More
    KreuLetërsiBibliotekëGabriele D’Annunzio: Shiu në pishnajë

    Gabriele D’Annunzio: Shiu në pishnajë

    Përktheu: Denis Gila

    Prâj. N’prag
    T’pyllit nuk ndij
    Fjalë që i thue
    T’Njirit; por ndij
    Fjalë tjera t’reja
    Që flasin pikla e gjethe
    T’largta.
    Ndig’jo. Bie shi
    Prej reve t’hapërdame.
    Bie shi mbi brukët
    E njelmta e t’djegme,
    bie shi mbi pisha
    t’leskërta e t’plota,
    bie shi mbi mersina
    si hyjnesha, mbi gjineshtra t’shkëlqimta
    me lule t’mbylluna,
    mbi dellinja t’denduna
    me përkdhelí t’mbushna,
    bie shi mbi f’tyrat tona
    t’pyjzueme,
    bie shi mbi duart tona
    t’lakuriqta
    mbi teshat tona
    t’lehta,
    mbi mendime t’freskta
    që shpirti shperfaq
    t’reja,
    mbi përralla t’bukra
    që dje
    t’rrejtne, që sot m’rrejn
    O Hermionë.
    A ndin? Shiu bjen
    Mbi t’vetmuemen
    Barishte
    Me nji kërcitje që zgjat
    E ndryshon n’ajër
    Sipas degevët
    Ma t’shpeshta, ma t’rralla. Ndig’jo. I përgjigjet
    Vajit kanga
    E gjinkallave
    Që vaji jugor
    Nuk frikson
    As qielli i përhimtë.
    Pisha
    Ka nji tingull, mersina
    Tingull tjetër, e dëllinja
    Prap nji tjetër, mjete
    T’ndryshme
    Nën t’panumërta gishta.
    E t’zhytun
    Jena ne në shpirtin
    Pyllnor,
    me jetë drusore t’gjalla;
    e fytyra jote e dehun
    âsht e butë prej shiut
    si nji gjethe,
    e krifat e tua
    naltojnë
    t’bardhat gjineshtra,
    o krijesë toksore
    që mban emnin
    Hermionë.
    Ndig’jo, ndig’jo. Akordin
    E t’ajroreve gjinkalla
    Pak nga pak
    Ma i mbytun
    Bahet poshtë vajit
    Që rritet;
    por nji kangë përzihet
    ma e ngjirrun
    që prej atje poshtë ngjitet
    nga e njomta hije e hershme.
    Ma i shurdhet e ma i zbehtë
    Ngadalsohet, e fiket.
    Veç nji notë vazhdon e dridhet,
    Fiket,
    rinjallet, dridhet e fiket.
    Nuk ndihet zani i detit
    Tesh ndihet mbi t’gjithë degën
    T’zhaurijnë
    Shiu i argjentë
    Që pastron,
    Zhaurima që ndryshon
    Sipas degës
    aq e dendun e aq e padendun.
    Ndigjo.
    Bija e ajrit
    âsht e heshtun; por bija
    E baltës larg,
    bretkoca,
    këndon në hijen ma t’thellë,
    kush e di ku, kush e di ku!
    Dhe shiu bie mbi qërpikët e tu,
    Hermionë.
    Bie shiu mbi qërpikët e tu t’zeza
    Saqë duket sikur ti kjanë
    Por prej kënaqësijet; jo e bardhë
    Por gati në t’jeshiltë kthye,
    Duket sikur prej levores ti del.
    E gjithë jeta ndër ne âsht me freskí
    Mbushë,
    zemra n’gjoks âsht si pjeshkë
    e paprekun,
    mes qëpallave sytë
    janë si gurrë mes fijeve t’barta,
    dhambt n’folé
    janë si bajame t’athta.
    Dhe shkojmë nëpër shkurrnajë
    Herë t’ndamë e herë t’pajtueme
    (edhe e jeshilta forcë e ashpër
    Na lidhe kërcinjtë
    Na ngatërron gjunjtë)
    Kush e di ku, kush e di ku!
    bie shi mbi f’tyrat tona
    t’pyjzueme,
    E shiu bie mbi f’tyrat tona
    T’lakuriqta
    mbi teshat tona
    t’lehta,
    mbi t’frekstat mendime
    që shpirti shperfaq
    t’reja,
    mbi përralla t’bukura
    që dje
    m’rrejtne, që sot t’rrejn
    O Hermionë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË