Shqipëruar nga Vangjush Ziko
Fije të natës
Prej zemrave dhe truve
rriten fijet e natës
dhe fjala me urtësinë e saj
i përkul nga jeta.
Në heshtje, si ato,
ne i shkojmë në takim botës:
shikimet tona
këmbehen, për mëshirë,
me tamin ecim
pas shënjave të tyre të errta
Pa ndriçim
heshtin sytë e tu në të mitë,
duke u endur,
ta sjell zemrën tënde te buzët,
dhe ti zemrën time ma sjell:
kjo që ne po pimë tashi
shuan etjen e orëve,
ato që po hamë tashi,
ngopin orët e kohës.
I rrënojmë ato?
As zë, as gjurmë:
nuk kemi përgjigje mes nesh.
O fije, kallinj,
ju, fije të natës.
Alkimi
Heshtja si ar i shkrirë në
thëngjijtë
e pëllëmbëve.
Ngjyrë hiri, i madh
i afërt, si çdo gjë e hunmbur,
imazhi i motrës:
Të gjithë emrat, të gjithë
emrat të djegur.
Sa hi për bekimin e tij.
Sa tokë e nënshtruar
nën
unazat e lehta
të lehta të shpirtit.
Ngjyrë hiri. I madh
sa nuk e nxë vendi.
Ti atëhere ishe
e venitur
but i pjekur
i mbytur me verë.
(A s’ndodhi kështu? Dhe ne
na çliroi ky çast?
Qetësisht
qetësisht vdiq fjala jote këtu.)
Heshtja e shkrirë si ari
në thëngjijtë
thëngjijtë e pëllëmbëve.
Gishtat si tym që shkon
si kurora, aureola
mbi – –
Ngjyrë hiri, i madh,
pa gjurmë
mbretëror.
Kristal
Mos e kërko gojën tënde te buzët e mia,
Në portën e të ardhurit,
Në sytë e lotëve.
Më tej se shtatë netë bashkohet e kuqja me të kuqen,
Shtatë zemra më thellë troket dera në portë,
Në shtatë trëndafila llokoçitet më pas pusi.
Në Egjypt
Të huajës thuaja në sy: Ti je uji,
Ji ujë.
Duhet që atë që njeh në ujë,
ta kërkosh në sytë e së huajës:
Nuk duhet t’i thërresësh prej ujit: Rufi!Noem! Miriam!
Duhet ta stolisësh të huajën, kur shtrihesh në shtrat me të.
Duhet ta zbukurosh atë me renë e flokëve të saj.
Duhet t’i thuash Miriamit, Noemit dhe Rufit:
Shikoni, unë po shtrihem me ju.
Duhet ta stolisësh të huajën me të cilën je shtrirë.
Duhet ta zbukurosh atë me dhimbjen e vet: O Ruf! Noem! Miriam!
Duhet t’i thuash së huajës:
Unë jam shtrirë me ato!
Kush është si ti
Kush është si ti që pëllumbthin e ditës dhe të hijes e krijon nga errësira
çukit yllin e syrit përpara se të ndritë
në qerpikët cimbis fijet e barit përpara se të piqen
flakërin dyert në retë përpara se unë të futem
Kush është si ti që gjithë karafilat e gjakut i flak si monedha
i gëllti si verë
kush fryn pëllëmbët e mia dhe bën gotë për vete
dhe e copëton pas gurit të një loti
Ditën
Qielli si lëkurzë lepuri. Dhe përsëri
pena shkruan qartë.
Dhe unë, kujtohu,
ngjyrë pluhuri
a nuk erdha si lejlek.
Citate të kredos poetike të Celanit:
Poezia është shndërrim ndryshe i pikëllimit “unë” .
Poezia nuk është një njoftim, është transmetimi i vetvetes…Unë nuk shikoj ndonjë ndryshim themelor midis një shtërngimi dore dhe poezisë.
Poezia, si domozdoshmëri veprimi dhe ekzistence.