Në kohën e urrejtjes klasore, të hakmarrjes mikroborgjeze, të shtymës për në ferr pasi kishe bërë një xhiro nga Parajsa, ishte poezia dhe dashuria, që do e mbante gjallë shpirtin e Pano Taçit. Një kimist mund ta ilustronte me H2 plus O baras me ujë, që i jep jetë gjithësisë. Do jetë bashkudhëtar me poezinë që nga mosha 11-vjeçare, kur në kafen “Kursal” të kohës së mbretërisë do njihte Fishtën, Lasgushin dhe Ali Asllanin, kur në moshën 18-vjecare do ishte në një shkollë me Ismail Kadarenë dhe Agim Shehun, pa e braktisur asnjëherë muzën deri në moshën 82-vjecare kur ulej të shkruante në kohën e demokracisë sa tek “Tajvani” dhe “Europa”, i qerasur nga pronari. Ndërsa të dashurat, duke i numëruar i dilnin nja 15, do i kish që nga bangat e shkollës në Gjirokastër, në Lushnjë ku ishte i internuar dhe në Tiranë, ku kamarieres i tregon poezi me seks dhe ajo e habitur i thotë: “Të dija serjoz”. S`kish tjetër veç poezisë dhe të dashurave, gjyshi që i dërgonte nga 10 dollarë çdo muaj ishte përtej oqeanit. Mbahu Pano, mos kij frikë, se ke gjyshin në Amerikë?!
Ky shpirt që mardh do veç pak zjarr,
Të shkrihet gjithë prej mundit,
Në s`më je dashuri e parë,
Je dhimbja ime e fundit!
Poezia këmbente vend me dashurinë, duke mos lënë hapsirë boshe për një të tretë, sikurse e kudondodhura parti, për më tepër tek një Debatikas dhe partizan. I zhgënjyer u rri larg dashurive fiktive. “Që kur shpresa, më ka mashtruar,/Që kur malli, s`më ç`malli kurrë.”
Rebel, kur gris flamurin e fashizmit si Debatikas. Kryengritës, kur i ngjitet malit si partizan. Aventurier, në historitë rozë kur sundonte e kuqja. I revoltuar, kur vendos të arratisej për të takuar gjyshin në Amerikë. Sfidantë, kur vishej me kostum dhe kollare të prashiste a të ujiste në fushat e Savrës të Lushnjes si i internuar apo kur vishej me zhele në demokraci, ngaqë s`i jepnin lekët e burgut. Nëse i vjen për të sharë, ai shan, edhe pse e di ç`e pret në kohën e temenave, lepe-peqeve, duke mos llogaritur asnjëherë koston e sjelljeve të tij. Nuk e njeh pendesën, sikurse nuk pret ndjesë nga askush. I burgosur disa herë, por, në vend të imazhit të burgaxhiut lë tek ty atë të kavalierit. Të krijohet kjo ndjesi, kur i lexon poezitë apo i dëgjon rrëfimet, ndaj një kameriere që i servir kafen e eklipson gardianin që i sillte supën e burgut. Ndodh kështu se ai nuk ka lejuar të përdoret nga politika apo të përfitojë nga biografia. Në të gjitha kohërat “biografia e mirë” pret shpërblime nga shteti.
Duke ia besuar shpirtin poezisë ka bindjen se ajo do t`ia mbajë gjallë emrin, sikurse shprehet në këto vargje dalë prej shpirtit: Zonjat “zgjatin duart zënë metaforat i bëjnë inxhi gushe”; studentet “u këpusin rimat e i bëjnë numra telefoni për të dashurit”; plakat e sofateve “i zënë dhe i kthejnë në filxhane kafeje”, sarhoshët mbushin gotat, dehur nga aromë e femrës, fshatarët i bëjnë vargjet plugje dhe, pasi marrin gjithë sa mundin tek ai, ç`mbeti për të? “Unë i zoti që i krijova me brum shpirti,/tri ditë pa ngrënë, tri dite pa tymosur,/Dal parqeve të gjej ndonjë bisht cigareje.” Një poezi si kjo gatuhet gjatë tek një njeri bujar, që i ka provuar të gjitha dhe kërkon t`i flasë kësaj bote të shurdhët, së cilës i jep gjithçka, duke mos i kërkuar asgjë! Më keq akoma; e prangos. Një poezi si kjo, teston morali e shoqërisë, që pak e nga pak po i del turpi. Ata, që e kanë njohur thonë se Pano e vendoste cigaren e radhës në çibuk dhe e thithte fort si të ishte e fundit dhe me bishtin e mbetur ndizte cigaren tjetër. “S’më gjen gjë, vdekja s’guxon të afrohet”-shprehet bohemi, i cili 24 vite i shkoi në burgje dhe internime. (Kur gazetarja e pyet: Si ke jetuar në kohën e komunizmit? Ai i përgjigjet: Kam jetuar mirë.)
I pëlqen të kujtojë dasmën e mbretit Zog, si të gjejë atje arsyen e takimit me poezinë, pavarësisht se gjyshin e ka fanolist. “Isha veshur bukur. Në një anë shërbehej plot luks për të pasurit e në një anë kazanët me gjellë që shpërndaheshin për fukarenjtë.”-kujton ai, si i ndodhur në një udhëjryq. Nga do të merrte jeta e tij: nga banketi apo kazani i fukarasë? Nga Amerika ku kish gjyshin apo nga barakat e Savrës së Lushnjes? Sqimën e ka të lartë, ndaj i pëlqen të thotë: “I ndërroja kostumet tjetër në paradite dhe tjetër mbasdite.” (Në vitin 1961 martohet dhe në 1962-in burgoset. E lë e shoqja. Kur e takonte i biri, i mësuar prej së ëmës, e shante të atin: “Gangster! Vagabond, je armik!” dhe ai ia pranonte: “po kështu jam”.)
Në kafe “Kursal” njihet me Lasgushin, Ali Asllanin dhe: “Fishtën e kam njojtur që nga koha e Zogut, se dajua im Thomai ka qenë shok i Fishtës, ka qenë deputet. Mua më merrte dajua me vete. Ai më mbante mua si djalin e tij. Vinte te kafe “Kursali”. Ka qenë një kafe e bukur ajo, kafe borgjeze. Në një anë luhesh kumar, në një anë kishte këngëtare serbe, maqedonase, greke. Ato këndonin, në anën tjetër pihej kafe.” I magjepsuar nga Lasgushi i afrohet dhe e prek me droje. “Njeri qenke?-i thashë. “Po njeri jam”, ma ktheu dhe qeshi.” Kjo magjepsje u ndodh vetëm atyre, që ndjejnë brenda vetes hyjninë e talentit. Me ndërmjetësinë e Lasgushit boton poezinë e parë në revistën “Bleta”.
Në fillim Debatikas dhe më pas partizan 16-vjecar, kthehet në qytet si çlirimtar, por shpejt do i mungonte liria. Shkak: dalldia rinore. “Zjarri rinor që është aq e vështirë për t`u kontrolluar më kishte futur shpesh në bela.”-shkruan presidentit amerikan Benjamin Franklin në ditarin e tij. “Në Gjirokastër ka qenë F. Kokona. E kam dashur shumë. Atë e donte edhe Ismaili Kadare dhe Agim Shehu. Ishin në klasë më poshtë se mua ata. Ajo fliste me mua. Vinte të dajo Thomai. Unë vishesha bukur, serioz. Kurse Ismaili në atë kohë ka qenë i varfër dhe Agimi ka qenë kaçurrels, si një ari i vogël. Ajo ishte një brune kaq e bukur! Me mua i pëlqente të bisedonte. Uleshim në park. Ismaili më fliste. Unë e ngacmoja. Që atëkohë jemi njohur me Ismailin. Ka qenë poet shumë i mirë që atëherë.” Të duket si një “princ i kaltër” dalë nga martesa e mbretit Zog, në fakt, sapo kish hequr uniformën e partizanit, ku komandanti dhe komisari përfundojnë në burg ngaqë s`i deshte Enveri. “Kur bënin gjimnastikë, vajzave që më pëlqenin unë iu fusja nëpër çanta trëndafila, zambakë, kurse atyre që grindeshin me mua ju bëja karamele ku fusja brenda kakardhi.” Shpesh një fije e ndan kavalierin nga vagabondi. Përjashtohet nga shkolla me motivacionin “dashuri borgjeze” për vjershën që i kushton vajzës që dashuronte. Zjarri rinor e fut në bela. “Doja vajzën e një gjenerali unë, që edhe ai më vonë hëngri kokën. Ishte vajza e Spiro Moisiut. E kisha në bangë. Kam qenë nxënës i notës 10 absolute (trandafili, zambaku), por me notë të thyer në sjellje (karamelja me kakardhi).” Dashuria për zeshkanen e bukur, që e adhuronin poetët dhe poezia kushtuar vajzës së gjeneralit, njëherësh e marrin në qafë. “Do iki në Greqi dhe, që andej te gjyshi në Amerikë. Sa ta shoh Akropolin dhe pastaj le të vdes!” Nuk i ndriti fati i Arshi Pipës, Martin Camajt apo i Bilal Xhaferrit. Nis kështu kalvari i tij prej 24 vitesh nëpër burgje dhe internime. (Mund ta kem gabim, por s`më rrihet pa e thënë: poetët, shkrimtarët e përndjekur, qoftë dhe “Mandela i Shqipërisë” shkrimtari Pjetër Arbnori që desh të ngrinte një parti social-demokrate si ajo e Ton Doshit, të cilët, më parë kishin qenë partizanë në luftë, komunistë apo me poste në diktaturë, paragjykohen ende krahasuar nga ata me “njollë në biografi”, “reaksionarët”, si më të avantazhuar. I qahet halli më shumë atyre, që jetuan në Perëndim, se sa një si Pano Taçi?! Kam parasysh dhe Vehbi Skënderin, Fadil Paçramin, etj. Sikurse, Kadaresë nuk i falin gramin, sa e sa artikuj negativistë kundër tij, kur për të tjerët heshtet, madje thuhen fjalë të mira për kritikun Razi Brahimi?!)
Kur një poet i burgosur, i arrestuar në “emër të popullit” shkruan vargje për atdheun, për më tepër një ish-partizan, zgjon interes të dish: a kanë ndryshuar raportet e tij me atdheun kundrejt të qënit: herë partizan dhe herë i burgosur si armik? “Atdhe, në u çmendsha ndonjëherë,/të shpif, të derdh farmak,/plumbi yt që do më bjerë,/tradhëtar është fare pak.” S`më kam rastisur të konstatoj, që një i persekutuar të thotë një fjalë të keqe ndaj atdheut, përkundër të përkëdhelurve të regjimit, të cilët: për dështimet e tyre fajsojnë atdheun. Poeti i persekutuar Pano Taçi shfaq dhe çaste përbetimi: “Në mohoj plagët a shokët,/më pështy dhe e kam hak,/dhe pështyma është pak!” Kush ia punonte shokut mburrej për ideal të partisë. “Martin Camaj nuk i lejoi vetes asnjëherë që, duke përfituar prej lirisë që i jepte mërgimi, të shkruante kundër sivëllezërve të tij në Shqipëri.”,-shkruan Kadare. Pano kujtonte se një nga miqtë e tij dikurshëm, ishte dhe Martin Camaj, i dënuar si pjesëmarrës në kryengritjen e Postribës, që pas burgut mundi të arratisej nga Shqipëria.
Në Beden të Kavajës, kamp pune, Pano shkruan poezinë “Duart që m`i puthi nëna” (1947).
I fus në xhep të ngrohen pak,
Polici vjen m’i lidh me tel.
Teli më hyn në mish, në gjak,
Pastaj m’i varin në çengel.
Kur të m’i heqin telat nënë,
Nga duart ngjyrosur mavi,
Xhepat duart nuk do m’i nxënë,
S’do di se ku t`i fus, s`do di!
Po iki dhe pse shumë gjëra
Pa bërë nga pas do t’i lë,
Dëgjoj nga qielli shumë zëra,
Të nënës e dalloj mbi çdo zë.
Ndjen po atë dhimbje, kur lexon poezinë e Eseninit “Letër nënës”, pavarësisht se njëri e qetëson nënën nga një lajm i rremë, se dikush e ka qëlluar me thikë në një mejhanë, ndërsa vargjet e Panos i shkruan një i torturuar.
Kërkoj veten që s’e kam.
A ma pa njeri?
Dua të di cili jam
Me kaq plagë në gji?
Nuk ka hall se s’po njeh veten, halli më i madh është se mos nuk e njeh e dashura.
Të shkoj, s’guxoj se mund ta shoh,
Ajo më pret, ç’të bëj nuk di.
Nuk di, nëse do mund ta njoh,
S’është më ajo, s’jam më ai.
U zhbë, u tjetërsua, apo të tjerë hiqen si ai, duke i vjedhur identitetin? Janë çaste, kur vuajtja të madhon apo të kthen në një rruqe.
Përsëri në një kamp pune. Këtë radhë në Kuçovë (1949), ku punohet për ngritjen e një aerodromi. Shkruan poezinë “Dëshmia e lisit”. Ç`vlerë kanë krahët e avionit, nëse poetit i shkulen krahët?
“Më thanë: “Lulëzo filiz’ i blertë!”
U thashë: “Jam degëz e djegur pa fletë.”
Më thanë: “Këndo ëmbël i tëri!”
U thashë: “Jam çajkë që i është ngjirur zëri.
E, me degët e mia kafazin bënë,
Më ndrynë brenda të mos më dëgjonin zënë.”
Lisin po duan ta kthejnë në arkmort.
Kur ambasadori i parë amerikan, Rajerson, vjen në Shqipëri, e fton poetin në ambasadë. Ishin hapur rrugët dhe linjat ajrore. Poeti nuk do i përngjante një “lisi të rrëzuem përdhe”. Pasi i flet shqip, ambasadori i thotë se shqipen ia kish mësuar gjyshi i Panos, i diplomuar në Sorbonë si jurist dhe ekonomist, madje i tregon dhe një foto, ku ishte dhe Pano i vogël. (Arratisja ishte realizuar me shtegtimin e imazhit përmes një fotoje.) “Më donte. Më thoshte gjithmonë: “Më kujton nipin tim Panon, që e kam në Shqipëri.” Një ngjarje e bujshme, që ta kish një tjetër, do shpërndahej në të gjithë mediat, por dhe Pano e tregon në një kohë, kur lajm bëjnë miset që takojnë në burgje emra të njohur të botës së krimit.
Pano shkruan poezi sa tek kafe “Tajvani” dhe tek “Evropa”, ku pronari i jep kafe gratis. Një biznesmen i boton librat. Sali Berisha i akordon pensionin e veçantë. (Pengu i tij: “Demokraci: Mos unë jam më i shpejtuar dhe ti je e vonuar?”) Ashiku vazhdon të shkruajë vargje si këto:
“Dhe pse jam plak, ma do ky shpirt,
Të bëhem sonte, sërish djalë.
Tym më nxjerr koka për një flirt,
Si plak pa lekë, s’bëhet fjalë.”
E dashura i ikur me gomone në Itali, por e kthejnë, ngaqë dokumentet ishin fals, por në vargjet e tij ajo frymëzon. “Thashë ia gjeja gjurmën hijes,/Që le ti e pas unë mbeta.” Befas hija merr trajën e një femre: “I shushatur rashë të flë,/Nga ajo që më shushati./Zgjata dorën që ta zë/Aty te shtrati” Mos është ëndërr mashtruese? Ngaqë realiteti është rrëshqitës, mbivendosje imazhesh, fanitje, ashiku përhumbet. “Ikë e shka si t’ishe troftë,/Valës së vështrimit.”
Shtëpinë e dikurshme familjarët e shesin si truall për një pallat dhe secili marrin nga një hyrje, veç poetit, i cili ende llogaritej si banor i shtëpisë pa qera. (Le të presi radhën kur të ndahet qielli, do e ngushëllonte Hajne.) Duke qenë shpirtëror s`kish punë me sendet, pasi të gjitha lidhjet e tij ishin me poezinë dhe të dashurat, dy streha që rrallë kush mund t’i ketë, njëkohësisht. Atdheun e tij përherë e kanë të tjerët. Ai duhet vetëm kur atdheu është në rrezik. Ulet e shkruan për ahun plak. Ndryshe nga lisi, dushku, ahu, të duket sikur mbart dhe psherëtimën: “ah”.
“I dehur nga era, ahu plak shikonte
Trupin brinjë tharë te pasqyra e vaut,
Teksa rridhte lumi, vala i vallzonte
Me hijen e dehur të valles së ahut.
I zhveshur lakuriq, me zemër të vrarë,
Një çerdhe që kishte ja mori era.
Vallen makabre hedh brinjë tharë.
Blerim vyshkur nëpër humnera.
Tek shoh ahun si plak mendoj
Se ai me mua krejt ngjason.”
Në kontekstin e jetës së tij, vargu: “Një çerdhe që kish ia mori era”, të lejon të heqësh një paralele me episodin e përmendur më sipër.Poeti Sadik Bejko më tregonte një histori interesante për Sterjo Spasen, i cili kur vjen në Tiranë, shtëpinë e vë në emrin e gruas. Pse kështu, i thotë një koleg. “Ku dihet si na merr jeta ne të shkrimeve?!”-i përgjigjet shkrimtari. Një specialist jetëgjatësinë e një peme 300 vjeçare në pyjet e Ersekës, që i kishte shpëtuar sharrës e shpjegoi me shtrëmbësinë e trungut dhe të degëve. Nëse do ishte me trupin si selvi, sharra apo sëpata, do e paloste me të parën. (Në një konkurs të zhvilluar në burg Pano Taçit i jepet çmimi i parë. Në juri ishin: Gjergj Bubani, Mihal Zallari, Anton Frashëri, Et’hem Haxhiademi, Ali Cungu. Shpërblim i këtij çmimi nuk ishte vetëm moral por edhe material, ku Pano “fitoi” 10 paketa cigare, një pako kafe dhe një kg sheqer.) Një çmim ky, që rrallë të bie rasti ta marrësh, pikërisht atje, ku vlera e njeriut humbet.