More
    KreuOpinionEnver Kushi: Në Prevezë te Safet Dino, vajza e vetme e Ali...

    Enver Kushi: Në Prevezë te Safet Dino, vajza e vetme e Ali Dinos

    Nga Tirana u nisëm herët, akoma pa lindur dielli. Qielli ishte i pastër dhe aty-këtu shfaqej ndonjë yll i largët. E prisja me padurim rrugëtimin për në Prevezë, ndonëse kisha shkuar dy herë në këtë qytet, nga më të bukurit e Epirit. Vajtja për herë të tretë atje, do të ishte e veçantë: do shkonim për të takuar dhe intervistuar Safet Dinon, vajzën e vetme të Ali Dinos, ndoshta e fundmja e gjakut të atit të madh të Dinove të Prevezës, Abedin Pashë Dinos. Tahir Muhedini ishte ai që drejtonte makinën. Në krahë të tij Kujtim Gjonaj, regjisor i filmit të ardhshëm për Dinot e Prevezës. Në ulësen pas, isha unë dhe Spartak Papadhimitri, një nga operatorët e Kinostudios, nga më të njohurit dhe të talentuarit e filmit shqiptar. Kujtim dhe Tak Papadhimitri kanë qenë në Paris, mos gaboj në prill të  vitit 2017, ndërsa unë nuk shkova dot, se më vdiq nëna. Falë Luan Ramës, në Paris kanë xhiruar rrugët, shtëpinë e Dinove, ndoshta edhe studion e piktorit Abedin Dino (i riu). Atje kanë shkuar edhe në shtëpinë e Boris Dinos, ku i kanë marrë një intervistë. Sipas prologut të skenarit, shkruar nga Luan Rama, ku jam bashkautor, Boris Dino, kushëri i parë i Safet Dinos, në shtëpinë e tij në Paris, rrethuar nga foto, letra apo dokumente të ndryshme për Prevezën dhe Dinot, i telefonon Safetit. Ai është i emocionuar dhe rikthehet në qytetin e të parëve të tij. Nga Preveza i përgjigjet në telefon Safeti…

    Ne po shkojmë atje ku jeton ajo, Safeti, për të xhiruar këtë skenë, dhomën ku ajo ka koleksionin e pikturave dhe karikaturave të babait të saj Ali Dino, si dhe relikte të tjera të Dinove të Prevezës.

    Si asnjëherë tjetër kam shumë emocione. Vështroj nga dritarja e makinës fushën e Myzeqesë, disi të përgjumur, tutje në horizont malin mistik të Tomorrit, që duket sikur shtrin hijen e tij ngado, kodra të buta, maja malesh, ku lëvizin copa mjegullash, tufa me dele, fshatarë, që vjelin prodhimet e vjeshtës. Është tetor, një nga muajt më të bukur, ku dielli, veçmas në Shqipëri, por edhe në Epir dhe Greqi, ka një dritë, sikur vjen nga qiej të tjerë, mijëra e mijëra vjeçarë. Është një ndriçim si prej kohërave homerike.

    Akoma jemi në viset shqiptare, në jugun tonë, ku lugina e Drinos duket  akoma e dremitur, sikur kërkon të zgjohet nga bubullimat e maleve në të dya anët e saj. Gjirokastra. Edhe këtu, copa mjegullash po lënë qytetin, duke u ngjitur shpateve gri të malit.

    Më vjen, si prej mjegullave, 2 shtator i vitit 1979. Atëherë isha mësues i letërsisë në gjimnazin e Rrogozhinës. Të dielave çohesha më herët dhe nxitoja të shkoja në një kioskë, që ishte në anë të kryqëzimit të rrugëve, që shkonin për në Jug dhe Juglindje të vendit. Ajo ishte një kinkaleri e vogël, ku mund të gjeje çdo gjë. Unë blija çdo të dielë gazetën “Drita”. I thashë mirëmëngjes xha Aqifit, i cili ma ktheu në të folurën e çamërishtes: “Çu dive djalë”. Aqif Ademi ishte nga Filati i Çamërisë, i njohur kudo, veçanërisht nga çamët e Rrogozhinës, për zgjuarsinë, maturinë dhe këshillat që u jepte. Ishte i shkurtër, me flokë të bardha, sy të zgjuar dhe zhbirues. Ato vite Moikom Zeqo më kishte dhënë një fotografi të Hemingueit. Aqif Ademi çuditërisht në portret i ngjante Hemingueit… Mora gazetën “Drita” dhe nisa të shfletoj në trotuarin më tutje, ishte botuar shkrim i Ferit Hudhrit “Piktorë shqiptarë që kanë punuar jashtë atdheut”. E lexova në trotuar. Pastaj në shtëpi. U gëzova si fëmijë: Çamëria ime kishte personalitete si, Ali Dino, Arif Dino dhe Abedin Dino (i riu). Ferit Hudhri më kishte hapur një portë për të njohur Dinot e mëdhenj. Ja thashë këtë Kujtim Gjonajt, para se të arrinim në Kakavi. Ke shkruar për këtë fakt shumë të bukur, pyet Kujtimi. Jo, i përgjigjem. E ruaj akoma atë gazetë të 2 shtatorit 1979. Besoj se do të shkruaj për Ferid Hudhrin. Dhe pastaj shtova: “Luan Rama me librin “Dino-shtegtari i Portës Sublime”, më ka hapur disa porta”. Kujtimi tha se ishte nga librat më të mirë që kishte lexuar…

    Pas veprimeve burokratike në Kakavi, kishim hyrë në tokën greke. Edhe këtu kishte shumë diell. Një diell i bukur vjeshte të dytë.

    Nuk e di se pse mendova për portat e librit të Luan Ramës “Dino-shtegtari i Portës Sublime”. Nuk është një portë, që Luani hap dhe ti futesh në një botë tjetër, të bukur, joshëse, aristokratike, ku ndjen aromat e Prevezës, pastaj të Stambollit, Adanasë, Athinës, prapë të Stambollit, Moskës, Parisit, Korfuzit, Zyrihut… Kur e lexon këtë libër, shkruar bukur dhe me shumë kulturë, të duket se Dinot e Prevezës, që nga ati i tyre i madh Abedin Pashë Dino dhe pasardhësit e tij, kanë diçka si përtej tokësores. Ata janë tokësorë si gjithë të tjerët, por vepra që kanë lënë, ka një rrezatim tjetër, diçka sikur vjen nga qiejt, diçka yllësore. T’u qasesh atyre, do të thotë sikur u qasesh hapësirave qiellore, me dritën e përhershme dhe energjinë kozmike, që nuk shuhet apo humbet kurrë. Luan Rama në librin e tij i është qasur me mjeshtëri botës kozmike edhe magnetike të Dinove.

    Këto mendoja, duke parë malet në të dyja anët e rrugës, që të çon në Janinë. Tek-tuk duken shenjat e vjeshtës së dytë në shpatet me pyje të këtyre maleve. Tahir Muhedini ul xhamin e makinës. Brenda futen aromat e vjeshtës, disi të lagështa si erë myshku a gjethesh, që bien në tokën e qullur nga shirat…

    Hymë në Janinë. Qyteti ka kohë që është zgjuar. Këtu aromat janë ndryshe, ashtu, si dhe erërat që vinë nga liqeni. Kujtimi sheh orën. Nuk do të qëndrojmë në Janinë për kafe, thotë ai. Nxitojmë, se na pret zonja nga Preveza. Sa më shumë i afrohemi Prevezës, duket sikur edhe malet e luginës së lumit të Artës, ulin kokat e tyre. Lugina ja lë vendin kodrave të buta dhe një fushnaje me limona, portokalle dhe ullinj. Shumë ullinj, mbushur me kokrra të mëdha, që kanë nisur të piqen. Ndihen erërat dhe aromat e Prevezës dhe të Epirit, që vinë nga Gjiri i Ambrakisë dhe siç shkruan Elena Gjika, parfume që vinë nga luginat e lumenjve Kalama e Aheron. Ka edhe shumë diell, dritë vjeshte të dytë, që duket shumë më e bollshme se në Janinë.

    I lodhur, dielli ulet mbi çati, them me vete një varg të një poezie të Arif Dinos. Me siguri ky varg është shkruar larg këtyre brigjeve, sepse në viset e Epirit dhe Prevezës së Dinove, dielli nuk është asnjëherë i lodhur. Asnjëherë.

    Kemi hyrë në Prevezë. Tahir Muhedini qëndron diku, anës rrugës që të çon në qendër të qytetit. Me një letër në dorë, ka të shkruar vendin ku na pret Safeti dhe pyet një zotëri të moshuar. Tahiri e flet shumë mirë greqishten, si shumë paramithjotë. Zotëria i tregon me dorë se nga do shkojmë. Pas 200 a 300 metrave, qëndrojmë prapë. Preveziani tjetër që pyet Tahiri, është djalë i ri, i cili tregon edhe ai me dorë nga do shkojmë.

    Qyteti ka lënë pas stinën e verës dhe duket i qetë. Duket që banorët e përkohshëm, pushuesit e shumtë, kanë ikur, duke lënë këtë diell dhe qiell të pazakontë vjeshte. Anës rrugëve që kalojmë, shoh si zverdhojnë kokrrat e limonave, portokalleve dhe shumë ullinj. Në ballkone prevezianët kanë mbjellë vazo me lule të ndryshme. Nuk është vështirë të dalloj edhe vazo me borzilok, vasilikua, siç i thonë në Thesproti dhe manxuranë. Ja ku është, thotë befas Muhedini. E shihni? Është ajo zonja me fustan, që mban diçka në duar. Ndalojmë. Tahir Muhedini e përqafon, pastaj me radhë edhe Kujtimi, unë dhe Papadhimitri. Muhedini i thotë të ulet në sediljen para. E ndihmoj që të ulet dhe pasi zë vend, buzëqesh duke më falënderuar në frëngjisht. Pastaj i flet greqisht Muhedinit, duke i treguar nga duhet të kalojmë. Tahiri e pyet për shëndetin. Jam mirë, thotë. Kthehemi djathtas e më pas drejt. Futemi në një rrugicë e më pas në një hapësirë mes ca shtëpive jo shumë të larta. Zbresim nga makina. Safeti e para. E takojmë prapë dhe ajo thotë italisht se është e lumtur, që vini nga Shqipëria e se nuk ka qenë asnjëherë në Tiranë. Vështroj portretin e saj, vështrimin e butë dhe rrudhat e shumta në ballë, poshtë syve dhe në qafë. Na thotë në greqisht që të urdhërojmë në shtëpinë e saj. Ajo ecën para nesh. Pak e kërrusur. Një korridor. Dy dyer të mbyllura në të dyja anët dhe një derë e hapur përballë. Futemi një nga një. Përballë një dritare e madhe. Në të djathtë një si banak i lartë. Oxhaku. Muret janë të mbushura me pikturat, karikaturat e Ali Dinos. Fotografi të vjetra bardhë e zi.

    Zonja Safet na fton të ulemi rreth një tryeze të mbushur plot me ëmbëlsira, një kek dhe shishe me coca-cola, ujë dhe lëngje frutash. Përballë nesh është ulur një zonjë e re. Safeti thotë se është vajza e saj, që quhet… Unë nuk e mbaj mend emrin e saj. Ajo na përshëndet ftohtë, ndërsa Safeti na uron edhe një herë mirëseardhjen dhe na fton të marrim ëmbëlsira. Pastaj shton se është e gëzuar që kemi ardhur nga Tirana. Kujtimi na prezanton. Pastaj shton se në Paris kanë intervistuar Borisin dhe se po xhirojmë një film dokumentar për Dinot dhe zonja Safet do na flasë për Ali Dinon, koleksionin e tij. Ah, tha Kujtimi. Do ta nisim me një telefonatë nga Parisi dhe zonja Safet që flet me Borisin. Pastaj thotë se edhe Luan Rama e përshëndet nga Parisi. Zonja Safet dëgjon me vëmendje. Na fton prapë të marrim ëmbëlsira e se jemi të lodhur nga dhromi i gjatë. Kam folur me Luanin, shton. Vajza e Safetit thotë se nuk do ta lejojmë nënën të flasë. Nuk do ta lejojmë. Ne nuk merremi me politikë. Taku përkthen në gjuhën shqipe. Thuaji zonjës, se ne jemi artistë dhe se do bëjmë film dokumentar e se nuk merremi me politikë, vazhdoi Kujtimi. Është e pamundur ta bindim atë. Safeti hesht. Duket që e ndjen veten ngushtë dhe se është e pafuqishme ta kundërshtojë të bijën. Kujtimi i thotë Safetit që t’i telefonojë Borisit… Pas pak ajo flet frëngjisht me Borisin, që kërkon t’ia japë telefonin vajzës.

    Borisi flet greqisht me të. Vajza nervozohet dhe ja mbyll telefonin. Të gjithë qëndrojmë si të ngrirë nga kjo e papritur. Të lutem a mund të filmojmë dhomën dhe pikturat, karikaturat apo disa portrete të Ali Dinos, them unë. Muhedini përkthen në greqisht. Vajza e Safetit flet prapë e nervozuar… Ngrihem në këmbë dhe vështroj me vëmendje tablotë e vëna në korniza dhe që mbulojnë muret e dhomës. Prej kohësh ëndërroja të shihja këtë koleksion të jashtëzakonshëm të një prej karikaturistëve dhe piktorëve më të njohur në Athinën e viteve ’30. Një foto bardhë e zi. Ali Dino i ri në Prevezë. Foto e gjyshit të tij. Edhe e babait Rasih Dino në një nga karikaturat a pikturat. Burra çamë të Prevezës me veshje karakteristike. Alba Dino, këngëtarja e njohur e operës së Athinës, bashkëshortja e Ali Dinos dhe nëna e Safetit, me origjinë nga Triestja. Tablo të tjera. Edhe foto. Safeti me të atin, Ali Dinon në një foto bardhë e zi, kur ajo është fëmijë, që kanë dalë në Athinë. Një çertifikatë mirënjohje nga Bashkia e Prevezës për bashkëqytetarin e nderuar. Këtu, në këtë dhomë jo shumë të madhe, ndjej aromat e një kohe tjetër, Athinën e viteve ’30 dhe kontributin e Ali Dinos në kulturën e këtij qyteti, ku ai u bë kryetari i shoqatës “Bashkimi i Karikaturistëve” të Greqisë, si dhe një nga drejtuesit e shoqatës “Bashkimi i Arteve të bukura”.

    Ulem në tavolinë. Safeti na fton prapë të hamë biskota. Ajo ruan fisnikërinë, mikpritjen e Dinove të famshëm të Prevezës. Edhe ngrohtësinë e njohur të prevezianëve. Ngrihemi. Po një fotografi a mund të bëjmë, pyes unë vajzën e Safetit. Safeti pa pritur miratimin e vajzës, futet në mes tonë… E kam kujtim të paharruar këtë foto me Safet Dinon, pinjollen e fundit nga dera e madhe, më e njohura dhe më e lavdishmja e Abedin Pashë Dinos.

    Dalim jashtë. Ndahemi duke e përqafuar Safetin. Ajo buzëqesh dhe na uron udhë të mbarë. Qëndron te shkallët e shtëpisë, si e ngrirë, me dorën lart. Preveza mbetet pas me diellin e vjeshtës së dytë dhe me mikpritjen e Safet Dinos.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË