More
    KreuPanairFabio Massimo Rocchi: FjalaFest - Letërsia Shqipe në Milano.

    Fabio Massimo Rocchi: FjalaFest – Letërsia Shqipe në Milano.

    Reflektime dhe këndvështrime të reja

    Sapo përfundoi në Milano edicioni i dytë i FjalaFest, një ngjarje kushtuar Letërsisë Shqipe në Itali. Festivali u organizua mjeshtërisht në Qendrën Kulturore “Slow Mill” nga një ekip pune i drejtuar nga Besmir Rrjolli, themelues i Shoqatës “Dora e Pajtimit”. Isha i pranishëm atje, pas përkthimit në gjuhën italiane – si zakonisht, i realizuar në çift me Kriselda Beqaj Rocchi – të antologjisë së autorëve bashkëkohorë që u prezantua në atë kontekst; njëkohësisht, pata kënaqësinë të moderoja panelin kushtuar përkthimit dhe disa diskutime të tjera. Më duket me vend të ndaj disa reflektime, pas një momenti ballafaqimi që u zhvillua për plot tri ditë (26-28 shtator) në një atmosferë entuziazmi dhe feste, ku vlerat e letërsisë u vendosën në qendër të një debati të artikuluar, të ndarë mes shkrimtarësh, studiuesish, profesorësh universitarë, eksponentësh të politikës, operatorësh kulturorë, artistësh dhe fotografësh. Komunitetet intelektuale shqiptare – ai që banon në atdhe dhe ai i diasporave të shumta ndërkombëtare – dialoguan mbi të tashmen dhe të ardhmen e letërsisë shqipe, përballë një publiku të përbërë nga lexues dhe njerëz të interesuar për një lëvizje që m’u duk në rritje.

    Letërsia shqipe bashkëkohore, e propozuar në një vizion të përditësuar falë një perspektive që ka lejuar të përqafojë edhe territore të ndryshme prej kufijve kombëtarë, duket se ka arritur, me vullnetin dhe vetëdijen e saj, në një moment domethënës kthese. Ngjarja, pra, e ka bërë të qartë vlerën e saj jo vetëm në kuadrin e dialogut kulturor italo-shqiptar, por edhe në një drejtim kritik, të aftë për të ofruar pika sinteze për disa dominante stilistike e formale që janë tashmë në zhvillim dhe që ndoshta duken të destinuara të karakterizojnë njëfarë lloj vështrimi njohës dhe narrativ që këtej e tutje.

    Manifestimi u zhvillua gjithashtu falë bashkëfinancimit nga MEKI (Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e Shqipërisë) dhe mbështetjes së Konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Milano. Inaugurimi zyrtar, jo rastësisht, pa pjesëmarrjen e figurave të shquara si Anila Pojani, Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, Raffaele Cattaneo, Nënsekretar i Kryesisë së Rajonit të Lombardisë, dhe Marzia Pontone, Kryetare e Komisionit për Edukimin e Bashkisë së Milanos, gjë që dëshmon angazhimin konkret të botës institucionale për të nënvizuar vlerën kulturore dhe strategjike të nismës.

    Me vullnetin e Profesor Stefan Çapalikut, kurator dhe përgjegjës shkencor i këtij edicioni, manifestimi shfaqi qartë një fokus logjik të saktë, i cili përmblidhet në makrotemë «Versus Europa». Kjo linjë editoriale i orientoi takimet, duke mos favorizuar vetëm prezantimin e veprave, por duke nxitur zhvillimin e një debati të thellë mbi rolin e letërsisë shqipe në kontekstin evropian dhe mbi implikimet e saj sociale e civilë. Besoj se është e detyrueshme t’i njihen punës së Çapalikut, i cili është vetë shkrimtar e dramaturg përveçse studiues, dy arritje të rëndësishme. E para, zgjerimi i konceptit të kanonit të letërsisë së sotme shqipe në territore historikisht të afërta por në fakt të ndryshme nga nënë-atdheu, si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi; dhe e dyta, bashkëprania e brezave të largët, rrethanë kjo që e hartëzon plotësisht bashkëkohoren duke e ndarë atë, siç ndodh gjithmonë, në dy hemisfera të integruara por pjesërisht heterogjene. Ajo e brezit të të rinjve, vështrimi i të cilëve projektohet natyrshëm përtej, duke kapur nuanca novatore dhe urgjenca ende të pashkelura; dhe ajo e brezave në të cilët ky lloj vështrimi shpaloset në mënyra më të kujdesshme, sigurisht të kalitura nga shqyrtimi i përvojës dhe i historisë.

    Këto dy intuita morën formë në një antologji e cila, duke përfshirë prozë dhe poezi dhe duke mbledhur disa nga zërat më domethënës të periudhës, përfaqësoi një nga risitë më të forta ndër ato të propozuara në këtë edicion të dytë. FjalaFest, pra, pikërisht rreth këtij vëllimi, ka bashkuar një grup të madh autorësh shqiptarë, duke ofruar një pasqyrë të larmishme dhe shumë interesante të prodhimit letrar aktual. Ndër emrat e pjesëmarrësve më lejohet të përmend ndër të parët atë të Visar Zhitit, vepra e të cilit është, prej vitesh edhe në Itali, shprehje e dhimbshme dhe granitore e një memorie historike komplekse, i shoqëruar nga shkrimtarë si Selma Dino, Lulzim Haziri, Durim Taçi, Virion Graçi, Ndue Ukaj, Ledia Dushi, Marsela Neni, Mark Lucgjonaj dhe Andreas Dushi.

    Një antologji që hap një rrugë dhe që orienton vështrimin drejt botëve të tjera (dhe drejt temave të tjera).

    Ideja për të konkretizuar fermentin letrar që buron nga autorët e përzgjedhur në një antologji, e cila në fakt është një libër i mirëfilltë, dëshmon gjendjen aktuale të disa tendencave të letërsisë shqipe të ditëve tona dhe, në mënyrë plotësuese, paraqet, siç thashë, vlerën e bashkimit në një vend të vetëm të shkrimtarëve që u përkasin brezave të ndryshëm, të përfshirë në një interval kohor që shkon nga vitet Pesëdhjetë deri në fund të viteve Nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Të kesh njëkohësisht një bashkëprani vizionesh dhe qasjesh të shpërndara në më shumë gjini dhe në më shumë nivele shprehjeje lejon të vlerësosh jo vetëm veçantitë e autorëve të përfshirë në të, por bën të mundur edhe ndonjë konsideratë me karakter diakronik, në lidhje me bashkëkohësinë më të ngushtë të letërsisë së Shqipërisë.

    Rënia e diktaturës komuniste në vitin 1991 përfaqësoi një thyerje radikale jo vetëm në historinë politike të kombit, por edhe në prodhimin e tij letrar. Kalimi i shpejtë nga një regjim tepër censurues, ku letërsia i ishte nënshtruar diktatit të realizmit socialist të tipit sovjetik, drejt një shoqërie të karakterizuar nga një prirje marramendëse ndaj kapitalizmit të vonë me natyrë spekulative, hapi hapësira shprehjeje sa të paeksploruara aq edhe thellësisht problematike. Letërsia shqipe pas vitit 1991, pra, konfigurohet si një shkrim post-traumatik, e detyruar të rishqyrtojë jo vetëm temat, por edhe mjetet e veta, funksionin e saj dhe publikun e saj. Në një dimension pothuajse agonistik me atë që kishte mbizotëruar më parë, në atë fazë të tranzicionit të parë, temat që kishin zënë spontanisht vend ishin matur me një sërë opsionesh të kufizuara. Rievokimi i një Shqipërie paramoderne; përvoja e mërgimit dhe e zhdukjes së dyfishtë e përballuar me guxim nga emigrantët, ku mbizotëronte një nostalgji për një tjetër vend kurrë tërësisht të zotëruar; dhe, mbi të gjitha, sugjestioni më i fortë i ndier nga shkrimtarët, ai i rindërtimit të së kaluarës, shpesh në formën e denoncimit ose të revizionizmit kritik. Shumica e autorëve përfundoi shumë shpejt duke u ballafaquar pa ndërprerje me shokun kolektiv të diktaturës, me heshtjet e imponuara, me demaskimin e hipokrizisë ideologjike, e cila nxirrte në dritë pa kompromis thyerjen ekzistuese mes të vërtetës historike dhe të vërtetës së përjetuar. Për më tepër, në gjuhë të ndryshme nga ajo amtare, dolën edhe në pah vepra që alternonin dokumentin dhe fiksionin, autobiografinë dhe alegorinë, vepra tërheqëse, veçanërisht në një fazë të parë, për tregun perëndimor, i cili shfaqi një uri gati të sëmurë për histori mjerimi, abuzimi dhe dëshpërimi që vinin nga një botë deri pak kohë më parë e pakalueshme. Ky aspekt i fundit padyshim ngre çështje metodologjike dhe të teorisë letrare që nuk është rasti t’i thellojmë këtu. Sigurisht, duhet specifikuar se në ato raste kemi qenë dëshmitarë, madje dhe mbi të gjitha në Itali, të fenomeneve letrare me interes shumë të madh, të cilat megjithatë nuk i përkisnin plotësisht as letërsisë së gjuhës burimore as asaj të gjuhës pritëse, duke zgjeruar hapësirat botuese të disponueshme në atë kohë dhe duke krijuar një enklavë të mirëfilltë me prejardhje shqiptare, e lidhur pjesërisht me letërsinë në gjuhën amtare dhe e pajisur njëkohësisht me origjinalitetin e vet.

    Bëhej fjalë, në të gjitha këto raste, për një letërsi që përpiqej t’i jepte zë asaj që ishte hequr menjëherë, me qëllimin për të rindërtuar një ndërgjegje kolektive që të shërbente disi edhe si një paralajmërim për brezat e rinj. Më duket se mund të pohoj që ajo fazë e gjatë dhe po aq legjitime, që zgjati mbi tridhjetë vjet dhe ishte gjithmonë në mes të shkrimeve historiko-realiste dhe dëshmuese, tani është shumë pranë eklipsit të saj përfundimtar, për arsye do të thoja të natyrshme. Dhe, jo rastësisht, një nga veçantitë më të mëdha të shumë prej teksteve që përbëjnë antologjinë e prezantuar në FjalaFest është ajo që i bashkon ato – duke lënë mënjanë pabarazitë e imagjinatave të ndryshme autoriale – rreth një supozimi jo të natyrës estetike apo stilistike, por tematike. Del në pah një hiper-realizëm vizionar që qëllimisht deformon të dhënën e përjetueshme, duke e riinterpretuar atë në dritën e vullneteve të reja përshkruese. Edhe aty ku projektohet një vështrim retrospektiv mbi të kaluarën, kjo bëhet me një ton dhe një qasje tjetërsuese, thellësisht të vetëdijshëm për nevojën e mjeteve më shpërthyese se sa kronika e thjeshtë. Rezultati është një letërsi që vë në krizë vetë konceptin e përkatësisë, duke ripërcaktuar kufijtë e kanonit kombëtar dhe duke shprehur njëkohësisht kalimin në drejtim të një dimensioni, do të thoja, më të thellë: në mohimin e një rremitjeje të dhimbshme dhe në të njëjtën kohë të kënaqur në kujtesë, gjejmë një rezistencë që shpreh qartë një dëshirë për të kthyer faqe, një akt simbolik, ekzistencial dhe politik, i cili i jep kësaj zgjedhje dimensione autoriale përfundimisht shpërthyese. Tekstet e përmbledhura shfaqin konkretisht shfaqjet më të ndryshme të kësaj perspektive, e cila në pjesën më të madhe është ende e pa botuar dhe në zhvillim e sipër pikërisht në pesëvjeçarin e fundit.

    Dialogu me botën e universitetit dhe të botimeve

    Në një këndvështrim më shkencor dhe akademik, gjithmonë i vetëdijshëm për nevojën për të ndërmjetësuar koncepte komplekse te publiku, FjalaFest priti një kontribut me rëndësi kushtuar historisë së ndërmjetësimit kulturor: prezantimi “Të dhëna historike mbi përkthimin në italisht të letërsisë shqipe”, mbajtur nga Profesoresha Blerina Suta, pedagoge e Albanologjisë në Universitetin e Napolit L’Orientale, dhe moderuar nga shkrimtari dhe përkthyesi Durim Taçi, bëri të mundur përvetësimin e mjeteve shtesë për kuptimin e së tashmes, duke nisur nga një analizë skrupuloze dhe e dokumentuar e proceseve të së kaluarës. Ky thellim ofroi një përvetësim të natyrës filologjike, do të thoja thelbësor, për të inkuadruar pritjen e kulturës shqiptare në Itali. Thelbësor për suksesin e Festivalit ishte vendosja, e dëshiruar nga kuratori dhe e ruajtur gjithmonë nga të gjithë pjesëmarrësit, e një niveli dialogu të hapur dhe pothuajse bisedor, megjithëse i ushqyer me evidenca, për të krijuar një urë profesionale ndërlidhëse mes komunitetit të specialistëve dhe publikut; jo rastësisht, nuk munguan ndërhyrjet dhe pyetjet nga salla që e ringjallën disa herë diskutimin. Po aq e rëndësishme, bashkë me panoramën e rindërtuar nga Blerina Suta, ishte dhe trajtimi me dy zëra i një teme tepër aktuale, ajo e marrëdhënieve mes letërsisë dhe politikës. Në një takim të moderuar shkëlqyeshëm nga shkrimtari Andreas Dushi, Profesor Matteo Mandalà, i Universitetit të Palermos, dhe Visar Zhiti – eksperienca dramatike e jetës së të cilit përkujtoi shtrembërimet e një mendimi të njëanshëm dhe të verbër – i dhanë jetë, me përmbajtje të pakundërshtueshme, një dialogu në distancë me thellësi të madhe intelektuale. Në tryezën e rrumbullakët pasuese, kushtuar botës së botimeve dhe aktorëve të fazës së domosdoshme të përkthimit, botuesi Livio Muci bëri thirrje për domosdoshmërinë e një sinergjie totale të të gjithë komponentëve në lojë, duke përfshirë në radhë të parë institucionet, duke gjetur mbështetje te publiku dhe duke lejuar sondimin nga afër të kërkesave dhe pritshmërive të komunitetit të lexuesve.

    Një nga momentet përmbyllëse dhe më të pritura u përqendrua në fund në ndarjen e “Çmimit vjetor për Përkthimin më të Mirë nga Shqipja në Italisht”. Kjo mirënjohje, që nxjerr në pah profesionalizmin dhe rëndësinë e ndërmjetësimit gjuhësor, iu dha Julian Zhara-s për përkthimin e romanit Të çmendur në Parajsë (Il paradiso dei folli) të Virion Graçi-t, botuar këtë vit 2025 nga Bibliotheka Edizioni. Çmimi u krijua pikërisht për të nënvizuar rëndësinë e punës së transpozimit nga një gjuhë në tjetrën, thelbësore për qarkullimin e veprave dhe për pasurimin e trashëgimisë letrare italiane edhe përmes zërave shqiptarë ende fatkeqësisht pak të njohur ose pak të lexuar në kompleksitetin e tyre. Ceremonia e ndarjes së çmimit ishte, pra, vula e një ngjarjeje kulturore që diti të balancojë prezantimin e autorëve me reflektimin mbi strukturat dhe figurat profesionale që bëjnë të mundur dialogun kulturor mes dy vendeve dhe dy mënyrave të bërit letërsi gjithnjë e më të afërta.

    Si intelektual italian që, megjithëse jep mësim dhe lexon për profesion edhe në shqip, vazhdon të studiojë kryesisht në gjuhën e vet – duke pasur mundësinë të përfitojë edhe nga përkthime nga botë të tjera që më lejojnë të vazhdoj thellimin e studimit të letërsisë ndërkombëtare në një perspektivë të krahasuar – dëshiroj të ndaj me lexuesit e «Ex Libris» një konsideratë të fundit. Ky edicion i FjalaFest jo vetëm që dokumentoi pluralitetin kulturor të lëvizjes letrare shqipe bashkëkohore: ai shfaqi një shumëllojshmëri vizionesh dhe gjenealogjish brenda këtij universi. Edhe në diversitetin thelbësor të gjestit individual të autorëve të veçantë, kam parë një dëshirë e përbashkët, bashkë me një mënyrë të re të banimit të së tashmes letrare. Bëhet fjalë për një të tashme të ndikuar nga tendencat e narrativës më të mirë ndërkombëtare të dekadave të fundit (Roberto Bolaño, Haruki Murakami, Emmanuel Carrère, Paolo Giordano, Judith Hermann, Christian Kracht dhe Mircea Cărtărescu, vetëm për të përmendur disa emra), në të cilën, në një përfaqësim pothuajse haluçinant të reales, ëndrra dhe realiteti shkrihen, duke i zbehur kufijtë mes intimes dhe universales, mes konkretes dhe fantastikes. Në një kohë kur diskutohet për “letërsi bashkëkohore” si një bashkësi e hapur, e përqendruar jo më në një gjuhë të vetme amtare apo në një traditë të vetme, këto tri ditë diskutimi, në këndvështrimin tim, ofruan me forcë një shenjë të prekshme se sa shumë një transformim i tillë po bëhet gjithnjë e më aktual edhe në trojet shqiptare.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË