More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFatbardh Amursi (Rustemi): Me kokën pak të anuar, sikur kërkon ndjesë… 

    Fatbardh Amursi (Rustemi): Me kokën pak të anuar, sikur kërkon ndjesë… 

    Poezi, ruhu nga poetët! Kjo thirrje vjen prej të urtëve, qysh prej kohës së Homerit, ngaqë hyjnia e saj rrezikohet vazhdimisht nga profetët e rremë të artit. Sado që t`i shkojnë rrobat një manikine, askush nuk e komplementon: “Sa bukur të rrinë!” Në kohën e teknologjisë u shtuan dhe eksperimentet artistike, por ato: nuk janë privilegj vetëm i autorëve modernë. Krahsoni mundësitë shprehëse të Homerit me të një autori të sotëm, ku e ku nga teknologjia, por, jo figuracioni. Koha nuk është vetëm me ata, që vijnë, por dhe me ata që ishin. Ndaj babai i poezisë nuk u vjetërua kurrë, përkundrazi gjithë modernistët u ulën në sofrën e tij duke marrë embrione për ngjizje veprash e kryeveprash. Thënia e Oscar Wilde se “Misteri i vërtetë i botës nuk qendron në të padukshmen, por në të dukshmen”, pra, në pjesën e dukshme të ajzbergut dhe jo në të padukshmen e tij, të duket si një kundërshti me parimet estetike të Hemiguejt, por dukshmëria, nuk është dukuri vetëm e arteve pamore. Nëse politika bëhet korridoreve, për ngjashmëri: nuk mund të thuash se arti është dukuri e salloneve kozmetike, pavarësisht stilizimeve. Poezi, ruhu nga poetët! Njëherësh dhe poetët duhen ruajtur nga mediokrit, të cilët kanë vetinë, që me kutin e tyre të matin të tjerët. Po kush do t`i ruajë poetët, kur ata me lehtësinë më të madhe nuk kursejnë njeri-tjetrin?

    Në këtë dilemë, Luljeta Lleshanaku, është një shembull se si tredimensionohet poeti, larg mjedisit letrar. Është nga të paktët që afirmohet pa zhurmë, por blici e vë në dukje. Në poezinë “Autoportret në silic” ajo rrëfehet me një gjuhë, në dukje të shtruar, por që mbart sfidë, prish status quo, ngjall kërshëri.

    “Ndjesë se isha prani atëherë/

    kur më ishte kërkuar të isha e padukshme./

    Mos e kërcit lugën kur ha, mos ëndërro me zë,/

    atje ku digjesh-mos bëj tym,/

    atje ku lahesh-mos bëj shkumë,/

    atje ku shkërmoqesh-pendët merri me vete,/

    atje ku shpirti rrëzohet me lastik të këputur nëpër këmbë,/

    ik e mos i dil për zot,/

    dhe, besomë, jeta është më e lehtë/

    nëse je i padukshëm.”

    Nën trysninë e privimit, së ndaluarës për të bërë atë që do, përshtatjes për t`i shpëtuar telasheve, deformimit e tjetërsimit, ajo nuk pranon të konformohet qysh në krye të herës, kur njeriu zgjedh rrugën, që i pëlqen të ecë. Deklarimi: “isha prani atëherë”, kur i kërkohej “të ishte e padukshme”, dëshmon kredon morale të lartë, e vetëdijshme se ç`e pret duke u përballur me rreziqet e një të shenjuare, tagër kritizerësh, që, nuk ta durojnë ngjitjen. Një prani kjo, jo thjesht si ekzistencë, por si vetëdijë, si alter ego, alternativë personaliteti. 

    Si mund t`u kërkohet ndjesë pikërisht atyre, që u ke shpallur luftë? Në konteksin e përdorur, “ndjesa”, nuk ka kuptimin e përulësisë, apo një lehtësim ndërgjegjie e kapur në mëkat, ajo mbart të gjithë ironinë e mundëshme, të atij që e ka fituar garën. “Portreti im nuk ka ndryshuar edhe aq,/me kokën pak të anuar sikur kërkon ndjesë./Ndjesë për se, ndjesë për çfarë/ndjesë se ndodhesha në vendin e gabuar, në kohën e duhur/apo në vendin e duhur, në kohën e gabuar/apo të dyja bashkë?” Kundërshtia nuk është me individ, por me kohën. Kur e pyetën Qiklopin, i goditur në syrin e vetëm se kush e kishte qëlluar, ai iu përgjegj: “askushi”, se si askushi i qe prezantuar Odiseja. Sapo Odiseja bëri gati velat e anijes të nisej dhe, iu prezantua: “Unë jam Odiseje, i biri i Laertit!”, nga shkëmbinjtë nis të hidheshin gurë. Iu vërsulën, pikërisht, në momentin që ai u shfaq si prani.  

    Poetët që jetonin në kryeqytet kishin kundër vetëm diktaturën. Ne të tjerëve na shtohej kundër edhe provinca, e cila ndodh ta kthente pushkën në top. Por, një si Luljeta kishte dhe një erë tjetër kundër, biografinë. Kurorëzimi i vetes në këto kushte dukej thuajse i pamundur. Sikurse në “dhomën e zezë të larjes së filmave, ku një dritë e fortë shpërthen portretet e tyre në bromid argjendi”, autorja shpjegon kalimin nga e padukshmja tek e prania e dukshme, duke mos ngjarë me “negativin e një filmi”. Nëse bëjmë një kalim nga “dhoma e zezë e larjes së filmave” tek ekranet e sotëm televizivë, tek perdja e bardhë e kinemave, ekranet e celularëve, një zbulimi arkeologjik, hiret trupore në shtrat, hapjen e një arkivi, ndodh e njëjta gjë: dalja në dritë. Vendosmëria e të qënit dikushi dyfishohet me “jam prani” dhe “dalje në dritë”. “Një nga gjërat që kam humbur ndër vite është ndrojtja. Isha e ndrojtur fëmijë dhe kisha një ndjesi faji të vazhdueshme.”-shprehet Lleshanaku në një intervistë. Ndroja nuk duhet marrë si inferioritet, si të qënit lehtësisht i intimiduar, por, si një hijeshi e natyrës femërore. Por, duke mos qenë mëkatare, pse duhet ta ndiqte “ndjesia e fajit të vazhdueshëm”? Nëse do, mund të manipulosh me sinqeritetin e saj, me pohimin e “ndjesisë së fajit”, sikurse ndodh rëndom me mendjen e mbrapshta, të cilët me të zezat e tyre nxijnë të tjerët. Për t`mos na lënë gjatë në mëdyshje, ajo shkruan me qartësi drite:

    “Dhe s’e kam ndjerë ndonjëherë shijen e ëmbël të fajit mbi vete/dhe as atë të athtën e pendimit.”

    Ky nuk është një deklarim poetik për të tërhequr vëmendje, por, një nevojë e brendëshme për të dëshmuar karakter, forcë shpirtërore, që e demonstrojnë ata, që kanë investim brenda vetes, akumulim emocional, të gjithë energjinë e mjaftueshme për të ndërmarrë protagonizëm letrar.   

    “Nga leximet e shumta kisha krijuar një imazh ideal të njeriut. Kështu që kisha përshtypjen t`i shihja njerëzit, të tjerët, më të zgjuar, më të pagabueshëm, më të përkryer se veten.”,-rrëfehet ajo, ku raportet me botën i ka përherë të disfavorshme ndaj vetes. E epërmja nuk është materiale, por shpirtërore. Materialja shkon deri në Everest, ndërsa shpirtërorja ngjitet më lart, duke kapur qiellin. Tek shpirti ajo ka investuar, duke mos e ndarë librin nga dora. (“Dhe kush shkon i paditur në Romë, i paditur kthehet.”-konstaton ajo.) Dëshira për të bërë libra ka shpërpjestime dramatike me dëshirën për të lexuar libra, që shfaqet dhe në komunikimin e përditshëm: ku përherë e më shpesh ndesh njerëz, që vetëm duan të flasin, duke u munguar dëshira të të dëgjojnë. “Kur isha fëmijë në shtëpi më këshillonin të bëja kujdes: “Mos harro se kush je!” Kudo e përballur me mentalitete frenuese. Mos për shkaqe biografike i shihte të tjerët më të mëdhenjë nga vetja, apo librat ia idealizuan “tutorët me fajde”? Shtrohet pyetja: viktimë e kujt je, e mirësisë tënde apo e ligësisë të të tjerëve?

    “Mos më vër faj, nëse kam humbur sensin e të shikuarit afër./

    Jam rritur pa një puthje në ballë në mbrëmje para gjumit/

    si gjiri i detit pa një liman./

    S’kam dëgjuar kurrë hapa të fshehtë/poshtë dritares, dhe rrallëherë përshpërima në vesh./

    Ullinjtë në oborr, ishin pronë e shtetit;/…dhe asnjëra prej kokrrave nuk mbërrinte në tryezë./

    Dhe s’jam trembur kurrë nga një gotë e thyer/

    me shenjat e mia të buzëve-mund të kishte qënë një bestytni,/

    -asgjë nuk thyhej, enët laheshin atypëraty./

    S’kam patur kurrë një sirtar/që të mos lehte si kone e rrahur sa herë që futja duart./

    Dhe s’di se ç’është farfurima e një këmishe nate/

    fshehurazi midis dhomave./

    Që atëherë, forca ime nuk vjen nga brenda/

    por, së jashtmi.”

    A mos jemi në limitet e fundit të durimit, ku pamundësi për t`u ngritur mbi ambientin, po e vinte në gjunjë? Nëse i referoheni të gjitha citimeve, një autoportret që të lejon të njihesh me autoren, apo me heroinën e poezive, nuk mund të mos habitesh se si delikatesa ka fituar mbi ashpërsinë, e depersonalizuara të shfaqë aq shumë dinjitet, duke e pranuar sfidën e saj, si një fitore të dukshmes mbi të padukshmen, të pranisë ndaj fshehjes së vetes. Edhe pse të qëllon të lexosh një varg si ky: “Se dinjiteti, në mos i trashëgueshëm, mund të jetë ngjitës.” 

     *** 

    Nëse fëmijëria dhe adoleshenca i përkasin provincës, edhe kur bëhet qytetare e botës, Luljeta nuk kalon në ekstremin kozmopolit. Lulet artificiale nuk i këmben me lulkat. Xhiblat me xhinglat. Tashmë banore e një bote me të tjera përmasa, shprehitë e të shikuarit për gjërave e afërta nuk i ka humbur. Duke ikur larg, pa vendlindje, pa atdhe, pa të afërt, miq e shokë, mos fillon koha e distancave, ku nga lartësira të imagjinuara mashtron veten se ia dole të fitosh sfidën me një botë, që bëri gjithçka për të mos lënë të dalësh në dritë?  Duke kaluar nga bota e vogël e provincës me ndalesa tek kjo e madhja, ku të lëjohet gjithçka, poezia e saj u bë më e lirë? Ka pësuar një hop në raport me muzën? Nuk ndihet ndonjë dallim, është po ajo. Nga një vajzë e mbyllur, sikurse donin të rritej në provincë, tani në botën e madhe mos po mbyllet në vetvete? Rreziku ekziston.

     “Thuhet,/se qenë pikërisht parfumet,/

    ngurrim për të lënë Versajën pa aromat e saj të preferuara trupore/(kur kuajt hingëllinin rrezikun në oborr),

    /shkaku që i mori jetën Maria Antuanetës./

    Një herë bagazhi im/

    Mbërriti dy ditë pas meje në Dublin./

    Të brendshmet, këpucët numër 37, takëmi i higjenës/

    tharësja e flokëve, këmisha e natës, valiumet,/

    novela e përthyer në faqen me gërma korsive/

    dhe fustanet medium-petite,/

    vërtiteshin të hutuara, analfabete/

    në trasportierët e boshatisur të aeroporteve transit”

    Në Versajën e Maria Antonetës aroma e luleve ishte aq dehëse, sa madamave u binte të fiktë. Pikërisht kjo aromë e tepruar për shtresën mondane, ndolli erën e barutit. Bastija bie dhe mbretëresha përfundon në gijotinë. Por, aroma e gruas ndjell veçse kalorësit. Një të tillë kishte dhe mbretëresha. Ndërsa tek Lleshanaku dashuria vjen më së shumti me shenja, se sa me trazime.

    “Më në fund, mund të shtrihem në atë shtrat/

    të rregulluar nga duar anonime,/

    do të tendosem midis gjërave të mia të humbura/

    (pyetjeve që u ngutën të merrnin përgjigje)/

    si një fill tregues prej mëndafshi/

    midis fletëve të sapolexuara të librit.”

    Një natyrë e butë, që gabimisht mund të merret si një “natyrë e qetë”, e cila nuk shfaq nxitim, shpejtësinë ua lë reaktivëve, gjithsesi reminishencat e një kohe të dhunëshme tentojnë t`ia egërsojnë dashurinë:

    “Ajo futet në rrjedhën e gjërave me arrogancë/

    si heshtja që pason trokitjet e çekiçit të gjyqtarit gjatë seancës./

    Gjithë qënia përkundet nga puhia me e vogël/

    një arë e ardhur gruri që pret për t`u korrur”,

     shkruan ajo në poezinë “Kur dashuria jep një shenjë”, ku finesa e vargut alternon “arrogancën” me “heshtjen”, “puhinë e vogël” me “troktitjen e çekiçit të gjyqtarit”, që përjetohet e gjitha si pasion. Edhe në një kohë tjetër, edhe në një botë tjetër, Luljeta ndjehet e sulmuar, për shkak të “qënit prani”.

    “Lakuriq nate ndërgjegjia jote e gjymtuar/

    verbohet e përplaset në dritë!/

    E tmerrshme të gdhihesh e të ngrysesh me këtë shpend të zi në shpirt!”

    (Një të tillë, që ngryset e kthehet me “shpend të zi në shpirt” e has cilido, që shkakton zili, trazon botën e ndenjur të mediokritetit, e cila dikton kushte, zoti mos dhëntë dhe shijet.) Si një dallgë e ngrirë shkulur nga gjoksi i tij, ajo kërkon strehë tek një zambak, ku bunkerët dalin jashtë loje. I përkasim një vendi, ku gjithkush rendi për të shpëtuar kokën.

    “Diçka e gatuar shpejt, një kokë viçi. Hisja ime është gjuha./

    Thonë se, po të hash gjuhë, gjuha të rritet;/

    po të hash syrin, do të kesh shenjë të mirë./

    E nëse ha libra, do të hash veten,/

    pak e nga pak, nga qoshet në qendër,/

    si makinat korrëse në fermat kolektive.”

    Në një mjedis shqiptarësh në Insbruk, më qëlloi të ishte ditë Bajrami, mësova se autoritetet nuk lejonin konsumimin e kokës së qengjit, deles apo viçit. Vetëm shqiptarët e hanin fshehurazi. Autorja e poezisë duke pranuar se për hise kishte gjuhën dhe se gjuha rritet, oreksi vjen duke ngrënë, u vjen radha librave dhe ky shoqërimi i imazhesh më shpie tek mallkimi i hyjnive oborrtare të Olimpit drejtuar Prometeut: “se mjerimet më të mëdha i sjell bash ajo gjuh` e gjatë”. “Së keqes nuk i dilet me gjoks. E keqja mori fund vetë. Sado e madhe që të jetë, e keqja ka momentin e saj të ngopjes: peshkaqenët ngopen, luftërat ngopen, turrat e druve ngopen, ngopen epidemitë, kolera dhe murtaja ngopen, akullnajat ngopen… Edhe diktaturat ngopen, derisa nxjerrin squfur prej stomakut të prishur.”-shkruan ajo e çliruar prej “shpendit të zi”, ku ngopja e së keqes, kthehet në shpëtim. 

    Në një intervistë në ExLibris, Ervin Hatibi, shtron një problem, jo vetëm etike: “Unë lexoj vazhdimisht poezi shqipe, po nuk di a e bëjnë të tjerët të njëjtën gjë me mua?”-shprehet Ervin Hatibi dhe ajo i bashkëngjitet shqetësimit të tij: “Ne nuk kemi arritur të konsolidohemi, të krijojmë integritet, respekt dhe besueshmëri as para njeri-tjetrit, e jo më tek publiku… Kjo është arsyeja që mungon dhe fryma e komunitetit mes artistëve… Çdo gjë mbetet përballje individuale, mbyllje në guackë.” Këtij shqetësimi i bashkohet dhe autori i këtyre radhëve. Poetesha shpëtimin e sheh duke larguar nga vetja realitete dëshpëruese, të cilat ta helmojnë qetësinë me lëndime, duke mos u dëgjuar as këshilla e Majakovskit: “Në zemrën që digjet nuk hyhet me çizme, por me ledhatime.” Nëse poetët nuk krijojnë frymë, kush do përballet me sojin e atyre, që ta marrin frymën?! Rilindasit dhe poetët e viteve `60-të krijuan frymë. Vetëm plejadat sjellin poetë. Heroi i vetmuar mbetet në të gjithë kohërat të jetë personazh dhe jo autor. Edhe i vetëm trim në luftë nuk fuksionon në art. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË