More
    KreuLetërsiBibliotekëEnver S. Morina: Përsosmëria dhe magjia e thjeshtësisë në veprën “Kronikë e...

    Enver S. Morina: Përsosmëria dhe magjia e thjeshtësisë në veprën “Kronikë e një vdekjeje të lajmëruar”

    Katërdhjetë e një vite ndërmjet botimit të parë në shqip (1984) dhe të fundit i përkthyer nga Aurel Plasari. Nga “Kronikë e një vdekjeje të shpallur” përmes të “paralajmëruar” në “Kronikë e një vdekjeje të lajmëruar”. Dromca dhe skica gjurme nga një lexim i përditësuar i ripërkthimit dhe ribotimit të veprës së Gabriel García Márquez “Kronikë…” pa pretenduar tërësinë, por vetëm “numërim të disa detajeve”…


    Ndoshta, çdo gjë është e paralajmëruar! Është e thënë! Është e shkruar! Që në zonat më të errëta të zanafillës, që në detajet më të prekshme të qenies. Tek vepra “Kronikë…” për ta shenjtëruar aktin e çvirgjërimit deri në përmasa të paprekshmërisë hyjnore, pengimi i mortit tashmë “është thënë”, është shkruar dhe është e pamundur të ndalohet. Secili fenomen e qenie, gjithsecila dukuri e ngjarje ka epilogun, parathënia e të cilës është shkruar shumë herët, që në zanafillë.

    Rileximi i një vepre letrare në kohë pafundësisht të largëta, na bënë përgjegjës për përkushtimin që kemi ruajtur për këtë krijimtari, e mbi të gjitha për vlerat që ka një vepër. Duke i ikur profesionalizmit përkatës, në veçanti teoricioneve letrar, Ne si lexues ndërhyjmë tek ta për t’i kuptuar. I kthehemi të kaluarës së largët. Fillimeve. Që në mesin e shekullit XIX. Citojmë. Në vitin 1843 kritiku francez Hippolyte Babou në debatet njohëse për realizmin dhe romanin shkruan: “Analistët arrijnë ta japin idenë e tërësisë me anë të numërimit të detajeve” dhe se “analisti i vetëdijshëm e çon kultin e detajit po aq larg sa antikuari.1

    Njëzet vite pas botimit të romanit “Kolonelit s’ka kush t’i shkruaj”, pesëmbëdhjetë vite pas botimit të romanit “Njëqind vjet vetmi” dhe vetëm një vit pas botimit të romanit “Kronikë…2Gabriel García Márquez merr çmimit Nobel për Letërsi kur tashmë ishte nderuar me çmimin e Legjionit të Nderit nga presidenti Fransua Miteran, me urdhërin Felix Varela nga Fidel Kastro, me çmimin Aguila Azteca në Meksikë etj.

    Kronologjia e ngjarjes dhe botimet e veprës “Kronikë…” në shqip

    1951 (20 janar) Në qytetin bregdetar të Manaure (Sucre), ndodh vrasja e Cayetano Gentile, i akuzuar për përdhunimin e Margarita Chicha Salas…

    1979 Gabriel García Márquez filloi ta shkruaj “Kronika e një vdekje të shpallur

    1979-1981 Nga viti 1979 kur nis për ta shkruar “Kronikë” deri në vitin e botimit 1981 Gabriel García Márquez përveç që shkruan shënime e shkrime javore gazetareske dhe bëhet pjesë e realizon projekte kinematografike shkruan tregimin “Maria dos Prazeres” (1979), “Udhë të mbarë, zoti president” (1979), “Pajtohem me qera për të parëëndrra” (1980), “Shtatëmbëdhjetë anglezë të helmuar” (1980) dhe “E shenjta” (1981)

    1981 Gabriel García Márquez botoi romanin “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar

    1984 Gabriel Garsia Markes “Kronikë e një vdekjeje të shpallur” (novelë), Revista “Nëntori”, Mars, prill, nr. 3 e 4

    1986 Marquez, Gabriel Garcia “Gjethurinat”, “Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë”, “Një histori me paskuinë”, “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”, Naim Frashëri, Tiranë

    1987 Film “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar” (regjizor: Francesco Rosi)

    1987 Eligio García Márquez “Vdekja e tretë e Santiago Nasarit”

    1988 Gabriel Garsia Markes “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”, “Rilindja”, Prishtinë

    1994 Reyes Palencia paditi nobelistin Gabriel García Márquez dhe vëllain e tij Eligio, sepse e kanë vënë protagonist në romanet “Kronikë e një vdekjeje të parathënë” dhe “Vdekja e tretë e Santiago Nasarit”. Palencia konsideron që është dëmtuar “nderi dhe dinjiteti i tij”.

    20002022 Gabriel García Marquez, autori kolumbian i “Njëqind vjet vetmi” dhe fituesi i çmimit Nobel të vitit 1982 është shkrimtari më i përkthyer në gjuhën spanjolle në shekullin e XXI duke e kaluar edhe Servantesin…

    2007 Miguel Reyes Palencia botoi “E vërteta: 50 vjet më vonë”

    2007 G. G. Markez “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”, Botimet ABC, Tiranë

    2011 Gjykata e Lartë e Barranquilla, në Kolumbinë veriore, vendosi në favor të shkrimtarit në vitin 2011, duke hedhur poshtë ankesën e Reyes

    2025 G. G. Márquez “Kronikë e një vdekjeje të lajmëruar”, Onufri, Tiranë

    Koha e kujtesës, periudha e shkrimit dhe “strategjia e narracionit”

    Biografët shkruajnë se Márquez “në vitin 1981 kërkon strehim në ambasadën e Meksikos. Kthehet në qytetin Meksiko. “Kjo “ikje” u jep kundërshtarëve të tij shkas për komente negative, të cilët nuk humbasin rastin të thonë së bëhet fjalë për një reklamë të inskenuar, për një truk, për Kronikën e një vdekjeje të paralajmëruar, që sapo kishte dalë në qarkullim.

    Kjo shpirtëligësi tregon shkallën e armiqësisë absurde, e cila, me kalimin e kohës, shkakton përzierjen e shkrimtarit në politikë. Sepse deri tani Garsia Markesi nuk kishte reklamuar asnjë libër të tijin para dhe pas botimit dhe ndjehej i qetë kur thoshte se nuk e kishte të nevojshme ta bënte një gjë të tillë. Brenda një kohe të shkurtër u shit i gjithë tirazhi i botimit të parë të romanit Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar, i cili numëronte mbi një milion kopje.3

    Sipas njërit nga biografët, vepra e të cilit është përkthyer dhe është botuar edhe në shqip, Dagmar Ploetz “ky mund të ishte romani i tij i parë.”E tërë historia e këtij “rrëfimi të rrëfimit”, paralelizmat në mes të të vërtetës dhe kohës së shkrimit (27 vite më parë), tronditjes nga një ngjarje, betimi i shkrimtarit dhënë Nënës së tij, është një uverturë komplekse që na dridh për një citat të gjatë si një hyrje dhe epilog për romanin në tërësi. “… Garsia Markesi kishte shkruar vetëm pak tregime, kur e tronditi një ngjarje e përgjakshme brenda rrethit të tij familjar. Një i ri, ditën e martesës së tij, e ktheu mbrapsht të shoqen, të prindërit e saj, pasi nuk e gjeti të virgjër. Vëllezërit e vajzës , për të çuar në vend nderin e familjes, vranë atë që dyshohej për shnderimin e motrës së tyre. Garsia Markesi, i cili e njihte viktimën, ishte indinjuar shumë për këtë vepër dhune të freskët. Në të njëjtën kohë, i riu shkrimtar u ndje veçanërisht i zhgënjyer nga fakti se kjo ngjarje përmbante shumë elemente makabre, si dhe shumë nga karakteristikat e tragjedive të lashta.

    Kur deklaroi se donte ta shkruante këtë histori, e ëma e detyroi të betohej se nuk do të shkruante asgjë, për sa kohë do të rronte nëna e të vrarit. Kështu, qysh në fillim, kjo temë qe një tabu për të. Dhe kur, pothuajse tridhjetë vjet më vonë, mësoi se nuk qëndronte më ky kusht, e kishte rrëfyer historinë në rrethet e miqve të tij, në kërkim të të fshehtës kolektive për këtë fatalitet individual, ku gjëja e vetme që kishte nevojë ende për t’u gjetur ishte mënyra shprehëse e të shkruarit, pra, e strategjisë së narracionit. 4

    Trillimi i mënyrës së të rrëfyerit është shumë i afërt me realitetin”, thotë Ploetz për të zbërthyer në plotëni afrinë në kohën dëshmitare dhe në kohëreale të të gjithë kapitujve, pesë sa janë. Sipas edhe vet Márquez-it nëse Edipi mbret ishte një nga veprat më të mira policore të letërsisë botërore, çfarë mund të themi për “Kronikën…” përveç që është një nga rrëfimet më intriguese ceremoniale në heshtjen dhe pjesëmarrjen në krimin e paralajmëruar që nga nata e martesës, më parë dhe më pas, siç thuhet po aq fajtor sa vrasësit mund të jenë edhe shikuesi që nuk ndërhyn. Arsyetimi real si një nënshtresë rrëfimi imagjinar. “… fshati e dinte se Santiago Nasari duhej të vdiste, dhe ai vetë ishte i vetmi që nuk dinte”është një nga “krizat” e një morali dhe indiference që duhet të vinte.

    Dëshmitë për rrëfimtarin dhe perifrazimet stilistike

    Në pjesën e parë tregojnë e ëma e Santiago Nasarit (Plasida Linero), kuzhinierja (Viktoria Gusman), zonja e shitorës (Klotilde Armenta), motra e rrëfuesit (Margoti), vëllai i rrëfyesit (Haimeja) dhe e ëma e rrëfyesit (Luisa Santiaga). Rrëfyesi në fillim tregon për takimin me nënën e Santiagos në moshën “e rrënuar nga vitet e mbramë të pleqërisë” për “të rindërtuar prej aq ciflash të hallakatura pasqyrën e thyer të kujtesës.5

    Ta kthesh në shtëpi, ta mbash për vete apo ta vrasësh si te “Kënga e Isuf Agës” e baladave tona rapsodike të hershme është intrigë përngjasimi me dilema e drejtëzgjidhjes me Kanunin e Nderit! Më i vërbër ishte Santiago Nasari, ishte Anhela Vikario, ishte Bajardo San Romani, ishin vëllezërit Vikario, ishin edhe personazhet që dinin së vrasja do të ndodhte?! Enigma vazhdon, edhe në shekullin XXI. Edhe pas përfundimit të leximit të romanit. Edhe pas vdekjes së shkrimtarit. Dosjet teorike të kritikës letrare imagjinative të rileximit hapen dekada më pas. Kush është ai që kishte shtënë poshtë portës një letër në zarf që “nuk u identifikua kurrë”?! Pafundësia e një ëndërrimi të thënë e cila përherë nuk do të ndodh, ose në fjalinë e drejtë të ligjërimit, asnjëherë nuk do të ndodh. Në të vërtetë enigma do të mbetet e përhershme e aktit të ç’virgjërimit te Anhela Vikarios e parathënë për një vrasje të domosdoshme, sa që, siç thotë vet Santiago Nasari “më zë të lartë” se “Nuk do t’u mjaftojë jeta për ta treguar.” (f. 22) “Leximi i figurës-personazh është punë deshifrimi intuitiv, që do të thotë se ne, si lexues jo vetëm e ‘shikojmë’ por edhe e plotësojmë, e ndriçojmë atë, do të thotë që leximi i nënshtrohet parimit të përshtatshmërisë. 6

    Dëshmitë për rrëfimtarin për ndërtimin sa më të saktë të kronikës janë të shumtë në “pjesën e dytë”: udhëtarja Magdalena Oliveri, letrat e nënës së rrëfyesit, rrëfimet e Anhela Vikarios, të thënat e Mercedesit, bisedat me Santiago Nasarin… Dilema e vdekjes dhe vrasjes ringritet vetvetiu në thellësinë e kuptimit të personazheve me aktin “e marrjes” së nderit nga Santiago Nasari “e dhënies” nga Anhela Vikario. Të shijosh dashurinë me mëkat!? Dashuria e fshehtë në mëkatet e zbuluar për nderim!? Në krejt këtë “përzierje të domosdoshme” të marrëdhënies, aktit, dashurisë, nderit, mëkatit, çështja ngritet jo tek vdekja sepse atë e kanë nënshkruar vet autorët e aktit të marrëdhënies por tek ndalesa, ndihma për të ndaluar vëllezërit Vikario. Në çështjen e nderit askush nuk mund të ndërhyjë sepse mungesa e zbrazësia do të jetë e tmerrshme mëpastaj.

    Perifrazimi stilistik mahnitës siç di vetëm Márquez-i të “dielën e nëmur” në “dasmën e pafat” kur tashmë “gjëma ishte konsumuar” bëhet pyetësor enigmatik  se “ç’karta luajti Bajardo San Romani”?! dhe se “ç’karta luajti Santiago Nasari”!? … Një figurë e gjetur letrare është analogjia e semantikës diskursive të një krahasimi në vete si metaforë dhe njësi gjeografike: “…ndërtimi i një hekurudhe në brendësi të vendit për ta tejkaluar shpejtësinë e lumit.” (f. 30) Monumentaliteti magjik krijues i Márquez-it lartësohet edhe më këtë metaforë brilante ku vëllezërit Vikaria bënë që “… thikat të këndonin në gur”. (f. 56)

    Përmes një fjalie Márquez-i përshkruan tërë karakterin dhe marrëdhëniet e dy vëllezërve binjakë. Ndryshueshmëri ngjajshmërie të të kundërtave. “Jo vetëm ishin shumë të ndryshëm, së brendshmi nga sa dukeshin të ngjashëm së jashtmi, por në çaste vështirësish të papritura kishin karaktere të përkundërta.” (f. 63 e 64) Nderi duhet të mbrohet. Ata që kanë cenuar nderin duhet të ndëshkohen. “… i vuri thikën në dorë dhe e ngriti pothuaj me pahir për të vënë në vend nderin e humbur të motrës.” (f. 66), sepse “…nderi nuk pret.”. Nderi sikur është një nga krijimet më të paprekshme hyjnore të cilën bota moderne sot e ka kthyer në përditshmëri të lojërave pa kufij, në përkujdesje të Vëllait të Madh.

    Nëse më shumë se dymbëdhjetë veta e dinin se çdo të ndodh, janë dhe të tjerë që hyjnë tek lexuesi me një përshkrim siç di vetëm Márquez-i “… në shitore hynin e delnin klientë të shtirur që blinin qumësht pa pasur nevojë dhe pyesnin për ushqime imagjinare  vetëm për të parë në ishte e vërtetë që binjakët po prisnin Santiago Nasarin për ta vrarë.” (f. 68)

    Sa më lehtësi dhe thjeshtësi ngritët pena e Márquez-it për të lartësuar “thellësinë” e një ngjarjeje të cilën don ta trajtojë. Në rrjedhën e diskursit markezian vjen tregtia e skllevërve dhe jeta e shkurtër bashkëshortore e Anhelas, fatkeqësia e saj. “E ndjeva veten që kisha dalë nga pasqyra.” (f. 70)

    Rregulli i fshehtë i autorit dhe hollësi që “nuk do të sqarohen kurrë”

    Fillimi i çdo pjese. E pranon epilogu i çdo pjese që të jetë në fillim? Të jetë nismëtare e lajmërimit të një vrasjeje? Një sfidë e unit të shkrimtarit. E pritjes së lexuesit. Ka një rregull të fshehtë që i takon vetëm autorit. Analogjia e rendit për të ndryshuar njësinë e kohës dhe njësinë e hapësirës është ngërthyer dhe mbërthyer në njësinë e veprimit të njëjtë. Nderi dhe ndëshkimi. Trillet e autorit sikur i ngjajnë trilleve të Santiagos të shndërrimit të petkave te mulateve duke ia këmbyer identitetin atyre përmes plaçkitjes.

    Për të qenë kronika sa më e vërtetë shkrimtari “e ndihmon” rrëfimtarin me personazh të tjerë, të dhënat e të cilëve e bëjnë lexuesin të besoj. “Këtë e pranonte edhe im vëlla…”, thotë rrëfyesi.

    Nëse dilemat e rrëfyesit përmes shkrimtarit janë ngrirë në roman që në kohen e shkrimit dhe janë arkivuar përgjithnjë në kohen e botimit, 23 vjet pas dramës, Ne lexuesit përherë duhet lexuar si për herë të parë. Kjo vjen e bëhet, sipas rrëfyesit, më enigmatike kur disa hollësi “nuk do të sqarohen kurrë”.

    Derisa virgjëria si gravurë e qendisur në ciklët e thellësisë së përjetimit të Artit të Shtatë përmes dramaturgjisë regjizoriale ka përfshirë edhe anët më intime të njohjes përmes ndëshkimit pa gjyq, hetuesia dhe avokatët janë lënë menjanë, janë “trajtuar” përmes ideolatrisë së filozofëve të hapësirave klasike të përngjasimit. Gërshëtimi mes një hetuesi të gjykatës së drejtësisë dhe rrëfimtarit hetues për krijimin e një vepre letrare te “Kronikë” ndeshet tek fjalia e autorit se i pari “qe njeri i dhënë me mish e me shpirt pas letërsisë” dhe i paragrafit pasues që është një nga perlat me monumentale të krijimtarisë imagjinative dhe të realizmit magjik të Gabriel Garcia Márquez-it: “Padyshim kishte lexuar klasikët spanjollë dhe disa latinë, si dhe njihte fort mirë Niçen, që ishte autor në modë mes juristëve të kohës së tij. Shënimet në anë fletësh, dhe jo vetëm nga ngjyrat e bojës, dukeshin si të shkruara me gjak. Aq ia kishte marrë mendtë enigma që i pati rënë për short sa shpesh u hallakat në përsiatje lirike në kundërshtim me rreptësinë e detyrës së tij. Sidomos nuk iu duk kurrë legjitime që jeta të përdorte aq rastësi, të cilat nuk i lejohen as letërsisë, për t’u kryer pa pengesa një vdekje aq të lajmëruar.” (f. 106)

    E tërë vepra sikur qendron në mesin e luhatjeve epike të pafajësisë se Santiagos, nderit te Anhelas dhe poshtërimit te vëllezërve Vikario! Klithja a perifrazimi anash është një tjetër fakt hetues se në çfarë përmasa ndodhi e tërë rrëfimi markezian: “Jepmëni një paragjykim dhe do të lëviz botën” (f. 107), se më çfarë magjie realiste të dilemave anonime të një krimi të lajmëruar dhe i cili në vitin 1981 botohet roman dhe një vit më pas autori nderohet me çmimin më të madh letrar me “Nobelin për Letërsi”!

    Komploti i madh letrar në diskursin imagjinar “Na tha mrekullinë, por jo shenjtorin”

    Kush është Cayetano Gentile në veprën e Márquez-it? Në rrjedhë të kësaj, po Santiago Nasari është më të vërtetë burri shenjtori? Derisa ngjarja ka ndodhur më të vërtetë enigma qendron tek personazhi “Gabriel Garcia” që nuk përmendet në vepër! Shkrimtari përmes rrëfimtarit ka ndërtuar kronikën “e mundshme”. Rrëfimtari ka motër, vëllezër, nënën, familjarë. Mrekullia kishte ndodhur. Ç’virgjërimi i Anhelas? Mungon shenjtori! A fshihet “rrëfimtari” pas Anhelas dhe e gjithë vepra është shfajësim!? Këtu qëndron filli i një rileximi të ri, njëherazi është pikënisje e vdekjes së letërsisë në të gjitha përmasat e saj, për të mbetur libri në memorien e historisë së civilizimit! Në gjithë brendësinë e veprës mungon “shenjtori” , i vërteti i çvirgjërimit të Anhelas. Ka mjaftuar vetëm “një marrëveshje” mes personazhit Anhelas dhe shkrimtarit që do të përjetësohet në një vepër! Fjalët magjike të shoqeve të deklaruara në procesverbal: “Na tha mrekullinë, por jo shenjtorin” (f. 106) a s’është komploti më i madh letrar që ka ndodhur përgjatë diskurseve të historisë letrare?! Ky është nënteksti! Kjo është intriga enigmatike e thënë përmes një vepre. Ky është akti monumental. Kjo është madhështia e rileximeve të veprave të Márquez-it që ndriqojnë botën e sotme dhe shndrisnin imagjinatën e mesazheve më të lartësuara të civilizimit botëror! Megjithatë ky është vetëm një kumt të cilin vetëm letërsia dhe libri ka fuqinë të na jap. A është gjallë Santiago Nasari i vërtetë? Ai i cili fare nuk kishte të bënte me Anhelan? Është vepra “Kronikë …” që e mbështjellë me finesë filigrani rrëfimtar…

    Ngjarja ka ndodhur në vitin 1951. Márquez-i 23 vjeçar. Plus 27 vjet. Vepra është shkruar në përputhshmëri me vitet?! Është botuar një vit më pas, në vitin 1981. Cili është “Santiago Nasari” i vërtetë?! Po ta kishte titullin vepra me emrin e Santiago Nasarit, a do të ishte një trill tjetër i shkrimtarit?! Apo një afri në labirinthin e së vërtetës letrare dhe imagjinatës së reales! Sikur arsyetimi vjen e bëhet shpjegim i nënës së rrëfimtarit që të mos e shkruaj veprën para moshës a periudhës së harresës dhe kredo e un-i të shkrimtarit në gërshëtim me realitetin imagjinativ. Prandaj vepra është lexim i një enigme të pafund e cila përsëritet në realitet sa herë që të hesht koha e marrëzisë! Në botën ballkanike, në hapësirën tonë te demosit edipian të lirisë së veprimit, çmenduria e arsyeton tërë rrjedhën e një shoqërie jo vetëm në krizë kulturore, por edhe në krizë shëndetësore dhe mbijetëse, pa delirin e një mirëqenie të nderuar dhe na mëson se shekulli XX mbante në vete barrën e të gjitha shtresave të një civilizimi qeniesor të papërsëritshëm!

    Personazhi është edhe figurë edhe sistem shenjash. Bashkëjetojmë me ta për t’i lavdëruar dhe nemur, për t’i mohuar dhe lartësuar. Santiago Nasari vritet. Në titull zbutet. Vdekjeje! Ndërhyrja e banorëve tek vëllezërit Vikario është e pashmangshme në realitet por është e pamundshme shpirtërisht, sepse jemi të gjithë me ata të dy. Edhe vet viktima. Shënjuesit janë në shesh. Flasin. Përgatiten. Janë betuar. I shënjuari bashkëjeton me të gjithë si përherë. Është i pranishëm me tërë qenien, pa më të voglin dyshim. Shenja tashmë ka dëshmuar. Në gjithë këtë dramë dilemat e së vërtetës mbetën në sytë e lexuesit të ardhshëm, sepse akti i çvirgjërimit do vjen e bëhet i parëndësishëm, sepse dashuria do të përmirësohet “duke u ndryshuar”. Jashtëtokësorët ushqehen me prekje, është thënë. Këngëtarët në një shoqëri në krizë vlerash nuk dëgjohet për shikohen. Përmes imazhit arrijnë trashëgimtarët. Të gjitha këto me marrëveshje të nivelit tjetër inteligjentë. Universi don sakrifica dhe blasfemi të tjera, aq sa një ditë, në një kohë, të matur me vitdrite, vetmia nuk do të këtë kuptim për një përgjigje të shkrimtarit, pas njëqind vite zbrazësi të gjyshit të gjyshit tim!?

    Të rralla janë veprat në të cilat është kaq aktive pjesmarrja në krijimin e ngjarjeve të rrëfimtarit, dëshmitarëve, akterëve se sa tek “Kronikë…. Cila është prova tek “Kronikë”? Është heshtja e opinionit apo ç’virgjërimi do hakmarrje!? Më shumë se kaq sikur vepra e tëra është shfajësim i publikut spektator prandaj Edipi mbret për Garsia Márquez-in “ishte një nga veprat më të mira policore të letërsisë botërore.7

    Parafrazimi i një shpjegimi të poezisë “Populli nuk është 007” gjatë rileximit të “Kronikë…”, si analogji, mu ngjall dilema, pse duhet të ketë çështje të mëdha për të cilat nuk di lexuesi?

    Kurrë mos thuaj kurrë

    (…)

    E vërteta lind me vdekjen e çështjes së madhe

    gjithmonë vonë

    gjithmonë pas njeriut. 8

    Duke lexuar Chartier për romanin dhe plagët e një vrasjeje

    Tej limiteve të tregimit dhe brenda gjatësisë së nisjes së një romani qendron novela e cila si një zhanër “i përzier” në prozë na vë në medyshje ploteninë dhe mungesën e përcaktimit të saktë në botimet shqip… Dostojevski ka shkruar edhe tregime, por është i njohur me romanet e tij. Cvajgu ka shkruar edhe biografi por është i njohur me novela. Po Heminguej, Kadare a Markezi? Edhe nxënësit mund ta din se Borhesi nuk ka shkruar roman apo drama për teatër! E kundërta Bodleri ka shkruar edhe tregime. Po Çehovi e Dostojevski? Hygoi a Becketi? Përherë më ka intriguar përcaktimi i saktë i prozës së Heminguejit “Plaku dhe deti” dhe “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”!?

    Perre Chartier në faqe 13 e 14 ka cituar disa fjalorë e enciklopedi. I kthehem shekullit XVIII dhe i afrohemi kësaj përgjigje: “Histori të sajuara me aventura të ndryshme, të jashtëzakonshme ose të mundshme të jetës së njerëzve.9

    Tendenca e romanit modern, siç thotë Chartier “Synimi për të shprehur totalitetin e reales” vjen e bëhet imanencë e pesë kapitujve rrëfimtar, e pesë pjesëve “rrënuese” përmes ingranazhit të detajit në variacionet e strukturës kohore, në harkun e rrjedhës së ngjarjes prej pak orësh tek “Kronikë…”. Prandaj te “Kronikë” te botimi i parë në shqip i shënohet novel. 10 Çështja e zhanrit, dyzimi dhe ngrehina për një përcaktim sa më të përafërt sa është paradoksale është edhe dekonstruktive, duke e thelluar kështu edhe dilemat për një zhanër të pastër, në limitet e emërtimit tipologjik, në imtësitë e detajit!

    Të pakta janë veprat letrare të botës moderne si tek “Kronikë…” që grindjet brenda prozës të shpërthejnë edhe jashtë tij deri të kërkesa për gjykim dhe e kundërta anasjelltas dilema e kritikës dhe lexuesit se kush është autori, “shenjtori” që çvirgjëroj Anhelan! Aposteriori i një akti çvirgjërimi bëhet premisë për t’u kthyer përherë tek personazhet dhe vendi i ngjarjes reale. Dhe tek shkrimtari. Më shumë se sa akti i turpërimit është mungesa dhe dilemat e emrit dhe pafajësia e brendshme e Santiago Nasarit. Turpi bie mbi Bajardon i cili apriori fare nuk ka të bëj me dy personazhet kryesor “të cituar” për veprën e tyre?! Për Santiagon dhe Anhelan. Përkundrazi i pari mendon për dasmën e tij dhe është i pranishëm ndërsa e dyta i ka dërguar me mijëra letra.

    Mjeshtëria e shkrimtarisë është mister! Më vetëm një fjali na vënë në dyshim! Kur e rilexova ligjëratën e Márquez-it 11, te 8 dhjetorit 1982 u zbrapsa nga akuza imagjinare ndaj një personazhi në vetmi i cili i ka shpëtuar aq lehtë jo vetëm gjyqit por edhe lexuesit. Si një plagjiaturë moderne në vete kur inteligjenca artificiale po ndërton trurin e asgjesë dhe të askushit, anonimiteti dhe ecejakeja e përsosmërisë së zbulimeve njerëzore e ka tejkaluar shpejtësinë e dritës, në pikën pa sipërfaqe dhe në hapësirën e pa kohë, heq dorë nga Gabriel Garsia imagjinar dhe i kthehem Márquez-it monumental, i cili tashmë qëndron me dhjetëra vepra të tij në vendin e merituar në Bibliotekën time të cilën një ditë do e lë për ta parë në ëndërr, për t’i takuar të gjithë personazhet tej veprimit të tyre sepse shkrimtari kolumbian ka “refuzuar fundin e njeriut” dhe Ne kemi “miratuar” rileximin e ardhshëm të veprës së tij. Përkthyesi Aurel Plasari na ka bindur dhe apriori e ka thënë në një intervistë në vitin 2014. 12

    Gjykimi “në vetmi” dhe magjia e realizmit hispano-amerikan

    Nuk ka paqe për krijimtarinë e Márquez-it! Ajo ngërthen në vete magjinë artistike të një realiteti me plot dhembje dhe një pritje për t’u gjykuar “në vetmi”, krejt kjo në epilogun e diskursit të dy profesioneve nga më panteonike të gjysmës së dytë të shekullit XX: mjeshtërisë së shkrimtarisë së pari si fund dhe gazetarisë së dyti si fillim në një sinkroni diakronike të rrallë apriori për historinë e “një personazhi” fitues të çmimit Nobel për Letërsi. Duke i nënkuptuar, i njohur dhe i lexuar “takimet” dhe bisedat e shkrimtarit Gabriel Garsia Márquez për Ernest Heminguejin (bëri vetvrasje), me Fidel Kastron (përkundër qindra atentateve në tentativë vdiq në fron), me përkthyesen në shqip Mira Meksi (njëra nga tre përkthyesit e “Njëqind vjet vetmi” dhe edhe përkthyesja e veprës postmortem “Shihemi në gusht”) a nuk mund të rikthehemi përherë thënies së autorit në parathënien e “Dymbëdhjetë tregime pelegrine” se “…Kujtimet e vërteta më ngjanin fantazma të memories, ndërsa kujtimet e rreme ishin aq bindëse, sa kishin zëvendësuar realitetin.13

    Duhet të kalojnë 27 vite që Márquez-i të “hap plagën” e një vrasjeje. Duhet një post mortum që bota të njoh një vepër tjetër të Márquez-it (“Shihemi në gusht”). Duhet të heshtesh për të shthurur medoemos vetminë. Shenjtëria e tij magjike vulosi pavarësinë monumentale të veprës së tij artistike. Intimitetet kanë ardhur dhe janë bërë çështje në veprën e Márquez-it. Shkrimtari rrëmon një dukuri “të pamundur” për t’u gjykuar, rrënon aktin e një gabimi të shënjtëruar dhe jetëson përmes fjalës e gjuhës në përsosmëri “në paprekshmëri” veprën e tij.

    Në romanin “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar” (1981) shtrohet problemi i papërsëritshmërisë së jetës unikale njerëzore. Për këtë shkrimtari sërish i drejtohet historisë së qytetit Makondo, zgjedh mënyrën detektive të rrëfimit për të qenë sa më komunikativ. Ngjarjet përshkohen nga dramaciteti i fuqishëm, karaktëristikë e jetës së vendeve amerikano-latine, të njerëzve me gjak të nxehtë. 14

    Magjia e realizmit i ndërtuar mbi diskursin e një realizmi magjik nga prozatorët hispano-amerikan, shumica prej të cilëve përmes gjuhës spanjolle, ka një ndikim të thellë tek ata të cilët kjo krijimtari tashmë bënë një jetë të përhapur dhe të dendur. Argjentinasit Borhes, Sabato e Kortasar, guatamalasi Asturia, kubani Karpentieri, meksikani Rulfo, e të tjerë dhe së fundi meksikani Fuentes, peruani Llosa e kolumbiani Márquez, tre prej të cilëve janë nderuar me çmimin Nobel për Letërsi (Asturias, Markes e Llosa) me prozën e tyre kanë arritur të shndrisnin me margaritarë magjik të një letërsie origjinale për nga format e arrira e më të lartësuara letrare. Gabriel Garsia Márquez-i përmes prozës së tij monumentale e çthurë një aoreolë panteoni rrëfimtar për brezat që e duam magjinë e krijimtarisë letrare.

    Prill-maj 2025, Prishtinë

    1 Chartier, Pierre “Hyrje në teoritë e mëdha të romanit”, Onufri, Tiranë, 2015, f. 140

    2 Në këtë shkrim pasi vepra e Markesit nga botimi i parë është përkthyer në tri variante titulli e kemi shkruar vetëm “Kronikë…

    3 Ploetz, Dagmar “Gabriel Garcia Marquez”, Onufri, Tiranë, 2001, f. 113

    4 Ploetz, Po aty, f. 115

    5 Márquez, G. G. “Kronikë e një vdekjeje të lajmëruar”, Onufri, Tiranë, 2025, f. 10 (më tej faqet e cituara nga ky botim brenda tekstit)

    6 Dado, Floresha “Figura-Personazh që ‘shihet’ përmes fjalës”, Onufri, Tiranë, 2023, f. 330

    7 Ploetz, Po aty, f. 116 (në citat thuhet se “detektivi zbulon sepse vrasës është ai vetë.”)

    8 Populli nuk është 007”, Gazeta javore “ZËRI”, Prishtinë, 9 maj 1998 dhe tek libri “Rr’nimi i Arbërit”, Buzuku, Prishtinë, 2021, f. 75-78

    9 Chartier, Pierre Po aty, f. 13

    10 Gabriel Garsia Markes “Kronikë e një vdekjeje të shpallur” (novelë), Revista “Nëntori”, Mars, prill, nr. 3 e 4, 1984

    11 Spahiu, Avni “Nobelistët e letërsisë”, Kosova PEN Center, Prishtinë, 2022, f. 481-485

    12 Për njohjen “e parë” dhe marrëdhëniet me shkrimtarin Márquez, për cenzurën, për “vetëpërmbajtjen” e përkthyesit, për redakturën e revistës “Nëntori” të vitit 1984, për heqjen “e fjalëve të pista” nga “Kronikë…”, dhe të tjera përgjigje “të panjohura”, mund të lexoni intervistën tematike te përkthyesit Aurel Plasari dhënë mediave në vitin 2014 “Si e shpëtova Gabriel Garcia Marquez-in nga censura

    13 Márquez, Gabriel García “Dymbëdhjetë tregime pelegrine”, Onufri, Tiranë, 2017, f. 10

    14 Doksani, Jorgji-Doksani, Agim “Letërsia botërore e shekullit XX”, Eugen, 2008, f. 155

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË