Përpiquni të përfytyroni një botë ku mungojnë njerëzit që dinë të buzëqeshin. Një botë pa ata që kanë mundësi të hedhin vështrimin përtej së dukshmes, e të dallojnë diçka që është ende e paformë, por që intuita e tyre e ndjen si të duhurën. Mendoni një turmë njerëzish që qëndrojnë në pritje, me lodhjen dhe mosbesimin që iu lexohen në sy dhe në shpirt, përpara një podiumi ku kanë hipur njerëz të tjerë, që lëvizin buzët, shtrëngojnë muskujt e fytyrës, i shtendosin më pas, por nuk nxjerrin asnjë tingull. Nuk kanë zë. Një botë ku është e vështirë të njohësh trajtat e atyre që kanë çelur një shteg me hapa të dallueshëm, ku shumëçka është një përsëritje e lodhshme, e pangjyrë, e meskinitetit dhe monotonisë së jetës.
Në këtë skenar distopik, tani fusni brenda kornizës edhe njerëzit që kanë krijuar modele me punën dhe veprimtarinë profesionale të tyre. Ata që kanë arritur të ofrojnë një ndryshim të panoramës shoqërore, politike, ekonomike në shoqëri. Mes këtyre trajtave të përveçme, në hapësirën e vendit tonë ato që mund të dallohen më lehtë, kanë fizionominë e grave, sepse kanë qenë të rralla dhe përherë e kanë pasur të vështirë të shquhen në një vend ku ka mbizotëruar protagonizmi i burrave në çdo aspekt të jetës.
Me t’i dalluar kush janë, e kupton që bëhet fjalë për një angazhim të madh, për të dhënë me përkushtim dhe mençuri, krejt sa mund të jepet prej vetes, në dobi të shoqërisë shqiptare. E në fakt, gratë e mençura nuk kërkojnë të zënë vend në qendër, por bëhen vetë qendra kur u jepet mundësia të ndryshojnë dinamikat e kësaj shoqërie. Valentina Leskaj mishëron me dinjitet këtë botëkuptim, që ka udhëhequr angazhimin e saj të pandërprerë në jetën publike shqiptare. Prania e saj nuk ka qenë simbolike në sipërfaqet shumëfishta të karrierës që ka çuar përpara në jetë; ajo ka qenë përherë e kthjellët në përmbajtje, e qëndrueshme në vlera dhe e qartë në largpamësinë e saj dhe në një Shqipëri të trazuar nga ndryshime të mëdha socio-ekonomike, ka zënë vend në radhët e para të politikës, duke përcjellë një zë të përveçëm, të qartë, në një terren ku figura e udhëheqësve tradicionalë vijonte të dominonte fjalën publike. Përballë kësaj logjike pushteti, solli një tjetër paradigmë: të kujdesesh për ata që nuk kanë zë, të dëgjosh të papërfaqësuarit, të thuash të vërtetën dhe të synosh shndërrohesh në energji frymëzuese për të tjerët.
Me përkushtim të veçantë ndaj shtresave të margjinalizuara, edukimit dhe zhvillimit social, Leskaj ka pasur një rrugëtim profesional që ka kaluar në institucione të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit, nga sallat ndërkombëtare të OKB-së, në atë të politikave publike, në fushatat për emancipimin gjinor, por edhe pranë njerëzve të thjeshtë, në kontakt me botën e zakonshme ku gjallon përditshmëria, në rrethinat më të largëta të vendit, duke u bërë urë midis jetës publike, politikës së mirëfilltë dhe jetës reale.
Kjo mund të jetë një pikënisje leximi e librit “Politika si ide”: jo një rrëfim që kërkon të mbyllë një cikël, por si një reflektim që hap shtigje të reja mendimi dhe veprimi. Në vizionin e autores, politika nuk është qëllim më vete, por një formë e lartë përgjegjësie dhe ndjeshmërie njerëzore. Nuk kemi të bëjmë me një libër kujtimesh as me një ditar politik, por me një tekst që ndërmjetëson mes përvojës dhe mendimit, mes jetës së brendshme dhe angazhimit publik. Me një ritëm të qetë, por të ngarkuar me reflektim, Valentina Leskaj sjell detaje të çmuara nga përvoja e saj në politikë dhe në shoqërinë civile, duke ndërtuar një strukturë rrëfimi ku shfaqet jo vetëm rrugëtimi profesional, por edhe tensioni i përhershëm mes angazhimit dhe brishtësisë njerëzore. Lexuesi futet brenda një rrugëtimi ku nuk mungon asnjëherë krahasimi me Shqipërinë e ditëve të sotme. Çfarë mund t’i thotë përvoja e së kaluarës bashkëkohësisë? Si mund të shkohet në një drejtim të konsoliduar nga gurë kilometrikë të vendosur prej atyre që dolën në pah me idetë dhe nismat e reja, pas ndërrimit të sistemit ne vitet ’90?
Që në faqet e para, autorja vendos në qendër njeriun. Dhe pa humbur kohë, përqendrohet mbi figurën e gruas shqiptare, jo si një figurë abstrakte përfaqësimi, por si një qenie konkrete, që ka luftuar për arsim, për dinjitet, për zë. Selfixhe Ciu Broja, Ollga Plumbi, Musine Kokalari, Urani Rumbo, Mila Vangjeli, motrat Qiriazi… nuk janë thjesht emra të njohur, por shtresat e para të ndërgjegjes së pavarur femërore në Shqipëri.
Kjo është mënyra si ftohet lexuesi brenda këtij libri: të njohë zërin e autores, të gjejë kujtimet e saj, të qëndrojë në refleksionet për të djeshmen, që duhet të ushqejë dhe bashkëkohësinë. Në përshkrimin e kësaj bote, zëri rrëfimtar bëhet thuajse i tejdukshëm, njësohet me rrëfimin dhe, krejt papritur, lexuesi ndjen se është duke përjetuar jo vetëm kujtesën historike, por edhe ekuilibrin e brendshëm që zonja Leskaj ka treguar gjatë gjithë jetës së saj: një ekuilibër që të ndihmon të kuptosh cila është pjesa e rrugës ku duhet të shmangesh dhe cili është drejtimi ku duhet të qëndrosh i palëkundur. E gjithë kjo bëhet me finesë, pa imponim, pa moralizim. Jemi përballë një peizazhi personazhesh që janë ndërlidhur në një mënyrë apo një tjetër me jetën e saj dhe që marrin domethënie për mënyrën se si shtresëzohen në këtë rrëfim.
Nuk ka gjë më të vështirë sesa t’u japësh tingull ngjarjeve: të provosh të dëshmosh ekzistencën përmes filtrit të përvojave të mëparshme, me kujdesin për të mos u shfaqur si dikush që kërkon të tregojë për të marrë merita. Autorja e librit nuk bën asgjë nga këto. Për të, politika është një portë e madhe ku shumë mund të hyjnë, por pak mund të lënë gjurmë në terrenin pas saj. Ky angazhim politik e shoqëror ka pikënisje nga një episod i thjeshtë, që daton në vitin 1986, në fshatin Kllobçisht të Dibrës e që i jep drejtim zgjedhjeve të mëpasme në jetë:
“Gjatë rrugës, më tërhoqi vëmendjen një grua, që po punonte tokën. Ishte një ditë shumë e ftohtë, binte një tis dëbore që më shumë dukej si grimca akulli. E veshur me një triko të vjetër, një fund të hollë, këpucë llastiku e një shami të bardhë në kokë…”
E pyeti: “Si jeni?”
Ajo u përgjigj thjesht: “Mirë.”
Pastaj: “Sa fëmijë ke?”
“Dhjetë.”
“Çfarë iu jep për të ngrënë?”
“Bukë dhe ujë… nëse kam, i shtij edhe pak sheqer.” Kjo nuk është thjesht një histori. Është një pasqyrë e një realiteti të harruar. “Kjo grua,” — shkruan autorja, — “është përgjigjja pse jam angazhuar dhe pse besoj se kemi detyrimin të jemi zëri i atyre që nuk dëgjohen.”
Në këtë rrëfim, individi bëhet ndërgjegje. Një ndërgjegje që zgjerohet dhe merr trajtë në angazhimin qytetar, më vonë në politikë, por gjithmonë me një pikënisje të qartë: humanizmin dhe përkushtimin ndaj atyre që historia nuk i identifikon dot më vete dhe politika thuajse përherë i lë të papërfaqësuar.
2. Përtej kufijve: nga misionet ndërkombëtare te mesazhi i Nelson Mandelës
Robben Island.
Një ishull i vogël, i mbytur nga erërat e Oqeanit Atlantik, që mban mbi vete një nga peshat më të mëdha të kujtesës njerëzore. Gurët e ftohtë të burgut nuk janë vetëm struktura të braktisura tanimë, por shenja të një kohe që nuk ka më kthim, një kohë që ikën pambarimisht, me plagët e lëna mbi shpirtin e njeriut. Muret e Robben Island-it nuk flasin, por ruajnë kujtesën e errët të kohës: britmat, heshtjet, dëshpërimet dhe, më rrallë, shpresat që rrinë të ngurosura mes gjurmëve të jetës së dikurshme. Këtu, mendimet e njerëzve që u izoluan nga bota e lirë, kohë pas kohe shndërroheshin në vegime, e vetëm tek më të fortët, atje ku ndërgjegjja dhe parimet ishin mbi gjithçka, mund të shndërroheshin në dritare të vogla, që hapeshin errësirën dhe lejonin të dilnin drejt qiellit, lutjet e pazëshme.
Në këtë hapësirë që duket jashtë kohe, por që i përket tokës, pat ndodhur përballja me një dhimbje që nuk mbetet në nivelin e personales, por prekte ndërgjegjen njerëzore në tërësi. Pikërisht këtu, përmes këtij makthi shkespirian, ngrihet figura e Nelson Mandelës, njeriut që vendosi të mos shkatërrojë, por të ndërtojë, që nuk zgjodhi hakmarrjen, por faljen.
Në marsin e vitit 2000, Valentina Leskaj udhëton drejt Afrikës së Jugut. Vizita në burgun e Robben Island-it ishte një moment i rëndësishëm, jo vetëm për shkak të peshës simbolike të vendit, por për shkak të asaj që ajo ndien teksa ndjek gjurmët e një lideri që nuk ka pranuar të ndërtojë mbi urrejtjen, edhe pse kishte çdo arsye për ta bërë. Mandela, thotë ajo, “jo vetëm nuk kërkoi hakmarrje, por i rezistoi edhe presionit të brendshëm për hakmarrje”. Dhe pastaj citon fjalinë e tij lapidare: “Kur unë fal, edhe ju mund të falni. Zgjidhja është vetëm një: paqe.”
Kjo është një nga fjalitë që nuk le të qetë. Sepse përballë saj, lexuesi shqiptar nuk mund të mos mendojë për mënyrën se si në vendin tonë fjalët janë shndërruar në armë, ndarjet në sistem, dhe kundërshtari në armik. Në kontrast me frymën e pajtimit që shfaqet në përvojat ndërkombëtare të autores, mangësia e kulturës së dialogut në politikën shqiptare është e dhimbshme. Leskaj e quan këtë një “mangësi themelore që dëmton jo vetëm politikën, por të gjithë klimën shoqërore.”
Ky fakt i ilustruar në brendinë e librit, ka një peshë aktuale edhe në ditët e sotme në vendin tonë. Është fryma e moralit dhe dinjitetit njerëzor, që përcillet në formë mesazhi nga trajtimi që i bën autorja kësaj historie. E rrëfimi nuk ndalet me kaq. Përtej Afrikës së Jugut, Leskaj sjell edhe përvojat në Ganë, Bregun e Fildishtë, dhe sidomos në Shtëpinë e Bardhë, në një aktivitet të organizuar nga Presidenti Bill Clinton. Në atë tryezë ndërkombëtare, ajo ishte një nga pesë të ftuarit që përfaqësonin kontinente të ndryshme dhe nga kjo përvojë, përcjell fjalët e presidentit amerikan drejtuar sekretares së Shtetit, Medllin Ollbrajt, që edhe sot frymëzojnë me kumtin e tyre: “Tani dua të kthehem te një person që ka qenë një drejtuese për ne në Administratë dhe në botë, që e ka bërë veten pioniere dhe model në çështjen e shëndetit dhe të fuqizimit të grave, që ka ndriçuar veten, unë besoj në mënyrë të jashtëzakonshme…” Rëndësia e këtij momenti nuk qëndron vetëm te solemniteti, por te vlera që i delegohet një gruaje që pat shënjuar epokën me angazhimin e saj në politikë. Përtej dritave të sallës, bliceve të aparateve fotografikë, qëndrimeve protokollare në një ngjarje me rëndësi të tillë, ajo që të bën përshtypje është përcjellja e këtij episodi që nuk ka vetëm nuancat e kujtimit personal, por ngarkohet me një valencë të vlefshme edhe për të tjerët. Nën këtë dritë, mund të themi se kujtesa e autores është e mbushur me momente që nuk janë thjesht krenari personale, por tregojnë mundësinë që Shqipëria, përmes përfaqësuesve të saj të denjë, të jetë pjesë e bashkëbisedimit ndërkombëtar për vlerat, drejtësinë dhe paqen. Dhe ky është një proces që shpesh neglizhohet, por që autorja e rikthen me forcë, për të përcjellë vlera që kanë nisur të humbin shkëlqimin e tyre në shoqërinë e brishtë shqiptare. Angazhimi politik nuk mbaron në një zyrë, nuk kufizohet në një fjalim. Ai vazhdon në mënyrën se si përfaqëson vendin tënd, si dialogon me botën, si respekton tjetrin edhe kur ai vjen nga një realitet më i artikuluar dhe më i konsoliduar se toka jote e origjinës.
3. Etika e humbur dhe fjalët që nuk ndërtojnë – një diagnozë e politikës sonë
Në kapituj të ndryshëm të librit “Politika si ide”, Valentina Leskaj ngre një pasqyrë jo për të vështruar veten, por për të matur gjendjen e politikës shqiptare. Kjo është pjesa ku rrëfimi nuk kërkon më ndjeshmëri, por analizë realiste. Autorja nuk e idealizon politikën. Përkundrazi, ajo e pranon se është një vend ku njeriu mund të humbasë një pjesë të vetes – ndoshta dhe atë më të çmuar. “Natyrisht, nëse e ka një të tillë,” shton ajo me një ironi që fton për reflektim. Por më shumë se për humbjet personale, ky qëndrim flet për balancën morale, për ruajtjen e etikës si busull në një sistem që shpesh e shprish njeriun.
Në këtë reflektim, ajo zbërthen një nga problemet më të rënda të politikës shqiptare: mungesën e kulturës së dialogut. Jo si teknikë komunikimi, por si mënyrë e të qenit. Në vend të bashkëbisedimit, kemi gjuhë larg etikës së komunikimit. Në vend të bashkëpunimit për të mirën e përbashkët, kemi përjashtim, akuza dhe betejë për fjalën e fundit. Politika është kthyer në arenë për ndarje, jo për ndërtim. E nganjëherë, siç thotë vetë autorja, kjo ndarje ndodh “edhe brenda llojit”.
Kur kujton kulturën e bashkëpunimit mes forcave politike në vende të tjera, si Gjermania apo Kroacia – ku u bë një pakt kombëtar për integrimin në BE – kontrasti është i dhimbshëm. Në Shqipëri, ende debatohet për bazat elementare të një demokracie funksionale. Jo rrallë, edhe negociatat për integrimin kthehen në peng politik. Shpesh, dëgjojmë deklarata si “po nuk iku ai, nuk ka zgjedhje”, ose “nuk duhet të hapen negociatat sa të largohet tjetri”. Ky nuk është vetëm një deformim i diskursit politik – është një përçudnim i vetë funksionit të përfaqësimit.
Në këtë klimë antagonistësh, gjuha e urrejtjes ka zënë vend. Leskaj, e ndikuar nga mendimi i Claudio Magris, e përkufizon këtë si paaftësinë për të parë veten te tjetri. “Një prej çelësave drejt tolerancës,” shkruan Magris, “është ndërgjegjësimi që ne hera-herës jemi ata të tjerët, dhe që ata janë hera-herës ne.” Në Shqipëri, kjo ndjesi mungon. Tjetri nuk pranohet, por gjykohet. Jo për atë që thotë, por për atë që është. Dhe kjo, sipas autores, mund të etiketohet si një sëmundje e thellë e kulturës politike shqiptare. Në këtë kontekst, libri bëhet edhe një apel për kthimin e arsyes në marrëdhëniet politike. Autorja sjell një nga frazat më të bukura të Hannah Arendt: “Unë dua njerëzit.” Është një mesazh që vjen nga zemra e filozofisë politike moderne dhe që, përcillet e orientuar nga ajo busull e brendshme që tregon kah respektit për tjetrin.
Ndaj nevoja për ta parë Demokracinë jo thjesht si një proces teknik, një set ligjesh e rregullash, po të lidhur me kulturën e shoqërisë mund të konsiderohet një ftesë e autores për reflektim. Në mënyrë simbolike, libri çelet me një thënie të shkrimtarit dhe ish presidentit çek Vaclav Havel për këtë çështje: “Teknologjia e demokracisë është e pakonceptueshme pa kulturën demokratike.” T’i rikthehesh kësaj fraze e ta kesh pikënisje të librit, do të thotë të përligjësh me bindje vullnetin e autores që kultura dhe komunikimi janë drita dhe uji për bimën e brishtë të demokracisë sonë. Kjo qasje, tregon sa nevojë kemi për fisnikërinë e ndërveprimit politik, në një realitet që ka ende nevojë të përmirësohet, ku monologu e jo dialogu është mjet kryesor i vendimmarrjes dhe komunikimit publik, ku gjithçka që miratohet, aprovohet dhe futet në zbatim, nuk mund të ketë vlerë dhe ndikim pozitiv nëse shoqëria ndjehet e mënjanuar nga krejt procesi.
Në vend të mbylljes
Ka libra që lexohen si rrëfime personale dhe të tjerë që shërbejnë si dokumente të kohës. “Politika si ide” i Valentina Leskajt është të dyja, por është edhe më shumë: një analizë e ndërthurur me përvojë të jetuar, përkushtim qytetar dhe etika e të menduarit në publik. Nuk është një retrospektivë nostalgjike, por as një analizë e thatë e një periudhe. Është një përpjekje për të ndërtuar kuptim në kohë të shpërbëra, për të ruajtur dinjitetin e fjalës në një hapësirë ku fjala përdoret gjithnjë e më pak për të ndërtuar.
Në një kohë kur pasiguria është bërë ritëm i përditshëm dhe përmbajtja shpesh mbetet hijë e formës, ky libër vjen si një frymëmarrje e thellë, një kthjellim që nuk ndalet vetëm te pyetja “çfarë ndodhi?”, por shkon më tej: “si mund të jemi të ndershëm me kohën, me veten dhe me tjetrin?”
Ky libër është një hartë me shumë shtigje leximi, dhe i drejtohet një spektri të gjerë lexuesish, të cilët mund të gjejnë në të dritare të ndryshme drejt vetes dhe shoqërisë. Kush mund të jenë këta lexues?
1. Të rinjtë: ata që lindën pas rrëzimit të murit
Për brezin që nuk e ka përjetuar diktaturën dhe e ka njohur tranzicionin vetëm përmes librave të historisë apo rrëfimeve të fragmentuara, ky libër është një busull për të kuptuar origjinën e plagëve të sotme. Jo për t’u kthyer mbrapa, por për të kuptuar se e shkuara nuk është një valixhe e mbyllur, por një strukturë që shënjon çdo hap të sotëm. Autorja u drejtohet të rinjve pa ua imponuar të vërtetën, por duke u dhënë atyre fuqinë për të gjykuar me vetëdije. Ajo ofron modele, shtigje ku mund të gjenden drejtimet që çojnë kah idealizmit, përkushtimit, vetëofrimit për të tjerët, që mund të frymëzojnë këdo.
2. Brezi i tranzicionit: dëshmitarët e një kohe të trazuar
Për ata që e përjetuan ndryshimin nga brenda, në politikë, në administratë, në rrugët e zbrazura të viteve ’90 apo në kufijtë e ikjes, ky libër është një pasqyrë ku mund të rigjejnë veten. Është një mundësi për të parë prapa jo me pendesë, por me dëshirë për reflektim.
Valentina Leskaj flet për hezitimin, për zgjedhjen e vështirë, për tensionin midis idealit dhe realitetit, për humbjen dhe ruajtjen e vetvetes. Ky është rrëfimi i atyre që nuk donin të bëheshin pjesë e një bote që s’e kuptonin, por që vendosën të mos qëndronin mënjanë. Një ftesë për të rigjetur domethënien e angazhimit në një kohë kur shpresa nuk kishte ende formë.
3. Lexuesit e mendimit: studiuesit, filozofët, analistët
Për ata që e shohin politikën jo thjesht si praktikë pushteti, por si fushë të debatit etik, kulturor dhe qytetar, ky libër është një minierë refleksionesh. Me referenca të natyrshme kundrejt Hannah Arendt-it, Claudio Magris-it, Nelson Mandelës, Madeleine Albright-it, Vaclav Havel-it, Norberto Bobios etj., Leskaj krijon një rrjet të mendimit ndërkombëtar, duke e vendosur përvojën shqiptare në një horizont të gjerë dhe universal. Këtu nuk do të gjejnë ideologji, por domethënien kuptimplotë të fjalës dhe ndershmërinë e rrëfimit. Në këtë mënyrë, “Politika si ide” bëhet një libër për t’u diskutuar në seminare, për t’u cituar në ese, për t’u kundërshtuar dhe për t’u kuptuar thellë.
4. Lexuesit estetikë: ata që lexojnë mes rreshtave
Jo të gjithë lexojnë për të marrë informacion. Disa lexojnë për të ndjerë ritmin e fjalës, për të kapur dritëhijet mes mendimit dhe ndjenjës. Ky libër është një tekst që respekton shijet estetike, falë kujdesit për detajet, thjeshtësisë dhe elegancës së rrëfimit. Gjuha e përdorur është thuajse dramatike në mënyrën se si përshkruhet një grua dibrane që i jep bukë me sheqer dhjetë fëmijëve. Ka një patos të mbajtur në mënyrën se si rrëfehet një episod në OKB, një takim në Shtëpinë e Bardhë apo një vizitë në burgun e Mandelës.
Lexuesit e ndërgjegjes: ata që kërkojnë kuptim në kohë krize
Ka një kategori lexuesish që i drejtohen librit në kohë dyshimi, kur politika duket e largët, e huaj, mizore; kur shoqëria humbet busullën dhe kur fjalët ngatërrohen me zhurmat. Për ta, ky libër është një dëshmi e mundësisë për të mos u korruptuar nga makineria e pushtetit.
“Politika si ide” nuk i përgjigjet zhurmës me zhurmë, por përcjell reagimin e autores me kujtesë, me dije dhe me një etikë që mbetet e pathyeshme. Është një libër që të kujton se njeriu, edhe kur humb shumëçka, mund të ruajë balancën morale dhe të krijojë lidhjet me botën me dinjitet. Është një udhëtim përmes përvojës, reflektimit dhe ruajtjes së vetvetes. Ai i drejtohet të rinjve që kërkojnë të kuptojnë një kohë që nuk e kanë jetuar, brezit që e ka përjetuar tranzicionin në lëkurë, dhe lexuesve që e kërkojnë thellësinë përtej sipërfaqes. Mbi të gjitha, ky libër është një ftesë për t’u kthyer te fjalët që ndërtojnë, te individualiteti me etikë, te politika që nuk vret, por mbron; që nuk bën zhurmë, por thërret për të dëgjuar. Valentina Leskaj e vendos veten jo në piedestal, por në mes të lexuesve, si dikush që flet dhe dëgjon njëkohësisht, duke i dhënë tekstit nuancat e rrëfimit publik, që mbetet të vlerësohen dhe përvetësohen në tërësi nga lexuesit.