More
    KreuLetërsiBibliotekëIvan Bunin (Çmimi nobel 1933): Ditët e mia të Nobelit

    Ivan Bunin (Çmimi nobel 1933): Ditët e mia të Nobelit

    Në vitin 1922 gruaja e Buninit, Vera Nikollajevna Muromceva, ka shkruar në ditar se Romain Rolland kishte paraqitur kandidaturën e Buninit për të marrë çmimin Nobel. Që nga ajo kohë Bunini jetoi me shpresa se dikur do ta merrte këtë çmim. Në vitin 1933 ai u bë i pari shkrimtar rus që u nderua me çmimin Nobel për letërsinë. Në Stokholm Buninit iu dorëzua një dosje me diplomën e Nobelit, një kuti me medaljen e artë dhe një çek prej 715.000 frangash franceze.

    Është 9 nëntor 1933. E vjetra, e mira Provancë, i vjetri, i miri Gras, ku kalova plot dhjetë vjet të jetës, pothuaj pa ndërprerje; një ditë e qetë, e ngrohtë, e hirtë e vjeshtës së vonë…

    Në ditë të tilla kurrë nuk shtrohem për të punuar. Megjithatë, si përherë, që në mëngjes jam pranë tryezës së shkrimit. Kthehem përsëri aty, pasi ha mëngjesin. Por, kur shikoj në dritare dhe vërej se po afrohet shiu, i them vetes: “Jo, nuk më punohet. Ka një shfaqje filmi pasdite në kinema. Do të shkoj në kinema.”

    Duke zbritur kodrën ku ndodhet Belvedere, shoh Kanën që shtrihet së largu, detin e mezidukshëm në këto ditë, kreshtat e mjegullta të Esterelit, e kap veten duke menduar: “Mbase, pikërisht tani, diku, në një skaj tjetër të Europës, po vendoset fati im…”

    Por në kinema e harrova krejt Stokholmin.

    Kur, mbas intervalit, në ekran u shfaq një pjesë e gëzueshme, pa kuptim, e titulluar “Baby”, po e ndiqja me shumë interes: ishte Kisa, vajza bukuroshe e Kuprinit, që interpretonte aty. Por ja, befas, në errësirë, dëgjoj pranë meje një zhurmë të lehtë, pastaj drita e një elektriku dore dhe dikush që më prek në sup dhe dëgjoj një pëshpërimë në vesh, një përzierje e druajtjes dhe emocionit.

    – Ju telefonojnë nga Stokholmi…

    Dhe, befas, krejt jeta ime e mëparshme ndryshoi.

    Shkova drejt shtëpisë pothuaj nxitimthi dhe nuk ndieja asgjë, përveç keqardhjes se nuk munda ta shihja deri në fund se si do të luante Kisa dhe njëfarë mosbesimi për lajmin që më komunikuan. Por jo, nuk mund ta besoja; së largu shihej shtëpia ime, e cila në këtë kohë përherë ishte e qetë dhe në gjysmerrësirë, e humbur mes ullishtave që mbulonin shpatet e kodrës mbi Grasse, tani ishte ndriçuar fund e krye. Një si trishtim po më shtrëngonte zemrën… Një lloj përmbysjeje në jetën time…

    Gjithë mbrëmjen “Belvedere” kumbonte nga zilet e telefonit, prej të cilit thërrisnin njerëz në gjuhë të ndryshme, pothuaj nga të gjitha kryeqytetet europiane, dëgjohej zilja e derës prej postierëve që veç sillnin telegrame përshëndetëse pothuaj nga të gjitha vendet e botës – ngado, përveç Rusisë! – dhe përballja me dyndjet e para të vizitorëve të çdo lloji, fotografët, gazetarët… Vizitorët, numri i të cilëve veçse rritet, saqë fytyrat e tyre shkrihen para meje, nga të gjitha anët më shtrëngojnë duart, të emocionuar dhe gjithë duke thënë të njëjtën gjë. Fotografët më verbojnë me flashet, që të shpërndajnë pastaj në të gjithë botën portretin e zbehtë të një të lajthituri. Gazetarët, si në një garë, më bombardojnë me pyetje: 

    – Kur jeni larguar nga Rusia?

    – Jam emigrant që nga fillimi i vitit 1920.

    – Mos po mendoni të ktheheni atje tani?

    – Zoti im, po përse duhet të kthehem tani atje?

    – A është e vërtetë që jeni i pari shkrimtar rus që e ka marrë ndonjëherë çmimin Nobel?

    – E vërtetë.

    – A është e vërtetë që dikur ia ofruan Lev Tolstoit dhe ai refuzoi ta marrë?

    – E pavërtetë. Çmimi nuk i ofrohet askujt. Çmimet vendosen në fshehtësi të plotë.

    – A keni pasur lidhje apo njohje në Akademinë Suedeze?

    – Kurrë dhe asnjë.

    – Për cilën vepër tuajën ju akordua çmimi?

    – Mendoj, për tërësinë e veprës sime.

    – E prisnit që të fitonit?

    – E kam ditur prej kohësh që isha në listën e kandidatëve. Gjithashtu, kam lexuar shumë vlerësime miklonjëse për veprën time nga kritikë të njohur skandinavë, si Böok, Osterling, Agrell; meqë kisha dëgjuar për lidhjet e tyre me Akademinë Suedeze, kam hamendësuar që ata do të ishin në favorin tim. Por, natyrisht, nuk isha i sigurt për asgjë.

    – Kur jepet zakonisht çmimi Nobel?

    – Çdo vit në të njëjtën datë: 10 dhjetor.

    – Pra, ju do të jeni në Stokholm në këtë datë?

    – Me shumë gjasa, më herët: mezi po pres të shijoj kënaqësinë e një udhëtimi të largët sa më shpejt. Për shkak se një emigrant ka shumë vështirësi për të marrë një vizë, prej trembëdhjetë vjetësh nuk kam shkuar askund jashtë shtetit, përveçse një herë në Angli. Për mua, që kam bredhur botën, ka qenë një nga privimet më të rënda.

    – A keni qenë në ndonjë vend skandinav?

    – Jo, kurrë. Kam bërë, po e përsëris, shumë udhëtime, edhe të largëta, por gjithmonë drejt lindjes dhe drejt jugut, kurse Veriun ia kisha lënë së ardhmes, e cila nuk erdhi kurrë…

    Kaq papritur më përfshiu ky përrua i rrëmbyer, i cili u shndërrua shpejt në një lloj jetese të çmendur: asnjë minutë të lirë dhe të qetë nga mëngjesi në mbrëmje. Përveç gjendjes së natyrshme që rrethon çdo laureat nobelist, kisha diçka të veçantë, për shkak të situatës sime të jashtëzakonshme, sepse i përkisja asaj Rusie të tjetër e cila ishte shpërndarë nëpër botë, më kishte ndodhur diçka që nuk i kishte ngjarë asnjë laureati tjetër: vendimi i Stokholmit ishte bërë një ngjarje vërtet kombëtare për gjithë atë Rusi kaq të poshtëruar dhe të fyer në të gjitha ndjenjat…

    II

    Natën e tre dhe katër dhjetorit ndodhesha tashmë larg Parisit. Nord-Express,  një kupe e veçantë e klasit të parë – sa vjet që nuk kisha përjetuar ndjenja të tilla! Kishte kaluar mesnata dhe ndodheshim në Gjermani. Qëndroj në korridorin e vagonit, i cili është i fundit në varg. Dhe, duke rrëshqitur poshtë vagonëve, mbetet prapa nën dritën e zbehtë të hënës diçka që më kujton Rusinë: rrafshina të gjera, të përzishme, të larme, pemë të mbuluara me borë… 

    Në mëngjes jemi në Hanover. Hap sytë, ngre perden – dritarja me akull, ngrica. Akull edhe në shina. Njerëzit që kalojnë nëpër platformë, me kokore prej gëzofi, me peliçe – sa kohë që nuk e kisha parë diçka të tillë, siç duket, e kisha ruajtur gjallë në zemër!

    Në mbrëmje treni vendoset në avulloren “Gustav V” dhe ngadalë u afrohem brigjeve të Suedisë. Përsëri intervista, përsëri drita verbuese e flasheve… Në Suedi vagoni im rrethohet krejtësisht nga turma e fotografëve dhe e gazetarëve… Dhe vetëm natën vonë mbeta fillikat përsëri. Përtej dritareve errësirë dhe bardhësi – pyjet e dendura të zeza në dëborën e bardhë të thellë. Dhe të gjitha këto, së bashku me kupenë e nxehtë valë, krejt si netët në rrugën Nikollajevskaja

    Ceremonia e marrjes së Çmimit Nobel

    Dhënia e çmimeve Nobel fillon çdo vit në 10 dhjetor, fiks në orën pesë të mbrëmjes.

    Atë mëngjes trokitja në derën e dhomës sime të gjumit u dëgjua herët. Në mbrëmje ishin urdhëruar të më zgjonin në orën tetë e gjysmë. Ngrihem shpejt dhe menjëherë kujtohem se ç’ditë është sot: është dita më e rëndësishme. Ka shkuar tetë, mëngjesi verior mezi po zbardh, digjen fenerët në pendën e kanalit që shihet prej dritareve të mia dhe ajo pjesë e Stokholmit mbi kanal, përballë meje, me kullat, kishat dhe pallatet e saj, e cila po ashtu ishte krejt e ngjashme me Peterburgun, edhe me një bukuri përrallore, siç ndodh vetëm kur perëndon apo agon. Por unë duhet ta filloj ditën më përpara: dhjetë dhjetori është data e vdekjes së Alfred Nobelit, prandaj që në mëngjes duhet që të vë një kapelë cilindër dhe të shkoj jashtë qytetit, te varrezat, ku duhet të vendos kurora edhe në varrin e tij edhe në varrin e nipit të tij Emmanuel Nobel, që kishte vdekur para do kohësh. Edhe dje kisha rënë për të fjetur në orën tre të natës dhe tani, duke u veshur, e ndiej veten të këputur. Por kafeja e nxehtë dhe e fortë, dita e kthjellët, akull e ftohtë, mendimi për ceremoninë e jashtëzakonshme, e cila më priste sonte në mbrëmje, më sjell në vete.

    Ftesa zyrtare për ceremoninë u dërgohet laureatëve disa ditë përpara. Ajo është hartuar (në gjuhën frënge) në përputhje të plotë me saktësinë që dallon gjithë ritualet suedeze:

    “Zotërinjtë laureatë ftohen të vijnë në Sallën e Koncerteve për të marrë çmimin Nobel më 10 dhjetor 1933, jo më vonë se ora 4 e 50 minuta e ditës. Madhëria e Tij, i shoqëruar me shtëpinë mbretërore dhe gjithë oborrin, ju pret në Sallë, që të jetë i pranishëm në ceremoni dhe personalisht t’iu dorëzojë secilit prej jush çmimin e duhur, fiks në orën 5, pas së cilës dyert e Sallës do të jenë të mbyllura dhe do të fillojë vetë ceremonia.”

    Të vonohesh një minutë apo të vish sikur dy minuta para afatit të caktuar në çfarëdo ftese suedeze është krejtësisht e palejueshme. Prandaj filloj e vishem pothuaj që nga ora tre e ditës, nga frika se ç’mund të ndodhë; po ja sikur befas të zhduket komça e këmishës së frakut, siç u teket ta bëjnë gjitha komçat në botë në të tilla raste?

    Në katër e gjysmë nisemi.

    Qyteti këtë mbrëmje është ndriçuar veçanërisht për nder të laureatëve dhe për kremtimin së afërmi të krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Drejt Sallës gjigante të Koncerteve, ku do të zhvillohet ceremonia, rrjedh një rrymë aq e dendur dhe e pafund veturash, sa shoferi ynë, një djalosh trupmadh me një kokore prej lëkure me push, mezi përparon. Nga kjo gjendje na nxjerr vetëm policia, duke ndaluar makinat e tjera, kur sheh kortezhin e laureatëve, të cilët në këto raste shkojnë njëri pas tjetrit.

    Ne laureatët, me gjithë turmën e njerëzve, hyjmë në Sallën e Koncerteve, por në holl na ndajnë menjëherë nga turma dhe na çojnë në kalime të veçanta, kështu që, çfarë po ndodh në sallën gala para se ne të shfaqemi në podium, e marr vesh nga të tjerët. 

    Salla të habit me lartësinë dhe hapësirën e saj. E zbukuruar krejt me lule dhe e mbushur përplot me njerëz: qindra dama me veshje mbrëmjeje, diamante dhe brilante, qindra burra me frak, yje, medalje, fjongo larmingjyrëshe dhe shenja të tjera ceremoniale. Në orën pesë pa dhjetë minuta i gjithë kabineti i ministrave suedezë, trupi diplomatik, akademia suedeze, anëtarët e Komitetit Nobel dhe e gjithë turma e të ftuarve ishin në vendet e tyre dhe mbanin një qetësi të thellë. Në orën pesë fiks fanfarat lajmëruan ardhjen e mbretit. Pastaj fanfarat ua lanë radhën tingujve të mrekullueshëm të himnit kombëtar, që s’kuptohej se nga derdheshin prej së larti, dhe mbreti hyn i shoqëruar nga Princi i Kurorës dhe të gjithë anëtarët e familjes mbretërore. Pas tyre vjen suita dhe oborri. Ne, katër laureatë, ndodhemi në këtë kohë ende në atë sallë të vogël, që është ngjitur me hyrjen e pasme në podium.

    Ja edhe momenti i daljes sonë. Fanfarat u dëgjuan përsëri dhe ne ndjekim ata akademikë suedezë, të cilët do të na paraqesin dhe do të referojnë për ne. Unë jam caktuar të flas i pari në banket pas marrjes së çmimit. Sipas ritualit, dal i fundit në podium. Mua më paraqet Per Hallstromi, sekretari i përhershëm i Akademisë. Sapo hyra, u befasova nga eleganca, nga shumënjerëzia e sallës dhe sidomos, kur të gjithë laureatët hynë duke përshëndetur me kokë, ngrihet jo vetëm e gjithë salla, por edhe vetë mbreti me të gjithë oborrin dhe familjen.

    Podiumi gjithashtu ishte gjigant. Ishte zbukuruar me lule të vogla të freskëta ngjyrërozë. Në anën e djathtë ishin poltronët e akademikëve. Katër poltronë të radhës së parë majtas ishin rezervuar për laureatët. Mbi gjithçka, palëvizshmërisht, vareshin nga muret pëlhura të flamurit kombëtar suedez: zakonisht podiumin e zbukurojnë flamujt e atyre vendeve që u përkasin laureatët. Por çfarë flamuri kam unë vetë, emigranti? Pamundësia për të varur për mua flamurin e Rusisë Sovjetike i detyroi organizatorët e ceremonisë të kufizohen, për shkakun tim, vetëm me një flamur, atë suedez. Sa fisnikë!

    Festën e hapi presidenti i Fondacionit Nobel. Ai përshëndeti mbretin dhe laureatët dhe ia dha fjalën konferencierit, i cili ia kushtoi gjithë fjalën e tij kujtimit të Alfred Nobelit, sepse ishte njëqindvjetori i lindjes. Pastaj vijuan referatet kushtuar secilit prej laureatëve dhe më pas çdo laureat ftohej nga konferencieri të zbriste nga podiumi dhe të merrte nga duart e mbretit dosjen me diplomën e Nobelit dhe kutinë me një medalje të madhe prej ari, në njërën anë të së cilës ishte gdhendur portreti i Alfred Nobelit, kurse në anën tjetër emri i laureatit. Në interval u luajt muzikë nga Beethoven-i dhe Grieg-u.

    Grieg-u është një nga kompozitorët e mi të dashur, ndaj me një kënaqësi të veçantë i dëgjoja tingujt e tij para se të referonte për mua Per Hallstromi. Minuta e fundit më emocionoi shumë. Fjala e Hallstromit jo vetëm ishte e mrekullueshme, por ishte vërtet e përzemërt. Si përfundoi, me një ceremonialitet sharmant, m’u drejtua frëngjisht:

    “Ivan Alexeyevich Bounine, voulez-vous descendre dans la salle pour recevoir des mains de Sa Majesté le prix Nobel de littérature 1933 que l”Académie Suédoise vous a décerné?” (Ivan Aleksejevic Bunin, dëshironi të zbrisni në sallë për të marrë nga duart e Madhërisë së Tij çmimin Nobel për letërsi 1933 që Akademia Suedeze ju ka akorduar?)

     Në heshtjen e thellë që ra, eca ngadalë përgjatë podiumit dhe po ngadalë zbrita shkallët e tij drejt mbretit, i cili u ngrit dhe po më priste. E gjithë salla u ngrit në këtë kohë, duke mbajtur frymën, që të dëgjonin se çfarë do të më thoshte ai mua dhe se si do t’i përgjigjesha unë. Ai më përshëndeti dhe nëpërmjet meje, gjithë letërsinë ruse, me një shtrëngim të fortë duarsh dhe dashamirësi të veçantë. Duke u përulur para tij, iu përgjigja në frëngjisht:

    “Sire, je prie Votre Majesté de daigner accepter l’hommage de ma profonde et respectueuse gratitude.” (Zotëri, i lutem Shkëlqesisë Suaj të denjojë të pranojë konsideratën e mirënjohjes sime të thellë dhe të respektuar.)

    Fjalët e mia u mbytën nga duartrokitjet.

    Mbreti nderon laureatët me një drekë në pallatin e tij të nesërmen pas festës së dhënies së çmimeve. Po në mbrëmjen e datës dhjetë dhjetor, pothuaj menjëherë pas përfundimit të festës, na çojnë në një banket që shtron Komiteti Nobel. Kur arritëm, gjetëm përsëri anëtarët e Akademisë, gjithë familjen mbretërore dhe oborrin, trupin diplomatik, botën artistike të Stokholmit dhe të ftuar të tjerë. Çifti i parë që shkoi tek tryeza, ishte Princi i Kurorës dhe gruaja ime, të cilët u ulën në qendër. Vendi im ishte pranë princeshës Ingrid – tani ajo është mbretëreshë e Danimarkës – përballë princit Eugene, vëllai i mbretit (rastësisht, piktor i mirënjohur suedez).

    Princi i Kurorës hap fjalimet. Foli shkëlqyeshëm, duke ia kushtuar fjalimin e tij kujtimit të Alfred Nobelit. Pastaj u vjen radha laureatëve që të flasin. Princi flet nga vendi. Ne në një tribunë të veçantë, në thellësi të sallës së banketit, po ashtu jashtëzakonisht e madhe, e ndërtuar në stilin e vjetër suedez.

    Radioja emetonte fjalët tona nga ky podium në krejt Europën.

    Ja teksti i përpiktë i fjalës sime që e mbajta frëngjisht:

    “Lartësia Juaj, të dashur zonja, të dashur zotërinj.

    Më nëntë nëntor, shumë larg nga këtu, në një qytet të vjetër në Provancë, në një shtëpi të thjeshtë fshati, nga telefoni mësuam për vendimin e Akademisë Suedeze. Nuk do të isha i sinqertë, nëse nuk do t’ju tregoja, siç thuhet në këto raste, se ky ishte momenti më emocionues i jetës sime. Sikundër ka thënë me të drejtë një filozof i shquar, ndjenjat e ngjallura prej gëzimit, madje edhe ato më kulmore, pothuaj as që mund të krahasohen me ndjenjat që ngjallen prej pikëllimit. Pa dashur të errësoj këtë festë, për të cilën do të ruaj përgjithmonë një kujtim të pashlyeshëm, megjithatë, do t’ia lejoj vetes të them se hidhërimet që kam provuar pesëmbëdhjetë vjetët e fundit i kanë kaluar së tepërmi gëzimet e mia. Dhe nuk kanë qenë vetjake këto pikëllime, absolutisht jo! Megjithatë, mund ta them me siguri dhe këtë, që nga të gjitha gëzimet e jetës sime prej shkrimtari, kjo mrekulli e vogël e teknikës bashkëkohore, kjo zile telefoni nga Stokholmi në Grasse, më dha mua, si shkrimtar, përmbushjen e plotë. Çmimi letrar, i themeluar nga bashkatdhetari juaj i shquar, Alfred Nobel, është kurorëzimi më i lartë i punës së shkrimtarit! Ambicia është në natyrën e çdo njeriu e çdo autori dhe jam tepër krenar ta marr këtë medalje nga gjyqtarë kaq kompetentë dhe të paanshëm. Por, mos vallë atë nëntë nëntor kam menduar vetëm për veten time? Jo, kjo do të ishte shumë egoiste. Duke e përjetuar nxehtësisht emocionin nga rryma e urimeve dhe telegrameve të para, në qetësi dhe në vetmi e natës, kam menduar për kuptimin e thellë të Akademisë Suedeze. Për herë të parë qysh se është themeluar çmimi Nobel, ju ia dhatë një mërgimtari. Po kush jam unë? Një mërgimtar i cili gëzon mikpritjen e Francës dhe për këtë fakt kurdoherë do t’i jem mirënjohës.

    Zotërinj të Akademisë, më lejoni, pasi të hiqem mënjanë, me gjithë librat e mi, t’ju them se sa i mrekullueshëm në vetvete është gjesti juaj. Në botë duhet të ekzistojnë disa sfera të pavarësisë absolute. Pa dyshim, rreth kësaj tavoline ndodhen përfaqësues të çdo mendimi, çdo besimi filozofik dhe religjioz. Por një e vërtetë na bashkon të gjithëve: liria e mendimit dhe e ndërgjegjes, dhe për këtë i detyrohemi qytetërimit. Për shkrimtarin, veçanërisht, kjo liri është një aksiomë, një dogmë. Gjesti juaj, zotërinj anëtarë të Akademisë, edhe një herë provoi se dashuria për lirinë është kulti nacional i Suedisë. 

    Edhe disa fjalë, në mbyllje të këtij fjalimi të shkurtër. Nuk kam pritur ditën e sotme të çmoj lart familjen tuaj mbretërore, vendin tuaj, popullin tuaj, letërsinë tuaj. Dashuria për artet dhe letërsinë ka qenë një traditë e hershme e familjes mbretërore suedeze, ashtu si edhe për të gjithë kombin tuaj fisnik. E themeluar nga një luftëtar i lavdishëm, dinastia suedeze është një nga më të lavdishmet në botë. Madhëria e Tij, mbreti, ky monark kalorësiak i një populli kalorësiak, do t’i lejojë, unë e di, një të huaji, një shkrimtari të lirë, i nderuar nga Akademia Suedeze, që t’i shprehë atij ndjenjat më të thella e të përzemërta të nderimit.”

    Përktheu nga rusishtja

    Bujar Hudhri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË