G
jeniu bëri sikur e ndaloi fluturimin. Në fakt, Kadare bëri sikur iku në një mister tjetër. Ishte fjala tashmë për misterin e fundit. Ai bëri sikur preku vdekjen. Në të vërtetë, ai vetëm sa la përgjithmonë tokën e të vdekshmëve, për të hyrë në përjetësi, në botën e të pavdekshmëve.
Për të nuk kishte asgjë të papërballueshme. Për të përballuar dhe fituar të përjetshmen duhet të fitoje përjetësinë. Kjo ishte një fitore unike dhe universale. Kadare ishte një zbulues, që fshihte njëkohësisht diçka misterioze. Çdo lloj manipulimi nuk kishte asnjë shans. Asnjë intrigë. Dështimin e priste çdo aventurier. Ai ishte dhe mbetej universal.
Ose, ne mund si një kohë tjetër e një rapsodi homerik modern, ose, si një përçudnim mitik.
Kadare i dha botës vepra artistike madhore. Ja, vetëm disa prej tyre:
Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kronikë në gur, Kështjella, Përbindëshi, Pallati i ëndrrave, Hija, Aksidenti, Ftesë në studio, Hamleti princi i vështirë, Prilli i thyer. Dimri i madh, Koncerti, Eskili ky humbës i madh, etj.
Si gjithë shkrimtarët e vërtetë, ai e vëzhgonte politikën e madhe botërore, me sytë e shqiponjës dhe me qetësinë e vetvetes. Kjo i jepte fuqi të posaçme atij, një fuqi, që e bënte atë të përballonte çdo situatë të ndërlikuar. Çdo inskenim. I çdo luftë sekrete apo të hapur.
Për Hamletin dhe Makbethin, ai përdorte një hetuesi shumë të çuditshme. Gjithçka kulmonte në pyetjen e pyetjeve: “Mos vallë ajo që shikonim në skenë, mbulonte një tjetër? Një tjetër. Po një tjetër. Kush ishte ky, ky tjetërllojsi, i cili gjithnjë hidhte gurin dhe fshihte dorën. Nuk është zbuluar akoma. Ai kërkohet në të gjithë botën. Ka qindra vjet që nuk e gjejnë dhe vazhdojnë ta kërkojnë më me ngulm se kurrë. Çfarë ka ndodhur më parë? Çfarë ndodh sot? Çfarë do të ndodhte nesër?
Mbuluesi i enigmave ishte i pagjetshëm.
Ai është një mjeshtër i llojit të vet. Një tjetër. Një tjetër histori, që po të tregohej, bota do të mbushej plot me ujë të bollshëm, por askund nuk shfaqej një vend me ujë të pijshëm. Ose kudo mund të gjeje vetëm ujë të turbullt. Mjaft! Çfarë dreq rrëfimi është ky?
Shekspiri u stërvit fshehurazi, për të përballuar çdo situatë të re, të jashtëzakonshme.
Disa rrenacakë kishin hapur fjalë, që, Shekspiri nuk ishte i aftë që ta tregonte një nga historitë e vjetra, sepse ajo ishte aq e ndërlikuar, dhe nuk e kishte zgjedhur askush gjer më sot. Çfarë ? Çfarë? Çfarë thuhet e çfarë nuk thuhet në këtë botë. Si nuk qenka i aftë Shekspiri i madh, për të treguar çfarëdoqoftë, dhe sado e ndërlikuar që të ishte ajo? A nuk kishte Shekspiri një mendje universale? A nuk ishte ai një njeri universal?
Çfarë kërkonte ai, zoti K?
Ndoshta nuk e lanë të tjerët, ose e mashtruan njerëzit , vallë, njerëzit e tij të largët, gjer tek më të afërmit, si vëllezërit dhe motrat. Nëna, ati, kushërinjtë, apo miqtë më të mirë. Çka të ban i joti, nuk ta bën kurrë i huaji.
Kështu thuhej dhe kështu ishte dhe kështu nuk ishte.
Po tjetër?
Një grup simpatik mendonte, që Shekspiri nuk donte ta interpretonte vetë këtë apokalips.
Përse? Sepse do të zbulohej qëllimi i tij i fshehtëdhe i madh.
Çfarë kërkonte? Mos dëshironte të bëhej zëvendësuesi i Hamletit të ri?
Joooo…
Po… ja…
Kadare mund të zbërthente gjithë gjërat e pazbërthyeshme. Një shkrimtar i mirë ka mendjen e tij, stilin e tij dhe fantazinë e tij.
Kadare i njihte mirë kundërmimet e veçanta të çdo fjale.
Ai kishte një nuhatje speciale njerëzore.
Harmonia dhe antiharmonia shkriheshin në njësh, dhe përbënin një mister të vetëm, por tashmë, të ri dhe të guximshëm.
Ishte një betejë tepër e hollë dhe një kalim përtej gjithçkaje gjeniale.
Kadare ngjitej vazhdimisht lart e më lart.
Asgjë nuk mund ta ndalonte marshimin e tij prej maratonomaku grek dhe prej një maratonomaku tjetër universal. Kadare e siguronte universalizmin e tij duke përfshirë gjithçka, si një uragan, pa asnjë përjashtim. Ai ishte i gjithësishëm. Ai zotëronte një çelës universal. Kadare ndiente edhe tërheqjen e trupave të gjithësisë nga njëri tek tjetri.
Andrra të fikura të hedhura në rrugë, bënin një dritë të ëmbël, si të ishin rritur me mjaltë e me bukuri.
Shpresa të rreme luanin bashkë çdo ditë dhe megjithëse gjithnjë humbnin, vazhdonin të luanin pa pushim, gjersa i zinte mëngjesi nëpër rrugët e Brukselit, duke brohoritur.
Njerëzit këtu shihnin më mirë natën se ditën.
Megjithëse tre herë në ditë, edhe me hekur mund ta mbajmë veten, vetëm me hekur.
Si minjtë e uritur kemi rënë në një kurth special.
Ardhur nga Kina e çudive…
Kadare bën pjesë natyrshëm në racën e re të njerëzimit, sepse ai jo vetëm nuk harrohet por as nuk vjetrohet. Ai nuk e njeh sundimin e kohës, të cilës i përkulen miliona njerëz. Ai nuk preferon sensacione boshe. Miliarda të tjerë janë zhytur thellë në një moçal apokaliptik. Të tjerë akoma ndjekin gjithë jetën lojën e paradokseve. Shpesh, këto paradokse nuk ndodhen në librin e autorit, por në kokën e lexuesit.
Kush isha unë? Kush po e tregonte këtë histori? Unë? Përse unë nuk e dija kush isha unë? Me një siguri të plotë? Oh, nëse nuk ka unë as antiunë, çfarë ka atëherë?
Kadare guxon ta zbulojë jetën, atje ku nuk ka mundur askush tjetër. Guximi është thelbi i tij. Kjo i ka dhënë gjithë veprës së Kadaresë një frymë të fuqishme shekspiriane. Ose ai duket sikur kompozon një muzikë të re. Një kryevepër aktuale. Ose një skulpturë të mrekullueshme.
Kadare shkonte prore përtej përtejshmërisë. Atje ku të gjitha gjërat marrin formën e tyre metafizike.
Si një botë tjetër shpaloset para lexuesit gjithë vepra e Kadaresë. Kush e bëri historinë e botës me bujashka tradicionale dhe me kalbësira moderne? A është pena më e fortë se shpata? Njerëzit apo demonët?
Kush do t’i zhdukë moskuptimet ose keqkuptimet? Si duhet t’ua mësojmë popujve leximin e ri? Leximi është muzikë, thoshte Kafka. Një lexim i pastër, i gjallë, i dashur, që depërton gjer në
thellësi të çdo fjale. Apo në thellësinë maksimale.
Një lexim nën ujë, çfarë mund të sillte?
Ai e shikonte botën nga perspektiva e zogut ose e tokës. Nga shteti i diellit apo nga shoqëria e lirë e hënës. Çfarë të shqetëson, i thoshte ai botës.
Kurrsesi, nuk mund të gjeje tek ai një fjalë të tepërt as të mangët. Por koha ishte gjithnjë e pamjaftueshme.
Shkrimtarit të vërtetë nuk i mjafton koha kurrë. Të gjithë janë të pakënaqur me të. E megjithatë, shkrimtari e kryen veprën e vet. Pamjaftueshmëria mund të mundet hap pas hapi.
Kujdes, çfarë të shqetëson? Një presje e vënë keq, apo një pikëpyetje e harruar?
Ti nuk ke sy që të shohësh.
Ti nuk sheh,
Ti je i verbër,
me 4OO sy në ballin tënd lirik.
As i vdekur as i gjallë. Ti nuk ke pasione as emër.
Hej! Kush mund ta interpretojë drejt një artist të madh? Nuk ka keqkuptim më të madh dhe më absurd. Me 4OO sy në ballin tënd epik. Mjaft! Ikja dhe ardhja janë e njëjta gjë. Të vdekur ne jemi ndoshta miq të mirë. Të gjallë jemi armiq të tërbuar. Hej! Hapni sytë mirë. Këtu ka material për një film fantastik me seri. Mund të fitojmë edhe gjërat që quhen të pashitshme.
Mund edhe të humbasim gjëra që nuk do t’i shohim me sy, kurrë më. Mund të bëhemi me dy fytyra, ose me tre. Mund të largohemi nga toka. Po ti, a nuk do të vish me ne? Përse ngurron. Ti nuk ke frikë nga përgjimi. Ah, edhe përgjuesit, kanë uri, kanë etje. Bota jonë është më i madhi burg, më i vjetri dhe më i riu. Më i vërteti. Ah! Këtu nuk ka tiranë me bollëk, ku mund të zgjedhësh tiranin tënd, lirisht.
Diçka më e keqe se vdekja, më ka mbërthyer me litarë prej çeliku. Në të vërtetë, jam tërësisht i lirë. Asgjë nuk ka ndodhur. Diçka më e keqe se vdekja mund të ishte brejtja e trurit. Ty të është prishur gjaku, por ti nuk e kupton çfarë të ka ndodhur. Por, kur ke kuptuar ti, ndonjëherë, diçka më të keqe se vdekja?
Ti nuk ke guxim për asgjë.
Ndoshta më e mira mungon, duke pritur që ta shprehim ne.
Për sa më përket mua, fjala më e lartë është fjala guxim.
Guximi legjendar i Kadaresë.
Guximi i guximeve.
Ai e njihte mirë artin e kalimit nga një guxim te tjetri. Asnjë herë nuk u përkul. Asnjë herë nuk zgjodhi
rrugë të qeta as kompromise të blera me para të pista. Guximi i tij shfaqej në temat madhore që trajtonte, në fjalët që zgjidhte, në figurat e mrekullueshme që i përdorte me një mjeshtri të jashtëzakonshme. Ai ishte i prekshëm dhe e trajtonte çdo temë me një transparencë dhe ironi që merrte përmasa të papara gjer më sot. Kjo ironi e gjithgjendshme pushtonte tërë procesin e krijimit. Ajo ishte një ironi kolosale dhe një metaforë gjeniale, që e bënte tekstin të triumfonte mbi çdo kundërshtar.
Me dashurinë nuk mund të luftosh me asnjë armë dhe me asnjë truk homerik. Dashuria është një dhimbje universale. Por ajo është bërë karikatura e karikaturave. Ruajuni nga hiçi, ruajuni nga kitschi. Ruajuni nga kripa dhe sheqeri. Dhe çdo histori ka një histori tjetër paralele dhe të papërfundueshme. Çdo gjë rifillon nga e para. Çdo histori do të vazhdojë të jetë rrëfimi i moskuptimit.
Prandaj, a nuk presin të gjithë që të jenë një ditë tiranët më të marrë.
Presim posi, çfarë të bëjmë tjetër. Gjithçka do të përsëritet.
Ne pyesim: Kur “do të çhamletizohet” bota dhe njerëzimi?
Gjithçka vazhdon të jetë e pashpjegueshme.
A mos duhet patjetër, që njeriu të mbysë të tjerët, për të mbetur më në fund, i vetëm në skenën e madhe? I vetëm në një duel me veten, me veten, vetëm në një duel, me vetveten, në mes të një fushe të pafundme, të pafundme e të pafundme.
Jo, po , jo, pooooo…
Brenda do të thotë jashtë
Jashtë do të thotë brenda
Ne ua kaluam të gjitha gjërave të guximshme.
Çfarë të bëjmë atëherë? Një skenë nga Amerika.
Asgjë nuk kuptohet. Pse? Askush nuk do të kuptojë asgjë. Pse të kuptojnë, atëherë, kur nuk duan të kuptojnë, aspak? Për çfarë vlen kuptimi? Për asgjë. Kuptimi vetë është disi një lodhje e kotë. Një humbje don kishoteske e kohës. Kuptimi nuk duhet kërkuar. Ai paraqitet vetë me dëshirën e tij.
Guximi është kredoja e brendshme e një shkrimtari të madh. Shkrimtari i madh guxon të paguxueshmen. Arti i madh është i paimagjinueshëm pa guximin artistik. Pa guximin e fuqishëm. Pa shkeljen e rrugëve të pashkelura nga askush tjetër.
Kadareja ishte me të vërtet i guximshëm. Ai e njihte mirë artin e guximit. Asnjëherë nuk ndoqi rrugë mediokre ose boshe. Guximi i tij shfaqej në një prekje të nervit të botës. Ai trajtonte temat e mëdha duke i parë ato në një dritë tjetër, dhe në një vizion të vetin, derisa gjithçka paraqitej e re dhe e freskët, e sidomos origjinale. Aalternativat e mundshme e të pamundshme nuk mungonin kurrsesi. Ai zhytej në thellësitë më të mëdha. Ai depërtonte në zonat më të turbullta e të frikshme. Kadare prekte atje ku nuk guxonte askush tjetër. Guximi i tij merrte përmasa madhore. Me fjalë të rikrijuara dhe me pak gjeste njerëzore, që mund të elektrizonin gjithkënd. Ai mund të arrinte atje ku dukej e paarritshme. Kadare ishte edhe një kryengritës modern, i cili nuk pranonte ekuivokë as kurrfarë dyfytyrësie. Metafora, elipsi, simboli dhe alegoria, kishin një shkëlqim të veçantë. Ai shkruante me lehtësi, edhe për gjërat më të vështira. Ai kishte lindur për të shkruar bukur.
Ai kishte lindur, për të sfiduar kohën dhe vetveten, për të pushtuar gjithë zonat yjore.
Vepra e tij i kaloi shpejt të gjithë kufijtë e mundshëm. Ajo depërtoi gjithkund, me cilësinë e vet gjeniale. Ai ishte një epik i madh, por edhe një lirik i përveçëm, fin, dhe i papërsëdytshëm. Fjala e tij është fjala e re që e ka lindur dhe e ka sjellë tek ne, vetëm ai vetë. Ai ishte jo vetëm një artist i madh, por edhe një titan. Kadare kaloi gjithnjë tutje, në majë të briskut.
Ai iku tutje përmes rrufeve.
që nuk pushonin për asnjë çast,
Ai bënte sikur nuk i shihte.
Çdo gjë është përjetim, thoshte filozofi gjerman, Martin Heidegger, por ndoshta , vijon ai, përjetimi është elementi , në të cilin arti vdes. Vdekja ecën kaq ngadalë saqë ka nevojë për disa shekuj.
Disa shekuj kërkon vdekja.
Vdekja mashtron.
Dhe arti i madh fshihet
në bukurinë e një morri suprem.
Zhurmë në sallë.
Dikush ulërin. Dikush qan. Dikush qesh.
Dikush qesh dhe qan.
Joyce, Joyce, joyce !
Dikush që është më i keq se vdekja dhe më i mirë se një mollë flakë e kuqe.
Kur e shikojmë këtë mollë lakuriq, ajo na duket si një eliksir. Por bota nuk i do mollët, edhe pse ato janë më i bukuri frutë i tokës. Mbi mollën mund të filozofojë gjithë njerëzimi. Por ai nuk e pëlqen filozofimin. Kurrsesi. Kurrsesi. Kurrsesi!
Unë jam shkrimtar, ngulmon ai, jo filozof. Unë dua t’ju tregoj për mrekullitë e njeriut të bërë njeri. Mjaft, por shko shihe me sytë e tu, gjithçka. Emocionet kanë vdekur para dymijë vjetësh. Emocionet kanë dalë tashmë nga moda. Emocion, kjo fjalë është harruar që prej kohërave që nuk mbahen mend. Emocion, emocion, emocion… s’ka pasione, s’ka zakone, s’ka sinqeritet. Për çfarë flet ti, o idiot gjenial? Për bishtin e qenit. Aleluja.
Ai shkruan kryevepra. Por këtu mungon sinqeriteti sublim. Diçka më e keqe se vdekja, ka një pasuri përrallore. Kjo diçka ka një pushtet magjik mbi botën dhe njerëzimin.
Ajo kishte vënë një hije, që të më gjurmonte mua këmba – këmbës. Ditë natë. Pa pushim.
M’u bë akrep. M’u bë akrep. M’u bë akrep
Kadare zbuloi artin e ëndrrave absurde. Ai e zhveshi ëndrrën lakuriq. Vetëm ëndrra ta tregon të vërtetën. Vetëm ëndrra. Vetëm.
Çdo gjë është përjetim i artit të madh. Apo jo? Kadare kërkonte pa kërkuar. Si, kështu? Si mund të kërkohet pa kërkuar?
Ai gjente gjithmonë një perlë. Ah, ajo është e gjitha një emocion. Mjaft! Thoshin që nuk ka më, madje as pasione.
Ndoshta…
Çfarë?
Thuajse të gjitha çmimet e rëndësishme të botës, për letërsinë, ai i fitoi.
Hm! Gjithmonë në veprën e Kadaresë, kemi një perceptim të jashtëzakonshëm të botës dhe njerëzimit. Ky perceptim krejtësisht vetjak, shpalos një kuptim shumë më të ri dhe më të guximshëm. Kadare kridhet në thellësitë më të mëdha të fjalës dhe antifjalës. Por, po ashtu, gjithmonë në një hapësirë të stërmadhe duket e zhduket “tymnaja e dyshimit”. A mos po shkojnë hebrenjtë kundër vetvetes? A mos po rrotullohet bota mbrapsht? Kush po e shkruan kumtin e ri për gjithë njerëzimin? Për të gjithë botën.
A nuk u bë lufta gjëja më qesharake dhe më absurde? Kush kujtohet më për kuptimet e dyta?
Dhe bota nuk merr dot frymë lehtësisht. Bota vuan nga astma.
Kadare është gjithashtu i përveçëm dhe një sovran i artit të madh.
Ai perceptoi nga kjo botë gjërat themelore të jetës dhe të vdekjes. Në perceptimin e tij madhor ndodheshin të gjitha perceptimet e mundshme. Por perceptimi në fjalë, nuk mbetej asnjë herë vetëm perceptim, por bëhej ndijim dhe emocion, për të krijuar kështu një atmosferë inkandeshente universale. Ai bëhet gjithashtu një personalitet universal. Ai ka kuptueshmërinë më të lartë dhe mund të konkurojë edhe me vetë zotin,
Mbrapa çdo fjale mund të zbulohej diçka më e keqe se vdekja, ose më e mirë se gjithçka e derisotme. Një dëgjueshmëri dhe një kuptueshmëri thuajse e pagabueshme, i jepte shkrimit të Kadaresë, një pamje më se të qartë të universales moderne,
E më pas,
një frymë e re
një botë e re
një botë e re
E më pas, mund të zbulohen thesare ose formula të çuditshme. Edhe pa e kuptuar. Mirë bëjmë nëse gjithmonë të kridhemi në botën e emocioneve, të ndjenjave dhe të luftës së fundit. Popujt nuk zenë menë mend kurrë. .
Ai kishte një zë të fuqishëm unik. Me një këndvështrim unik, me një gjuhë unike thuajse personale,
dhe me vizionet dhe me gjetjet e mrekullueshme artistike,
Kadare bëhet Kadare,
dhe ai e pushtoi botën me shpejtësi. Ai zotëronte një mënyrë krejtësisht të vetën, në kapjen dhe kuptimin e diçkaje. Kadare i dha vendit të vet përmasa kozmike. Një kritik i madh vë në në theks qartësisht, “rrokjen e historisë me një frymë të fuqishme shekspiriane.”
Vlerat e shumëveçanta universale dhe kombëtare, e bëjnë atë, një nga shkrimtarët
më të mëdhenj të botës.
Ai bëri sikur iku nga bota jonë. Në të vërtetë Ai mbeti përgjithmonë tek ne. Tek secili prej nesh.
S’mund të bëhej ndryshe. Ai i takonte kujtesës sublime. Jo harresës! Ai i kapërceu me guxim të gjitha rrethimet dhe ndjekjet barbare. Ai e sfidoi botën madje edhe qiellin. Iku vërtet, por u kthye shpejt dhe nisi sakaq një roman të ri…
Ku ike ti pa folur asnjë fjalë, asnjë fjalë të ëmbël?
Hej, çfarë them unë! A mos jam akoma i çmendur?
Ti je këtu ku ke qenë mbrëmë gjer vonë në mëngjes.
Ti je këtu në vitin dymijë e një, në vitin tremijë e pesë.
Të gjitha shtëpitë e botës janë shtëpitë e tua!
Të gjitha shtëpitë e reja që do të ndërtohen
Do të jenë përjetësisht shtëpitë e tua.