ANTIPOEZI
Pikërisht tani, në këtë moment,
unë po rilexoj Niçen.
Një njeri atje, në Francë,
ndoshta po i fryn borisë.
Një tjetër sapo e mbuluan me dhe,
përshkuar nga melodia e Mozartit;
ashtu kishte dashur vdekjen e tij.
Një ushtar i UÇK-së
zgjohet natën, bën roje nderi
për dëshmorët e luftës,
ndërsa gjatë ditës,
krenohen politikanët
me të rënët.
Në këtë moment, një polic vritet
në detyrë;
shteti bën lavdata,
e i vë kurora.
Ca protestues diku në botë
gjuajnë gurë për të drejtat e tyre,
duke shkelur të drejtat e tjerëve.
Diku në një dasmë,
i thyhet takja një gruaje,
dhe turpërohet nga dasmorët.
Një i ri ëndërron të studiojë
në astronomi,
por shteti i tij
nuk i jep këtë mundësi.
Në një nga spitalet,
fëmijët ruajnë babain e tyre
dhe presin me padurim
testamentin që do t’u lexohet
nga avokati i tij.
Në këtë moment,
vullkani Kilauea pret
të shpërthejë diku në Hawai;
familja që po evakuohet nga frika,
harron njërin fëmijë,
dhe duhet të kthehet në pikën zero.
Tash, në këtë moment,
një nënë mbledh plaçkat
të largohet nga familja
për shkak të dhunës familjare.
Një çift shikon TV,
përmes projektorit në natyrë,
dhe s’di të ngihet
nga lumturia e çastit.
Pikërisht tash, në këtë moment,
një sheik bën festë
me shumë nga gratë e tij,
ndërsa një prift pedofil
ka hallin kujt t’i rrëfehet,
se vetë është rrëfimtari.
Një vajzë shikon TikTok
dhe ndihet palaço në shoqëri,
përderisa disa shoqe
kanë bërë operacione plastike
dhe ngjajnë si VIP.
Një motër medicionale
luan me pacientin,
një mjek merr ryshfetin
për të kuruar njeriun
që po lufton me vdekjen.
Një shoferi të autoambulancës
i duhen para, para
për të përshpejtuar makinën
para se t’i jep shpirt pacienti.
Në këtë moment, një vajzë e re
për njëzet euro shet trupin e saj;
një tjetër shkon në Dubai,
sa herë t’i do qejfi.
Një hoxhë i devotshëm
thërret për besim, fal pesë vakte
dhe ëndërron të shkojë
te Zoti me shpirtin e pastër.
Një prift i urtë, mes lotësh,
kujton njeriun pa mëkate
dhe lutet për veten e për të tjerët.
Një nënë ëndërron
për familje të lumtur,
një fëmijë shet cigare
dhe shpreson për Lamborghini.
Një tjetër fëmijë
zien vezë për t’i shitur
në pijetore që të paguaj kursin e gjermanishtes.
Pikërisht tani, në këtë moment,
këputet një lule
nga dora vrastare e një njeriu.
Në këtë moment, në altar,
kurorëzohen dy të rinj,
bëjnë be e rrëfë
për përjetësinë e martesës së tyre.
Pikërisht tash, në këtë moment,
nga hapësira, një astronaut
vëzhgon lëvizjet e Tokës;
një kufitar vazhdon të ruajë kufijtë
e pret të dekorohet
nga shteti.
Pikërisht tash, në këtë moment,
një njeri vendos
të jetojë si homeless.
Ndërsa në një kazino fiton një milion
njeriu që kishte 30 vjet
i varur nga kjo lojë.
Një misër kryelart
këputet nga njeriu
dhe i vyshken mustaqet.
Në këtë moment,
njeriu shkruan diçka,
diçka që s’është asgjë.
Pikërisht tash, në këtë moment,
hajnat plaçkitin një bankë.
Një sheik blen një plazh privat
për të shëtitur gruan e tij
me bikini.
Pikërisht tash, në këtë moment,
helmohet një student
nga shoku i tij,
dhe publikohet live
vrasja.
Pikërisht tash, në këtë moment,
po bije shi.
Përcëllon dielli
diku në El Azizia në Libi.
Në Manhattan të New York-ut,
po bën fotografi
një çift kinez.
Një zonjë nga Kosova
viziton Parisin
dhe poston veten
para kullës së Ajfelit,
pa qarë kokën për Gustave Eiffel.
Një njeri i paralizuar
urinon në pampers,
duke thirrur për vdekjen e tij.
Unë përplas derën e bërtas:
OOOO jetë.
MEMOR – ‘90
Largoj merimangat nga muret e bardha,
Mes kujtimesh, ngjyros dhomën me të verdhë.
Në hapat e vetmisë,
Spërkatet shpirti im me ngjyrë purpuri.
Koha më qëndron indiferente,
E kthehem ku kam nisur:
Në piskamat e shpirtit,
Aty ku kam jetuar, tepër dorëlëshuar,
Me zërin e brendshëm tek i thërret kësaj kohe:
Një minutë heshtje për të rënët (1 min heshtje), LAVDI!
E dini?! Shpirtrat e tyre e mbajnë në këmbë Atdheun.
Ende kërkojmë sytë e të pagjeturve,
Që na ndjekin nga pas, tash e njëmijë vjet.
Tek shtegton shpirti im në këto kujtime të brishta,
Mes helmit në bankat shkollore që serbet na e gjuan.
Kujtoj vëllain tim shtatë vjeçar që mbante një minutë heshtje, gati krejt pafrymë.
Paj, ky ishte koncepti i lirisë për të.
Na masakruan, na vranë fëmijët, vëllezërit, motrat, prindërit.
Na zhdukën, na përdhunuan, na burgosën, na vodhën rininë, na helmuan,
Na përndjekën, dhe prapë jemi zgjuar.
Duke, ëndërruar lirinë,
Në udhën e gjatë si fëmijë,
Mes gjakut rrëke ndiem aromën e saj.
Në vrapin drejt lirisë,na vranë shokët e klasës,
Me vagona kemi hedhur qepë nga ballkoni, kundrejt gazit lotësjellës.
Ata me vagona na larguan nga Atdheu.
Mes autoblindash dhe automatikësh, me qiri në dorë,
Kemi bërtitur “Liri”,
Atdheu ishte i madh,
Ah,
sa i madh ishte Atdheu.