KreuKinematografiIbrahim Kadriu: Me Bekim Fehmiun (Koha kur ishte yll kinemaje)

Ibrahim Kadriu: Me Bekim Fehmiun (Koha kur ishte yll kinemaje)

Bekimi përballet me aq shumë dritë, prej aq shumë reflektorëve e kamerave të drejtuara kah ai. Bekimi vazhdon qeshjen dhe shikon…

Parapëlqej të merrem me atmosferën e ndodhur, kur ndodhi edhe ardhja e Bekim Fehmiut (1936- 2010) në ambient spektakli, të cilit i paraprinte autoriteti i artistit të madh, me arritje fenomenale aktoreske, por jo edhe me moshë. Ndodhja e asaj atmosfere, e cila mund të përshkruhet si e ndodhur mbi tepih të kuq, aludim në spektaklet e Holivudit, erdhi fill pasi që emri i Bekimit kishte kapërcyer kufijtë; ishte shembulli më i mirë i aktorit të cilin e dëshironin kompanitë më të mëdha të filmit botëror, regjisorët që kishin fituar pedigrenë e të qenit të mëdhenj, artistët dhe artistet që e dëshironin partneritetin me yllin që, në mënyrë spektakulare, shndriti

E kishim për qejfi afirmimin e tij, dhe ndjenim kureshtje, bile ta shihnim, e lëre më të flisnim me të. Pavarësisht nga ndonjë takim i hershëm, nga ndonjë bashkëbisedë o pirje kafe, në vetvete zinte vend dyshimi se nuk mund të ndodhte shoqërimi i mëhershëm, për shkak të ndonjë mendjemadhësie të imagjinuar, apo edhe të mos pasjes kohë nga ana e artistit, për shkak se ai (tash e tutje) takimet do t’i kishte të reduktuara, do t’i kushtohej agjendave…por, Bekim Fehmiu ishte diçka tjetër, ishte jashtë asaj që mendonim ne me logjikë mediokritetesh. Ai ishte ndryshe, ishte i vetvetes, me vetveten, por edhe me të tjerët. Ishte me nderime të jashtëzakonshme për të vetët, kombëtarisht i ngritur mbi të tjerët, plot informacion për çdo fushë dhe i gatshëm të shprehej.

Ishte i tillë kur ndodhi ardhja e tij në pritjen që organizonte, asokohe, kryetari i Kuvendit të Serbisë, Markoviq, në aulën e Kuvendit, në një ambient të jashtëzakonshëm për mysafirë të jashtëzakonshëm që kishin ardhur nga gjithë bota të merrnin pjesë në festivalin ndërkombëtar të filmit që, asokohe, pra, mbahej në Beograd. Autorit i rastisi të ishte raportues, në rolin e gazetarit, nga ai eveniment i cili çmohej si ngjarje numër një në atë Jugosllavi. Ishte ftesa për artistë, producentë, regjisorë e gazetarë, prandaj nuk mund t’i kthehej shpina një spektakli të tillë, se ishte rast i veçantë për t’i parë në një vend emrat që, aso kohe, i jepnin sharmë artit të filmit në botë. Ishte Drazha Markoviq, domethënë kryetari i Kuvendit të Serbisë, i cili qëndronte në hyrje dhe, çdo mysafir, e priste me shtrëngim dore. Ishin kamerat e shumta nga agjencitë e ndryshme të botës, por edhe të qendrave televizive, që bënin kujdestari derisa nëpër atë derë ku priste kryetari i Kuvendit, shtrëngonin duart dhe hynin brenda për t’u shërbyer me uiski…Ishte e natyrshme që, gazetari i ri, që vinte nga Kosova, të ndjehej nga pak i huaj, mbase edhe i vetmuar në atë shumësi autoritetesh, por megjithëkëtë atmosfera mbyt kompleksin e të voglit, dhe jep shanse për të provuar uiskin, njësoj si gazetari i Njujork Tajmsit, si ai i Mondit, apo ….domethënë edhe gazetari i “Rilindjes”, unë pra: ngrit gotën dhe, më pastaj zë vend në një kënd, për të parë sa më mirë se si sillet bota e spektakleve.

Në derë duket Bekim Fehmiu.

Pamja e tij me kokën lart, me shikim të kthjelltë e buzëqeshje karakteristike, prej njeriut që di se në cilën shkallë të autoriteti gjendet, le përshtypje të jashtëzakonshme tek të gjithë që, me atë rast, sikur ndërprenë bisedat, sepse ajo pak zhurmë që dëgjohej, përnjëherë heshtet. Bekimi përballet me aq shumë dritë, prej aq shumë reflektorëve e kamerave të drejtuara kah ai. Bekimi vazhdon qeshjen dhe shikon. Për habinë time, shikimi i tij ndalet tek unë dhe, pa hamendje, duke mos përfill askënd afër – shpejton hapat drejt meje, dhe flet shqip: – Ku je more ti, qy- qy, këtu qenke? – Bekim, – i them me ngadalë, – hajt se ti ke rrethin tënd… – Pasha bacën, askënd më afër se ty nuk kam këtu dhe as që më interesojnë… Kamerat vazhdojnë të xhirojnë, ndërkaq unë përpiqem të qëndroj larg xhirimeve, kurse Bekim vazhdon bisedën. Pyet për Prishtinën, për punët tona. Nuk do të largohet…Përball nesh, nja tre- katër hapa, vërej regjisorin Purisha Gjoprgjeviq dhe artistin Bata Zhivojinoviq të cilët, me shikim, janë të përqendruar kah ne. Me siguri ishin kureshtarë të dinin kush isha unë …

– Bekim, – i them, – po na shikojnë çuditshëm. Ndoshta mendojnë se unë (derisa nuk po na e kuptojnë as gjuhën) jam farë producenti i huaj, a farë regjisori. – Hajt, pasha bacën mos u mërzit. Ti mbaje qëndrimin tënd, ata le të ëndërrojnë… – më tha dhe qeshi.

Ajo mbrëmje ishte më atraktivja në jetën time, jo pse unë i kisha kontribuar asaj, por pse Bekimi sillej ashtu siç sillej tërë jetën e tij: i afërt, aspak mendjemadh.

Më ndodhi mandej në sallën e Shtëpisë së Sindikatave, mbrëmjen tjetër kur ishin në program filmat e festivalit: derisa kaloja përskaj lozhave, e pashë Bata Zhivojinoviqin që dilte nga një lozhë, dhe fill sa më shikoi (dhe sigurisht iu kujtova nga mbrëmja e kaluar) u përul me përshëndetje, kurse ajo përshëndetje u tha disi në gjuhë që s’e kuptova. Ia ktheva veç me kokë.

Bekimit i tregova për këtë dhe ai qeshi me zë: – Kështu ndodh përballja e artistëve servilë me producentët e regjisorët, – tha.

Pas njëzetë e shtatë vjetësh

Bekimi shpesh vjen në Prishtinë. “Kam ardhur ta vizitoj nënën”, thotë, kurse ata që janë në kontakt të shpeshtë, e dine se këto vizita I realizon para fillimit të çdo projekti të tij. Ai tash gjendet në Çekosllovaki, atje diku afër kufirit çekosllovak- austriak, në brendinë e një kështjelle mesjetare, është veshur me petkat e ndonjë të njohuri në histori dhe me ato petka do të kalojë nëpër ngjarje tronditëse dhe, përmes filmit, do të dale para publikut. “Projekti është shumë interesant” – thotë. Me siguri duhet të jetë interesant, përndryshe, Bekim Fehmiu nuk do të shkonte në Çekosllovaki. Kjo mund të thuhet duke pasur për bazë përvojën e deritashme të angazhimit të tij në projekte të huaja. Sidoqoftë, ai tash është atje me angazhim, kurse para se të shkonte t’i bashkohej ekipit – erdhi në Prishtinë që ta vizitojë nënën, e cila është plakë, por ende mbahet e forte.

- Po ulemi ndokund, – i them., – po pimë, po flasim.

- Pse jo? Ma kthen.

Në shëtitje e sipër vazhdon:

- Ai djalosh është artist i mrekullueshëm (fliste për Enver Petrovcin). Është krenar, i zoti në profesion. Rolin e fundit që e luajti në Atelienë 212, rolin e Istrefit te “Miqtë’” e Seleniqit, e ka shkëlqyer, si është më së miri… Ai djalosh ka talent edhe për humor, ai këtë nuk e di. E kam parë te filmi “Druvarët”… Pasha bacën, ai e ka kuptuar rëndësinë e punës…

Në kateterin e “Grand- it” i them:

- Njerëzit janë të prirë të flasin, a po? Gjithçka thonë, gjithçka them, mandej pasojnë përgjigje jo oficiale se ka të vërteta ose nuk ka të vërteta nga ato që i flasin njerëzit. Për Bekimin të gjitha duartrokitjet. Ka shumë raste që njerëzit të shtyrë nga ndjenja e shkak të adhurimit, fëmijët e tyre i thërrasin me emrin Bekim, me dëshirë që biri i tyre të përngjajë… Kurse Bekimi gjithkund arrin (me punë) vetëm në Kosovë – jo. Ja përse më intereson të bisedojmë dhe pikërisht për këtë, atë ditë kur të thirra në telefon, respektivisht në numrin 011 417 548 në Beograd, të njoftova.

- Në rregull.

- Pak më parë bisedoje për Enver Petrovcin, për rolin e tij të fundit në Teatrin e Beogradit.

- Për të nuk duhet të flitet, duhet të shikohet, patjetër duhet të shikohet.

- Mirë, pra, po e lëmë Enver Petrovcin, po të drejtohem ty: të kujtohet, sigurisht, para dhjetë vjetësh pate thënë se ishe i gatshëm të interpretoje rolin kryesor në projektin e madh “Vëllezërit” në të cilin projekt fjala ishte për palestinezët. Ai projekt nuk u realizua kurrë.

- Nuk është i vetmi projekt që nuk është realizuar. Ka edhe shumë projekte që patën të njëjtin fat. Kështu është natyra e botës së filmit.

- E, cila është natyra jote?

- Natyra ime është të ec përpara. Nuk është realizuar projekti “Vëllezërit”, por është realizuar “Bora e fundit e pranverës”, mandej “Loja e së vërtetës”, e të tjera projekte.

- Të gjitha jashtë kufijve, a po?

- Jashtë e brenda: “Depsi”, “Pavle Pavlloviqi” e tj.

- Pavle, me sa di unë, është rast i çuditshëm…

- Në çfarë kuptimi?

- Në kuptimin e paraqitjes së bashkëkohësisë. Më duket se në adresë të këtij filmi ka pasur kritika.

- Kritika ka pasur dhe në bazë të atyre kritikave është larguar nga konkurrenca oficiale e festivalit të Pulës. Tema e cila është trajtuar në atë film, që i dedikohet viteve të ’72- 73, është shumë aktuale, sidomos tash para Kongresit XII.

- Hymë në personalitetet e protagonistëve të filmit. Ja tash po më kujtohet filmi “Të arrish para agimit” të Aleksandar Gjorgjeviqit. Më intereson roli i Esat Lumit që e interpretove ti, a ka farë baze dokumentare?

- Kjo pyetje nuk më përket mua. Kjo pyetje u përket shokëve të cilët e kanë përjetuar atë kohë, që kanë qenë dëshmitarë të asaj kohe dhe këshilltarë të realizimit të projektit, si i ndjeri Jovan Veselinov Zharko, pastaj e shoqja Veselinov, shoku Pashko Romec, e të tjerë.

- Mandej?

- Mandej, çka?

- E lamë te 13 prilli i vitit 1978, kur e pate incidentin në komunikacion… (Para se të hynim në “Grand”, rastësisht në bisedë e sipër, tregoi se si në incidentin e komunikacionit, në Bosnje, gjatë kohës kur ishte në terren për xhirim, i ishte shkatërruar krejtësisht makina “Vollvo”) … interesant se si ka qëlluar data 13, datë e pa fat, për pak fatale…

- Fatale do të ishte sikur të mbetesha aty, por po e quaj gjysmë- fatale, pasi që te unë ka lënë pasoja…

- Mirë është që ka qenë ky vetëm një rast, dhe ja tash po vazhdojmë bisedën rreth krijimtarisë…

- Prit, nuk ka qenë i vetmi rast. Janë të çuditshme oscilimet që i pasojnë njeriut. Mua, për shembull, më ndodhi që më 1970 të sulmohem nga hepatiti viral (sarillëku) që më ndau nga aktiviteti profesional më se dy vjet. Më 1978 ishte hera e dytë. Më nuk guxoj t’i lejoj vetit “të fluturoj shumë lart”. Me fjalë të tjera, duhet të mbaj mesin…

- E, pra, ka mendime këtu në Kosovë se vështirë arrihet te Bekimi. Unë nuk po them se “fluturon lart”.

- Kur thashë “fluturoj lart” mendjen e kisha te grumbullimi i projekteve konkrete për realizimin e filmave. Ndërkaq, sa i përket asaj bindjes “vështirë arrihet te Bekimi” unë atë nuk e kuptova. Nëse ke menduar në sukseset e artit dramatik, demanton vetë fakti se e kemi Farukun, e në vitet e fundit edhe Enver Petrovcin…

- Ama unë mendova në diçka tjetër.

- Çka konkretisht?

- Jo rrallë këtu në Kosovë thuhet: me Bekimin nuk mund të bashkëpunohet.

- Përvoja demanton edhe këtë, sepse ndihma dhe bashkëpunimi im i deritashëm ka qenë mjaft i frytshëm në rrethanat artistike, por fatkeqësisht Bekimi ende nuk e ka pasur fatin të paraqitet edhe vetë personalisht para publikut.

- Këtë ndihmë po e kuptoj në aspektin kur të rinjtë e profesionit tënd marrin si mostër frymëzimin dhe zellin e Bekim Fehmiut.

- Jo, nuk mendova ashtu, sepse kjo është gjë personale dhe në fund të fundit relative. Mendova në kontributin tim në realizimin e “Kosova filmit”, si për shembull në “Si të vdiset”, në përpunimin e skenarit, formimit të tij ideoartistik dhe dramaturgjik. Puna ime e fundit ( gjashtëmujore) ka qenë rreth filmit “Kur pranvera vonohet”.

- Kurse unë e kisha ndërmend të them se, gjatë këtyre njëzeteshtatë vjetëve të punës sdate kreative në fushën e interpretimit, asnjëherë nuk je afruar në Kosovë.

- Nuk është bash ashtu si thua, sepse, pasha bacën, pas 27 vjetësh Teatri i Prishtinës ma ka ofruar një rol.

- Dhe edhe ai rol- askund…

- Çfarë të bëj kur nuk jam i zoti që Hamletin ta përgatis për pesë javë.

- Nejse, por Bekim, është televizioni, është shtëpia e filmit dhe, beso, çdo kush dëshiron që ta shohë Bekimin qoftë në dërrasa të teatrit tonë në Prishtinë, qoftë në TV, apo në film i cili do të mbante shpicën “Kosova film”.

- Ndoshta një ditë, TV apo “Kosova film” do të kenë nevojë për bashkëpunim.

- Por thonë se është vështirë të bashkëpunohet me ty se, jo rrallë, kanë pasur kontakte…

- Edhe mua më kanë thënë: mos bre Bekim, mos puno aq shumë se na mbyte. Dhe me të vërtetë, e metë e madhe është kur njeriu+, që kuptimin e jetës e ka gjetur në punë, kërkon edhe nga të tjerët punë. Kjo me të vërtetë është e metë e madhe, a po… Dhe jo vetëm puna, sepse puna mund të tërhiqet zvarrë, por intensiteti i punës. E unë kuptimin e jetës orvatem ta gjej në punë.

- Domethënë është çështje – çështja e punës, e jo diçka tjetër?

- Nuk di, nuk di të flas për vetveten, duhesh t’i pyesësh njerëzit tjerë, të cilët kanë punuar me mua… Sigurisht se edhe unë mund të kem ndonjë të metë, si njeri, apo si aktor, për çfarë mund të mos jem koshient. Mirëpo deri më sot nuk ma ka tërhequr vërejtjen dhe nuk ma ka bërë me dije askush. Kurse unë do t’i falënderohesha çdokujt i cili do të ma tërhiqte vërejtjen.

- Unë po ta tërheq vërejtjen.

Urdhëro!

- Pse nuk ke pranuar të japësh intervistë me rastin e Hamletit si projekt teatri?

- Të kuptohemi, nuk njihemi prej sot. E di fort mirë se çdo intervistë imja ka pasur si bazë punën në ndonjë projekt, kështu që intervistat kanë ardhur pas punës së kryer. Nuk mbaj mend se ndonjëherë kam dhënë intervistë pa motiv. Prandaj edhe kjo nuk është e çuditshme, ngase nuk kam pasur çfarë të flas. Çdo gjë që kam për të thënë, e them përmes punës.

- Pse kërkon kushte të jashtëzakonshme për punë?

- Për shembull?

- Në një rast nuk e ke pranuar kërkesën e RTV Prishtinës për ta bërë portretin tënd.

- Natyrisht, për të bërë një film dokumentar për ndokënd, duhet të gjenden materiale të volitshme dhe për të njëjtën gjë duhet të ekzistojë farë skenari. Kurse unë, para dymbëdhjetë viteve, në terrenet sportive të Brezovicës, kam refuzuar një ide të tillë, duke menduar se nuk jam person për një projekt të tillë, e sidomos pasi në atë rast nuk ekzistonte kurrfarë skice dhe kurrfarë materiali tjetër parapërgatitor.

- Domethënë, me këtë rast s’ka pasur lidhje ana materiale, honorari?

- Ana materiale nuk ka paraqitur kurrfarë rëndësie. Për mua ana materiale gjithmonë ka qenë, është dhe do të jetë në vendin e tretë.

- Po e zëmë se unë jam producent.

- Unë jam aktor.

Po kërkoj që, gjithsesi, duhesh ta pranosh projektin që unë ta ofroj.

- Çka?

- Ja teksti.

- Kush e ka shkruar?

- Nuk ka rëndësi, tash për tash. Me rëndësi është se teksti ka brendi, por është anonim.

- Kush e bën regjinë?

- Unë.

 Sa do të kushtojë?

- Nuk e kam bërë parallogaritë, por me siguri afro 1.200 milionë dinarë të vjetër.

- Këto para, a janë tuajat a të shoqërisë?

- Të shoqërisë.

- Apriori nuk pranoj. Pik së pari nuk ke kualifiko që të bëhesh shpenzues i 1.200 milionë dinarëve të shoqërisë, që t’i materializosh në shirit filmi, dhe nga ana tjetër, nuk e di teknologjinë e filmit. Se pa e ditur përpikërish sa kushton një film – nuk guxon t’i hysh realizimit. Prandaj të propozoj të gjesh ndonjë regjisor me përvojë, kurse ti të marrësh ndonjë libër për të parë se ç’është filmi. Sikur të kishe thënë se do të bëje film me para tuaja private, me kusht se tema e filmit dhe roli do të ishin interesant, për mua si aktor, t’i kisha fshi paratë dhe të kisha thënë – tungjatjeta.

- Po mirë, unë u bëra modest, por ja se e kam të kryer njëfarë fakulteti të regjisë dhe me atë përgatitje po të drejtohem.

- Shumë bukur, sa lloje të objektivave të kamerave kemi sot?

- Është kusht për regji?

- E çfarë akademie të regjisë paske kryer?

- Në Beograd, në Zagreb…

- Nuk besoj !

- Kur të besosh me siguri do të vish të dalësh edhe para publikut të Kosovës, që aq shumë të pret.

- Jo “kur të besosh” por kur të mësosh.

- Eja e mësona.

- Nuk jam as Akademi, as shkollë. Jam vetëm. Jam NJË njeri.

Mandej, që domethënë në fund të bisedës, e luta Bekimin që të drekonim së bashku. – Me gjithë dëshirë, – tha, por më duhet të shkoj në shtëpi. Nëna më pret në drekë, sepse sonte udhëtoj.

(*Kjo intervistë (bisedë e drejtpërdrejtë) është botuar në gazetën “Rilindja”, më 5 prill 1982, në rubrikën Me bashkëkohësit, ku prezantoheshin figura të njohur të artit, shkencës dhe kulturës.)

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË