More
    KreuLetërsiShënime mbi libraGianni Santamaria: Në emër të nënës dhe të birit – Rrëfim i...

    Gianni Santamaria: Në emër të nënës dhe të birit – Rrëfim i Besnik Mustafajt

    Kjo është historia e një gruaje – jo në kuptimin figurativ, por në kuptimin e parë të fjalës.

    Ngjarja fillon në vitin 1959. S. është një grua malësore, pa arsimim, që jeton në veri të Shqipërisë, pranë kufirit me Jugosllavinë. Ajo nuk merret me politikë; jeta e saj përqendrohet në shtëpinë ku jeton me vjehrrin dhe djalin e porsalindur.

    Një ditë, një përfaqësues i partisë komuniste shfaqet në derën e saj, e quan “shoqja S.” dhe i dorëzon një ftesë për t’u paraqitur në zyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit Krahinor të Partisë. E hutuar dhe e shqetësuar, ajo mendon se mos vallë ka bërë diçka gabim, apo ndoshta ka lidhje me burrin e saj që ndodhet në Tiranë për studime partiake.

    Pas dy netësh me ankth, mësohet arsyeja: ajo është thirrur për duart e saj të arta. I kërkohet të realizojë një palë opinga – këpucë tradicionale shqiptare të zbukuruara me qëndisma me grep. Ajo ka vetëm dy ditë kohë për t’i përfunduar dhe duhen të jenë më të bukurat që janë parë ndonjëherë – një dhuratë për një figurë të rëndësishme, emri i të cilit nuk bëhet i ditur.

    E habitur, ajo pyet se si mund të bëjë këpucë pa ditur masën e këmbës së atij që do t’i veshë. I thuhet se nuk do të vishen – janë një dhuratë për Nikita Hrushovin, liderin sovjetik, që pritej të vizitonte Shqipërinë.

    Ato këpucë do të ndryshojnë rrënjësisht jetën e saj. Kjo histori, e vërtetë, është rrëfimi i nënës së autorit Besnik Mustafaj, i përshkruar në romanin “Në emër të nënës dhe të birit”, fitues i një çmimi kombëtar në vitin 2019 dhe i botuar së fundmi në Itali nga shtëpia botuese Castelvecchi.

    Mustafaj ndërton mbi episodin e opingave një pasqyrë të jetës nën regjimin komunist – një jetë e mbushur me sekrete, me frikë, me retorikë boshe dhe me pushtet që imponon respekt dhe tmerr njëkohësisht.

    Në sfond është përçarja midis Shqipërisë së Enver Hoxhës dhe Bashkimit Sovjetik pas Kongresit XX të Partisë Komuniste të BRSS. Hoxha mbeti besnik ndaj kultit të Stalinit, edhe kur Hrushovi kishte nisur denoncimin e krimeve të tij.

    Personazhet janë të ndërtuar me kujdes: Selmani, një ish-partizan i dëshpëruar që bie në fatkeqësi pasi guxon të festojë martesën në kohën kur vendi ishte në zi për vdekjen e Stalinit; Gjyshi, vjehrri i mirë dhe i urtë, por që jeton me frikën në bark. Përfaqësues të pushtetit, si Sekretari i Parë Krahinor apo Presidenti i Presidiumit të Partisë, paraqiten si fytyra të paternalizmit të ftohtë komunist.

    Roli i grave është i theksuar: Drita, e përjashtuar për shkak të lidhjes me një “armik të popullit”; Rushe dhe Kumrie, funksionare që sundojnë dhe “rrinë veshur me pantallona”.

    Shoqja S. futet në një rrugëtim të papritur: bëhet figurë publike, ftohet të flasë në tribunë, botohet në gazetën e partisë dhe më pas përfshihet në një program edukimi për gratë. Por përvoja zgjat pak, pasi përballet me përçmimin e grave të qytetit dhe me një letër anonime që denoncon një skandal moral.

    Për tridhjetë vjet, ajo mbart një peshë të rëndë shpirtërore: Rushe i thotë se opingat e saj ishin ato që Hrushovi përplasi mbi foltore në OKB më 12 tetor 1960 – një akt që turpëroi komunizmin botërisht. S. nuk di ç’të besojë dhe kjo e bre tërë jetën.

    Megjithatë, në qendër të librit është dashuria e nënës për të birin. Kur nuk ka mbështetje nga burri apo kur përballet me absurditetet e regjimit, ajo i rrëfehet foshnjës së saj, sepse një fëmijë nuk i tregon sekretet.

    Kur Besnik Mustafaj bëhet diplomat dhe minister i jashtëm pas rënies së regjimit komunist, nëna e lut që të zbulojë të vërtetën e atyre opingave. Autori lë që lexuesi ta zbulojë vetë përfundimin, por ky kërkim i nënës bëhet një shkëndijë që zgjon tek ai nevojën për të shkruar. Fundi i librit është një dialog i dhimbshëm me nënën e ndjerë, një ndërgjegjësim mbi fuqinë e kujtesës dhe të shkrimit.

    Mustafaj kishte hezituar për vite ta shkruante fillimin e romanit, i cili përmbledh thelbin e veprës:

    “Herën e parë që nëna ime vuri këmbën në një zyrë shtetërore ishte kur u martua. Por në një zyrë të vërtetë të pushtetit – aty ku hija e shtetit ndihet si një frikë që të hyn në palcë – ajo hyri vetëm në moshën njëzet e katër vjeç. Që nga ajo ditë, zyrat e shtetit për të do të mbeteshin vende të rrezikshme.”

    As në zyrën e djalit nuk pranoi të hynte: “Kam frikë se pastaj nuk do të të dua më si më parë. Kam frikë se do të humbas djalin tim.”

    A mund të ndikojë pushteti deri në këtë pikë? Përtej frikës së saj, ky roman është një mohim i fuqishëm i asaj ndjesie.

    Përktheu dhe përgatiti për botim: Amarildo G. Veizi

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË