Një paradoks: nuk mund të kuptohej kush kë e çmonte më shumë, këngëtarët e Kosovës kolegët dhe koleget e tyre në Shqipëri, apo e kundërta. Vajtja e ansamblit “Shota”, me këngë dhe valle të “kombeve dhe kombësive” në Shqipëri, dhe paraqitja e këtij ansambli me koncerte në shumicën e qyteteve, ishte një, si i thoshin atje, surprizë, që në përkthim në gjuhën e thjeshtë tonën do të thotë – befasi. Ajo befasi, mbase, ishte e dyanshme: opinioni shqiptar bënte “hyxhym” drejt sallave të koncerteve ku do të paraqiteshin këngëtarët nga Kosova, bile në raste ai “hyxhym” nxiste edhe sjellje më të vrazhdë të policisë, sikur në Korçë, për shembull. Ishte përmallja, apo vërtet pëlqeheshin këngët e interpretuara nga mysafirët e ardhur nga Kosova, nuk mund të kuptohej, por entuziazmi i publikut ishte tej mase, sidomos kur në skenë ishte Nexhmije Pagarusha. Edhe pa atë entuziazëm të tyre, Nexhmija ishte e pushtuar nga një ndjenjë malli për atë tokë shqiptare, për njerëzit e atjeshëm, për qytetet… prandaj, falë asaj ndjenje, Nexhmija krijonte afërsinë duke iu hedhur aderuesve në përqafim, herë-herë edhe duke qarë… por gjithnjë me këngën në prani të tyre, qoftë edhe jashtë skene, domethënë në ambient hoteli ku shtroheshin darkat, drekat… si në Berat, për shembull: në orët e mbrëmjes së asaj dite pranvere, që Berati e ka sharmin e veçantë, ndodhemi në hotel “Turizmi”.
Është mbrëmje për relaksim shpirtëror, për “muhabet” me Nexhmije Pagarushën në ballë. Ajo i dha vetes të drejtë të furnizohet me emocione edhe duke i ngre disa gota, për të qenë në elementin e saj, jo vetëm si këngëtare, por edhe si aktore. Këndim dhe aktrim, njëherësh: këndim i këngës “Hava Nagila”, që për mesin shqiptar ishte diçka e rrallë, për çka ata ndiheshin jashtëzakonisht të lumtur që iu kishte rastisur të gjendeshin në atë ambient ku Nexhmija ia thoshte asaj kënge me një përjetim të rrallë. Shtytje ishte edhe mjeshtëria e Ferdinand Dedës, duke e përcjellë me harmonikën e tij, duke i dhënë shkas këngëtares të shprehej në mënyrën më të përshtatshme… Ishte kënaqësi e dyanshme, për opinionin shqiptar që e shihnin drejtpërdrejt Nexhmije Pagarushën për të cilën kishin dëgjuar aq shumë, por edhe për ne, si mysafirë, tek përballeshim me prezantimin mjeshtëror të Ferdinand Dedës për të cilin mësuam, me atë rast, se kishte studiuar në konservatorin e muzikës në Pragë (në vitin 1961) dhe se ishte i detyruar të ndërpriste atje, për të vazhduar në Tiranë dhe se, që kur kishte qenë student, kishte udhëhequr orkestrën e RTSH-së dhe, nga ajo kohë e tutje, kishte udhëhequr sa e sa koncerte jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali, Turqi, Greqi… Atë mjeshtër muzike e kishim para vetes, derisa i ndihmonte Nexhmijes ta bënte mbrëmjen aq të këndshme. Për të ndodhurit brenda, ajo ngjarje, siç e thoshin, do të mbahet në mend gjatë, por edhe të tjerët që nuk ishin brenda e përjetuan atë kënaqësi. Ata të tjerët, nga jashtë, me fytyra të palosura në xhamat e hotelit, krijonin një imazh të pa përjetuar: Gjithë ato fytyra, nga pjesa e fundme e xhamit e gjer në pjesën e sipërme, fytyrat si të “ngjitura” përngjanin në afreske, ndërkaq askush nuk arrin t’i largojë… e Nexhmija vazhdon këngëtimin. E gjithë kjo pamje shërbente për t’iu bindur rrëfimit të saj, kur thoshte se njëherë, në një koncert në Bullgari, e kishte kënduar këtë këngë izraelite, kishte qëlluar në sallë edhe një avokat nga Tel-Avivi, i cili mbetet i mahnitur dhe, fill pas koncertit, kishte shprehur dëshirën të njihej me Nexhmijen dhe ishte zotuar që, i tërë ansambli, të ishte mysafir në Izrael për të mbajtur koncerte, dhe nënshkruan menjëherë kontratën. Lidhur me koncertet në Izrael, Nexhmija e cilësonte muzikën si gjuhë universale, se për këngën nuk mund të ketë kufi… meqë ra fjala te Izraeli, i kujtohet Nexhmijes: “… njëri nga anëtarët e orkestrës sonë nuk guxonte të ngjitej në aeroplan, prandaj u desh që grupi ynë të udhëtonte me anije. Katër ditë e katër net udhëtuam Mesdheut, duke e ndier veten jashtëzakonisht keq. Tërë kohën përpiqesha ta kaloja në gjumë, sepse sapo hapja sytë dhe shihja sipërfaqen e detit dhe përjetoja luhatjen e anijes mbi valë, më vinte e vjella… Nuk e harroj atë udhëtim të tmerrshëm. Kompensim ishte suksesi i madh që arritën, një sukses aq të papritur…”
Para se të arrinte në Shqipëri ajo kishte një popullaritet të madh. I kishin ardhur sa e sa letra admiruese nga shumë qendra të (ish) Jugosllavisë, nga Zagrebi, Beogradi, Sarajeva… Nga njerëz profesionesh të ndryshme, që e donin muzikën, pikërisht atë lloj muzike që e kultivonte Nexhmije Pagarusha, me atë zë aq karakteristik, si fenomen i rrallë… Popullaritetin që e kishte arritur nuk kishte pasur rast ta dëshmonte edhe brenda shtetit amë, që faktikisht ishte i mbyllur. Kur i erdhi radha të ishte vetë e pranishme në atë ambient prej nga gjatë tërë jetës i kishin ardhur zërat e Marije Krajës, Vaçe Zelës, Tefta Tashkos, e konsideronte fat jetësor. Aq shumë kishte pritur që, një ditë, siç ishin edhe ditët e turneut nëpër qytetet e Shqipërisë, të përballet me atë opinion i cili, siç u pa, vërtet ishte i etur, kurse Nexhmija ovacioneve u përgjigjej me lot. – Nuk di a do të mundem të qëndroj më. Jam ligështuar shumë. As që e kam marrë me mend se do të pritem me gjithë këtë entuziazëm. – E ke merituar, – i them në Korçë, – para se të dilte në skenë. I tregova gjithashtu se u vonova rrugës dhe nuk arrita të futesha në sallë përmes asaj dere të rezervuar vetëm për anëtarët e ansamblit, prandaj e shfrytëzova derën kryesore, andej kah hynte publiku. – Ç’do të thuash me këtë? – më pyeti. – I ke parasysh koncertet e organizuara në Kosovë me këngëtarët nga Shqipëria? – Po. Kishim përshtypjen se edhe stadiumet ishin të vogla për t’i pranuar të gjithë të interesuarit. – Këtu e kisha fjalën. Nuk mund ta marrësh me mend çfarë mase njerëzish ishin para sallës, miting i vërtetë. Policia mbante rendin, kishte edhe të goditura. Kjo domethënë se, njësoj, sikur interesimi i publikut tonë në Kosovë për këngëtarët e Shqipërisë, është edhe këtu. Ne nuk po shohim çfarë po ndodhte para sallave të koncerteve, sepse, sipas protokollit, një orë përpara po hyjmë brenda, kurse jashtë tollovi e paparë… – E tmerrshme! – do të shprehet Nexhmija. Më vonë bëhet e kuptueshme kjo shprehje e saj e thënë si me ofshamë, ndërkaq dhembjen e kishte te politika, te ndalimi (aq i gjatë) i takimit të “vëllezërve e motrave” mes vete. Para se të arrinte në Shqipëri, Nexhmije Pagarusha kishte përjetuar aq shumë duartrokitje nëpër botë, por duartrokitjet në Shqipëri ishin më të vlefshmet. E kishte biografinë e ngjeshur, brenda kornizave të asaj biografie tashmë herë quhej bilbili i Kosovës, herë mbretëresha e këngës shqipe ose primadona e melosit popullor; quhej Ema Sumak shqiptare, Madam Baterfllaj. Duke u mbështetur në zërin e saj “pushkë”, e quanin edhe Fyti i Kristaltë…
Ajo tashmë kishte një bagazh të madh me suksese, me vlerësimin e atyre sukseseve nga njerëz profesionistë, siç ishte, për shembull, kompozitori i madh Rexho Mulliqi. Në atë kornizë biografie e kishte të shënuar se kishte filluar të këndonte më 1948: “Koncerte atëherë nuk ka pasur, ka pasur një audicion, në radio. Ai lokal radiostacioni atëherë ka pasur vetëm një zyrë, një studio të vogël prej së cilës shkonte programi drejtpërdrejt. Duhej të zgjoheshim në orën pesë të mëngjesit dhe shkonim e të këndonim drejtpërdrejt! Koncertet kanë ardhur më vonë, shumë më vonë, kur shkova në shkollë të muzikës në Beograd, sepse në Kosovë nuk kishte. Atje edhe e kam pasur paraqitjen e parë para publikut. Mirëpo e lash shkollën e muzikës në vitin e tretë. Mënyra e punës për solo kanto mua nuk më pëlqente, më pengonte…” E lindur më 7 maj 1933 në Pagarushë, si pesëmbëdhjetë vjeçe (me përkrahjen e babait të saj, Veselit, që ishte mësues) kishte ardhur në qytet, me gjithë frikën se do të humbej e tëra aty ku, më tutje, do të ishte larg fushave, livadheve: larg ambientit rural, e zhytur në ëndrra, pa besuar se, për shembull, ajo vajzë katundi do të mbante edhe koncertin me ariet operistike të Betovenit, të Puçinit, Verdit …të përkthyera në shqip , dhe se dikur do të ketë edhe role në film e teatër, në “Dasma e përgjakur”, “Tre vetë kapërcejnë malin”, “E kafshoja terrin”, “Lepuri me pesë këmbë”, “Fluturimi i Micakut”, “Daullet e të çmendurve”, “Rexha i nënës në grazhd të kalit” etj. “Babai im, – do të shprehej, – në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë kishte vajtur në Shqipëri. Në qëndrimin pesëvjeçar atje, kishte mbaruar Medresenë dhe është kthyer, në atë kohë përzierjesh të mëdha kur Kosovës (me ndërhyrjen e italianëve) i ishte lejuar administrata shqip, madje edhe shkollat… Babai e bën punën e mësuesit. Duke qenë të shtrënguar nga rrethanat e mëvonshme, rrethanat e pavolitshme politike për shqiptarët, u desh të gjenim një mes më të rehatshëm nga ai mesi ynë në Pagarushë, ku përballeshim me të zitë e ullirit, si i thonë një fjale. U vendosëm në Prizren për pak kohë dhe, nga atje – erdhëm në Prishtinë…”
Rasti i kapërcimit të Nexhmijes, nga ai ambient rural, në ambientin urban ku do t’i triumfonte talenti, ofron kuptimin se për të arritur ndonjë sukses të madh nuk paraqet pengesë vendi i lindjes, por mënyra se si në vendlindje çmohet talenti. Fati i Nexhmijes ishte se babanë e kishte, siç u tha, mësues. Ai që e dëgjonte bijën e vet se si këndonte; ia çmonte vokalin dhe ishte i bindur se atij zëri i duhej shtyrje për ta çuar më tej. Me këtë bindje nuk e kishte penguar Nexhmijen që të shfaqte talentin e saj me vokalin e saj aq karakteristik, e cila, pastaj, kishte arritur të futej në institucionin e radios, në Radiostacionin e Prishtinës ku do të këndonte drejtpërdrejt. Më tutje – Nexhmijes i hapen rrugët meqë bëhet e dëgjueshme ndaj sugjerimeve të profesionistëve, të cilët jo vetëm që i japin kurajë, por edhe i ofrojnë realizime këngësh, të tilla që nxirren nga tradita, kurse Nexhmija me zërin e saj i bën të popullarizohen… Biografia e saj, prandaj, është e ngjeshur me aq shumë krijime muzikore, unike, që sot nuk mund të këndohen me ngjyrën e zërit të saj, sado që shumë këngëtare kanë provuar dhe vazhdojnë të provojnë të këndojnë si ajo, duke imituar atë. Kanë provuar dhe e provojnë “Bareshën”, por jo me atë dallim nuancash të zërit të Nexhmijes. “Baresha” u kompozua nga kompozitori i famshëm Rexho Mulliqi, sipas tekstit të shkrimtarit Rifat Kukaj. Është këngë e realizuar në vitin 1966, e ekzekutuar nga orkestra popullore asokohe e Radio Prishtinës, nën drejtimin e Isak Muçollit. Siç thuhet nga njohës të këtij zhanri të muzikës, kënga “Baresha” konsiderohet si një nga kryeveprat e interpretimeve të saj. Me këtë këngë kishte shprehur vlerat me të cilat shtoi famën, atë famë që e kishte arritur edhe me këngët e tjera popullore. “Baresha” doli si ekskluzive pikërisht pse ishte e mundur të këndohej vetëm nga zëri i Nexhimjes, pikërisht pse kudo që e këndonte, duke mos qenë e vetëdijshme se ia vlente, dëgjuesit shprehnin admirim, dëgjuesit nga shumë vise të Evropës. “Vonë e kam marrë vesh se isha talente e këngës. Kurrë, përpara, nuk bindesha se këndoja bukur, bile lëvdatat që më thuheshin i konsideroja të ekzagjeruar… Paraqitjen në skenën e koncerteve përherë e kam pasur mërzi. Në fillim ndieja shqetësim të tepruar dhe humbja e tëra, duke mos qenë e bindur se do t’i pëlqeja publikut… Kur isha në një festival ndërkombëtar që mbahej në Berlin, pata shkuar me përtesë të madhe. Më lodhte rruga, prandaj për pjesëmarrje në atë festival nuk kisha farë entuziazmi. Rrugëtimi bëhej me tren… Megjithëkëtë, arrita në Berlin me grupin e orkestrës. Ishim gjithsej gjashtë veta. Për të parë se çfarë ishte festivali dhe sa ia vlente që të paraqiteshim edhe ne, u futa dhe e përcolla paraqitjen e një grupi të një shteti pjesëmarrës. Kur e pashë orkestrën e përbërë prej mbi pesëdhjetë vetave, u shastisa. Mendoja se më mirë do të ishte të mos ngjitesha në skenë kur të më vinte radha: të ikja. Çfarë paraqitjeje do të kisha unë me orkestrën prej gjashtë vetave, me një çifteli të Shaqir Hotit? Isha aq skeptike për atë pjesëmarrje sa, me të vërtetë, kur na erdhi radha, m’u terrua gjithçka përpara… Nuk di se si kam arritur deri në skenë të asaj salle të madhe të mbushur me publik…. Më duhet të tregoj gjithashtu se, një ditë para se të ngjitesha në atë skenë, më ishte marrë edhe zëri, sepse ai udhëtim i gjatë me trenin e klasës së dytë, sikur kishte ndikuar që të më humbiste edhe zëri. Kisha dëgjuar se, për këso raste, vetë e “gjalla”, pirja e veve, ishte shpëtim. I tregova Shaqës, kurse ai, kur na e sollën mëngjesin sipas menysë së hotelit, me ç ‘rast na kishin sjellë edhe nga një ve të zier, Shaqa i tha kamerieres, me një shpjegim me gishta sepse nuk dinim gjuhën gjermane, që të na sillte një vezë të pazier… Atë vezë e kisha shpëtim dhe, siç thashë, kur u gjenda para atij publiku aq të madh për pak mbeta pa frymë. I kam mbyllur sytë, kam dëgjuar ritmin e orkestrës, ia kam nisur “Bareshës” dhe, gjatë gjithë këndimit, nuk e shihja më publikun; kisha kënduar krejtësisht e humbur. Sikur e dalë nga kllapia, kam dëgjuar duartrokitjet aq të gjata. Jam përulur disa herë dhe duke ecur mbrapa – kam arritur në pjesën e padukshme të skenës… Më është dashur kohë të qetësohesha, sado që të gjithë që i kisha përskaj më thoshin se kisha pasur sukses…”
Vërtet, me gjithë atë frikë, sepse Nexhmije Pagarusha kishte arritur sukses të jashtëzakonshëm; ishte radhitur në mesin e më të lavdëruarve, të atyre me të cilët më së shumti ishin marrë shkrimet e gazetave. Vetë ambasadori i Jugosllavisë së asaj kohe i kishte mbledhur gazetat çfarë kishin shkruar për fenomenin e quajtur Nexhmije Pagarusha, dhe bashkë me urimet ia kishte dërguar asaj. Atë sukses dhe sukseset e tjera që i kishte arritur Nexhmija, ia linte meritë popullit i cili kishte krijuar aq këngë të bukura. Ajo, lidhur me këtë, është shprehur: “…Kam udhëtuar shumë dhe kam folur me gjuhën e popullit tim! Kudo ku shkova, me këtë gjuhë fola dhe të gjithë më kuptuan. Kënga popullore shqipe është vërtet e bukur. Populli ynë ka një kulturë të lashtë. Ata kompozitorë që nuk njihen me emër, i kanë dhënë shpirt këngës. Kënga jonë popullore është e veçantë, pasi atë nuk e ka kush dhe të gjithë na e lakmojnë. Besoj se këngën popullore kushdo që do ta kishte kënduar ashtu edhe do të tingëllonte, plot shpirt”. Por, megjithëkëtë, nga çdo rrugëtim i gëzohej kthimit. “Unë, e vërteta, mezi pritja të kthehesha. Shkuarjen atje e kisha konsideruar si detyrim të Radio Prishtinës, ku edhe punoja. Prapë ktheheshim me tren të klasës së dytë, por të gëzuar se nuk kishim ndonjë skenë tjetër. Në kufi na ndodhi një e papritur, nga shërbimi doganor që bënte punën e vet. Me atë rast kërkuan të shikonim se çfarë sillnim nga Berlini. Derisa në çantën time nuk gjetën asgjë që do të duhej ta lajmëroja për doganim, në kupenë tjetër, ku ishin të tjerë nga orkestra jonë, doganieri kërkon që të paguhet doganë për çiftelinë. Shaqa i thotë doganierit se, me atë çifteli e kishte kaluar kufirin, por doganieri ia kërkonte deklaratën. Sipas rregullit doganor, për çdo gjë që nxjerr jashtë (dhe që do ta kthesh prapë) duhet të ekzistojë deklarata. Ndryshe, duhej paguar doganën. Përkundër të gjitha përpjekjeve të Shaqës, doganieri ishte i vendosur të bënte doganimin. Shaqa i nevrikosur për shkak të sjelljeve ekstreme të doganierit, i thotë se çiftelia nuk është e tij, se i takuaka Radio Prishtinës, se ai ishte anëtar i orkestrës… Në atë moment, posa e dëgjon Radio Prishtinën, doganieri ndalet. – Po mirë, – i thotë, – a punon në Radio Prishtinë edhe këngëtarja Nexhmije Pagarusha? – Po, – ia kthen Shaqa – ajo jo vetëm që punon, por është në këtë tren… Mandej doganieri kërkon nga Shaqa të më gjente mua, kurse unë isha në kupenë tjetër. Erdhi bashkë me Shaqën ai dhe, posa më pa, më tha: – Të lutem, ju dëgjoj me ëndje. Këndoma një këngë. Unë qesha, kurse Shaqa më shpjegoi shqip se ku ishte halli, dhe unë ia këndova një strofë të një kënge. Ai u falënderua dhe, para se të largohej, i tha Shaqës: – Po të besoj, nuk ke nevojë të paguash kurrfarë dogane”. Kjo ishte Nexhmija.
Shkëputur nga libri “Buzëqeshje miqsh”, vëllimi i dytë, 2013