More
    KreuLetërsiBotime të rejaEmil Lafe: “Valët e detit” – Një përmendore e folklorit shqiptar

    Emil Lafe: “Valët e detit” – Një përmendore e folklorit shqiptar

    Ka qenë një ide e bukur e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale për të përkujtuar Spiro Dinen në 100-vjetorin e ndarjes nga jeta (Korçë, 1922) me një botim anastatik të përmbledhjes folklorike të tij “Valët e Detit”. Siç është bërë e njohur, libri ka dalë nga shtypi kohët e fundit (për fat të keq lë mjaft për të dëshiruar nga ana teknike). Ky ribotim i detyrohet kujdesit të studiuesit Niko Kotherja, hulumtues si zellshëm i traditave kulturore e kombëtare të qarkut të Korçës e më gjerë dhe drejtor i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale. Ai ka shkruar edhe studimin hyrës “Rreth figurës së patriotit dhe folkloristit Spiro Dine”, që përmban të dhëna dhe shqyrtime historike-kulturore me shumë interes për kohën kur jetoi autori i librit dhe për vetë librin (studimi meriton të botohet edhe në një revistë shkencore). Libri “Valët e Detit’ është shkruar dhe shtypur me alfabetin e Shoqërisë së Stambollit, e njohur ndryshe edhe si Shoqëria e Shkronjëzave (1879). Në këtë vështrim ai ka vlerë më fort për studiuesit, që duan ta njohin e ta shfrytëzojnë lëndën folklorike të tij në botimin e parë origjinal.

    Nga 856 faqet që ka libri “Valët e Detit” 186 faqe janë një përmbledhje vjershash të vetë Spiro Dines dhe të disa autorëve të tjerë bashkëkohës, si Koto Hoxhi, Thimi Krej, Loni Logori, Kristo Floqi, Eftim Brandi, Jani Vreto, L. G. Naçi dhe një përkthim i K. Kristoforidhit. Janë përgjithësisht vjersha të thjeshta, pa ndonjë vlerë të spikatur letrare, që meritojnë të botohen edhe më vete si antologji e poezisë së Rilindjes (të ashtuquajturit poetë minorë). Vetë S. Dinia rrëfehet se dëshira për të shkruar vjersha edhe ai iu ngjall pasi lexoi “Istorinë e Skënderbeut” të Naim Frashërit, që e mahniti dhe e preku thellë në shpirt, por nuk e njeh veten për vjershëtor (“nga vjershëtorët jam larg sa qielli me dhenë” – shih Parathënien). Tematika e vjershave të S. Dines dhe të tjerëve është kryesisht dashuria për atdheun e për gjuhën shqipe, brenga për gjendjen e mjeruar të Shqipërisë, nderimi e vlerësimi i atyre që kanë punuar e punojnë për atdheun e vet, dënimi i ashpër për ata që bëhen vegla të propagandave dhe politikave të huaja armiqësore, harmonia ndërmjet shqiptarëve të besimeve të ndryshme: Gjithë Shqipëtarë jemi, /Sido s’jemi më një besë,/ Po një atë e mëmë kemi,/ Për mirësi të mëmëdhesë”. Te parathënia e librit “Valët e Detit” S. Dinia tregon bukur, thjesht e me çiltërsi për jetën tij, për rrethanat kur mësoi të shkruajë shqip në shkollë me abetaren e Naum Veqilharxhit, kur hyri në lëvizjen kombëtare dhe si nisi të mbledhë me zell e me dashuri visaret folklorike që kishin sjellë me vete dhe i mbanin të gjalla shqiptarët në Egjipt. Kjo parathënie ka vlera të shumanshme atdhetare, historike, diturore etj., prandaj po e sjellim të plotë më poshtë për lexuesin e sotshëm, se lexohet me ëndje dhe me një frymë.

    Lënda folklorike e librit “Valët e Detit” është ribotuar më 1962 me alfabetin e sotshëm te vëllimi i tretë i serisë “Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar” nga Instituti i atëhershëm i Folklorit. Përkujtimi i Spiro Dines në 100-vjetorin e ndarjes nga jeta le të jetë edhe një shtysë për një botim të ri e të përkujdesur mirë të ”Valëve të Detit” me alfabetin e sotshëm (pas dy vjetësh vjen dhe 180-vjetori i lindjes së tij).

    Parathenje nga Spiro Dine

    Që të dalë njeriu në dritë e të duket në botë, lipset mënt e dituri, jo si unë që nuk di se nga ziretë kalemi.

    Po dhëmbja e shkretë edhe dëshira e madhe për mëmëdhenë që ma ka ndjerë zëmra që kur qeshë djalë 3-10 vjeçë, kur mësova nde prifti Panajoti në fshat tim Vithkuq, që ahere pra më kish hipur kjo idhe, dhe gjithënjë ëndërrinja për këtë, edhe thoshnja që nga zëmra: Ah! sikur të kishim dhe neve shqipëtarët të shkruanim e të këndonim më gjuhën e vet! – Po kur thoshën: «Ç›kërkon njeriu ja dhënka perëndija», kështu pra më ngjau dhe mua, se, kur erdha këtu në Misir (Egjyptë) më 1866, djalë pothua 20-21 vjeç, dëgjova këtu se Thimi Mitkua është shqipëtar, shqipëtar them se vetëm ky përpiqej për të shkruar gjuhën e vet. Kështu pra m’u shtua shpresa dhe zëmra ime m’u bë sa një mal. Kur u poqa herën e parë në Han Alil, ku kish shkresëtoren, më priti si mëmëdhetar i vërtetë edhe e para fjalë që më pyeti më tha në di ndonjë këngë a përrallë të vjetërë. Po mua kjo m’u duk, si çudi dhe vura buzën më të qeshur, po më së fundi ma mbushi mëndjen duke thënë për Kamardën, prift Arhimandrit, fillollog i math shqipëtar nga Livorna e Italisë, dhe Panajoti Kupitori nga Idhra e Greqisë, edhe shumë e shumë të tjerë fillollogë të mbëdhenj evropianë, të cilët thonë që në këngët dhe në përrallat e vjetëra të popullit, ruhen zakonet, gjuha dhe historija e vet. Kështu pra, këngët tona, sikundrë shikonjëm, janë shumë të nevojshime e të vjejtura për kombin tonë, se ndër këto shikonjëm të ngjarat e çdo kohe, që ka shkuar si valët e detit dhe prej këtyreve munt dalë një istori e plotë. 

    Kjo, pra, më dha shkak edhe mua të mbleth jo vetëm këngët popullore, po edhe çdo farë gjë të vlyer e të pavlyer dhe të ja u përmënt atyre q’i kanë dëgjuar dhe i kanë haruar, edhe t’i mësonjën ata që nuk i dinë, po më tepër për ata do vinjën pas, duhet t’ja u bënjëm njojtura punët e prindërve, se pa mos mbedhur dhe shkruar, humbasën edhe vdiren sikundrë janë humbur edhe vdier gjer më sot.

    Kështu pra mora kalemnë dhe kudo që gjenja shqipëtar, do t’i ngarkohesha dhe do t’i lutesha të më thosh sa që dinte.

    Por edhe për fat të mirë atë kohë, ndodheshin dhe shqipëtarë shumë n’Egjypt, nga do të shkonje do të piqnje shqipëtarë. Karakollët e Kairos qenë plotë gegë e toskë. Këngët e vallet nukë reshtnin; bozuku, tamburaja e bakllamaja buçisnin më të katër anët, na dukej sikur gjëndeshim në Shqipëri; tregu i armëvet (çoksillah) përveç shqipëtarëve tjatër nukë kish, më të shumët gegë myslimanë e të krishterë mirëditas; prandaj gjeta kohë të mbleth nga të dy anët (dialekte) prej gegëve dhe prej toskëve. Kështu, duke mbledhur dhe duke dhënë Mitkos, të cilat ky i shtypi në “Mbletën”, po më të shumat mbetnë për Mbletën e vogël”, e cila është gati për të shtypur, po nuk arriu i mjeri; por mbesonj djemtë e tij nukë do ta lënë pa shtypur, po shpejt do ta qitin në dritë.

    Pasandaj, sa që mblodha i mbajta, më nuk ja dhashë Mitkos. Pas kohe më ra në dorë dhe Istoria e Skënderbegut, të cilën, as e dinja, as e kisha dëgjuar fare. Kur e këndova mbeta shumë i mahnitur, dhe munt të them që kush prej shqipëtarëve s’ka kënduar historin’ e Gjerq Kastriotit (Skënderbeut), nuk munt të bënet mëmëdhetar i vërtetë, se këtu do të shohë e do të çuditet e do të mahnitet me mëndjen e me trimëritë që kanë rrëfyerë shtërgjyshërit tanë, dhe kështu ka me lavdëruar zonë që u lint shqipëtar, dhe kur të sjellim këtë emër ta kemi për lëvdatë, e jo si ca quravecë dhe të humburë që humbasin në lëkurën e tyre, edhe e kanë për turp të quhen ç›janë, po fshihen si miza nënë bishtin e kalit! Duke kënduarë pra këtë istori, dhe duke qarë dhe duke derdhur lot, psherëtinja dhe thoshnja: “Ah! E varfëra Shqipëri! O vatra e trimërisë; ku paske qënë dhe ku gjëndesh sot!”

    Që ahere pra, o vëllezër, m’u mbush shpirti me mallëngjim dhe që ahere zura, i shkreti, shkruanj hidhërimet e zëmrës, jo si vjershëtor, se nga vjershëtorët jam lark sa qielli me dhenë, po shkrojta psherëtimet që më delnin nga zëmra, dhe çdo kohë kam shkruar, kam shënuar vitin edhe vëndin; në ato kohë, siç dihet, s’kishim shkronjat tona, po shkruanim me të botës, ashtu si dinte gjithkush. Kur pra dolli Abetari ynë shqip në Stamboll prej shoqërisë shqiptare më 1879, — dhe më pastaj në Bukuresht, që ahere zunë shqipëtarët të shkruajnë gjuhën e vet, e cila në pakë kohë u përhap më të katër anët e Shqipërisë edhe gjetkë, dhe që ahere çdo shqipëtar shkruan e këndon shqip, përveç ca të humbur që janë edhe në gjumë e nukë hapin dot sytë. Oh! Sa qënka e nevojshime gjuha e vet nde njeriu! Kjo pra, në pak kohë, bëri shqipëtarët të njihen njeri me tjatrin; kjo them për pakë kohë çfaqi mëmëdhetarët dhe vjershëtorët e flaktë që u rrjedhin vjershat si ari i kulluar, dhe të tjera e të tjera.

    Unë pra që të nderonj këtë librë, shumë herë shkruanja dhe lutesha të më bënin gjithkush nga një vjershë, dhe ata që patnë nderë e më dërguan jau di për të mirë, dhe gjithkujt i kam shënuar emërin në vjershën e bërësit, po nga këto 5-6 vjersha me emërin Th. K. më kushtonjën plot 15,379 franga e 60 q. !!. . .

    Pas këtyre më ra nder mënt të mbleth të thënat, fjalë të vjetëra të popullit, si dhe ca lodra e zakone etj., siç duken në librën. Më së fundi bëra dhe ca mëndjake me sa që ma preu mëndja, pas këtyre mblodha dhe emërat që kanë dhe përdorur dhe përdornin gjer më sot populli shqipëtar. Si pashë që u mblodhë dhe u bënë shumë, vura ndër mënt t‘i shtyp e t‘i qit dritë, po, kur mejtonja turpin që një si unë qysh munt të dalë përpara të diturve, u hoqa dhe i plasa më nj‘anë edhe kurrë do mos e shikonin dritën, po, pas kohe më kupëtuan ca mëmëdhetarë të vërtetë, vjershëtorë me mënt, këta zotërinj, them, më ngutnë që ta shtyp dhe të mos kem turp fare, se kjo librë, më thanë, është popullore edhe e vyershime, në mos po t‘ja u jap ta shtypin ata vetë. 

    Unë pra, me giithë këtë kurajo, përsëri nukë më mbushej mëndja, po më së fundi mejtova edhe një tjatrë gjë, thashë me mënt e mija: “Unë këtu nukë shkruanj as historin‘e Piros, as të Lekës së Math, as trimëritë e Babës tonë Gjerq Kastriotit (Skënderbegut), po shkruanj këngët edhe zakonet e popullit tonë, munt t‘i shkruanjë giithëkush. Kjo pra më dha kurajo shumë dhe më nguti që ta shtyp e ta qit në dritë, pra, po në bëra mirë a liksht, Ie ta gjykonjën ata që dinë; unë kaqë munda, kaqë bëra; sa për gjuhën që është një ujem, u lutem këndonjëset, të mos vënë re, po të shikonjën vetëm qëllimin e zëmërës se ku qëllon. Kështu pra them që do më ndjenjën metat.

    Librën e quajta «VaIët e Detit», duke kujtuar popullin tonë që ka shkuar jetën e ti valë-valë, kështu pra, duke dhënë funt kësaj libre, i lutem Zotit t‘i falnjë kombit shqipëtar dëshirën e shtërgjyshërvet tanë për mëmëdhenë e varfër që të harinjëm edhe ne si giithë kombet e qytetëruar.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË