More
    KreuIn memoriamEnver S. Morina: Madhështia e një varri në Theth

    Enver S. Morina: Madhështia e një varri në Theth

    Vizita e datës 19 maj 2024 në fshatin Theth sikur më riktheu tek takimi i parë me 10 shkurt 2008 me albanologun gjerman Robert Elsie. Amaneti sublim i një albanologu tejkalonte nivelet “mbimalore” të natyrës. “Writing in Light” për shqiptarët. Dhe homazh!

    Veprimtaria e gjerë kërkimore dhe shkencore e Robert Elsie (1950-2017) zgjerohet në detaje nga studimet mbi etnografinë, etnologjinë, antropologjinë, filologjinë e tekstit, historinë e shkrimeve, gjuhësinë, etnokulturën, letërsinë gojore dhe të shkruar, besimet, kultin dhe shkrimet e shenjta. Veçojmë: “Migjeni, Freie Verse” (1987), përkthim gjermanisht i veprës së Migjenit; “Anthology of modern Albanian poetry” (1993); “History of Albanian literature” (1995), “Histori e letërsisë shqiptare” (1997, 2001);

    “Le Kanun de Lekë Dukagjini” (2001), “Der Kanun” (2004), përkthim i Kanunit; “Historical Dictionary of Albania” (2004), “Fjalori historik i Shqipërisë” (2011); “Historical Dictionary of Kosova” (2004), “Fjalor Historik i Kosovës” (2011); “Albanian literature: a short history” (2005), “Letërsia shqipe: një histori e shkurtër” (2006); “Writing in Light Dritëshkronja” (2007); “A Passion fot Theth” (2016), ”Pasioni për Thethin”(2018); “Fiset Shqiptare: Historia, shoqëria dhe kultura” (2017), “The Tribes of Albania: History, Society and Culture” (2019); “Luftërat e Ballkanit” (2018); “Bektashinjtë shqiptare: Historia dhe kultura e një rendi dervishësh në Ballkan” (2020), “The Albanian Bektashi: History and Culture of a Dervish Order in the Balkans” (2021) etj. etj.

    Në mëngjezin e hershëm të së dielës copat e shiut shndrisnin fragmente e detaje të virgjërisë së ditës së shenjtëruar për jetë e mot! Një ujëvarë sikur mbin nga qielli dhe godet tokën e gurtë! Ujët e kristaltë rrjedhje përgjatë luginës. Majebjeshkët shkëmbore e kishin ngrirë historinë mijëvjeçare. Në veri të kishës, a në jug të varrezave, Robert Elsie i fliste të gjallëve indiferent e të vdekurve në kërkim!

    Në varr vendosa një trëndafil ngjyrë të kuqe “të mbyllur” me kushtimin:

    “Z. Robert Elsie!

    Të takova në çastet e veçanta që do të vinin. Në fillim të shkurtit 2008.

    Falem’nderit për “Dritëshkronjën” Tënde dhënë kombit shqiptar!

    Nga Gllareva e Prishtina, do të vijë përherë, edhe me kolegë të tjerë!”

    Shkrimi i Tij i qetë” gërmonte thellë mitologjinë shqiptare. Dhe historinë moderne të një amaneti tej kohërave. “E kanë vrarë mësuesin!”, klithet në një film shqiptar për të treguar se kumti do e ç’thur analfabetizmin e ardhmërisë. Ishin mote të tjera.

    Bari i lagësht e kishte gjetur mbiemrin e mësuesit Zef! Zef Bari më rrëfeu se ambasadori i kulturës shqiptare Robert Elsie ka kërkuar të varroset me kostumin kombëtar të zonës, dhe të përcillet me një këngë me lahutë.

    Takimi i parë, me shkas me një personalitet siç ishte dr. Robert Elsie, ishte një rast i veçantë. Në hotelin “Grand” në Prishtinë, me 10 shkurt 2008, periudhën e parashpalljes së Pavarësisë së Kosovës, datën e saj. Një enciklopedi e tërë (kontributi i tij për historinë, kulturën, letërsinë dhe artin shqiptar), të lehtësonte me thjeshtësinë e tij, me praninë “me kushtin” e të rinjohurit në një bashkëbisedim “pa dorëza”. Të ofronte modestinë, thjeshtësinë që e bënte edhe më madhështor, sepse albanologu i njohur në përmasa ndërkombëtare e kishte përjetuar me vite dhe do e gëzonte përherë. Vetëm pak ditë më pas kapërcimi mediatik la gjurmë të përhershme. Që Skënder Blakaj. E kot që Letra e mbyllur drejtuar shkrimtarit Teki Dervishit! “E zeza” e gazetarisë së shtypur shqiptare në Kosovë përgatiste si uragan, shuarjen e vetvetes, vrasjen e lexuesit.

    Bashkëbisedimi që miqësor. Pyetja “Gjatë njëzet viteve të fundit jeni njohur me botën shqiptare që nga viti 1978 në Shqipëri dhe një vit më vonë edhe në Kosovë, në Seminarin Ndërkombëtar të udhës dhe Letërsisë Shqiptare. Përgjatë këtyre viteve, jeni këtu edhe në ketë javë, dika të veçantë që mund të thoni?” mori përgjigje të bëftë: “Unë mund t’ju them se përgjatë njëzet viteve po e pres Pavarësinë e Kosovës. Dhe tani po e shohë se po realizohet kjo pavarësi e merituar dhe janë shumë, shumë i lumtur. Do të jem akoma më i lumtur në javën tjetër nëse shpallet Pavarësia. Kjo do të jetë një gëzim i madh për mua.” Edhe sot më vjen timbri i zërit qetazi kur e pyeta në fund që “Udhëtoni sot, ta zëmë se nuk do të kthehesh ta kushtëzojmë për pesë vjet!?” më është përgjigjur më të qeshur: “Ha-ha-ha-ha…. Nuk e paramendoj këtë që thoni! Ha-ha-ha-ha… Jam pak i pikëlluar që nuk jam këtu për ditën e Pavarësisë së Kosovës, sepse është një gjë që e kam pritur për një kohë shumë të gjatë, kam vuajtur bashkë me Kosovën tërë kohën për të kaluarën. Dhe shoh se tani po del. Po del atë që e kemi ëndërruar të gjithë. Jam shumë i gëzuar për këtë. Dhe shpresojmë kur të vij herën tjetër, do të vij në shtetin e pavarur të Kosovës. Jam i bindur për këtë. Dhe gëzohem që tani.

    Trashëgimia albanologjike e studiuar nga perspektiva e kohës moderne ka një emër, Robert Elsie. Librin album e rrallë “Dritëshkronja” me rreth 230 fotografi të hershme nga Shqipëria dhe Ballkani Jugperëndimore e solla nga Prishtina tek varri për një vizitë kujtese. Fotografi të vitit 1863 dhe të viteve 1903-1916.

    Theth, 19 maj 2024

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË