More
    KreuLetërsiShënime mbi libraEnver Morina: Libër i domosdoshëm për historianët e kinematografisë shqiptare

    Enver Morina: Libër i domosdoshëm për historianët e kinematografisë shqiptare

    Përkitazi për librin “Dokumente arkivore në fondin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit 1954-1994” i autores Eriona Vyshka

    Arkivi i Filmit është një kinotekë historike e kinemasë, bashkëdyzuar edhe me një bibliotekë me botime të veçanta, e cili sot vjen me një vepër enciklopedike më të dhëna të përpikta te procesverbaleve, diskutimeve, skenarëve dhe mbledhjeve të mbajtura në Kinostudio përgjatë katërdhjetë viteve të ekzistimit të këtij institucioni kinematografik…


    Libri me titull “Dokumente arkivore në fondin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit 1954-1994”i autores Eriona Vyshka është i ndarë në tre kapituj: “Procesverbale të shqyrtimit të filmave që u prodhuan nga “Kinostudio ‘Shqipëria e re’” (kapitulli I), “Të dhëna për skenarë që nuk u realizuan kurrë” (kapitulli II) dhe “Çështje të organizimit të punës në Kinostudion “Shqipëria e re’” (kapitulli III).

    Nga herat e para që kam shkruar për filmin, në nisje është shkrimi i vitit 1993 “Filmi shqiptar dhe vepra e Ismail Kadaresë1), pastaj me dhjetëra intervista të realizuara me kineastë shqiptarë që nga ajo me Xhanfise Kekon e deri “të e fundit” me Piro Milkanin, përherë kam thënë se jam një “lexues” i cili kinemanë shqiptare e kam parë nga një kënd i largët, me shikim nga Kosova, pa pretendime të ndërhyj në çështjet dhe debatet “e brendshme të një historiku të filmit”! Takimin e parë shikues në kinema e kam patur në Festivalin e 11-të të Filmit Shqiptar të mbajtur në prill 2000 në Tiranë. Menjëherë vizita Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, rinjohja me drejtoreshen e atëhershme poeten Natasha Lako dhe më pastaj më të gjithë udhëheqeset e AQSHF-së. E gjithë kjo ishte një ndihmesë për të “hyrë” në brendësi të këtij institucioni, nga më të pasurit e subjekteve institucionale të shtetit shqiptar të shekullit XX. Ishin Flori Slatina në një periudhë dhe përherë Etiona Kita-Vyshka që më bëjnë të ndjehem si në shtëpinë time, sa herë vizitoj Arkivin.

    Në shikim të parë dhe të shpejtë janë tri botime që veçoj, që janë të domosdoshme për njohjen e rrjedhave të filmit shqiptar. Në vitin 1972 si broshurë rendor “Katallogu i filmave shqiptare” (Botim i Kinostudios “Shqipëria e re”), në vitin 2002 libri enciklopedik i autorit Abaz T. Hoxha “Enciklopedi e kinematografisë shqiptare” (Autorë & Vepra) dhe në vitin 2004 vëllimi i parë “Filmografia e filmit shqiptar” (botim i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit). 2)

    E gjithë hierarkia vendimarrëse e Kinostudios sikur është në veprim për çdo detaj të realizimeve të filmave

    Organizimi, “përpunimi” dhe “sistemimi”, seleksionimi, strukturimi, veçimi, indeksimi i të dhënave i një fondi të madh, të pafundëm është një nga vlerat më të mëdha të këtyre veprave që mund t’i quajmë bibliografi enciklopedike dhe analitike të detajuara. Është rrjedha e procesit krijues në diakroni dhe sinkroni skematike e renditur në kronologji të saktë dhe përmbajtje.

    Fillimisht Parathënia e librit te Eriona Vyshka përgatit lexuesin për strukturën organizative të Kinostudios dhe funksionimin hierarkik të realizimit të një vepre kinematografike nga Udhëheqësi Artistik (zhvillimi i veprës nga skenari te montazhi), nëpërmjet Redaksisë (shqyrtonte dhe përzgjidhte skenarët e cila deri në vitin 1978 ishte një redaksi, nga ky vit dy Redaksi: Redaksia e filmit artistik e vizatimor dhe Redaksia e filmit dokumentar), Këshillit Artistik (dy nivele, në fazë skenari dhe pas montazhit të parë në të cilën thirrëshin edhe konsulentë) e Kolektivit Krijues (punonjës të Kinostudios, krijues e zanatës, mjeshtër analizonin dhe vlerësonin në detaje skenat dhe episodët) tek Komisioni Paraprak (përfaqësues të Lidhjes së Shkrimtarëve, të Ministrisë së Arsimit dhe Drejtori i Kinostudios ose Udhëheqësi Artistik, njëherazi filtri i fundit).

    Përveç emrat e pjesëmarrësve që kanë qenë të pranishëm me mendimet e tyre në mbledhjet e Kinostudios, ky libër vjen e bëhet prani në të gjitha diskutimet në Kinostudio për të interesuarit, për studiuesit dhe një libër i domosdoshëm për historianët e kinematografisë e filmit shqiptar. Është libër që i ndihmon studiuesve por në veçanti edhe gazetarëve intervistues të kineastëve, për një historik të shkurtër të botimeve të përgatitura fillimisht nga Dega e propagandës të  Kinostudios dhe më pastaj te Arkivit të Filmit. Një vepër enciklopedi më të dhëna dhe bibliografi të të gjithë brumit të një institucioni siç është Kinostudio “Shqipëria e re”.

    Për shkak të gjerësisë së të dhënave nga procesverbalet dhe në përgjithësi organizimit të punës në Kinostudio, të personaliteteve të pafundme në diskutime u ndala më gjatë tek pjesa “Procesverbale të shqyrtimit të filmave artistikë” që është vetëm një nga nëntë pjesët e librit.

    Kapitulli i parë nisë me mbledhjen e Këshillit Artistik të gushtit 1960 në të cilën diskutohet skenari letrar “Debatik” për film artistik me metrazh të gjatë, me autorë Selman Vaqari, Niko Koleka, Hysen Hakani, Gëzim Erebara. Një vit më pas jepen të dhëna të filmit “Detyrë e posaçme” (skenari letrar “Heronjtë çajnë errësirën”). Skenari “Komisari i dritës” botohet në revistën letrare “Nëntori” në vitin 1966. Filmi “Rrugë të bardha” vlerësohet shumë dhe cilësohet si filmi më i mirë i Kinostudios deri në atë kohë… Filmi “Lulëkuqet mbi mure” vlerësohet si filmi më i mirë që ka prodhuar Kinostudio ndonjëherë dhe që do të pritet shumë mirë si brenda edhe jashtë vendit. “Të hiqet fjalët “kopilat” dhe “ariu i Kremlinit” që janë përdorur në dy raste. E gjithë hierarkia vendimarrëse e Kinostudios sikur është në veprim për çdo detaj. Për filmin “Cirku në fshat” drejtori i Kinostudios V. Zallemi revoltohet se ende futen punonjësit e Kinostudios në filma si aktorë, pastaj për filmin “Tomka dhe shokët e tij” (1977) vlerësohet puna e kostumografës Vjollca Dylgjeri dhe muzika e Aleksandër Lalos, të emocionon por edhe kërkohet nga Këshilli Artistik të “pastrohet nga sharjet e tepërta e të përsëritura.” Gjithashtu kemi vlerësime, sugjerime për regjisorë dhe përgëzime për bashkëpunime në mes regjisorit dhe aktorëve. Filmi “Nusja dhe shtetrrethimi” (1978) vlerësohet në të gjitha komponentët dhe cilësohet si një nga më të mirët e vitit 1978. Komisioni sugjeron të mos prishet ky duet regjisorësh (Ibrahim Muço e Kristaq Mitro do të bashkëpunojnë “Liri a vdekje”, “Në prag të lirisë”, “Njeriu i mirë”, “Apasionata”, “Duaje emrin tënd” dhe “Telefoni i një mëngjesi”.) Të dhëna për filmin “Koncert në vitin 1936”: “Filmi i është kushtuar sopranos Tefta Tashko Koço. Janë përdorur në film edhe incizimet origjinale të saj. Subjekti është marr nga tregimi “Baltrave të Myzeqese” të shkrimtarit Dhimitër Shuteriqi.3) Përgëzohet skenaristi Kiço Blushi për punën serioze që ka bërë dhe grupi i punës veçanërisht regjisori Kumbaro dhe aktori Robert Ndrenika. Skenari i filmit “Radistacioni” vlerësohet si mjaftë origjinal dhe i bukur… Këshillin e gëzon fakti se Ismail Kadare po shkruan skenarë… Përgëzohet redaktorja Natasha Lako që ka punuar me këmbëngulje dhe ngushtë me autorin. (f.99)

    Për filmin që mund të konsiderohet epik “Ballë për ballë”, bazuar te romani më i diskutuar “Dimri i madh” skenaristi e autori Ismail Kadare shpreh vlerësime dhe propozon ndreqje të vogla. Filmi vlerësohet nga të gjithë anëtarët e Këshillit si një film shumë i mirë që “propagandon vitet e stuhishme të politikës së jashtme”. (f.106)

    Një interesim i veçantë vijnë e bëhen mbledhjet, diskutimet për filmin “Skëterrë 1943” i cili vlerësohet në të gjitha aspektet. Skenari vlerësohet si punë shumë e mirë me gjuhë të qartë kinematografike dhe përgëzohet skenaristi Bashkim Shehu që ka sjellë një punë të mirë që herën e tij të parë. Jepen disa vërejtje si: të pakësohen torturat në kampin e përqendrimit se janë shumë të rënda, personazhi i profesorit duhet skalitur më mirë etj. Trajton një temë që nuk është trajtuar më parë dhe ka origjinalitet. (f.119) Filmi ka një temë të rëndësishme që nuk është trajtuar më parë në kinematografinë tonë, atë të kampeve të përqendrimit gjatë pushtimit fashist. Filmi ka vlera, por duhet të lehtësohet pak nga skenat e rënda të torturave. (f.120)

    Zëvendësimi i Prosit nga Ljarja dhe tre filmat në kapërcyell të Kinostudios dhe fillimit të epokës së re

    Për filmin “Pas vdekjes” (1980)në Këshillin Artistik “ka një debat nëse autorët duhet t’i qëndrojnë besnikë veprës së Çajupit “Pas vdekjes” e cila nga ana e saj nuk ka një fabul origjinale shqiptare por ka marrë një fabul franceze dhe e ka përshtatur në realitetin shqiptar të kohës që trajton…”, “regjisori Çashku vlerësohet si kineast me kulturë, që di ta çojë deri në fund mendimin e tij dhe kërkon rrugë të reja….”, Kolektivi Krijues duke vlerësuar filmin thonë që “ka një zbërthim dhe koncept shumë interesant, meritë e regjisorit i cili shfaq shumë fantazi në punën e tij”, ndërsa në Komisionin Paraprak, Zyrtari i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, Anastas Kondo “e rrëzon fare veprën “Pas vdekjes” pasi mendon se skenari nuk përputhet me atë që paraqitet nga ana vizuale në film dhe se nuk sheh asnjë shqiptar te personazhet, madje sipas tij, filmi hedh baltë mbi shqiptarët.” Në këtë Komision regjisori Çashku “përpiqet të zbërthejë disa metafora, karaktere dhe skena të filmit për Kondon duke shtuar se i erdhi mirë që shokët krijues të Kinostudios e vlerësuan filmin” por zyrtari Kondo “është i prerë në mendimin e tij se filmit i mungon karakteri kombëtar, është larg veprës së Çajupit dhe filmi nuk do të dalë për qarkullim në publik.” Mbledhja mes shkrimtarëve dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës jep sinjale nga shkrimtarët të cilët mendojnë “se nuk ka problem ideologjik dhe nuk ka pse filmi të mos shfaqet për publikun, por duhet të punohet më mirë me ritmin” duke pranuar që filmi “ka stil të veçantë dhe se duhet të mësohemi edhe me stile ndryshe nga klisheja që mbizotëron.” (f.124-127) 

    Gjatë viteve 80-ta të dhëna interesante dhe të gjëra për filmin “Nëntori i dytë” (Është një dhuratë shumë e bukur me rastin e 70-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.), për filmin e vitit 1982 “Njeriu i mirë” (Një skenar me titullin “Njeriu i mirë” u shkrua në vitin 1972 nga Mit’hat Fagu dhe Halil Kamberi, por nuk u realizua kurrë.), për filmin “Kohë e largët” (Përsa i përket riprodhimit të veprave të Davis Selenicës, ikonave, në një kishë të re me mure të bardha, Dhamo sugjeron që do ishte më mirë të restauroheshin një pjesë e pikturave origjinale pasi kjo gjë do të ruante vlerat artistike dhe ato të kohës.), për filmin “Ëndërr për një karrige” (Grotesku të mos e kalojë masën.), për filmin “Shirat e vjeshtës” (Drejtori i Kinostudios, Viktor Gjika, thotë se temës së ditës duhet t’i futemi me kurajo për ta pasqyruar në kinematografi, duke sjellë edhe shembullin e filmit “Dora e ngrohtë” që pati shumë sukses.), për filmin “Kush vdes në këmbë” (Duhet trajtuar tiparët e veçanta të Petros dhe puna e tij për gjuhën shqipe.) për filmin “Pranverë e hidhur” (Në fusnotë: Rolin kryesor të fotografit në filmin “Pranverë e hidhur” e luante Artisti i Popullit Sandër Prosi. Por, për shkak të një incidenti të ndodhur gjatë xhirimeve, Sandër Prosi ndërroi jetë pa e përfunduar dot filmin. Ky rol iu besu Artistit të Merituar Rikard Ljarja, i cili i rixhiroi skenat e Sandër Prosit.), për filmin “Hije që mbeten pas” (Skenari i ka qëndruar shumë besnik veprës letrare, duhet të shkëputet e të krijohet veçanërisht për gjuhën filmike… Filmi vlerësohet se do të jetë filmi më i mirë i vitit.), për filmin “Dy herë mat” (Të mos teprohet me groteskun…Është një komedi brilante…Filmi vlerësohet mjaftë dhe përgëzohet regjisori e aktori Bujar Kapexhiu për debutimin e tij.), për filmin “Përrallë nga e kaluara” (Skenari vlerësohet mjaft pozitivisht si vepër origjinale dhe me humor të zgjedhur me finesë. Historia është e bazuar mbi veprën e Çajupit dhe ka atmosferën e asja kohe por ngjarjet nisin aty ku e la historinë Çajupi, pra është krijim mjaft origjinal i Anagnostit… Përgëzohet Anagnosti për këtë vepër shumë të mirë të kinematografisë sonë… Alfred Uçi hedh mendimin që filmi vërtet është variacion mbi komedinë e Çajupit dhe ne shqiptarët e njohim dhe e bëjmë diferencën, por një i huaj nuk e njeh letërsinë tonë, kështu që në film duhet të dalë idea që kemi të bëjmë me një kohë tjetër, me një përrallë nga e kaluara.) 4), për filmin tjetër të regjizorit Anagnosti “Kthimi i ushtrisë së vdekur” (Skenari është një shkrirje mes Kadaresë dhe Anagnostit. Është parë në një dritë të re. Përgëzohet autori për këtë skenar… Në koleksionet e arkivit të filmit gjendet edhe skenari origjinal “Gjenerali i ushtrisë së vdekur5) shkruar nga Ismail Kadare, viti 1963, 52 fletë, numri i referencës f.S/I, D.15. Ky skenar nuk ka lidhje me skenarin dhe filmin e Anagnostit “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, por më sa duket, me një përpjekje të hershme për ekranizim, menjëherë pas botimit të romanit (1962), përpjekje për të cilën nuk ka dokumentacion apo informacion tjetër në arkivin e filmit… Urohet Anagnosti për këtë ekranizim dhe vepër madhore që ballfaqohet denjësisht me filmin italo-francez të prodhuar nga Mishel Pikoli.) 6) e të tjerë, e të tjera të dhëna të panjohura për procesin “e brendshëm” të Kinostudios.

    Për një nga filmat më të mirë shqiptar në kapërcyell të ndërrimit të sistemit për filmin “Vdekja e kalit” shkruhet “Recensë nga Petrit Ruka për skenarin e Nexhati Tafës, “Mëzat”, datë 27.12.1989, mendime nga Vasil Tabaku mbi skenarin e Nexhati Tafës, “Mëzat”. (f. 310) Përmes këtyre të dhënave gjejmë se skenari i filmit “Vdekja e kalit” ka nisur të shkruhet që në fundvitin 1989, ndërsa premiera e filmit jepet tri vjet më pas me 29 nëntor 1992. 7)

    Për disa filma të viteve 90-ta kur tashmë Kinostudio ishte në shuarje kam veçuar tre filma për të pasur një gërshëtim dhe shkëputje nga e gjithë prodhimi kinematografik i Kinostudios: filmin “Kush e solli Doruntinën” (1991, Skenari vlerësohet dhe jepen disa sugjerime mes të cilave edhe futjen e disa elementeve të reja për të cilat Serbo (regjizori Llazi Serbo-vër. e.s.m.) nuk është dakord pasi nuk do që të dalë jashtë asaj çka ofron vetëm kjo legjendë.), filmin “Nekrologji” (skenari “Kali”. Në fusnotë: Në dhjetor të vitit 1993 vihet re emërtimi “Këshilli i Kulturës” që duket se është një organ i studios së organizuar tashmë më emrin “Albafilm”. Këshilli i Kulturës bashkon funksionet e Këshillit Artistik dhe Kolektivit Krijues duke shkurtuar kështu filtrat e miratimit të projekteve filmike. Nga ana tjetër tregon edhe prurjen shumë të paktë të skenarëve dhe mundësitë minimale që kishin mbetur në ish-Kinostudio për të prodhuar filma.) dhe filmin “Kolonel Bunker” (1996, Skenari është i mirë por i mungon motivi politik edhe pse është një skenar politik. Skenari miratohet të kalojë në konkurim me disa vërejtje të bëra.)

    Kapitulli  i parë gjithashtu, sipas katër njësive tematike, në këtë rrjedhë, jepen të dhëna nga Procesverbalet e shqyrtimit te rreth 260 filmave dokumentar (gjatë viteve 1959-1989), Procesverbalet e shqyrtimit të rreth 70 filmave të animuar (gjatë viteve 1975-1989) dhe Diskutime të Këshillave Artistikë mbi kinoditarë të prodhuar gjatë periudhës 1976-1980).

    Në fondin filmik të AQSHF-së ndodhen disa skena të mbetura nga xhirimet e lëna përgjysmë të filmit “Gjakftohtësia”

    Në kapitullin e dytë “ Të dhëna për skenarë që nuk u realizuan kurrë” i ndarë në tri pjesë sipas nënzhanrit realizues filmik-dramaturgjik sipas rrjedhës së kohës kemi të dhëna për 216 skenarë të parealizuar për filma artistikë në harkun kohorë 1961-1993, 114 skenarë të filmave dokumentar (1955-1994) dhe 24 skenarë të filmave të animuar (1976-1981). Sikurse edhe në kapitullin e parë që vëmendjen e kam përqendruar tek filmi interpretativ-artistik edhe këtu kam veçuar 4, 5 skenarë, rrjedha e të cilëve u ndërpre për të mos u realizuar! Janë skenarë në kohë të ndryshme, shembull skenari “Plaku i maleve” i Xhemal Brojës i vitit 1961 dhe i po të njëjtës tematikë biografi, pas njëzet vite, skenari i Skënder Drinit në vitin 1982. (f.512-514)

    Në vitin 1973 ka qenë i gatshëm skenari “Barrikada” i Fatmir Gjatës. Filmi qenka vlerësuar “si film epope për luftën e Tiranës dhe se duhet të jetë filmi kryesor i Kinostudios për vitin 1974”, se “për filmin u realizuan edhe inspektime të vendeve të mundshme ku do të zhvilloheshin xhirimet dhe u prodhuan 140 foto-lokacione që gjenden në albumin e fotoprovave në AQSHF…” dhe në fund në onformacionet shtesë “nuk është i ditur fakti se pse ky film që konsiderohej i rëndësishëm, nuk u xhirua kurrë.”

    Ishte periudha kur regjizori Gëzim Erebara thoshte se mungon dramaturgu i filmit, ndërsa Viktor Gjika vinte në dukje të mbështeteshin shkrimtarët. Në vitin 1981 për arsye të ndryshme nuk u realizuan dy skenarë të veprave të dy shkrimtarëve të njohur Jakov Xoxës dhe Ismail Kadaresë. Kështu shkruhet për skenarin “Juga e bardhë” i Anxhelina Xharës: “Përkrahet nisma për të ekranizuar romanin “Juga e bardhë” të shkrimtarit Jakov Xoxa, një roman voluminoz që trajton temën e ditës. Por, skenari është ende nën nivelin e romanit, ka fragmentarizëm, episode dhe ngjarje që nuk janë quar deri në fund, apo karaktere që janë trajtuar në mënyrë sipërfaqësore dhe nuk janë vizatuar mirë, ashtu siç janë në roman. Arben Xoxa, i biri i autorit të romanit, i cili është edhe studiues vetë, shpreh pakenaqësitë e tij në lidhje me trajtimin e skenarit dhe thotë se ai dhe nëna e tij janë të gatshëm ta ndihmojnë skenaristen Angjelina Xhara në shkrimin e skenarit (shkrimtari Jakov Xoxa kish ndërruar jetë në nëntor të vitit 1979). Skenari duhet të ripunohet e të paraqitet sërish pranë Këshillit Artistik.”, (f.543) dhe skenarin “Gjakftohtësia” i Bashkim Shehut: “Skenari është i mbështetur në veprën e Ismail Kadaresë me të njëjtin titull. Ai vlerësohet mjaft pozitivisht nga të gjithë diskutantët si i zbërthyer shumë mirë dhe me gjuhë filmike. Jepen disa augjerime për paraqitjen e kinezëve apo disa ngjashmëri me filmin tjetër politik “Ballë për ballë. Përgëzohet skenaristi Bashkim Shehu për punën e bërë dhe regjisori Kujtim Çashku që do të realizojë filmin.” Dhe shpjegimi nga autorja: “ …Në dhjetor 1981 ndodhi vetvrasja e Kryeministrit të Shqipërisë socialiste, Mehmet Shehu, i cili ishte babai i skenaristit Bashkim Shehu. Si pasojë, familja Shehu pati shumë peripeci dhe u përndoq për arsye politike. Skenaristi Bashkim Shehu u përjashtua nga Kinostudio dhe veprat e tij nuk u shfaqën më në publik. Xhirimet e filmit “Gjakftohtësia” u ndërprenë dhe filmi nuk u realizua. Në fondin filmik të AQSHF-së ndodhen disa skena të mbetura nga xhirimet e lëna përgjysmë të filmit “Gjakftohtësia”. (f.561)

    Kur tashmë kishte rënë sistemi komunist dhe Kinostudio ishte në frymën e fundit (1993), nga skenarët e parealizuar ishte i Fatmir Koçit “Ora dhe koha”. Edhe vet Kinostudio po ndryshonte. “Skenari ka ende nevojë të punohet dhe të kalojë përsëri në Këshillin e Kulturës.”, thuhet për këtë skenar.  “Këshilli i Kulturës është një organ i ri i studios, tashmë i ristruktuar, me emrin “Albafilm”, me funksione të ngjashme me ato të Këshillit Artistik dhe Kolektivit Krijues.” (f.579)

    Skematizmi i filmit shqiptar dhe ardhja në Tiranë i Drejtorit Artistik të Festivalit Ndërkombëtar për Fëmijë “Giffoni”

    Në kapitullin e tretë dhe të fundit të librit autorja përshkruan në mënyrë koncize dhe të përmbledhur të dhëna, analiza ideo-artistike, diskutime, direktiva, përgjegjësitë e sektorëve, analiza vjetore të punës, nga dosjet e dokumentet,  planet tematike, procerverbalet të mbledhjeve të Drejtorisë së Kinostudios, të mbledhjeve të Redaksisë, të mbledhjeve të Këshillit Artistik, të mbledhjeve të Kolektivit Krijues, të mbledhjeve të komitetit organizativ të Festivaleve e të tjera, në përgjithësi edhe sipas emërtimit të kapitullit “Çështje të organizimit të punës në kinostudion “Shqipëria e re”, në harkun kohor prej 30 vite (1962-1993). Derisa në kapitujt e tjerë kemi disa fotografi, këtu autorja ka vënë disa ekstrakte nga procesberbalet e mbledhjeve.

    Kapitulli nis me vitin 1962, me përshkrimin e dosjes më këtë përmbajtje: “Procesverbal i datës 20.3.1962 i mbajtur në mbledhjen me shkrimtarët dhe artistët për problemet e skenarëve. Diskutojnë: Manush Myftiu, Pipi Mitrojorgji, Niko Koleka, Endri Keko, Andon Pano, Fatmir Gjata, Mit’hat Fagu, Qeverim Çeli, Ndrekë Luca, Hysen Hakani, Safet Kurti, Naim Frashëri, Llazar Siliqi, Selman Vaqari, Kujtim Spahivogli, Kristaq Dhamo.” (f.617)

    Në mbledhjen e korrikut të vitit 1980 në të cilën bëhet analiza 6-mujore e punës  së Redaksisë vëhet në kritikë filmi i Çashkut. Gjithashtu në atë mbledhje mësojmë për propozimin e Piro Milkanit. “…Në fillim të mbledhjes ka një debat për veprën që po realizon Çashku, “Doktor Adhamudhi” (Pas vdekjes), e cila cilësohet në raport nga Drejtoria se ka të meta ideore, ka devijim nga realizmi i Çajupit dhe vepra është një “kllapi moderniste.”… Piro Milkani ka propozuar në muajin janar ekranizimin e romanit “Kronikë në gur” të Kadaresë dhe Kadareja është zotuar të punojë vetë në këtë skenar. Me sa duket, ky ekranizim nuk u realizua…” (f.637)

    Në janar të vitit 1985 bëhet analiza vjetore e punës në Kinostudio. E rëndësishme në këtë mbledhje është ndërtimi i godinës së re të Arkivit “për të cilën Abaz Hoxha thotë se vendi i zgjedhur është krejtësisht i papërshtatshëm. Por, Manush Myftiu thotë se duhet të ndërtohet brenda territorit të Kinostudios përderisa ky arkiv i shërben punës në Kinostdio. Me këtë fjali kuptohet që gjithnjë arkivi ka qenë parë në funksion të prodhimit dhe jo si vendruajtje e rëndësishme me siguri e lartë e kushte specifike të klimës për ruajtjen afatgjatë të elementëve origjinalë negativë të trashëgimisë kulturore kombëtare.” (f.685)

    Nëse “hetojmë” më vëmendje procesin e marrdhënieve me jashtë, pas vdekjes së Enver Hoxhës (lëmë anash një mbledhje në Kinostudio me përgjegjësit e sektorëve, kryetarët e bashkimeve profesionale dhe sekretarët e organizatave me 20 prill në të cilën diskuton drejtori i Kinostudios Viktor Gjika “për të renditur zotimet e marra pas vdekjes së Enver Hoxhës, si shprehje e unitetit dhe gadishmërisë për të çuar para veprën e tij.”), që në fillimmaj 1985 bëhet takim në Kinostudio me Klaudio Gubitosi, drejtor artistik i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë e të Rinj, Giffoni, në Salerno, Itali.  “Z. Gubitosi pritet në Kinostudio nga Drejtori Viktor Gjika dhe kineastët Piro Milkani, Fehmi Hoshafi, Viktor Hykollari. Shprehet dëshira e festivalit Giffoni që të zhvillojë një sesion kushtuar kinematografisë shqiptare në edicionin e vitit 1985…” (f.689)  

    Në fund të librit autorja Eriona Vyshka ka vënë recensa (analiza, mendime), referate (diskutime, shënime) dhe kumtesa.

    Gjatë përiudhës së Kinostudios kemi një kompleksitet gërshëtimi të profesioneve krijuese artistike nga më të ndryshme, nga skenaristi me piktorin tek regjizori me shkrimtarin, nga skenografi me operatorin tek historiani me kostumografin, nga kompozitori me montazhierin tek grimieri me dirigjentin dhe të tjerë! Aktorja Margarita Xhepa e përshkruan tërë atë periudhë përmes një fjalie: “Ishte kohë e luftës së klasave, mistereve tronditëse dhe sekreteve të paudha, por ama ishte kohë e kinemasë!

    Ky libër është udhëzues për të hyrë në materialet origjinale. Është një guidë kronologjike, ndihmesë vendimtare për të hyrë në përmbajtjen, lëndën dhe fondin e Arkivit të Filmit. Është doracak i Arkivit i domosdoshëm për studiuesit e kinematografisë shqiptare. Për historianët e filmir shqiptar. Dhe mund të them, nga përvoja e dekadave të fundit edhe për gazetarët që kanë përpara kineastët shqiptarë!

    Qershor-korrik 2025, Prishtinë

    1 Botuar te revista “Zëri”, Prishtinë, shtojca “Sheshi”, korrik 1998, nr. 18, f. 12

    2 Në këtë çerekshekullin e fundit Biblioteka e Arkivit është pasuruar me disa libra tematik që kanë të bëjnë me Kinostudion: Në vitin 2004 Natasha Lako boton librin me ese “Energjia filmike”. Në vitin 2009 “Aktoret e filmit shqiptar”. Në vitin 2009 Josif Papagjoni boton veprën “Enciklopedi Teatri & Kinematografia Shqiptare”. Në vitin 2010 “13 muaj kineast” (Viktor Stratobërdha). Në vitin 2013 Abdurrahim Myftiu boton veprën studim “Vështrim mbi dramaturgjinë e filmit artistik shqiptar (1957-1990)”. Në vitin 2013 Abaz T. Hoxha boton librin “Na ishte një herë një kinostudio” (kujtime dhe mbresa). Në vitin 2013 përgatitur dhe redaktuar nga Flori Slatina nga AQSHF është botuar libri me artikuj, intervista e opinione “Duke biseduar me Drita Pelinkun”  (pjesë është edhe intervista me Drita Pelinkun “Kosova, mall por edhe dhembje”). Në vitin 2015 Abaz T. Hoxha boton veprën “Historia e Kinemasë në Shqipëri” (Vëllimi i dytë 1945-1990). Në vitin 2016 autori Gëzim Qëndro botoi librin “Kinostudioja “Shqipëria e vjetër”, botim Onufri. Për këtë libër kam një shkrim të gjatë botuar në vitin 2020 (https://exlibris.al/morfologjia-e-simbolikes-se-kinostudios-deri-ne-detaje/). Në vitin 2017 Josif Papagjoni boton veprën “Imazhi, Historia, Qenësia” (Filmi artistik shqiptar). Në vitin 2021 Abaz T. Hoxha boton librin “Historia e kinematografisë Shqiptare 1945-1990” (Filmi Kronikal dhe Dokumentar). Në vitin 2025 Botimet Jozef boton librin e sudiueses Irini Asqeriu “Enciklopedi e filmit shqiptar 1904-2022” (Historia e Shqipërisë në syrin e kamerës) dhe Pika pa sipërfaqe dhe AQShF botuan librin e autores Jonida Gashi “Kinemaja para gjyqit” (Nga kinokronikat e gjyqeve të popullit te filmat e vigjilencës revolucionare të masave). E të tjera vepra, botime bibliofilmike, monografi, e të tjera…

    3 Vyshka, Eriona “Dokumente arkivore në fondin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit 1954-1994”, Berk, Tiranë, 2025, faqe 88 (më tej vetëm në tekst numri i faqës)

    4 Regjizori Dhimitër Anagnosti në vitin 2009 do të botoj në formatin e librit dy skënarë letrarë për filma artistikë “Përrallë nga e kaluara” dhe “Gjoleka, djali i Abazit”. Botimet Toena, Tiranë

    5 Vyshka, Eriona, Po aty, f. 505 (Kapitulli II “Të dhëna për skenarë që nuk u realizuan kurrë”)

    6 Janë dy projekte filmike që realizohen në kohën e komunizmit, filmi televiziv në dy pjesë “Gjenerali i ushrtisë së vdekur” në vitin 1975 dhe “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989

    7Filmografi e filmit shqiptar” (1953-2003” (Filmi artistik), Botimet Toena, Tiranë, 2004, f. 101. Gjithashtu gjatë intervistës të realizuar në vitin 2013 me skenaristin Nexhati Tafa (intervistë e pabotuar ende) ai thotë: “Edhe Vdekja e kalit i takon një kufiri. Çasti kur ndërrohen sistemet. Që do të thotë ai ka nisur si projekt në mos gaboj në vitin 1988 a në vitin 1989. Në fakt në vitin 1989…”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË