More
    KreuLetërsiShënime mbi libraIlir Paja: Romani "Dimri i librave" i shkrimtarit Bashkim Hoxha

    Ilir Paja: Romani “Dimri i librave” i shkrimtarit Bashkim Hoxha

    Në rrethin e fundit të ferrit nuk është më tradhëtia, por zvjedhokracia e mediokritetit!

    “Dimri i librave” është romani i shkruar së fundmi i shkrimtarit. Me një kopertinë të mirë menduar e cila është në funksion të idesë ose ideve, njeriu autor dhe shkrimtar ngjit disa shkallë ku nuk janë as shkallë kalaje, kafeneje, insitucionesh dhe, as ato pak vende historikisht të shenjta të qytetit të tij…Mbi krye i rëndon një strukturë e madhe metalike e cila nis dhe krijon dramën e parë të shkrimtarit me këtë roman. Dhe pse duket një raport ku njeriu është mish dhe gjak dhe struktura çelik, në energjinë që mbart njeriu shkrimtar struktura nuk është asgjë më shumë në çdo perceptim human veçse një pezhishkë. Ku mjafton njëra dorë e ngritur dhe e shpërbën atë si një masë fijesh, që i ngjajnë atyre topave të leshit ku dikur me fijet e tyre mund të arnoje dhe jo të qepje diçka nga e para. Këtë ngjitje do të përdorë gjatë të gjithë strukturës narrative duke zhbërë çdo anti vlerë e cila rreket të institucionalizohet.

    Kështu autori njeri ngjit ato shkallë , por pa e ngritur kokën lart në atë “mur” qiellor ku pasi e kalon atë masë hekuri kupton se ka lënë pas një krijesë post mortum moderne, por që zëri nuk iu dëgjua. Duket se kopertina për këdo lexues përmbledh gjithçka të tij si shqetësim sa qytetar dhe akoma më shumë si krijues. Mendojmë se kopertina nuk është as shkaku dhe as pasoja. Ajo është një pjesëz e madhe në dukje, por jo fajtorja e vetme në ato përmasa mitike. Sepse fatkeqësisht dhe kjo falë një strukture të mirë menduar romaneske të autorit, një shoqëri ka vite që merret me të duke e etiketuar si mëkat urban. Kur realisht në roman mëkati nis me një të shkuar ku hapësira dhe koha e ngjiznin jetën përmes një iluzioni ideologjik ku krenaria e një ish shteti ushtarak jepte alarme gadishmërie lufte, por në realitet të gjithë e dinin se s’do të kishte asnjë lufte.   

    Ndërsa për ata, të krekosur me xhaketa ushtarake që pa gradat dukeshin si ish të burgosur gjithçka ishte kthyer në një kënaqësi karriere. Sepse pa luftën jeton, por s’je kurrë hero.

    Në veprën “Letërsi e krahasuar “të autorit Yves Chevrel citojmë: Më 1872 Nietzsche shkruante: “…Pa mite çdo kulturë humbet pjellorinë e shëndetshme të energjisë së vet të lindur, vetëm një horizont i përvijuar nga miti mund të sigurojë unitetin e qytetërimit të gjallë, që ai mbyll brenda”[1]

     Bëjmë ose shtrojmë pyetjen e cila do të na drejtojë në dy rrafshe si ai sinkronik, por më së shumti diakronik. Si duhet kuptuar citimi filozofit ? Kjo pyetje ndoshta është jo shqetësimi , dhembja, ironia, sarkazma fshikulluese të cilat në roman janë struktura kuptimore ndaj së cilës autori ndeshet si në një duel. Autori me veprën në vlerë letrare dhe realiteti i një subjekti i cili prek atë më të padukshmen sepse rrin dhe na fshihet të gjithëve friguar si vjedhësi që pret të fajsohet dikush tjetër për aktin e bërë.  Ky është morali i personazheve të romanit, ku konkretisht dhe bindshëm është e vërteta e madhe e guxuar që shkrimtari na e rrëfen duke përmbysur disa skema të shfaqjes së një fenomeni ku shumë të tjerë e shmangin duke dashur të shpëtojnë atë që shkruajnë, por që s’mund të jetë kurrë krijimtari e tyre… 

    Nëse në romane të tjerë lexojmë dedikime si: “Atyre që nuk janë më. Ia dedikoj të dashurve. Për ata që do të vijnë…etj”. Autori e nis me vargjet e Naimit nga poezia e tij  atdhetare “Fjalët e qiririt” . Këtu të kuptojmë diçka të vërtetë e cila pranohet nga të gjitha studimet dhe studiuesit. Është poezia me prirje shkëndijimi  gjenialiteti. Kjo i dedikohet energjisë mitike naimiane: “Natën t’jua bëj ditë”.

    Dedikimi shkrimtarit me vargjet e Naimit na shpjegon një diakroni sa të largët, por që në mënyrën më të papapranueshme s’mbërrin sot sepse post mortum mediokritet buron  një sinkroni imitimesh, vjedhjesh, rolesh pa vepra, të cilat ata që e krijojnë këtë realitet qoftë “patriotik” që s’mund të mbeten dhe të jenë të tillë. Sepse të bërit letërsi i ngjan ushtarit në luftë i cili vritet duke e përjetësuar sakrificën me heroizmin.

    Por ne as nuk jemi vrarë, as kemi shtirë, ndaj s’mund të krijojmë as dhe mite.

    Emërtimi i lokalit “Muza e vjetër”  me pronar ish një ushtarak  (oficer) i quajtur Adnan K i cili s’kishte jetuar asnjë luftë në gjithë karrierën e tij derisa doli në pension[2]; shpjegon që në nisje se atë që s’mundi t’ia dhurojë lufta, shpreson tani në paqe. Por nëse në luftë të duhet vetëm talent, në paqe të duhet e jashtëzakonshmja.Më pas autori me fjalinë pas kësaj të mësipëme të befason duke shkruar: “Megjithatë, luftën e kishte ndier në formën e vet më të rëndë, si një pritje”[3]. Të shohim ndryshimin e fjalës pritje pa lidhësen si dhe “zbutjen” e qëllimshme që autori kërkon përmes perceptimit të përdorimit kontekstin e saj më shumë se letrar. Lexuesi dhe ne duhet të mbajmë parasysh në analizën e çdo vepre, se në dallim nga poezia proza është dhe strukturë e kodifikuar ku shkrimtari e ngre dramën dhe konfliktin përmes kontrastit. Çdo fjalë është një “çelës” për të hapur derën e një kuptimi ku të lexuarit nuk është thjeshtë ndjeshmëri estetike. “Të lexosh do të thotë të ribësh së brendshmi udhën e tij”[4]. Kjo na jep mundësinë të shkojmë në kuptimin e vërtetë të tekstit.  Ndaj themi se “zbutja” pritjes me lidhësen si ia heq konceptin unik simbolikës së pritjes dhe e metamorfozon si të ishim duke pritur dikë, një pako, letër ose asgjënë.

    Pyesim përse? Duke qenë se për një shkrimtar jo thjeshtë profesionist, por të sprovuar në në një prozë tashmë e vlerësuar si një shkollë e unit të tij prozaik, përkimet me vlera botërore të vijnë natyrshëm. Nuk do të nguronim që gjatë leximit të tij lexuesi të jetë i ulur në një vagon të klasit të parë, ku njëra shinë shtrinë kohën dhe motivet e saj pritëse të autorit dhe në tjetrën ndoshta më të skuqur nga rrahja e kohës për vetë kontekstin historik zgjatet historia e romanit të Buzzatit “Shkretëtira e tartarëve”. [5] Mendojmë se këtu duhet filluar atë që pritjet si motive në përmasa mitike i dhurojnë njeriut iluzionin e të qenit dikush. Dikush i vetvlerësuar duke harruar se pa veprën njerëzore cilido njeri është thjeshtë një hije që zhurmon re.

    Mjafton të shohim këto dy përkime ku nëse te romani “Dimri i librave” shkrimtari me një racionalizëm ku shtresimet nëntekstore kërkojnë lexues të afirmuar që e shijon dhe e mendon leximin e veprës, e thotë si të ishte një “epitaf” i paracaktuar. Ndryshe vijon rrugëtimi në ndodhinë e Buzzatit. Por të dy romanet kanë në supe temë të madhe. Ose siç e pranon vetë autori Bashkim Hoxha; “Proza (romani) është artileri e rëndë”. Është kjo  nisje e cila e përgatit lexuesin të bashkëjetojë dhe me idenë e një madhësie filozofike e cila garon me kohën që të mbushë hapësirën dhe autori në mënyrë të natyrshme na dhuron dy motive, që u mbrujt vetë letërsia e shekullit të XX-ë. Motivi pritjes dhe i vonesës. Kujtojmë nisjen e romanit të Buzatit “Shkretëtira e tartarëve” ku oficeri i ri Xhovani Drogo i emëruar në fortesën Bastiani do të kalonte të gjithë jetën duke pritur luftën. Betejën e tij. Momentin e tij ndoshta jo njerëzor, por atdhetar në detyrë. Ajo që lexuesi do e ndjejë si deheroizëm në këtë roman nuk ka të bëjë me pamundësinë që nuk iu dha këtij oficeri i cili nuk shtiu dhe një herë të vetme kur ishte në karrierë. Por ka diçka më shqetësuese. Nëse Xhovani Drogo qau, ulëriti, mallkoi kur erdhi armiku, sepse një urdhër nga komanda e lartë e vlerësoi si të pamundur të luftojë nga mplakja dhe pse priti mbi tridhjetë vjet të vinte çasti i tij, personazhi ynë së paku për krenari dhe dinjitet mund të kishte “vrarë” veten. Si beteja që s’iu dhurua kurrë.

    Duke u mbledhur në një lokal (në romanin e shkrimtarit B.Hoxha) ku duket se para tij dhe pas tij mungon një qytetërim si atë si ish oficer dhe të tjerët i mundon diçka me e madhe se heroizmi. Frika dhe mos guximi për të qenë të denjë me ndryshimet e mëdha shoqërore pas viteve 90-të. Ndaj në “fërkimin” e këtij vagoni mbi këto dy shina, skuqja nga rëndesa, por jo shpejtësia e surprizon lexuesin te “Dimri librave” sepse gjithçka duket sikur ecën, por dhe nëse lëviz , punonjësi stacionit thërret të vetmin stacion… “Muza e vjetër”. Nëse lexuesi te Buzzati nis dhe lodhet me pyetjet që personazhi Xh.Drogo ia bën vetes duke kërkuar njëherësh gjithçka sepse tani ka veshur uniformë oficeri, dhe veshja është joshje për të ndjerë jetën ndryshe, e kundërta ndodh  në romanin e autorit tonë. Ai nuk drejton asnjë pyetje. Kjo duket se buron nga një njohje e thellë psikologjike dhe sociale e shkrimtarit që e tejkalon letrarizmin e një fabule të tillë. Romani nis me një nga të vërtetat e jetës shqiptare e cila zvarritet dhe pse e njeh veten, por tragjikisht kërkon të ç’bëjë atë që shkrimtari e nis ndritshëm me Naimin tonë. Dhe kjo ç’bërje , prishje, është në dukje shëmtia e mediokritetit. I cili nuk bën zë. Madje shkon deri në lypje titujsh, fondesh, çmimesh, por mallkon gjithçka i jepet sepse dhe ata që ia japin të gjitha këto e përbuzin duke i shtrënguar një dorë të squllur nga servilizmi.

    Çfarë letërsie krijojmë? Kjo do të jetë motoja që do të përshkojë si nënshtresë kontekstuale romani. Në veprën studimore “Fenomeni i avangardës në letërsinë shqipe” citojmë: “Të zgjerojmë kufijtë e brendshëm të letërsisë shqipe, të zbulojmë fenomene që aty kanë qenë dhe janë”[6]. Kjo kërkesë na jep mundësinë t’i shpëtojmë imitimeve të plagjiaturave ku atmosfera moderniste do të na dhurohej si gjenialitet. Kur duhet të ndodhë e kundërta. Është brendësia e talentit i cili bën të mundur çdo trillim, ngjarje, personazh, stil të na plotësojë duke zgjeruar së brendshmi atë që dhe sot më shumë është boshllëk…

    Në një citim nga vepra “Hyrje në metodikën e punës shkencore letrare  kemi: “…Dhe në vitet që na presin gjithçka është gati përr një inflacion gjigantesk të të shkruarit, pushteti, administrata, univeristetet, ndërmarjet publike dhe private, një mori prodhimesh shkrimesh. Por kjo ndan shkrimtarin dhe qytetarin – redaktor i rastit”.[7]

    Cilët janë këta njerëz që mblidhen çdo ditë në një qoshkë të atij lokali ku emri tij “Muza” duhej të dhuronte personazhe me shpirtra të bukur si nudoje femrash plot hire pa fund? Këtu nis përplasja e madhe mes realitetit dhe një dëshire ku praninë qoftë dhe si reklamë të simbolikës muzë e deformon. Shkrimmtari me ambiguitetin e tij ka një pushtet absolut mbi këtë rreth, klub, shoqatë vjershëtorësh. Sepse ky është romani i së vërtetës ku vepra e autorit ka vendosur “varrosë” këtë lloj realiteti të cilin ne e mbështesim në fillim nga keqardhja, por shohim më vonë se ky realitet përbuz talentin. Ai përmes një stili ku ngjarjet rrëfehen si ndodhi dhe nuk ndodhin si të krijuara nga liria e personazheve shpjegon se ata gjallojnë përmes një pritjeje ku të shtënat e rutinës nuk lindin as nga duele të brendshme të tyre. Ata janë personazhe që mbështeten te njëri-tjetri, por asnjëri prej tyre s’mban dot as veten…

    Nëse nga koha e pritjes, deri në një pritje të padurueshme, një patrullë e cila kthehet pas disa ditësh dhe nga lodhja kishte humbur parrullën që duhej t’ia thonte rojeve të fortesës Bastiani në romanin “Shkretëtira e tartarëve”, dhe pas një dyshimi të rojes ai shtin në errësirë , dhe kur gjithçka zgjidhet kishte ndodhur…e jashtëzakonshmja. Plumbi e kishte kapur njërin nga patrulluesit në ballë. Pra, pritja kishte mbërritur në përsosmërinë e vet. [8]

    Ndërsa te “Dimri i librave” ku autori simbolikisht në dëshirën e çdo lexuesi stinë e tillë është një “ngrohje” më shumë me letërsinë, duke zgjedhur të vërtetën ai nuk don të mashtrojë dëshirën tonë njerëzore për t’u dashururar dhe më shumë me leximin. Sepse shkrimtari din një të vërtetë të madhe. Talenti është diçka e rrallë. Nga vepra “Teoria e veprës letrare. POETIKA” të akademikes Floresha Dado citojmë: “Një ndër përfaqësuesit kryesorë të “Kritikës së Re” I.A.Riçards duke u marrë me rolin e autorit dhe lexuesit në roman, pohonte se autori që ka rëndësi s’është njeriu, por Ai që shkruan, Uni i dytë në vepër”[9] Ky perceptim na drejton në zgjedhjen e mënyrës së rrëfimit  që ka zgjedhur autori. Ai din më shumë se të gjithë personazhet. Sepse siç citohet po nga kjo vepër [10] rrëfimtari autor jo vetëm i njeh, i sheh, “takohet” me të gjithë ata si të ishte një ndjekje hap pas hapi, por nga vetë teskti studimor kemi: “…Autori di shumë për të kaluarën e tyre…”[11] Ky detaj nga teksti studimor i cili shpjegon teorikisht këtë raport në diskursin duke mos e shmangur përballjen , ndoshta jo me një të shtënë si tek Buzzati. Por përmes një ndëshkimi, dënimi, harrimi  të merituar nga  autori.

    Romani nuk ka dialog. Është shkrimtari që rrëfen ndodhitë e një grupi njerëzish ku duket sikur fshinë me furçe xhaketën e ish ushtarakut me mendimin se atë që s’ia dhuroi të gjakosej nga ndonjë betejë ish sistemi, do ia lejonte liria jo e fjalës, por e letërsisë. Në rrëfimin e drejtëpëdrejtë ku secili personazh bashkejeton dy kohë,  secili prej tyre e ka gati të pamundur të kuptojë jo kohën, por se çfarë kohe ishte jeta dhe është tani. Gjithçka që mendojmë se këta personazhe të cilët asnjëri nuk dallon nga tjetri dhe kjo zbulohet nga sjellja e tyre pa konflikte e shpjegon qartë se ata janë të “sëmurë”. Ushqejnë iluzionin se duke shkruar vargje për të cilat duhet thënë se janë formma e vetme e “dialogut” mes tyre, ngrefosen me tema të mëdha filozofike duke shtryllur nga rëndomësia e një kotësie perverse figura, rima dhe metafora të cilat në sytë e lexuesit do të madhështoheshin sikur Prometeu është në duel për jetë a vdekje me Sizifin.

    Po. Diçka e tillë dhe mund të ndodhë, por pas zënkës së njërit prej personazheve i quajtur Sokrati dikur aktor që në debat me regjisorin e huaj revoltohej sesi mund të mbivendosësh në një vepër të Çehovit tituj dhe deklarata gazetash. Është detaj që të dhuron dhembjen më të thellë si përjetim skenik. Sepse nëse letërsia shqipe do të na mrekullonte sot me një përshkrim të afërt si të “Kopështit të qershiave” atëherë dhe drama jonë do e kishte Çehovin e saj. Mendojmë duke iu referuar rrëfimit të ndodhive në roman se huazimet tona kulturore janë mllaçitjet nga gojët e të huajve pasi atyre vetë u kanë rënë dhëmbët, dhe me ne flasin përmes protezave.

    Gjatë ndjesive të një leximi ku ti lexues nis dhe përvijon rrugëtimin rrëfimtar të autorit të nis dhe të ngrihet fryma e një revolte duke kërkuar drejtësi dhe pse letrare. Ky grup, klub, kthinë, qoshkë që surb kafe brenda një arkitekture që nuk del jashtë as një tryeze kafeneje nuk citon në asnjë ndodhi të tyre një poet, një strofë. Nuk thonë asnjë vlerësim, asnjë ndjesi, madje as nuk recitojnë që të ndjejnë duartrokitje. Ata janë pa kulturë. Ata nuk janë as të lexuar. Madje ata shkojnë deri aty sa nuk shqiptojnë kurrë fjalën poezi, metaforë, talent, çmime, botime, revista, konkurse etj. Autori me shmangien e këtyre fjalëve që i përkasin analizës strukutrakliste përkon në afëri me vepra të kodifikuara si te Kafka. Te romani “Procesi” fjala proces përdoret 168 herë, në romanin e Buzzatit fjala fortesë përdoret 837 herë, fjala absurd përdoret gjithsej 17 herë dhe çfarë “rastësie”! Fjala mediokër si tek Buzzati dhe B.Hoxha përdoret vetëm 1 herë.. Mendojmë se përdorimi i kësaj fjale një herë të vetme është jo thjeshtë mjet identifikimi siç ka emrin njeriu në kartë identiteti. Është fjala që i identifikon të gjithë personazhet pothuaj njëherësh. Ashtu si tek realiteti i fortesës Bastiani ku pritja merr fatin tragjik që krijon jo thjeshtë pritja e luftës, por mënyra e pritjes. Është fjala kyçe në roman e cila është ndëshkimi më i duhur për kategori të tillë shtresash shoqërore. Por atë që e përmbajnë qenie të tilla  është dhjetëfish, njëqindfish më shumë. Sepse mediokriteti është realiteti më neveritës, më mashtrues dhe më i pa dinjitet. Ai nuk të dhuron asnjë kënaqësi, por vetëm urren me një përkorje servilizmi. Ndaj shkrimtari na e lë këtë përjetim neverie të nënkuptuar si reflektim duke vënë drejtësi ndëshkimi pa kthim.

    Romani ka disa vjersha. Të cilat siç thamë më sipër luajnë funksionin e “dialogut”. Ato shpjegojnë të gjithë karakterin e tyre sa çoroditës dhe humbës përballë një bote tjetër letrare e cila ndriti me Naimin, mban në dorë pishtarin e talentit, pishtar që duhet t’i vënë flakën asaj mase me libra që siç thotë dhe U.Eko: “Turrat e druve për të djegur njerëz nuk e ndriçojnë terrin”.[12] Është kjo masë me libra që na dhurohet jo e krijuar nga njerëz, por hijet e tyre që mbajnë gjallë mes nesh vdekjen e tyre. e cila nuk është as heroike as dhe nga dashuritë. Po citojmë dy vargje në kapitullin me titull “Adnani”[13] Vargjet : “Një grusht dheu e shtrylla në duar / sikur kapa për fyti atdheun m’u duk”.[14] Duke mos dashur të bëjmë analizën kontekstuale as të temës, motivit dhe mesazhit po mjaftohemi duke e përmbledhur se atdheu është si ai njeriu i pambrojtur me të cilin mund të bësh ç’të duash. Ndaj themi se atdhuen e ndosin dhe vdekjet mediokre…

    Duhet kuptuar se në roman takohemi më së shumti me gjendjen e një dhembjeje brenda procesit krijues të autorit sepse kuptojmë, se me këtë roman shkrimtari Bashkim Hoxha përvijon ngjitjet e tij romaneske duke dhururar me këtë vepër befasi në tematikë dhe në strukturë narrative. E cila i jep të drejtë autorit të prekë plot guxim masivitetin e një realiteti që kërkon jo thjeshtë të institucionalizohet  si bashkejetëse. Por që kërkon më shumë. Të pranohet si e drejtë vlerësuese. Dhe cili? Mediokrikteti. Por letërsia s’mund të lejojë mëkate të tilla ndaj vetes.Ndajkemi një “përballje” të një romani me kurajo krijuese, me shpërthimin për të treguar atë të vërtetë që shumë krijimtari tjetër e “shmang” qëllimshëm sepse vetë të tilla krijimtari nuk janë art. Ndaj autori është si artistkisht, njerëzisht dhe moralisht në një duel të cilin me romanin e tij e akuzon  këtë “rreth” si të padukshmëm ferri duke mos i dhënë asnjë mundësi mbrojtjeje!

    Në roman citohet dhe “Bibla”. Do thonim pa asnjë ndrojtje se vetë ky tekst s’do e pranonte qoftë dhe një paragraf si lutje nga mediokriteti. Nëse mediokriteti është një formë tiranie deri mediatike, talenti para tij është si fëmijë jetim. Por ajo që mbetet profeci është se veprat e mëdha burojnë nga dhembje ku jeta rilind disa herë. Ndaj themi se shkrimtari  është ai ushtari që vdes në front dhe në kthim si ringjallje mbërrin letërsia e tij.


    [1]  Vepra “Letërsi e krahasuar”. Shb Albin. 2002.Tiranë.  Autor Yves Chvrel..F.94.

    [2]  Romani “Dimri i librave”.Autor B.Hoxha.Shb Onufrit. Tiranë 2023. F.9.

    [3]  Po aty.

    [4]  Vepra “Letërsi e krahasuar”. Shb Albin. 2002.Tiranë.  Autor Yves Chvrel..F.36.

    [5]  D.Buzzati. “Kryeveprat”.Shb .OMBRA.GVG. Tiranë. 2015.

    [6]  Vepra “Fenomeni avangardës në letërsinë shqipe”.Shb Arbëria.Tiranë 2004.Dr.K.Jorgo.F29.

    [7]  Vepra “Hyrje në metodikën shkencore”, Autor. Prof.Dr. Gj.Shkurtaj, Nj.Kazazi.Y.Çiraku. Shblu.Tiranë 2004.F.15.

    [8]  D.Buzzati. “Kryeveprat”.Shb .OMBRA.GVG. Tiranë. 2015. F.340.

    [9]  “Teoria e veprës letrare. POETIKA”. F.Dado. Shb Toena. Tiranë 2006. F.83.

    [10]  Po aty. F.242.

    [11]  Po aty. F.242.

    [12]  Për letërsinë. U.Eko. Shb Dituria. Tiranë 2007. F.72.

    [13]  Romani “Dimri I librave”. Shb Onufri. Tiranë 2023F.59.

    [14]  Po aty.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË