More
    KreuLetërsiShënime mbi libraEmin Azemi: Sinteza ideore, poetike e estetike e filozofisë së krijimit të...

    Emin Azemi: Sinteza ideore, poetike e estetike e filozofisë së krijimit të Beqir Musliut

    Paraqitja e fuguracionit në diksursin poetik të Beqir Musliut, është pashmangshëm e lidhur me aftësinë për receptim, që nuk ishte gjithmonë e pranishme në horizontet e zakonshme të pritjeve të lexuesve, sidomos në procesin e dekodimit të kuptimësisë së retorikës ligjërimore të tekstit poetik. Kjo edhe për faktin se me potencën e ideve dhe të imazheve, Beqir Musliu  ndikoi fuqishëm, ndoshta më shumë te krijuesit se te lexuesit

    Beqir Musliu është ndër emrat e rrallë në letrat shqipe që la një trashëgimi të pasur e komplekse krijuese, e  projektuar mbi një sistem autonom e autentik  letrar. Ai nuk ndoqi rrymimet e formimit letrar të kohës, por u përpoq të sjell një autorësi origjinale shkrimi që do të bazohej në promovimin e një leksiku pak a shumë atipik poetik, me një përkufizim të avancuar kulturologjik mbi resemantizimin e botës mitike dhe shkrirjen e saj në një areal të pasur  simbolikash poetike  krejtësisht novatore, si për kohën kur u krijuan por edhe për të sotmen, që ende nuk po mundet ta tejkalojë kondicionin e shprehjes dhe të gjuhës që ai la si gjurmë të pashlyera. 
    Fuqia magjike e fjalës së tij, i jep hirit të metaforës përtëritjen që ka zjarri i fjetur brenda deklishetizimit të fjalëformimit kontrastiv poetik, të tipit: BUKURIA E ZEZË, DARKA E MAGJISË,TRENDAFILI I DRUNJT, MURIMI I BUTËSISË, DAULLET E QETËSISË etj.
    Për të fjala më shumë se prodhim leksikor e gramatikor, ishte vetë pjesa organike e qenësisë, dhe mbi këtë postulat estetik Beqir Musliu projektoi një dimension të veçantë receptiv, i cili herë del si bashkëpjesmarrës në eksplorimin e kujtesës arkeologjike e paleologjike të historisë dhe aktualitetit, të individit dhe kolektivitetit , e herë del si një fushë magnetike ku ndeshen alkimia e fjalës me horizontin e koduar kontemplativ të ironisë së gjuhës dhe simbolikës së saj.
    Paraqitja e fuguracionit në diksursin poetik të Beqir Musliut, është pashmangshëm e lidhur me aftësinë për receptim, që nuk ishte gjithmonë e pranishme në horizontet e zakonshme të pritjeve të lexuesve, sidomos në procesin e dekodimit të kuptimësisë së retorikës ligjërimore të tekstit poetik. Kjo edhe për faktin se, siç shkruante poeti Ragip Sylaj, me potencën e ideve dhe të imazheve, Beqir Musliu  ndikoi fuqishëm, ndoshta më shumë te krijuesit se te lexuesit.

    Pra, deshëm s’deshëm, vijmë tek një problem teorik që shtrohet sa herë që diskutohet prania e lexuesit në procesin komunikues brenda një diskursi letrar.
    Përgjigjen ndaj këtij problemi ndoshta më së miri e ka dhënë Sabri Hamiti, teksa ka shkruar se Beqir Musliu letërsinë e kishte jo mjet komunikimi, por ekzistencë, mënyrë të jetuari, medium për të sprovuar dilemat dhe botëkuptimet njerëzore, nacionale, e universal në të njëjtën kohë.

    Pasi ta kemi vëzhguar nga afër natyrën dhe kompleksitetin e kredos krijuese të këtij shkrimtari, a mund të themi se kishte barriera të caktuara komunikimi me autorin Beqir Musliu, dhe cilat predispozita të formimit letrar do të duhej të kishin ndodhur që ta kishim një lexues të kualifikuar, i cili do të kapërcente nga kornizat e klishetizuara të edukimit estetik, në një dimension më të hapur të shkollave të hermeneutikës letrare.

    Me fjalë të tjera, ndonëse vet Beqir Musliu nuk ishte shumë i dhënë pas tipologjisë së veprës së hapur, kjo megjithatë nuk e justifikon për asnjë rrethanë mungesën e një observimi më kompleks të botës së këtij shkrimtari, qoftë edhe atëherë kur mund të kishim ndonjë vlerësim të rrallë të tipit të  Ibrahim Rugovës, sipas të cilit, Beqir Musliu është njëri ndër poetët më të rëndësishëm të poezisë së sotme shqiptare në përgjithësi.

    Pra, çka duam të themi? Jeta e veprës letrare mund të diktojë një zhvillim interaktiv në procesin e komunikimit me lexuesin edhe pa pasur nevojë për ndërmjetësues, siç është bie fjala kritika letrare apo artikulimi publik i recensionit letrar përmes mediave, por kjo jetë zhvillohet ngadalë dhe pa ritmin e duhur të formimit dhe edukimit të mirëfilltë estetik.

    Në historinë tonë letrare, të mëhershme, në periudhën e Rilindjes Kombëtare, dhe të mëvonshme, në kohën e ekskomunkimit të shkrimtarëve me lexuesit, rasti i Martin Camajt, Arshi Pipës, deri dikund edhe të Ernes Koliqit etj. procesi i komunikimit letrar ka pasur specifikat e veta të zhvillimit, të cilat, megjithatë, nuk kanë ndikuar në pasivitetin e shkrimtarëve. Po të nisej, bie fjala, Naim Frashëri nga predispozita e komunikimit me lexuesit, ai do të duhej të hiqte dorë nga shkrimi, por ai ishte i vetëdijshmëm se fuqia rezistuese e veprës letrare nuk konsistonte gjithaq në receptivitetin aktual, sa mbështetej në horizontin e ardhshëm të pritjes.

    Nëse dikur shkrimtarët i kishin shkruar veprat e tyre jashtë vëmendjes aktive të lexuesit dhe të kritikës letrare, kjo a mund të vlejë edhe për Beqir Musliun, ndaj të cilit më pak se vëmendje lexuesi, pati mungesë vëmendjeje nga studimet tona letrare, qofshin ato të autorëve e studiuesve , qofshin edhe të katedrave tona universitare e shkollore, ku Beqir Musliu ende trajtohet vetëm si një shkrimtar hermetik.

    Për shkrimtarin Beqir Musliu mund të hapim tema e trajtesa nga më të ndryshmet, por ajo që është e domosdoshme të dihet e të thuhet për të është  se ai erdhi në botën tonë letrare si një banor tepër i vaçantë që e zhvilloi ‘habitatin’ e vet krijues brenda një sistemi dhe jashtë kodeve e kanoneve që i kishte caktuar koha e shkrimit të viteve 60 e këndej, kur edhe ai u formua dhe u zhvillua si emër dhe si fenomen letrar.

    Përkushtimi i tij gati asketik për energjinë krijuese që jepte arti i fjalës, si dhe për sintezën ideore, poetike e estetike të filozofisë së krijimit, do të lë hapur shumë mundësi dhe sprova që Beqir Musliu në një kohë tjetër, të ketë statusin çfarë e meritojnë kolosët e letrave në hierarkinë e vlerave.


    Beqir MUSLIU
    NGJYRNAT E FJALËS*

    Nuk kemi me i quejtë të marrë njerëzit –
    Pse nuk kanë me ditë me i dashunue pllumbat.
    Nuk kemi me u shikue – si në pasqyrë,
    Me hijet e vetvehtes së kërrusun.
    ( Çdo kangë na rritë dhe at e dashunojmë,
    aq na dhimbet kur vdes – sa edhe ne nanës ).
    Nuk kemi me qenë vrasësit e kohës
    Në kullat e mbylluna të gjakut.
    Nuk kemi me këndue vetëm për lindje,
    Meqë edhe vdekjen e mbajmë mbi kurriz
    Në gishtat tanë secili ndien
    Të prekunit e butë të diellit –
    Dhe sa çudi: na blerohen gishtat si bari !


    *Poezia e parë e Librit të parë “RIMA TË SHQETËSUEME” të Beqir Musliut, botuar më 1965 nga revista letrare “Jeta e Re”


    SYTË E ZEF SEREMBES
    (triptik poetik)
    (VDEKJA E POETIT)

    Me lulekuqet e Kosovës do të dal o shumë më i ri
    A është kjo dëshirë edhe kur zogu fluturon
    Në qiell edhe kur lulja në dimër nis frymon
    Verën e vet e unë në gjak kala do të ngre përsëri
    Në pikëllim s’kemi ditur t’i vizatojmë brigjet e detit
    Por deri në dekje të këngës është edhe një dëshirë
    Për t’u kthyer në epokën e gurit të fortë martirë
    Që të kuptoet ajo verë e lules dhe Vdekja e Poetit
    E tash si ta shëroj prej fjalëve gjakun tim
    Që po ndizem i tëri kur jam në të parin varg
    Që s’po mund të më kthejë as deri te emri im
    Prej gjakut më duhet të udhëtoj edhe më larg
    Ta vizitoj verën e humbur nëpër këto zbrazëti
    Prej kohës të ndaj për vete një kohë e histori

    (SYTË E ZEF SEREMBES)

    Shikojnë apo shikohen në një pikë nëpër natë e errësirë
    Zgjohet pluhur e historia e legjenda nëpër këto metafora
    Mbas mbeten gërmadhat varret emrat e pluhuri në muzé
    Koha ruan urtësinë mendimin e shpata shekullin e verdhë
    Këmbët udhëtimin që filloi në zanafillë të botës
    Horizontet mbeten vetëm e udhët shndërrohen në Oqean
    Mbi natën që të gjithë e kanë në lëkurë sytë e trillojnë
    Shikimin për atë Pikë ku çelën edhe në dyll e në hi
    Vallë, a e vërteta mbeti të luhatet në luhajën e vjetëruar
    Nëse s’e kapërdinë aventurat me një hurbë atë valë të kuqe
    Gjithçkah e ndanë deti mbeten zgavrat e zbrazëta për varkën
    Për të depërtuar matanë natës që është edhe pafundësi
    Gjithçka mbete e afërt në sytë që Pikën e Shndërrojnë në Arbëri


    (VARRI I ZEF SEREMBES)

    Nata përsëri kërkon shtegtarë të rinj të fortë
    Se në pjesën tjetër të natës bishat pinë gjak
    Matanë vdekjes e dashura këndon në kroin më të bukur
    Ende zgjasin ëndrrat e Polifemëve dhe Bajlozëve
    Përkundër muzave që me flijime e gdhijnë këtë natë
    Zemra qëndron mbi të gjitha simbolet madhështore simbol
    Kjo natë përsëri kërkon shtegtarë të rinj të fortë
    Që do ta përbironin flakën nëpër gishta
    Pra, më kot bie shi kur zjarret mbeten të ndezura
    Kalorësit e çalë nëpër planet kërkojnë vend të lirë
    Në atdheun e lulkuqeve duke ëndërruar një shtegtar
    Varri mbeti të shikojë vetëm atë pikë drithëruese kah qielli
    A do të më njohë mua së paku në metaforë Arbëria


    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË