More
    KreuLetërsiBibliotekëEdgar Allan Poe: Zemra rrëfyese

    Edgar Allan Poe: Zemra rrëfyese

    Përktheu: Noel Boci

    E vërtetë! I shqetësuar, tmerrësisht i shqetësuar kam qenë dhe vijoj të jem; por pse thoni që jam i çmendur? Sëmundja m’i kishte forcuar shqisat, nuk m’i kishte shkatërruar e as nuk m’i kishte zbehur ato. Mbi të gjitha, shqisën e dëgjimit e kisha jashtë mase të mprehtë. Dëgjoja gjithçka që ndodhte në parajsë e në tokë. Shumëçka dëgjoja në ferr. E si pra mund të jem i çmendur? Dëgjoni me kujdes! Vëreni sa me qartësi, sa me qetësi mund t’jua tregoj tërë historinë.

       Është e pamundur të thuhet se si më lindi fillimisht ajo ide, por sapo u formësua, më përndiqte ditë e natë. Nuk ekzistonte asnjë qëllim. Asnjë mllef. E doja plakun. Nuk më kishte bërë kurrë asgjë të keqe. Asnjëherë nuk më kishte fyer. Për pasurinë e tij nuk kisha fare lakmi. Mendoj që ishte syri i tij! Po, kjo ishte! Njëri prej syve të tij i ngjante syrit të një shpendi grabitqar – një sy në ngjyrë blu të zbehtë, i mbuluar nga një perde e turbullt. Sa herë më vështronte më ngrihej gjaku, e kështu, hap pas hapi, e ndava mendjen t’i merrja jetën plakut, e kështu të shpëtoja veten nga ai sy njëherë e përgjithmonë.

       Këtu pra qëndron thelbi. Ju më merrni për të çmendur. Të çmendurit nuk dinë asgjë. Por ju duhet të më kishit parë mua. Duhet të më kishit parë me ç’mençuri veprova; me ç’kujdes, me ç’largpamësi, me ç’tinëzari e kreva këtë vepër! Nuk jam treguar kurrë aq i dashur me plakun sesa tërë atë javë përpara se ta vrisja. Dhe çdo natë rreth mesnatës ktheja dorezën e derës së tij dhe e hapja; oh, sa me butësi e hapja! Kur hapësira ishte e mjaftueshme për të futur kokën time, fusja një kandil të errët, plotësisht të mbuluar, në mënyrë që të mos depërtonte asnjë grimë drite prej tij, e më pas fusja kokën. Oh, do të qeshnit po të shikonit me ç’dinakëri e fusja brenda! E lëvizja ngadalë, shumë ngadalë, në mënyrë që mos t’ia prishja gjumin plakut. Më duhej plot një orë të fusja tërë kokën brenda asaj hapësire aq sa të mund ta shikoja atë të shtrirë mbi krevat. Hah! A do arrinte një i çmendur të tregohej kaq i mençur? Dhe pasi më në fund e fusja plotësisht kokën brenda në dhomë e zbuloja me kujdes; oh, me kaq kujdes (pasi këmbëzat kërcitën) e zbuloja, aq sa një fije fare e vogël e asaj drite të binte mu në atë sy grabitqari. Dhe këtë gjë  e bëra për shtatë net të gjata, çdo natë mu në mesnatë, por syri qëllonte përherë i mbyllur, ndaj dhe ishte e pamundur ta kryeja punën, pasi nuk ishte plaku ai që më acaronte, por Syri i tij i Lig. Dhe çdo mëngjes, sapo zbardhte dita, hyja me guxim në dhomën e tij dhe i flisja me vendosmëri, duke e thirrur në emër me një ton të ngrohtë, duke e pyetur si e kishte kaluar natën. Siç e kuptoni ai do të kishte qenë një plak vërtet shumë i mprehtë, po të dyshonte që çdo natë, mu në orën dymbëdhjetë, e vëzhgoja teksa flinte.

       Natën e tetë u tregova më i kujdesshëm se zakonisht kur po hapja derën. Edhe akrepi i minutave të një ore do të lëvizte më shpejt. Kurrë më parë, deri atë natë, nuk i kisha ndjerë plotësisht fuqitë e mia, mprehtësinë e mendjes sime. Me zor e përmbaja ndjesinë e fitores. E ta mendosh që unë isha aty, duke hapur derën pak e nga pak, kurse ai as në ëndrra nuk do mund t’i shihte veprimet dhe mendimet e mia të fshehta. Qesha me zë të ulët, dhe mbase ai më dëgjoi, pasi lëvizi papritmas në shtrat si të qe trembur. Mund të mendoni se u tërhoqa, por jo. Dhoma ishte sterrë e zezë nga tërë ajo errësirë e dendur (ngaqë grilat qenë mbyllur nga frika se mos hynin hajdutët), ndaj e dija që ai nuk e shihte dot derën që po hapej, dhe vazhdova ta shtyja atë dalë e ngadalë.

       Kisha futur tashmë kokën brenda dhe po bëhesha gati të zbuloja kandilin kur gishti më rrëshqiti mbi kapësen prej teneqeje, dhe plaku u çua në krevat dhe bërtiti, “Kush është aty?”

       Ndenja në vend pa lëvizur dhe nuk thashë asgjë. Për plot një orë nuk lëviza as muskulin më të vogël, dhe ndërkohë nuk e dëgjova plakun të shtrihej. Vazhdonte të qëndronte ulur në shtrat, duke dëgjuar; ashtu siç kam bërë unë natë për natë duke dëgjuar rrahjet e vdekjes në mur.

       Papritmas dëgjova një rënkim të lehtë, dhe e kuptova që ishte rënkimi i një tmerri vdekjeprurës. Nuk ishte rënkim dhimbjeje apo pikëllimi; oh, jo! Ishte ai tingull i ulët, i mbytur, që buron nga thellësia e shpirtit të mbushur me frikë. E njihja mirë atë tingull. Shumë net, mu në mesnatë, teksa e gjithë bota flinte, ky tingull kishte shpërthyer edhe nga kraharori im, duke u thelluar, me jehonën e tij të tmerrshme, me ankthet që më shpërqendronin. Po, e njihja shumë mirë atë tingull. E dija çfarë ndjente plaku, dhe ndjeja keqardhje për të, ndonëse në shpirt gëzohesha. E dija që po qëndronte i shtrirë zgjuar që nga ajo zhurma e parë dhe e lehtë në çastin kur qe kthyer në shtrat. Frika kishte nisur të përforcohej brenda tij. Përpiqej të bindte veten se ajo frikë ishte e pabazë, por nuk ia dilte dot. Thoshte me vete, “Nuk është asgjë veçse era në oxhak, është vetëm një mi që po ecën në dysheme,” ose “Është thjesht një bulkth që ka cingëruar vetëm një herë.” Po, po përpiqej të ngushëllonte veten me këto hamendësime; por e kuptonte se ishte e kotë. Gjithçka ishte e kotë, sepse Vdekja, teksa i afrohej, ecte përpara tij me hijen e saj të zezë, duke e mbështjellë me të viktimën. Dhe ishte pikërisht ky ndikim i zymtë i hijes së padukshme që e bënte të ndjente, edhe pse nuk shihte dhe nuk dëgjonte, të ndjente praninë e kokës sime brenda në dhomë.

       Pasi prita gjatë e me shumë durim pa e dëgjuar të shtrihej, vendosa ta zbuloja pak, shumë, shumë pak, kandilin. Kështu që e zbulova; nuk mund ta imagjinoni dot sa tinëzisht e zbulova, derisa më në fund një rreze e zbehtë, si filli i merimangës, doli nga ajo pak hapësirë dhe ra mbi syrin prej grabitqari.

       Ishte i hapur, krejtësisht i hapur, dhe u tërbova teksa e shikoja. E pashë krejt qartë: i gjithi blu i zbehtë, mbuluar me një perde të neveritshme që më ngrinte palcën e kockave, por nuk shikoja dot asgjë tjetër nga fytyra apo nga trupi i plakut, sepse e kisha drejtuar rrezen e dritës, thuajse instinktivisht, pikërisht mbi atë vend të mallkuar.

       A nuk ju thashë se ajo që ju e ngatërroni për çmenduri nuk është veçse mprehtësi e theksuar e shqisave? Atëherë në veshët e mi arriti një tingull i ulët, i mbytur, i shpejtë, si ai që bën një orë kur është e mbështjellë me pëlhurë pambuku. Edhe atë tingull e njihja mirë. Ishte rrahja e zemrës së plakut. Ajo e shtonte tërbimin tim, ashtu siç e nxit një ushtar tingulli i daulles të tregohet i guximshëm.

       Megjithatë u përmbajta dhe qëndrova pa lëvizur. As frymë thuajse nuk merrja. Kandilin e mbaja pa e lëvizur fare. Po përpiqesha ta mbaja sa më drejt rrezen ndriçuese mbi syrin e tij. Ndërkohë, rrahjet djallëzore të zemrës po shtoheshin. Bëheshin gjithnjë e më të shpejta, gjithnjë e më të zhurmshme, çdo sekondë. Plaku duhet të ketë qenë i tmerruar për vdekje. Bëheshin më të zhurmshme, po ju them, më të zhurmshme në çdo çast! Më kuptuat mirë? Jua thashë që jam i shqetësuar: dhe jam vërtet.

       Atëherë, në errësirën e asaj mesnate, mes heshtjes së tmerrshme të asaj shtëpie të vjetër, një zhurmë kaq e pazakontë më ngjalli një frikë të pakufi. Megjithatë, u përmbajta dhe qëndrova në vend edhe për ca minuta. Por rrahjet po bëheshin akoma më të forta! Mendova se mos zemra do të shpërthente. Në atë çast më kaploi një tjetër ankth: poterja mund të dëgjohej nga ndonjë fqinj. Plakut i erdhi koha! Me një britmë të fortë, zbulova me forcë kandilin dhe u hodha brenda në dhomë. Ai bërtiti vetëm një herë. E tërhoqa menjëherë zvarrë në dysheme dhe i hodha krevatin e rëndë sipër. Pastaj buzëqesha i gëzuar, teksa pashë se vepra pothuajse ishte kryer. Por për minuta me radhë zemra vijoi të rrihte me një tingull të mbytur. Kjo, ama, nuk më shqetësoi; nuk mund të dëgjohej përtej murit. Më në fund pushoi. Plaku kishte vdekur. E hoqa mënjanë krevatin dhe shqyrtova kufomën. Po, trupi ishte i pajetë. Ia vura dorën mbi zemër dhe e mbajta aty për një kohë të gjatë. Nuk kishte asnjë rrahje. Përfundimisht kishte vdekur. Syri i tij nuk do të më shqetësonte më.

       Nëse akoma më merrni për të çmendur, këtë tashmë do e hiqni njëherë e mirë nga mendja sapo t’ju përshkruaj masat paraprake që mora për të fshehur trupin. Nata po kalonte, dhe unë punoja me nxitim, por në heshtje.

       Hoqa tri dërrasa nga dyshemeja dhe e fsheha trupin midis trarëve. Pastaj i vendosa dërrasat sërish aq mjeshtërisht, aq dinakërisht, saqë asnjë sy njeriu, madje as i tiji, nuk do të mund të dallonte asgjë të dyshimtë. Nuk kishte asgjë për të pastruar; asnjë njollë çfarëdo, as edhe një pikë gjaku. Isha treguar më se i kujdesshëm nga kjo anë.

       Kur përfundova, ora kishte shkuar katër; errësira mbizotëronte si të ishte mesnatë. Teksa kambana ra për të shënuar orën, u dëgjua një trokitje në derën e jashtme. Zbrita për ta hapur pa ndjerë kurrfarë frike; e për se duhet të kisha tani frikë? Hynë tre burra, të cilët u prezantuan, në mënyrë shumë të sjellshme, si oficerë të policisë. Një britmë qe dëgjuar nga një prej komshinjve gjatë natës; dyshohej të ishte kryer një krim i rëndë; kallëzimi ishte bërë në zyrën e policisë, dhe ata (oficerët) ishin caktuar për të kontrolluar terrenin.

       Buzëqesha; fundja, për se duhet të kisha frikë? Zotërinjve u urova mirëseardhjen. Britma, u thashë, kishte qenë imja teksa shikoja një ëndërr. Plaku, shtova, ishte larguar në fshat. U tregova vizitorëve tërë shtëpinë. U thashë të kërkonin; të kërkonin mirë. I çova pastaj, së fundi, në dhomën e tij. U tregova sendet e tij të çmuara, të paprekura, të sigurta. Në kulmin e vetëbesimin tim, solla ca karrige në dhomë dhe i ftova të çlodheshin këtu, ndërkohë që unë vetë, me paturpësinë më të madhe që më buronte nga triumfi i padiskutueshëm, e vendosa karrigen time mu mbi vendin ku prehej trupi i viktimës.

       Oficerët ndiheshin të kënaqur. Sjellja ime i kishte bindur. Ndihesha krejtësisht i qetë. Ata ndenjën ulur, dhe teksa u përgjigjesha me gjallëri, ata bisedonin mbi gjëra të zakonshme. Por, pas pak, ndjeva se po zbehesha dhe dëshiroja që ata të largoheshin. Më dhimbte koka dhe më dukej sikur dëgjoja një zhurmë në vesh; ata ndërkohë vazhdonin të rrinin e të bisedonin po aty. Zhurma u bë më e qartë; bëhej gjithnjë e më e dallueshme. U mundova të flisja më me lirshmëri për t’u shpëtuar ndjesive, por zhurma vijonte të bëhej akoma më e dëgjueshme, derisa, më në fund, zbulova se zhurma nuk ishte vetëm brenda veshëve të mi.

       Tashmë pa dyshim isha zbehur krejt në fytyrë; megjithatë u përpoqa të flisja më rrjedhshëm dhe me zë më të ngritur. Prapëseprapë, zhurma po shtohej; çfarë mund të bëja? Ishte një tingull i ulët, i mbytur, i shpejtë, si ai që bën një orë kur është e mbështjellë me pëlhurë pambuku. U mundova të mbushesha me frymë; ama oficerët akoma nuk dëgjonin gjë. Nisa të flisja akoma më shpejt, më me vrull; por zhurma vazhdonte të shtohej pandërprerë. U çova në këmbë dhe fillova të grindesha për kotësi, me një ton të lartë dhe me gjeste të dhunshme; por zhurma shtohej. Pse nuk po largoheshin? Ecja lart e poshtë nëpër dysheme me hapa të rëndë, si i tërbuar nga vërejtjet e burrave, por zhurma vazhdonte pa pushim. O Zot! Çfarë mund të bëja? Shkumoja, çmendesha, shaja! Mora karrigen ku isha ulur pak më parë dhe e fërkova mbi dërrasat e dyshemesë, por zhurma tejkalonte gjithçka dhe vazhdonte të shtohej. Po bëhej përherë e më e fortë, më e fortë, më e fortë! Ndërsa burrat ende  vazhdonin të bisedonin dhe të buzëqeshnin tërë kënaqësi. Ishte vallë e mundur të mos e dëgjonin? Zot i Gjithëpushtetshëm; jo, jo! Ata e dëgjonin! Dyshonin! E dinin! Po talleshin me tmerrin tim! Këtë mendoja dhe akoma e mendoj. Por gjithçka ishte më e lehtë se kjo dhimbje! Çdo gjë do ishte më e përballueshme se kjo përqeshje! Nuk i duroja dot më ato buzëqeshje hipokrite! E ndjeva që duhet o të ulërija, o të vdisja!… dhe pastaj… sërish!… dëgjojeni! Më e fortë! Më e fortë! Më e fortë! Më e fortë!

       “Të poshtër” bërtita, “mjaft u shtirët! E pranoj krimin! –Shkulini dërrasat! Këtu! Mu këtu! Janë rrahjet e zemrës së tij të neveritshme!”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË