More
    KreuTë ndryshmeJola Tasellari: Koleksioni më i fundit i Dior-it i bën homazh letërsisë...

    Jola Tasellari: Koleksioni më i fundit i Dior-it i bën homazh letërsisë klasike

    Shtëpia prestigjioze e modës, Dior, nxori këtë javë koleksionin e ri pranverë-verë 2026, ku sërish, përtej risive në vendosjen e standardeve të modës, arriti (nuk e dimë nëse qëllimisht) të depërtojë drejt një grupi që, ndoshta, më pak e vret mendjen për modën se sa për kulturën, letërsinë dhe në veçanti, aktin e leximit. Dior-i prezanton kësaj here një praktikë estetike që në pamje të parë duket si një homazh ndaj letërsisë klasike, por që, në një lexim më të thelluar semiotik, shfaqet si simptomë e një marrëdhënieje komplekse midis artit, industrisë kulturore dhe konsumit artistik. Për sezonin e ri, drejtori kreativ i Dior-it, Jonathan Anderson, sjell klasikët letrarë në çantat ikonë të markës. Çdo pjesë e “The Book Cover Collection” ekspozon kopertinën e botimit të parë të klasikëve të shekullit XVIII, XIX dhe XX.  Në mesin e librave të përfshirë janë: Drakula e Bram Stoker, Madam Bovari e Gustave Flaubert, Lulet e së keqes e Charles Baudelaire, si dhe Uliksi i James Joyce.  Në dekadat e fundit, marrëdhënia midis modës dhe kulturës letrare ka kaluar nga referenca simbolike drejt ndërthurjes së drejtpërdrejtë midis objektit, imazhit dhe praktikës lexuese. Rasti i Dior it për sezonin pranverë–verë 2026, ku kopertina e librave klasikë përdoret jo vetëm si motiv, por si element dominues vizual dhe simbolik, ngre një pyetje themelore: çfarë ndodh kur libri nuk është më vetëm objekt leximi, por bëhet objekt konsumimi vizual i luksit? Ky fenomen, përtej pamjes së tij motivuese, kërkon një analizë kritike nga pikëpamje teorike estetike dhe  kulturore.

    Në debatin e madh të shekullit të kaluar mbi maninë e riprodhimeve mekanike të veprave artistike, Walter Benjamin argumenton se në epokën moderne, vepra e artit nuk e ruan dot më “aurën” e saj origjinale, pra, atë praninë unike që e lidh subjektin me objektin në një përvojë meditative. Riprodhimi masiv dhe qarkullimi industrial i veprave artistike nuk e shkatërron vetëm origjinalitetin e saj, por transformon mënyrën se si ajo perceptohet dhe përdoret. Kur kopertinat e librave klasikë zhvendosen nga funksioni i tyre narrativ drejt rolit të një ornamenti luksoz në aksesorë mode, shkëputja nga përvoja lexuese bëhet e dukshme. Libri nuk më është referencë për përvojë, por për prezencë vizuale në hapësirat publike, pra kalojmë nga nevoja për lexim tek estetika e të lexuarit. Kjo çon në humbjen e aurës sipas Benjamin it, por jo në mënyrën e thjeshtë teknike që ai përshkruan. Këtu humbja lidhet me transformimin kulturor dhe funksional: nga teksti në imazh. Edhe Theodor Adorno na e ofron një vizion paralel mbi industrinë kulturore: arti dhe kultura, kur futen në logjikën e konsumit masiv, humbasin potencialin e tyre kritik, duke u shndërruar në mall për konsumatorin. Sipas tij, arti nuk duhet të jetë thjesht shije estetike: Ai duhet të përmbajë elementin e sfidës dhe të tensionit kritik ndaj realitetit ku shfaqet. Kur letërsia klasike shndërrohet në simbol shijeje të rafinuar për konsumatorë të luksit, ajo humbet funksionin e saj fillestar dhe reduktohet në objekt simbolik për kritikën sociale. Kjo është pikërisht kritika që Adorno drejton kundrejt artit që bëhet mall.

    Megjithatë, një analizë tërësisht teorike që ngrihet vetëm mbi humbjen e aurës dhe neutralizimin kritik, nuk depërton dot në kompleksitetin e përvojës së lexuesit, apo subjektit artistik modern. Leximi si praktikë, ndryshe nga objekti që e përfaqëson, mbetet një akt intim, personal dhe autonom. Nuk mund të supozojmë se transformimi i librit në objekt mode e çrrënjos plotësisht përvojën e leximit. Përkundrazi, kontakti me objektin, edhe kur ai është problematik nga kjo pikëpamje, mund ta riaktivizojë dëshirën për lexim. Rastet kur individët nxiten të rilexojnë një vepër letrare pas një kontakti të beftë kulturor, demonstrojnë se përvoja e leximit nuk është hermetikisht e mbyllur ndaj konteksteve të jashtme, pasi ndonëse servirur si një proces vetmitar dhe personal, leximi si praktikë stimulohet lehtësisht edhe prej faktorëve të jashtëm.  Kjo tregon se leximi ka një autonomi që nuk mund të absorbohet plotësisht nga logjika e hiper-konsumit. 

    Në një kontekst më të gjerë kulturo estetik, fenomeni i Dior it nuk është i izoluar; ai shfaqet si pjesë e një trendi më të gjerë në modë, ku shtëpitë e modës përdorin letërsinë dhe botimet si materiale narrative dhe simbolike. Në vitet e fundit, marka të ndryshme kanë filluar të konceptojnë projekte që shkojnë përtej referencës së thjeshtë të librit. Vitin e kaluar, Prada ka ftuar shkrimtaren Ottessa Moshfegh të krijojë prozë origjinale lidhur dhe frymëzuar nga koleksionet e saj, duke e integruar letërsinë jo vetëm si motiv, por si një formë të re të rrëfimit kulturor. A nuk është fashion-i kulturë?

    Shtëpia franceze e modës, Yves Saint Laurent, ka hapur në Paris një librari që sfidon modelet tradicionale të konsumit të luksit, duke ia dedikuar këtë hapësirë artit, kulturës dhe modës ekspresioniste. Shembuj të tillë na bëjnë të besojmë se interesi i modës për letërsinë nuk është thjesht trend dhe sipërfaqësor, por një përpjekje për të rikrijuar një lidhje midis pasionit intelektual dhe identitetit vizual në një kohë kur konsumatorët nuk kërkojnë vetëm mallra dhe objekte, por histori dhe kuptim kulturor në markat që zgjedhin. Megjithatë, kjo ndërthurje e letërsisë me modën, dualizohet në dy pole: nga njëra anë, simboli i librit transformohet, objektivizohet dhe, përmes çmimit me të cilin koleksioni hidhet në treg (nga 1300$ – 3500$),  ai rezervohet për një elitë të caktuar, dhe nga ana tjetër, ky shpërthim vizual i librit dhe klasikëve të letërsisë stimulon rikthimin kah përvojës së leximit, një përvojë që gjithsesi nuk cenohet. Ajo mbetet individuale, intime dhe autonome.

    Assesi nuk po themi se bota e modës po “i bën nder” letërsisë në kuptimin tradicional. Nuk e ringjall ajo tekstin, veçse përmes veprimit të tij narrativ, por mund të riaktivizojë tek individët e mandej tek masa dëshirën për ta ri-përjetuar përvojën letrare, kjo pas debatit të kudogjetur se libri, në konceptin origjinal të shfletimit të tij, nuk lexohet më në të njëjtën sasi sa më parë. Kështu, ndoshta sadopak, Dior-i ka stimuluar rikthimin tek klasikët, përmes estetikës së re, atë të së lexuarit. Dhe me kë më mirë mund ta arrinte përveçse përmes lexuesit të ardhshëm?

    Kjo tregon se leximi, edhe pse i nxitur nga faktorë të jashtëm, nuk e humbet dot identitetin e tij, jo sepse kështu duam, por sepse përballja është e pabarabartë, fenomenet janë plotësisht të ndryshme, dhe pjesërisht edhe audienca që tërhiqet nga njëri pol apo nga tjetri.

    Në një kohë kur bota kërkon të rindërtojë vlerat e kulturës së thellë përballë konsumimit vizual, ky fenomen shërben si një laborator i rëndësishëm. Ai tregon se ndonëse “i elitizuar”,  ky objekt luksi mund ta stimulojë subjektin lexues në mënyra të papritura. Përgjegjësia kritike e teorisë estetike dhe e praktikës kulturore është ta shfrytëzojë dimensionin e kësaj përplasjeje, dhe jo ta mohojë një dimension në funksion të një tjetri. Ndërkohë që, për shkak të lehtësisë së riprodhimit, riprodhimi masiv i artit është kthyer tanimë në normë, një çantë luksoze mund ta mbajë kopertinën e një klasiku, por sërish leximi mbetet një akt i papërshkueshëm nga mekanizmat e tregut dhe konsumit. Ironia qëndron pikërisht këtu: ndërkohë që industria e modës synon ta ringjallë veprën klasike letrare, aurën e saj, ne, lexuesit, biem dakord se vetëm në vetminë dhe intimitetin e përvojës sonë, ne vijojmë ta rilexojmë, ta interpretojmë dhe ta ri-zbulojmë tekstin letrar. Por a janë të gjitha përvojat letrare dhe stimulimet tona të njëjta? Ose thjesht mund të biem dakord për të mos rënë dakord… 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË