Marrë nga Libri “U zhvendosëm brinjazi”
Përktheu nga origjinali: Armela Hysi
Epitaf
“Çdo puthje që jepet, ama çdonjëra pa përjashtim
një për qind përbëhet
nga përjetësia
dhe e tëra pjesa tjetër prej rrezikut
të jetë e fundit.”
Por dhe e fundit veçse
cila vallë në fakt nga puthje do t’quhet
për sa kohë të paktën
atypari pas vetes së tyre e tërheqin
kujtesa nga njëra anë
harresa nga tjetra
secila si pronësi të vetën duke e pretenduar
der’sa Solomoni i Drejtë
që të dalë në shesh kujt i takon vërtetë
mes-përmes do të kërcënojë ta ndajë
gjysmën të marrë njëra e gjysmën tjetra
dhe cila prej të dyjave në çdo radhë
– asnjëherë e njëjta s’është –
të ulërijë mos.
Çdo puthje
përbëhet tërësisht nga rreziku
të jetë e fundit.
Në vazhdim të përherëshme është vetëm
ajo puthje që kurrë nuk është dhënë.
Të urta, paqësisht e ndajnë
pritja dhe heqja dorë
lule që përballin njëra-tjetrën ato të dyja
në vazo të përbashkët kompromisi
kenotaf stolisin.
Zhvendosja
Siç u thepis
përsëri aty vazhdon të jetë.
Vëllim balte gurësh
pluhur
aty i përplasa
në mes të korridorit të ngushtë
nga ku detyrimisht kaloj
jashtë në kam për të dalë
a të shtyhem më brenda.
Një mal i tërë gërmadhat.
Pyes veten
kaq e madhe të qe kjo histori?
Krejt e kundërta
E stërpakëza e një historije është
ç’ shemb përtokë tërë këtë përmasë pikëllimi.
Ja për hir të kësaj zhdrejtësie analogjike
ruhet prestigji i së pakuptueshmes.