More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFjala e Mit’hat Frashërit në Lidhjen e Kombeve

    Fjala e Mit’hat Frashërit në Lidhjen e Kombeve

    Dy ligjërime të Mid’hat Frasherit mbajtur në Lidhjen e Kombeve në vitin 1923 që jane aktuale edhe sot, botuar në librin e studiuesit Aurenc Bebja, që sapo ka dalë në qarkullim nga Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”.


    Zoti President:

     – Fjalën e ka z. Frashëri, Delegat i Parë i Shqipërisë.

     Z. Midhat Frashëri (Shqipëri):

     -Zoti President, zonja dhe zotërinj, po ngjitem në foltore për të përmbushur një detyrë. Unë vij t’i jap llogari Shoqërisë së Madhe për mirënjohjen e vendit të vogël që kam nderin ta përfaqësoj dhe që në fakt e konsideroj të kushtëzuar me Lidhjen e Kombeve nëpërmjet lidhjeve të njohjes.

     Shqipëria, zotërinj, mund të quhet ndrikull e Lidhjes së Kombeve. Ishte Lidhja e Kombeve që e ndihmoi në rilindjen e saj, e pranoi në mesin e saj dhe i mundësoi të vendoste marrëdhënie diplomatike me shtetet e tjerë. Rruga që i kishte hapur Lidhja e Kombeve ishte më e lehtë më vonë, pasi ky kumbar, ose më mirë kjo kumbarë, nuk pushoi së interesuari për shtetin e vogël.

     Që atëherë – mund ta pohoj këtë pa frikë që të përgënjeshtrohet – Shqipëria ka bërë çdo përpjekje për të merituar përkushtimin e Lidhjes së Kombeve. Gjendja e brendshme e saj është përmirësuar gjithnjë e më shumë, marrëdhëniet me fqinjët kanë hyrë në një fazë normale; marrëdhëniet diplomatike janë vendosur dhe rruga që ajo duhet të kalojë, i është lehtësuar kështu.

     Edhe pse një nga kombet më të rinj që ka hyrë në Lidhjen e Kombeve, Shqipëria është një nga vendet më demokratike për nga kushtetuta dhe administrata e saj. Këtu mund të dëshmoj se idetë e përfaqësuara nga Lidhja e Kombeve gjejnë te shqiptarët partizanët më të bindur. Nuk janë vetëm parimet, por është pikërisht ideali që përfaqëson kjo Shoqëri, është kjo vëllazëri, ky solidaritet midis popujve që ne vijmë të konfirmojmë çdo vit këtu përsëri, të cilët gjejnë ndër shqiptarët më të bindurit.

     Unë i përkas një rajoni të Evropës që ka vuajtur shumë, ndoshta ai që ka vuajtur më shumë gjatë dy dekadave të fundit.

     Është ky rajon i Evropës që kishte më shumë nevojë për paqe, pajtim dhe harmoni midis elementëve të ndryshëm të tij. Popujt ballkanikë kanë filluar të kuptojnë se ka vetëm një mënyrë për të arritur prosperitetin, vetëm një mënyrë për të shkëputur zakonet e këqija të së kaluarës, sipas të cilave çdo popull përtej kufirit konsiderohej armik. Ata tashmë e kuptojnë se një solidaritet interesash të përbashkëta, materiale dhe ekonomike, madje edhe morale e intelektuale, duhet t’i bashkojë popujt dhe jo t’i ndajë ata.

     Kjo ide e popujve ballkanikë mbështetet fuqishëm nga ndikimi i qeverive të tyre përkatëse. Besoj se jam interpretuesi besnik i kësaj ndjenje kur them se perspektiva e një lufte, natyrisht mjaft të largët, tmerron popujt e Ballkanit, që aspirojnë paqen. Megjithatë, të gjitha përpjekjet e tyre nuk mundën të çonin në një rezultat të shpejtë dhe të menjëhershëm.

     Ata përhapin një energji të madhe për këtë qëllim dhe atmosfera e Gjenevës, jo vetëm e këtij qyteti ku njerëzit vijnë për të shijuar lirinë fetare dhe politike, por edhe atmosferën e kësaj Shoqërie të Madhe ku ne vijmë çdo vit për të rizhytur veten në idetë e vëllazërisë, bashkëpunimit dhe solidaritetit, kontribuon shumë në këtë. Kjo atmosferë e dobishme kontribuon në masë të madhe në përmirësimin e marrëdhënieve që theksohen dita-ditës. Mirëpo, a mjafton të kufizohemi vetëm në ardhjen këtu për t’u mbushur me frymë në atmosferën e Lidhjes së Kombeve, apo nuk është ende e nevojshme të mbështesim përpjekjet e lindura nga nevojat imperative të vendeve të Ballkanit? Dje, delegati i shquar i Greqisë foli për punën e mirë të një delegati të Lidhjes së Kombeve, i cili aktualisht kryeson zgjidhjen e vështirësive të vogla, të cilat, për fat të keq, ende ekzistojnë midis disa elementeve ballkanike.

    Ky është një shembull i mirë që ilustron qartë punën e dobishme që Lidhja e Kombeve po kryen dhe do të vazhdojë të kryejë në të ardhmen. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë e një delegati të caktuar nga Lidhja e Kombeve mund të arrijë më shumë në dy javë sesa tre vjet përpjekje të vetë popujve. Nëse shtetet ballkanike do t’i drejtoheshin Lidhjes së Kombeve, përfaqësuesit e së cilës shfaqin një frymë të madhe pavarësie dhe paanshmërie, çdo herë që do të lindte një vështirësi e vogël, për të kërkuar mbështetjen morale dhe ofiqet e mira mjaft të paanshme, ato do t’i bënin një shërbim çështjes së paqes.

     Sigurisht, zona e rajonit të Ballkanit nuk është shumë e madhe, por idetë që mbretërojnë brenda Lidhjes së Kombeve janë të frymëzuara nga solidariteti i ngushtë që ekziston midis të gjitha vendeve, midis të gjitha rajoneve, të mëdha e të vogla. Kështu, të gjitha shtetet formojnë një tërësi, një trup harmonik. Sëmundja më e vogël, lëndimi më i padukshëm mund të prekë të gjithë trupin; po kështu vështirësitë e vogla, mosmarrëveshjet e vogla ndërmjet elementëve përbërës të një vendi apo rajoni mund të prekin të gjithë kombet e tjerë.

     Nëse hyj në këto konsiderata, është sepse duhet t’i jap llogari Lidhjes së Kombeve, si një shoqëri aksionerësh. Lidhja e Kombeve na ka investuar me kapital moral të destinuar të japë fryte. Ky kapital moral, në fakt, shpërblehet çdo vit e më shumë.

     Progresi i arritur në një vend të vogël vetëm sa mund të rrisë numrin e mbështetësve të Shoqërisë sonë të Madhe dhe të konsolidojë besimin që duhet të kemi në të ardhmen e saj dhe në shërbimet që ajo është thirrur të bëjë.

     Të nderuar delegatë, Lidhja e Kombeve nuk lindi vetëm nga vullneti i pak njerëzve; nuk lindi vetëm nga një pakt; përfaqëson, në sytë e popujve të vegjël që kanë filluar të ndërgjegjësohen për të drejtat e tyre, manifestimin e një ideali të ri, atë të vëllazërisë dhe mbi të gjitha të solidaritetit midis vendeve të ndryshme.

     (Duartrokitje.)

    *

     Minoritetet në Shqipëri.

    Société des Nations – Journal Officiel, nëntor 1923, faqe 1312 :

     Z. Midhat Frashëri, përfaqësues i Shqipërisë, zuri vend në tryezën e Këshillit.

     Z. DE RIO BRANCO, raportues, lexoi raportin e tij (Shtojca 564).

     Z. MIDHAT FRASHËRI deklaron :

     “Shqipëria është pajtuar me klauzolat që kanë të bëjnë me minoritetet, me vullnetin e vetëdijshëm për të përmbushur me përpikëri angazhimet e saj, për t’i respektuar ato me sigurinë e kryerjes së një detyre njerëzore dhe të ndershme.

     Vendi që kam nderin të përfaqësoj u ka dhënë pakicave etnike që jetojnë brenda kufijve të tij të gjitha të drejtat fetare, kulturore, civile dhe qytetare. Në këtë aspekt, Shqipëria është shteti më liberal në pjesën juglindore të Evropës. Për të arritur këtë rezultat, asaj nuk iu desh t’i impononte vetes sakrifica morale, liria dhe barazia që u jepte pakicave nuk kërkonin asnjë përpjekje nga ana e saj; por, për të kënaqur të ardhurit, i ka imponuar vetes sakrifica materiale shumë të rënda.

     Megjithatë, Shqipëria është e gatshme të ndjekë të gjitha sugjerimet dhe rekomandimet që vijnë nga Këshilli i Lidhjes së Kombeve, e bindur se Këshilli, në parimet e barazisë që e dallojnë, ka vetëm një peshë për drejtësinë dhe se përkujdesja e treguar prej tij ndaj pakicave në Shqipëri do të shtrihet edhe në minoritetet shqiptare që jetojnë në shtetet fqinje dhe që pretendojnë gjithashtu mbrojtjen e Lidhjes së Kombeve.”

     Këshilli miraton rezolutën e mëposhtme:

     “Këshilli mban shënim informacionet e dhëna deri më sot nga qeveria shqiptare, në zbatim të nenit 5, paragrafi 2, të deklaratës shqiptare të 2 tetorit 1921, lidhur me mbrojtjen e minoriteteve dhe falenderon qeverinë shqiptare për transmetimin e këtyre të dhënave.

     Sekretari i Përgjithshëm udhëzohet të studiojë informacionin e përmendur, në bashkëpunim me përfaqësuesin shqiptar, dhe t’i paraqesë konkluzionet e tij Raportuesit, i cili në kohën e duhur do t’i paraqesë një raport Këshillit.”

     Z. MIDHAT FRASHËRI. — Duke qenë se përfaqësoj jo vetëm shumicën, por edhe pakicat në Shqipëri, dua të falënderoj Këshillin, i cili me votën që sapo ka dhënë, dëshmon interesin që ka për situatën e këtyre pakicave në Shqipëri. Falenderoj gjithashtu Sekretariatin e Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve dhe të nderuarin raportues.

    Z. Midhat Frashëri largohet.

    ___________________

    Revista informative, Société des nations 1 janar 1923 (red)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË