More
    KreuArte pamoreFatlum Meholli: Arti distopik i Zdzislaw Beksinskit

    Fatlum Meholli: Arti distopik i Zdzislaw Beksinskit

    Paraqitja e të metave shoqërore përmes artit zë fill qysh në antikitet, megjithatë diskursi distopik intensifikohet në kohërat moderne, përkatësisht në artin dhe letërsinë e shek. XX e tutje. Ta zëmë veprat e Francis Bacon në arte pamore, apo ato të George Orwell, Aldous Huxley etj., në letërsi, janë shembuj tipikë të këtij diskursi.

    Në këtë shkrim do të fokusohemi te Zdzislaw Beksinski, krijimtaria artistike e së cilit ndërlidhet ndjeshëm me imagjinatën distopike që pason nga realiteti brutal i kohës.

    I lindur më 1929 në Sanok të Polonisë, Beksinski do të identifikohet më vonë përmes stilit të tij unik që në artin bashkëkohor gërsheton modalitete surreale, ekspresive për ta rrumbullakuar mendësinë distopike. Studimet për arkitekturë do t’i ndihmojnë atij, ndër tjerash, të manovrojë me perspektivat dhe hapësirat kompozicionale, duke ndërtuar një botë krejt imagjinative, fantastike. Vizualizimet që rrjedhin nga kreativiteti krijues e emocional dhe manifestohen mjeshtërisht, artin e Beksinskit e bëjnë të veçantë dhe tejet interesant. Zdzislaw Beksinski është rast tipik i artistit që krijon art për hir të artit.

    Arti i mirëfilltë duhet të burojë nga impulset e brendshme të individit, duke lënë anash intencën për ta kënaqur masën. Madje shumë studiues kontestojnë “artistllëkun” e një vepre, kur ajo ndërtohet për ta përfituar shijen e masës, por nuk modelohet si përmbushjeje shpirtërore e një aksh krijuesi. Mendësia për të prodhuar vepra që medoemos synojnë receptivitetin kulmor zbeh shkallën estetike dhe kreative, duke rrezikuar që vepra në fjalë të kategorizohet si kitsch ose/dhe schund.

    Kjo dukuri e shëmtuar është tejet e pranishme jo vetëm në artin pamor, por edhe në letërsi, muzikë, film, dramë e kudo tjetër.  Në kohën tonë, aktuale, rasti më ekstrem i shpërfaqjes së cektësisë artistike mbeten rrjetet sociale përmes së cilave, lehtësisht, shpërndahen në masë të madhe copëza, fragmente kinse artistike që grumbullojnë dhjetëra-mijëra pëlqime e shpërndarje, ndonëse ana estetike mbetet e diskutueshme.

    Piktura 1

    Në këtë kontekst po shtrojmë një analogji mes asaj që thotë Umberto Eco rreth lirisë së tepruar të shprehjes në rrjetet sociale e cila hetohet edhe në art:

    “Rrjetet sociale u japin të drejtën legjioneve idiotësh që të flasin, kur para një kohe këtë e bënin vetëm në një bar pas një gote vere, pa e dëmtuar komunitetin. Atëherë ata heshteshin menjeherë, por tani kanë lirinë të flasin njëjtë sikur një fitues i çmimit Nobel. Pra, është njëfarë pushtimi i idiotëve”.[1]

    Nëse një artist, shkrimtar, vendos që të publikojë diçka nga krijimtaria e tij artistike në rrjete sociale dhe ajo merr pëlqime enorme, konsideroj që artisti/shkrimtari në fjalë duhet ta verifikojë dhe kritikojë së afërmi veprën e tij sepse në kohën tonë, fatkeqësisht, vlera ose kualiteti artistik nuk merr vëmendjen e duhur apo masive, sikur që merr një shkarravinë e çfarëdo lloji, apo në rastet më ekstreme budallallëqet individuale.

    Sidoqoftë, ky “mallkim” ndaj artit të mirëfilltë nuk është veç aktual, sepse historikisht dihet fati i artistëve eminentë botëtorë, sidomos në periudhën kur ata vepronin. Mjafton t’ua përmendim emrin dhe historia e tyre dihet natyrshëm: Rembrandt, Vincent van Gogh, Johanes Veermer, Gustav Klimt, Paul Cezanne, Georges Seurat etj., ose shkrimtarë si Gustave Flaubert, Franz Kafka, Marcel Proust e një mori artistësh e shkrimtarësh të tjerë, krijimtaria artistike e të cilëve merr hovin vetëm pas vdekjes së tyre.

    Artisti polak, Zdzislaw Beksinski, hyn në aradhën e gjigantëve botërorë, të cilët përmes artit çlirohen nga krizat ekzistenciale, sociale, politike, familjare… Beksinski karrierën e fillon si fotograf, duke shkrepur një numër të madh fotografish surreale, kryesisht monokromatike, në të cilat dominon subjekti i femrës nudo duke minimuzuar anën seksuale, e duke ngritur lart anën estetike-sensuale. Sidoqoftë, mediumi i fotografisë nuk mbetet horizonti i vetëm me anë të së cilit shndërit brendësia artistike e Beksinskit, madje këtë medium, duke e pasur parasysh ambientin e vogël të qytetit Sanok që nuk i jepte mundësi të shumta për shkrepje novatore, në një intervistë, e konsideron të konsumuar për të.

    Piktura 2

    Andaj, veprimtaria e tij zgjerohet në drejtimin e pikturës, në drejtimin më klasik e fisnik të artit pamor. Piktura ia mundëson që të lundrojë në pjesët më të thella të imagjinatës.

    Çfarë e kënaqë masën? E kënaqë një peizazh real që nuk nxit hapësirë për kurreshtje e përsiatje. Po ashtu paraqitja e një çifti që janë në prag të kurorëzimit të dashurisë së tyre. Apo një portret i një personaliteti shumë të famshëm… Këto nuk bëjnë pjesë në korpusin artistik të Beksinskit. Ai nuk “di” të krijojë vepra të kësaj natyre.

    Pikturat e tij shquhen për modelimin distopik në të gjitha nivelet, duke vënë në pah tmerrin që përjeton individi i shek. XX, luftën, pabarazinë, kaosin shoqëor…

    Piktura 3

    Krejt këto manifestohen përmes një mjeshtërie të rrallë vizuale i ndikuar ndjeshëm nga stili barok chiaroscuro, ku dominojnë ngjyrat e errëta e me nuancë të ulët, teksturat e vrazhda, po ashtu prapavitë gotike e apokaliptike, subjektet imagjinare, arkitektura që shkrihet a digjet, skenat horror në përgjithësi.

    Zdzislaw Beksinski, shpeshherë i identifikuar nga të tjerët me nofkën “Artisti i makthit”, fillon me pikturën nga viti 1970, përkatëisht në moshën 41-vjeçare, dhe gjer në vdekje, më 2005, si një makineri imagjinative prodhon mbi 700 piktura.

    Piktura 4

    Ndër punimet e para konsiderohet piktura e vitit 1970 në të cilën brenda varrit paraqiten dy skeletë afër njëri-tjetrit, në një ambient të mbushur me skeletë të tjerë shoqëruar nga një ndriçim i frikshëm, ndoshta hënor. (piktura 1)

    Piktura tjetër që tashmë gëzon famë shumë të madhe është paraqitja e një individi në formën e insektit/kafshës (?), me kokë të mbuluar me fashë përmes së cilës kullon gjak, ndërsa në prapavinë e errët shihet një kaos zjarri e tymi asocuar me luftën/luftërat. (piktura 2)

    Krejt atipike është edhe piktura ku paraqitet femra e hipur mbi kalë dhe që mban në duar një foshnjë (?), trupat e së cilëve janë të dekonstruktuar në një ambient stuhie duke asocuar me shpejtësinë jetësore e kështu me radhë. (piktura 3) Po ashtu mund ta veçojmë edhe pikturën ku si subjekt janë dy skeletë që përqafohen egërsisht që asocon me pangopësinë ndaj njeriut të dashur. (piktura 4).

    Pothuaj të gjitha punimet e Zdzislaw Beksinski nuk kanë titull, sepse siç thekson ai vet, arti i tij nuk është i paramenduar, punimet e tij materializohen si nevojë për t’u çliruar emocionalisht. Arti i Zdzislaw Beksinski ka karakter asociativ me ç’rast i mbetet receptuestit që të nxjerrë kuptime, të cilat arrihen vetëm përmes një inteligjence të lartë, apo formimi elitar, që vrojtuesi duhet ta posedojë.


    [1]  Umberto Eco, speech, University of Turin, Italy, June 10, 2015.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË