Ora po shkonte katër dhe ma n’fund, nuk kisha mâ njerëz në zyrë dhe as makina në radhë. Dola nga kapanoni me idenë që të kaloja nga klubi për me u freskú me ndonjì pije, por ndalova disa çaste mëdyshas; më lindi ideja me kalú nga drejtoria, për me sqarú diçka. Gjatë atyne pak sekontave në dilemë, m’u afrue një burrë i g’jatë, me do kaçurrela të zverdhun nga koha dhe të pabindun prej erës, që po frynte egërsisht në ato çaste. Nuk ishte hera e parë që po e takoja për at’ ditë, e kisha pa edhe në mjes herët. Makina e tij, një benz 240D, kishte kênë makina e parë që po priste për kontroll fizik. Sa ngriti kofonon e benzit, nisa me dyshú se diçka nuk shkonte me at’ makinë; por, kur hodha sytë te numri i shasisë, dyshimi m’u kthý në siguri. I thashë qetë-qetë se bante mirë me shkú, pasi makina nuk e kalonte dot testin. Më ndoqi deri te zyra, pasi ishte tip që nuk bindej dot lehtë. Ia spjegova disa herë situatën, të cilën e kishte krejt të kjartë, por parapëlqente me luejtë rolin e budallait. Dikur hoqi dorë nga tentativat për me m’bindë. Rashë pak në qetësi dhe nisa me u marrë me punët e ditës. Diku pas një ore, e pashë të fliste me drejtorin dhe pastaj më hupi nga sytë. Dhe ja tani, ku më mbiu prapë me atë të folmen e tij plot pështymë.
– O inxhinier, prit pak se e kam edhe njì fjalë me ty!
– Me ty kam mbarú punë, s’kena se shka me folë mâ. – Fola e u nisa për nga drejtoria.
– Ore nji fjalë ke me ma ndî ti, se të drejtên e fjalës s’ma ka hjekë as prokurori i diktaturës
– Prokurori?!… Po, edhe kjo na ka mbetë. Nëse don, po ta plotsoj qysh tash denoncimin për fallsifikim.
– Ore inxhinier, nuk më tremb dot me prokurori e polici, se ia kam pî langun burgut; tetëmdhêtë vite kam kalú n’Spaç e n’Burrel.
Kto fjanë m’banë me ndalú, kisha dhimbtë edhe respekt të madh për të burgosunit politik. Një miku jêm kish ba një poezi që mu m’pëlqente shumë. “Burrat na i kanë vra”, ia kishte vú titullin. Një mik tjetër shtonte se, edhe ata që përfunduen burgjeve janë të shlyem para Zotit, respekt edhe për ata që punuen në miniera e koprativa kurse pjesa tjetër e atij brezi, ka borxhe për me lá. U ktheva nga i zoti i benzit, era ia kishte çoroditë krej flokët, por ai asqë bante përpjekjen ma t’vogël me i ndreqë.
– Ke kênë në Burrel, ti?
– Në Burrel e n’Spaç… Ma kanë nxî jetên në minierë e në dhomën e izolimit. Eh! more inxhinier, un’ jam rob i mbaruem. Kam ba njì listë… – Futi dorën në xhep e nxuer një fletë të zverdhun nga koha dhe ma drejtoi: – Ky ktu asht prokurori, ky tjetri polici që m’arrestoi, kurse kta të dy janë dy shokët e mi spiuna që m’paditên…
Lista vazhdonte me të tjerë prokururorë e policë, me dy gjyqtarë, një sekretar partie e disa komunistë të lagjes, për me përfundú me gardianët e burgut dhe forcat speciale. Nuk kishte vú numër rendor, por patjetër që lista përfshinte ma shumë se njëzet persona. Ndërsa i lexonte emnat e tyne, jepte edhe spjegimet e rastit mbi poshtërsitë që i kishin ba. Kur mbrrini n’fund, ndaloi pak, kroi zânin e vazhdoi:
– Nuk kam t’ngîmë me i vrá krejt ktò maskarej dhe… po s’ma bane qat’ letêr që m’lypet, tuj ta futë edhe ty emnin n’kyt listë jam.
– Po m’kërcnon, kshtu?!
– Jo, more inxhinier, ti u bafsh ‘i qind vjeç! Ku mundem me i vrá un’ tanë kta, he qiti Zot faret!, shumë paskan kênë…
– Po pse po thue pra, se don me m’futë n’atë listë?
Nga ajo që më tha, mbeta pà argument. Ia ngula sytë ftyrës së reshkun të ish-minatorit të burgosun, tú dashtë me e ruejtë seriozitin e rastit, por befas m’kapi njì e qeshun e fortë. Qeshi edhe ai me mú, nisi me m’rrahë shpatullat; e kuptoi se e kishte fitú betejën. Sikurse më treguen te klubi, ky zotnija, pasi kishte dështú në takimin me drejtorin, kishte nisë tú i dvetë të tanë për mú. Donte me ditë se jam liberal apo autoritar, i drejtë apo dredharak, spiun apo antitotalitarist, materialist apo shpirtmirë… Si e kish mbledhë tanë két informacion, tú i dvetë krejt njerzit që hyjshin e dilshin prej lokalit; kish ndërtú strategjinë për me m’folë, njashtu siç e përshkrova.
Nuk e pashë mâ. Për vite e vite me radhë, nuk ndig’jova kurrgja për tê; derisa, një ditë, e pashë në emisionin e lajmeve të darkës. Edhe pse ishte endè e djathta në pushtet, të burgosunit politik po banin protestë. Ai e kishte lagë krejt trupin me benzinë dhe po i kërkonte dikujt çakmakun. Ia mrrini me ia vú flakën vetes, por policët dhe shokët, nuk e lanë me u djegë; ia shuen flakët me një batanie dhe e lidhën mbi shtratin e një autoambulance, e cila mbiu pà pritë e pà kujtú në vendngjarje.
Ishim në një lokal të madh në qendër të qytetit dhe shumë njerëz e njihnin. Filloi një garë interesante, se kush do tregonte ma shumë histori për tê. Ndig’juem plot ndodhi, njana ma e çuditshme se tjetra. Një burrë në moshë, tha se kishte kenë në Spaç me tê dhe mbante mend se si ai, kishte kenë një ndër pjestarët ma aktivë të revoltës së të burgosunve atje. Ai na tregoi se si, kur kish dalë prej burgut, në vitin 1991, kish privatizú një fabrikë mielli; të cilën, pak ma vonë e kish lanë peng në nji bankë dhe, gjithë lekët e kredisë i kish harxhú me udhtime turistike. Dikush tregonte se si kish dashtë me u arratisë në kohën e diktaturës, dikush tjetër se si i kishte sjellë rrotull policët që kishin shkú me e arrestú, në fshatin e tij aty mes malesh. Kur u ndërtú Rruga e Kombit, në kufinin mes Oroshit dhe Fanit, kjo rrugë kish hjedhë shtat, bash mbi themelet e shpisë së tij, Két gja ma kish tregú një miku jêm shkrimtar, njëkohsisht edhe bashkfshatar i tij.
Të nesermen në darkë, greva e të përsekutuemve vazhdonte endè. Kësaj radhe, ai kish zg’jedhë me mbajtë çakmakun, kurse miku i tij ish lá n’benzinë. Ia ktheu borxhin mikut të tij, tú ia hjedhë çakmakun e ndezun mbi shpinë. Két herë policët nuk ndërhynë, edhe ambulanca s’u pa kund e shokët e tyne, nuk ia mbrrinen me i shú flakët. Një ditë më pas, pamë edhe funeralin e mikut të tij…
Kaluen shumë vite dhe gadi e kisha harrú krejt si njeri kur, befas, u shfaq sërish në ekranin e televizorit. E kishin arrestú në Suedi, për mashtrim të mbetun në tentativë. Si kish ba kjo vaki? Pasi kish pré një sigurim jete, ia kish mrrî me inskenú vdekjen e vet. Paratë e sigurimit të jetës, do të kalonin në një llogari bankare, në emën të një nipi që nuk egzistonte. E kishin kapë teksa po tërhiqte koronat në bankë, me një kartë bankomati, që nuk dihej se si e kish sigurú. Avokati, kish ngritë një linjë mbrojtjeje, tú u bazú te shëndeti mendor i dobsuem i të akuzuemit; si tú pasë parasysh moshën e tij, ashtu edhe burgjet e tmerrshme të diktaturës që kishte kalú. Në ekran ai shfaqej i qeshun, por jo si budallë. E qeshuna e tij ishte sfiduese. Dukej sikur u thoshte: “E di, m’keni kapë. Po, shka keni me m’ba?! Me ato që kam kalú un’, kto dënimet tueja m’duken si gostitje. Ju bani tuejen, un’ têmen e Zoti t’veten. Do ketë një vend për mú n’két botë, se nuk kam gjuetë Kishën n’gurë. Sa ka shpresë, ka jetë. Kush e di moti siellet, sod âsht vrantë e nese kthiellet… “
Po e shihja prej ekranit, at’ ftyrë t’rreshkun prej motit po kurrë t’dorzueme, teksa i kisha halà të gjalla n’kujtesë, ato fjaltë e tij që ia kishin mbrrî me ma lkundë skrupulozitetin e punës; pasi m’kish kërcnú se do t’më fuste në at’ listën e tij me policë, prokurorë dhe spiuna të Diktaturës së Proletariatit:
– Mos u tremb, he burrë, se s’mbrrinë kurrë puna deri te ti; veç… n’t’ardhtë mârre me ndejtë m’nji listë me kta derra, ma ban njatë copë letêr.
Analizë Kritiko-Letrare
Nga Meritan Spahia
Tregimi “Ândrrimtari i squet” është një prozë e ngjeshur dhe mjeshtërore që ndërthur realitetin postkomunist shqiptar, pasojat shpirtërore e sociale të diktaturës, me një portretizim të jashtëzakonshëm të një personazhi të pazakontë – një “ëndërrimtar”, një viktimë dhe një shpëtimtar të vetvetes, që endet ndërmjet dramës dhe farsës.
1. Titulli dhe koncepti i “ëndërrimtarit të squet”. Titulli është një oksimoron poetik: një “ëndërrimtar”, figurë zakonisht e përfshirë në iluzion dhe idealizëm, shoqërohet me epitetin “i squet” (i mprehtë, i mençur, i kthjellët). Kjo bashkëvendosje krijon që në krye një tension të brendshëm të personazhit, i cili luhatet mes iluzioneve të lirisë dhe realitetit të hidhur të pafuqisë në një shoqëri të deformuar. Ai nuk është thjesht një “i çmendur” i rrugës, por një njohës i thellë i sistemit, që ka zgjedhur vetë të luajë teatër me të.
2. Struktura dhe rrëfimi. Tregimi është ndërtuar si një rrëfim retrospektiv, ku narratori (një inxhinier teknik) është dëshmitar i një ngjarjeje të vogël por me jehonë të madhe njerëzore, dhe më pas pasqyron fatin e personazhit kryesor përmes kujtimeve dhe raportimeve të njerëzve të tjerë. Struktura është e lirë, si një rrëfim oral që e pasuron tregimin me nuanca gojore, frazeologji të zonës dhe një realizëm të natyrshëm.
3. Gjuha dhe stili. Gjuha është një ndër elementët më të veçantë të tregimit: dialekti geg përdoret jo vetëm për ngjyrosje lokale, por edhe si mjet i afërt me të vërtetën, që jep zë autentik figurës së ish-të burgosurit. Stili përzihet midis ironisë, komikës së zezë dhe patetikut. Momente si lista e armiqve, kërcënimi për ta futur inxhinierin në të, vetëdjegia e paralajmëruar me benzinë – janë skena groteske që shërbejnë për të treguar absurditetin tragjik të tranzicionit shqiptar.
4. Personazhi kryesor: Ish-i burgosuri – hero, viktimë apo mitoman? Ky është një nga personazhet më të ndërlikuar të prozës së tranzicionit shqiptar:
• Heroik në të shkuarën e tij (revoltat në Spaç, qëndresa ndaj sistemit),
• i përbuzur dhe i harruar në të tashmen (vetëdjegia në një grevë pa rezultat),
• qesharak dhe tragjik në veprimet e tij (mashtrimi në Suedi, lista “e hakmarrjes”). Ai shfaqet si një simbol i atij brezi të përndjekur që kërkoi drejtësi dhe doli pa gjë, që kërkoi dinjitet dhe përfundoi i përbuzun, që kërcënon dhe lutet njëkohësisht, dhe që përfundon si një viktimë e vetvetes dhe sistemit njëherësh.
5. Tema kryesore: Post-tranzicioni dhe trauma. Tregimi është një reflektim mbi tranzicionin shqiptar dhe se si ai trajtoi njerëzit që kishin vuajtur nga diktatura:
• Hipokrizia institucionale – as drejtori, as shteti, nuk i japin zgjidhje, vetëm pengesa dhe burokraci.
• Përçmimi i vuajtjes – martirët e djeshëm s’janë më të dobishëm për sistemin.
• Teatraliteti i shoqërisë post-komuniste – ku gjithçka është spektakël, ku edhe një njeri që vetëdigjet bëhet objekt gojëdhënash e kureshtjesh kafenesh.
• Faji kolektiv dhe harresa – mjafton që një individ të “çmendet” për të mos qenë më i besueshëm. Faji i të tjerëve fshihet pas etiketimit të tij si i krisur.
6. Kuptimi simbolik i “listës”: Lista që mban personazhi është një dokument i dhimbjes, por edhe i dështimit për drejtësi. Ajo është një akt i përhershëm akuze, por edhe një mënyrë për ta mbajtur gjallë qëllimin e jetës. Kërcënimi për të futur edhe rrëfimtarin në të është një gjest absurd, por edhe metaforik: askush nuk është plotësisht jashtë sistemit të fajit – ose je viktimë, ose bashkëpunëtor i heshtur.
7. Ironia e fatit dhe trajektorja në kohë: Nga një figurë me ideale në një trickster të epokës moderne – që mashtron bankat në Suedi dhe sfidon televizionin me një buzëqeshje të vetëdijshme – ai përshkon të gjithë spektrin nga tragjedia në farsë, duke ironizuar të gjithë procesin e kalimit nga diktatura në demokraci.
Përfundim: Tregimi “Ândrrimtari i squet” është një satirë e hidhur dhe poetike mbi plagët e pashëruara të diktaturës dhe tranzicionit shqiptar. Ai ndërton një figurë të paharrueshme, ku ndërthuren dhimbja, dëshira për drejtësi, ironia, çmenduria dhe zgjuarsia, dhe e vendos në një shoqëri ku ndërgjegjja është bërë mall i tepërt, ndërsa absurditeti është bërë mënyrë e zakonshme jete. Një tregim që vlen të lexohet disa herë – herën e parë për historinë, herën e dytë për nuancat, dhe herën e tretë për reflektimin që shkakton mbi ne vetë.
Shkodër, 2025