librit dhe kultura masive[1] ndikojnë në mënyrën se si letërsia kërkohet dhe mandej konsumohet. Libraritë, botuesit, bloggerët shpesh sugjerojnë koleksione me libra “verorë”, të cilët, në pjesën më të madhe të rasteve, plotësojnë triadën: të lehtë, argëtues, me histori romancash apo aventurash që të lexohen shpejt, për pesë ditë pushimesh në det. Ndërkohë në prag të dimrit promovohet letërsia me tematika më të thella, që kërkon një angazhim më të thelluar intelektual dhe emocional, gati duke krijuar një propagandë të re letrare që padyshim ka ndikuar dhe në pritshmëritë estetike të lexuesve; për të stabilizuar një rend të ri ekonomik mes kërkesës dhe ofertës. 

    Ky rend i ri kërkesash për lexime sezonale, shpreh ndër të tjera një ritëm të ri zhvillimor, ndikuar nga mekanizma më të mëdha kulturore dhe ekonomike, sociale dhe psikologjike; se letërsia është vazhdimisht në komunikim me botën dhe nuk mund të shihet si plotësisht e ndarë prej saj.
    Ama, me gjithë komercialitetin dhe marketimin e ri, pyetja që lind natyrshëm mbi leximet sezonale është: Po në hemisferën tjetër si lexohet? 


    [1]  Mass Culture- Kultura masive; është një formë kulture që përhapet gjerësisht përmes mjeteve të komunikimit në masë (si televizioni, interneti, kinemaja, muzika) dhe konsumohet nga një publik i gjerë, i pafiltruar. Ajo shpesh paraqitet e thjeshtëzuar, komerciale dhe krijohet për argëtim dhe konsum të shpejtë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË