Krijimtaria kulturore letrare e Arbëreshëve të Italisë është pjesë organike e historisë së kulturës dhe krijimtarisë letrare shqiptare në tërësi në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët. Ajo përkon më shumë në periudhën para dhe pas Rilindjes Kombëtare, pas emigrimeve masive të shqiptarëve në Itali. Nga pikëpamja kohore Rilindja Kombëtare Shqiptare përfshin periudhën që nis nga mesi i shek. XIX deri në shpalljen e Pavarësisë në vitin 1912, dhe krijimtaria letrare e kësaj periudhe u quajt letërsi e Rilindjes Kombëtare. Ajo lindi dhe u zhvillua si pjesë integrale e lëvizjes politike, shoqërore dhe kulturore për çlirimin dhe pavarësimin e vendit nga Perandoria Otomane, e cila e mbante nën zgjedhë prej pesë shekujsh. Si e tillë, është e kuptueshme që ajo do të ishte një letërsi patriotike dhe me frymë të spikatur demokratike, ku temat kryesore do të ishin dashuria për Shqipërinë dhe shqiptarët, lufta për çlirim kombëtar e shoqëror i Atdheut, denoncimi i synimeve grabitqare të fqinjëve, evokimi i të kaluarës heroike të vendit, dëshira për ta parë vendin të lirë e të begatë etj.
Edhe letërsia arbëreshe ishte një degëzim i veçantë i letërsisë së vjetër shqipe, e më pas asaj të Rilindjes, me një prodhimtari të pasur e të larmishme të shqiptarëve arbër që emigruan në Itali para dhe, më tepër, pas vdekjes së heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut.
Letërsia arbëreshe para Rilindjes ishte, në tërësinë e saj, letërsi gojore, me lloje të ndryshme të shprehjes dhe shfaqjes së saj, por me një rëndësi të madhe, sepse nëpërmjet komunikimit gojor ajo bëri të mundur që të ruhej e të transmetohej pasuria e gjithanshme shpirtërore e trashëguar dhe e sjellë me vete nga vendi që lanë pas për t’i shpëtuar zgjedhës së pushtuesit. Rol parësor luajti vjersha popullore e shprehur dhe e transmetuar gojarisht e cila, me format e larmishme të shfaqjes së saj, nxirrte në pah tiparet dhe vetitë më të qenësishme të botës shpirtërore shqiptare, si trimërinë, krenarinë, nderin, fjalën e dhënë (besën), pasqyronte ngjarje e dukuri shoqërore etj. Kjo krijimtari popullore masive, në përgjithësi me karakter fetar e shpesh me autorë anonimë, çoi në pasurimin e traditës letrare paraprake në shumë aspekte dhe kaloi nëpërmjet një rrugë të gjatë zhvillimi, që nga shek. XVI deri në letërsinë e Rilindjes Kombëtare, madje edhe më pas, deri në ditët tona. Letërsia e shek. XVI-XVIII ka rëndësi jo vetëm si etapa e parë e zhvillimit të letërsisë shqiptare, por edhe sepse ajo vuri bazat e shkrimit shqip.
Si vepra e parë e letërsisë arbëreshe njihet “Doktrina e Krishterë” (arb. E mbsuame e krështerë), botuar në Romë në vitin 1592 nga Lekë Matranga (Luca Matranga, 1560-1619), prift i ritit bizantin nga Hora e Arbëreshëvet në Sicili, i cili njihet edhe si shkrimtari më i vjetër i letërsisë së arbëreshëve, si dhe autor i vjershës së parë të shkruar në gjuhën shqipe. Vepra e tij është e dyta në historinë e letërsisë së shkruar shqipe, pas “Mesharit” të Gjon Buzukut, në vitin 1555, si dhe dokumenti i parë gjuhësor i shkruar në arbërishten e folur të Horës së Arbëresheve, në dialektin toskë, por edhe me disa ndryshime fonetike në mënyrë që të kuptohej edhe nga kolonitë e tjera arbëreshe në Italinë kontinentale. Rëndësia e kësaj vepre për historinë e gjuhës shqipe, sipas prof. Androkli Kostallarit, është unikale. “Ajo, vërtet është botuar pas librit të parë shqip – Mesharit të Gjon Buzukut – por, në thelb, – thotë ai, – përfaqëson një gjendje gjuhësore rreth një shekull më të vjetër se ky libër. Ajo është pikërisht dëshmi e sistemit të toskërishtes, veçanërisht e toskërishtes jugore, në gjysmën e dytë të shek. XV”, të kohës kur arbëreshët mërguan në Itali[1]. I kësaj periudhe është edhe Nilo Katalano (1637-1694)[2], leksikograf dhe peshkop i Durrësit, i njohur dhe për shërbesat e tij në krahinën e Himarës, ku shërbeu si famullitar apostolik në vitet 1693-1694, ku dhe ndërroi jetë, po edhe si autor i një gramatike dhe i një fjalori që kanë humbur[3].
Lëvizja letrare e kulturore arbëreshe mori një zhvillim më të ndjeshëm në vitet ’700, ku autori më i shquar i kësaj periudhe do të ishte Jul Variboba (Giulio Variboba,1724-1788) nga Mbuzati (San GiorgioAlbanese). Vepra e tij “Gjella e Shën Mërisë virgjër”[4], me subjekt jetën e Shën Mërisë dhe Jezu Krishtit me nota humane e tokësore, botuar në vitin 1762, është e vetmja vepër e botuar në arbërisht gjatë shek. XVIII[5], dhe shënon kalimin drejt letërsisë artistike, edhe pse me subjekt fetar dhe e frymëzuar nga poezia popullore tradicionale. Të kësaj periudhe janë edhe poetët arbëreshë Nikollë Brankato (1675-1741)[6], Nikollë Filja (1691-1769)[7] dhe Nikollë Keta (1742-1803)[8], nga Kuntisa (Contessa Entellina), rektori i Seminarit të Palermos, autor i shumë veprave studimore e gjuhësore, midis të cilave edhe i një fjalori shqip, si dhe i veprës historike dhe etnografike “Thesar njoftimesh për maqedonasit”, botuar në Palermo në vitin 1867. Ndërsa, pa dyshim, figura më e shquar dhe personaliteti më i spikatur e me kontribute të mëdha për çështjen arbëreshe në shek. XVIII ishte at Gjergj Guxeta (Giorgio Guzzeta, 1682-1756) nga Hora e Arbëreshëvet, ideatori dhe themeluesi i Seminarit Arbëresh të Palermos (1734), për të rinjtë e ritit bizantin të kolonive shqiptare të Sicilisë, i cili është quajtur edhe si qendra e parë dhe më e vjetër albanologjike[9]. Po ashtu, ai ishte, bashkë me at Antonio Brankatin, themeluesi edhe i Kolegjit të Shën Mërisë (Collegio di Maria) në Horë, në vitin 1733[10], ku do të studionin vajzat arbëreshe[11]. Ndër veprat studimore që shkroi veçojmë “Kronikë e Maqedonisë deri në kohërat e Skënderbeut” (Cronica della Macedonia fino ai tempi di Skanderbeg), ku shfaqet si njohës i thellë i historisë dhe kulturës klasike.
Në fillim të shek. XIX letërsia arbëreshe hyri në një etapë të re duke u frymëzuar nga idetë përparimtare të kohës, gjë që shënoi kalimin në një letërsi të mirëfilltë artistike dhe duke lënë pas letërsinë e vjetër me përmbajtje fetare dhe karakter didaktik[12]. Kjo do të jetë periudha kur do të hidheshin edhe bazat e gjuhës sonë letrare kombëtare. Romantizmi do të ishte boshti ku do të silleshin krijuesit arbëreshë për të shprehur ndjenjat kombëtare, ku temat dhe subjektet kryesore do të ishin evokimi i historisë arbërore të qëndresës kundërosmane, glorifikimi i figurave të paraardhësve të tyre, ku vendin qendror e zinte ajo e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe bashkëluftëtarët e tij etj. Por edhe në këtë periudhë një burim i pashtershëm frymëzimi, motivesh dhe subjektesh për poetët arbëreshë mbeti folklori, legjendat dhe krijimtaria gojore popullore në tërësinë e saj. Shumë studiues iu përkushtuan mbledhjes dhe sistemimit dhe botimit të krijimtarisë folklorike, duke shpëtuar nga zhdukja një pasuri të vyer kulturore e shpirtërore, e cila ishte transmetuar brez pas brezi që nga koha kur ishin detyruar të linin vendin e tyre për të nisur një jetë të re në një vend të huaj.
Në rrugën e nisur nga Jul Variboba në shek. XVIII drejt letërsisë së kultivuar artistike do të shfaqeshin në shek. XIX një mori krijuesish të talentuar, të cilët do të hynin me dinjitet në historinë e letërsisë së Rilindjes kombëtare shqiptare. Më i rëndësishmi prej tyre do të ishte, pa dyshim, Jeronim de Rada, ndër themeluesit dhe përfaqësuesit më të shquar të romantizmit në letërsinë shqipe, si dhe shumë shkrimtarë të tjerë si: Dhimitër Kamarda, Gavril Dara i Riu, Zef Skiroi, Françesko Anton Santori, Zef Serembe, Agustin Ribeko, Anton Argondica, Mikele Markianò, Anselmo Lorekio, Binard Bilota,Vinçenc Stratigoi etj. Në veprat e tyre vendin kryesor do ta zinin temat e epokës së lavdishme të Skënderbeut, luftërat heroike të shqiptarëve kundër ushtrive osmanë, bëmat e luftëtarëve të paepur për të mbrojtur lirinë dhe vendin e tyre, Arbërinë, por edhe ato që u pasqyronin dhe u bënin jehonë ngjarjeve të kohës, apo trajtonin problemet politike e sociale të popullsisë arbëreshe[13].
Figura të njohura krijuese e intelektuale të kohës iu përkushtuan studimeve shqiptare, gjuhës, letërsisë dhe mbledhjes së folklorit arbëresh. Ndër figurat më të njohura që iu përkushtuan mbledhjes, sistemimit dhe publikimit të folklorit arbëresh ishin Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Anton Skura e shumë të tjerë. Ndërsa një plejadë e ndritur intelektualësh arbëreshë, që nga Gjergj Guxeta, Pal Maria Parino e Nikollë Keta, e duke vazhduar me Xhuzepe Krispin, De Radën, Françesko Krispin, Dhimitër Kamardën, Vinçens Dorsën, Anselmo Lorekion, Zef Skiroin etj., me veprat e tyre jo vetëm letrare, por edhe studimore gjuhësore, historike e politike, e ngjallën dhe i dhanë shtysë çështjes shqiptare duke ndihmuar në njohjen dhe sensibilizimin e saj botërisht.
Letërsia e arbëreshëve, duke qenë se lindi dhe u zhvillua në Itali, pjesë e territorit evropian, u ndikua fuqishëm nga fryma e romantizmit e kontinentit të vjetër, por ajo pati edhe origjinalitetin dhe veçoritë e saj, për shkak të lidhjeve dhe raporteve bashkëpunuese me figurat e shquara intelektuale në Shqipëri, e cila vazhdonte të ishte ende nën pushtimin otoman, duke u bërë pjesë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe e letërsisë që lindi nën frymën e kësaj lëvizjeje. Prof. Rexhep Qosja thekson se “Aktiviteti politik, kulturor dhe letrar i arbëreshëve, ndërkaq, do të marrë hov edhe më të madh pas vënies së lidhjeve të tyre me shqiptarët e kolonive të tjera, sidomos, pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ky aktivitet, në pjesën më të madhe të rasteve, tani vihet në shërbimin e Rilindjes Kombëtare, domethënë, të çlirimit të shqiptarëve prej pushtuesve shekullorë”[14]. Lidhjet e vazhdueshme dhe komunikimi i De Radës dhe intelektualëve arbëreshë me figurat më të njohura politike e kulturore në Shqipërinë e robëruar, që kishin ngritur krye dhe po luftonin me të gjitha format e mjetet për pavarësinë e Shqipërisë. Qëllimi dhe ideali i përbashkët për fatin e atdheut të përbashkët, e bënë letërsisë shqiptare dhe atë arbëreshe një të vetme, letërsi e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Fillimi i shek. XX dhe periudha gjatë dhe pas Luftës Parë Botërore nuk qenë të mbara për letërsinë arbëreshe, për shkak të depërtimit të frymës dhe represionit të regjimit fashist në Itali[15]. Edhe ajo pak letërsi që u lëvrua eci në gjurmët e letërsisë së Rilindjes të fundshekullit XIX dhe dekadës së parë të shek. XX. Ringritja do të vinte pas Luftës Dytë Botërore në përpjekjet e shumë intelektualëve dhe krijuesve për të shpërfaqur identitetin shqiptar nëpërmjet veprave të tyre studimore për gjuhën, historinë, kulturën, trashëgiminë folklorike shpirtërore e materiale, mbështetur e përhapur kjo edhe nëpërmjet një numri të konsiderueshëm gazetash, revistash e organeve të tjera kulturore, letrare, shkencore e politike. Provincat e Kozencës dhe Katanxaros në Kalabri, si dhe provinca e Palermos në krahinën e Sicilisë do të ktheheshin në vatrat më të fuqishme të letërsisë dhe kulturës arbëreshe. Ndër përfaqësuesit më të spikatur të kësaj periudhe do të ishin Françesko Solanoja (Francesco Solano, 1914-1999, me pseudonimin letrar Dushko Vetmo), Domeniko Belici (1918-1989, me pseudonimin letrar Vorea Ujko), Karmel Kandreva (1931-1982), Luka Perone (1920-1984), Xhuzepe Skirò di Maxho (Giuseppe Schirò di Maggio, 1944) etj. Përpos temave të njohura historike nga e kaluara heroike e Arbërisë, krenarisë për vendin e origjinës, dashurisë për gjuhën, zakonet e traditat e trashëguara, ata trajtuan gjerësisht edhe realitetin arbëresh, problemet e vështirësitë që kalonin komunitetet arbëreshe në Itali, pakënaqësinë në rritje dhe revoltën e tyre.
Në dhjetëvjetëshat e fundit të shek. XX dhe në fillim të këtij mijëvjeçari shihet një gjallërim i çështjes arbëreshe në fushën studimore, të arsimit e të kulturës, të krijimtarisë letrare, folkloristike etj.[16] Të shumta janë shoqatat e organizatat e ndryshme shqiptare, pothuaj në çdo komunë arbëreshe, por edhe në emigracion e në qytete të tjera të Italisë, që ruajnë e transmetojnë vlerat më të spikatura kulturore e atdhetare, revokojnë historinë e punojnë për forcimin e marrëdhënieve me vendin e origjinës, Shqipërinë. Vend gjithnjë e më të madh, veçanërisht në poezi, zënë temat nga Shqipëria dhe zhvillimet përparimtare në vendin e të parëve. Shkrimtari më i njohur arbëresh në ditët tona, i suksesshëm në gjithë Italinë dhe jashtë saj është Karmine Abate[17], nga komuniteti i Karficit në provincën e Katanxaros në Kalabri.
Një nxitje dhe mbështetje më të madhe u kanë dhënë në këtë drejtim bashkësive arbëreshe miratimi i ligjit për pakicat kombëtare (1999)[18], hapja dhe funksionimi i sporteleve gjuhësore në komunat arbëreshe, katedrat e gjuhës shqipe në disa prej universiteteve më të njohura të Italisë, si në Kozencë të Kalabrisë (krijuar që në vitin 1975 nga prof. Françesko Solanoja), në “La Sapienza” të Romës, në universitetet e Palermos (nga Antonio Guzzetta), të Napolit dhe të Barit në krahinën e Pulies (nga prof. Giuseppe Gradilone). Emrat e prof. Françesko Altimarit dhe të Matteo Mandalasë, drejtues përkatësisht të katedrave të gjuhës dhe letërsisë shqipe në universitetet e Kozencës në Kalabri dhe të Palermos në Sicili, janë sot pika referimi kur flitet për historinë dhe kulturën e arbëreshëve të Italisë.
Shkrimtarë të shquar arbëreshë
Lekë Matrënga (1567-1619), prift i ritit bizantin-ortodoks dhe shkrimtar, autor i librit të parë të letërsisë arbëreshe dhe i dyti në letërsinë shqipe, pas “Mesharit” të Gjon Buzukut; Josif Nikollë Brankati (1675-1741), prift ortodoks dhe shkrimtar; Gjergji Guxeta (1682-1756), apostull i arbëreshëve, mbrojtës i ritit lindor, ideator dhe themelues i Seminarit Arbëresh të Palermos (1734), studiues dhe mbrojtës i gjuhës dhe kulturës arbëreshe ndër shqiptarët e Sicilisë; Pal Maria Parrino (1710-1765), prift dhe dijetar, themelues i ideologjisë romantike iliro-shqiptare; Jul Variboba (1727-1788), prift ortodoks dhe shkrimtar. Ishte poeti i parë arbëresh që shkroi në gjuhën e vendit të tij; Nikolla Keta (1741-1803), prift i ritit bizantin, poet, shkrimtar dhe teolog; Jeronim de Rada (1814-1903), poet, publicist, folklorist, filolog dhe mësues i gjuhës dhe kulturës arbëreshe, ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare të Rilindjes; Anton Santori (1819-1894), prift ortodoks, poet dhe shkrimtar; Dhimitër Kamarda (1821-1882), prift ortodoks, gjuhëtar, historian dhe filolog, autor i të parës vepër shkencore gjuhësore të shqipes; Gavril Dara i Riu (1826-1885), poet dhe politikan, një nga shkrimtarët e parë të Rilindjes shqiptare; Vinçens Stratigò (1882-1886), poet, intelektual dhe luftëtar aktiv për bashkimin e Italisë; Gaetano Petrota (11882-1952), prift i ritit bizantin, studiues i letërsisë dhe gjuhësisë, intelektual i shquar në mbrojtje të Pavarësisë së Shqipërisë, mendimtar i shquar arbëresh i gjysmës së parë të shek. XX; Agostino Ribeko (1843-1918), poet, studiues filolog, veprimtar për çështjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare; Kozimo Serembe (1879-1918), studiues, poet, publicist. Ishte nip i ZefSerembes; Bernardo Bilota (1842-1918), mësimdhënës në kolegjin e Shën Mitrit, studiues i shqipes, poet, mbledhës folklori; Antonio Argondica (1839-1918), kryeprift, poet, shkrimtar, studiues i gjuhëve klasike dhe folklorit. Ishte publicist dhe drejtues i revistës “Ylli i Arbëreshëve”; Françesko Krispi Glaviano (1852-1939), poet, publicist, studiues i letërsisë, gjuhës dhe folklorit shqiptar; Mikele Markianò (1860-1921), poet, mbledhës folklori, pedagog, studiues i letërsisë shqipe dhe asaj klasike greke, dhe folklorit arbëresh. Është botues i veprës së De Radës, pas vdekjes së tij, shoqëruar me një studim për poetin dhe rëndësinë e veprës së tij; Anselmo Lorekio (1843-1924), avokat dhe publicist, organizator, bashkë me De Radën dhe Zef Skiroin të Kongreseve gjuhësore të shqipes në Koriliano dhe Lungro, botuesi i gazetës “La Nazione Albanese” (Kombi Shqiptar); Salvatore Braile (1872-…), studiues i gjuhës shqipe, shkrimtar, poet, përkthyes, mësues i letërsisë në gjimnazin e Françeskanëve në Shkodër; Xhusepe Anxhelo Noçiti (1832-1899), poet dhe studiues, gjuhëtar dhe filolog; Zef Serembe (1844-1901), poet lirik; Frangjishku Muzaka (Francesco Musacchia, 1852-1931), nëpunës dhe diplomat, themelues i Lidhjes Kombëtare Shqiptare së Palermos, dha kontribut të veçantë për pavarësinë e Shqipërisë; Zef Skiroi (1865-1925), poet, historian, gjuhëtar, gazetar, albanolog, studiues dhe profesor universiteti, ndër shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë, përfaqësuesi më i njohur i arbëreshëve të Sicilisë; Françesko Solano (Dushko Vetmo, 1914-1999), prift i ritit bizantin, shkrimtar dhe shef i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Kozencës; Domeniko Belushi (Vorea Ujko,1918-1988), prift i ritit bizantin dhe poet; Lluka Perone (1920-1984), poet, shkrimtar, mbledhës folklorist; Karmel Kandreva (1931-1982), shkrimtar; Paolo Petta (1942-1999), historian, dijetar i ligjit kushtetues; Karmine Abate, shkrimtar romancier bashkëkohor.
Pikturë nga Pashk Përvathi
[1] Androkli Kostallari, Një vepër me vlerë të veçantë në fillimet e gjuhës letrare shqipe, Vepra, vëll. 4, Tiranë, 2017, f. 295.
[2] Francesco Altimari, Naples, an important center…, art. i cit., f. 87.
[3] Nilo Borgia, I monaci basiliani d’Italia in Albania, vol. II, Roma, 1942, f. 39. Sipas Borxhës, këto vepra janë në duart e trashëgimtarëve të Zef Skiroit, por deri më sot nuk janë gjetur.
[4] Antonio Marchianò, I canti popolari arbëreshë (italo-albanesi) e la tradizione dei canti popolari italiani (tesi di laurea), Sinestesie Edizioni, Avellino, 2014, f. 22.
[5] Francesco Altimari, Gli arbëreshë: significato di una presenza storica, culturale e linguistica,, në “I dialetti italo-albanesi. Studi linguistici storico-culturali sulle comunità arbëreshe”, f. 13-14.
[6] Antonio Piromalli, La letteratura calabrese, Pellegrini, Cosenza, 1996, f. 81.
[7] Antonio Piromalli, po aty, f. 81.
[8] Antonio Piromalli, po aty, f. 81.
[9] Bardhyl Demiraj, Guzzetta e le origini…, art. i cit., f. 63-81.
[10] Papàs Rosario G. Caruso, Padre Giorgio Guzzetta nel 260º anniversario della sua morte (I parte), në “Eco della brigna.it”.
[11] Papàs Rosario G. Caruso, Padre Giorgio Guzzetta e il Collegio di Maria di Piana degli Albanesi, në “Eco della brigna.it”.
[12] Fjalori Enciklopedik Shqiptar, 1985.
[13] Fjalori Enciklopedik Shqiptar, 1985.
[14] Rexhep Qosja, Kolonia e arbëreshëve të Italisë, Historia e Letërsisë shqipe – Romantizmi 1, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2010, faqe 19-23; Botimet Toena, Tiranë, 2000, f. 37-208.
[15] Fjalori Enciklopedik Shqiptar, 1985.
[16] Fjalori Enciklopedik Shqiptar, 1985 (https://wiki.shqipopedia.org/fjalori-enciklopedik-shqiptar-1985).
[17] Sito personale di Carmineabate (http://www.carmineabate.net/).
[18] Legge 15 dicembre 1999, n. 482 Norme in materia di tutela delle minoranze linguistiche storiche
(https://www.camera.it/parlam/leggi/99482l.htm).


