More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDëfrim Cani: “Qefini” apo kodi estetik i vdekjes…

    Dëfrim Cani: “Qefini” apo kodi estetik i vdekjes…

    (Shënim mbi poezinë “Qefini” të poetit Ferik Ferra
    botuar në vëllimin poetik “Koha e Gurit”, Tiranë 2008)

    Poezia “Qefini” e poetit Ferik Ferra është shkruar që në vitin 2008 dhe është botuar në vëllimin me poezi “Koha e gurit”. Poezia është një strukturë e organizuar mjeshtërisht nga ana poetike, stilistikore, tekstuale, kumtuese, emocionale, që edhe pse ka kaluar aq kohë, ajo të emocionon, të duket se sapo është shkruar, duke pasur një lloj gjithëkohësie apo një të tashme të përhershme, por çështja më e rëndësishme është studimi tekstorë, për të cilin në kritikën e sotme ka pak kujdes dhe studime.

    Në të vërtetë teksti është lënda fondamentale e çdo krijimi artistik. “Qefini” është një tekst brilant tekstual, i cili e “detyron” studiuesin ta respektojë atë, në mënyrë që poezia të lexohet korrektësisht, pasi sot në letërsinë shqiptare dhe prurjet e reja poetike, prirja për të shoqëruar librat me parathënie, gjasme jesh- kritik, janë vetëm mbulesa dhe jo zbulesa të poezisë së shkruar.  -“Qefini” – “Mizat e shkronjave/ sterrin faturën e vdekjes/ për tu larë në breg të lumit,/ me çesmen e gjakut të kraharorit (e)/ qefinin e munguar.(strofa e I); Para syve nata e përjetshme/ firmuar nga nenet e penales,/ matur me kutin e njëzetë e dy pranverave,/ dhe ëndrrën e jetës/varur në rrezet e hënës,/ këputur nga plumbat e parazbardhjes/dhe saktësinë e mortit/në fund shkrepjen e prokurorit.(strofa e II); Prej qiellit Hyu/zbret vdekjen e munguar,/në tridhjetë e gjashtë pranvera tjera,/faturën kthyer në qefin transparent,/ veshur ditë e natë pas trupit/ që të këput frymën/ sa herë endet/ në fundin e ditëve, të orëve, të çasteve,/ /dhe shpirti jeton/ momentet e fundit.”(strofa e III) (“Qefini”, “Koha e Gurit”,Tiranë,- 2008, Fq.48)

    “Qefini” më së pari është një tekst, pastaj është poezi dhe pastaj një diçka tjetër më konkrete. Pra, ai e tejkalon dhe e “thyen” murin e fortë të kritikut apo studiuesit, i cili në asnjë rast nuk dëshiron të hyjë në “doktrinën” e dhimbjes apo të sentimentit të poetit. “Qefini” ka diçka përtej të gjithave dhe përballohet, dekodohet, peshohet dhe motivohet, jo vetëm prej leximit estetik. Para se të “hamendësohemi” në “lojën” estetike të poezisë, më parë duhet të pyesim se çfarë është në të vërtetë ky tekst, pasi në të gjitha vështrimet, atë horizontal, vertikal dhe diagonal, teksti “Qefini” informon, të shkakton vuajtje dhe sugjestion.

    “Qefini” është një baladë për vdekjen. Teksti ka një saktësi të madhe dhe të rrallë, ç’ka tregon se nën “petkat” e baladës fshihet dhe është ajo që ka ndodhur vërtetë. Poetit i ka pëlqyer, ka qenë i “detyruar” apo ka menduar të “sistemojë” në poezi këtë kujtesë, apo vetëm kështu atij i është “zbrazur” dhe i ka besuar memoria dhe përjetimi i tij? Poezia duket se nxë brenda vetes më shumë gjëra të domosdoshme, se gjithë llojet e tjera të rrëfimit njerëzor.

    Poezia ka tri kaptina, sepse tri strofat e tejkalojnë “rregullën” e vet dhe i kanë rrobat e ngushta për këtë lloj kumti. Për këtë shkak, korrelacioni i kuptimeve, figurave dhe definicioneve vargnore, tregon një hapësirë të madhe kohore.

    Poezia nis me një “tautologji” tronditëse, vijon me një njoftim morti dhe në kaptinën e tretë përgjithësohet e para dhe e dyta bashkë. Kaptina e parë dhe ajo e tretë simbolikisht (ato formojnë një simbolikë të përbashkët për sytë dhe mendjen e estetit), parabolikisht tipizojnë dhe përgjithësojnë fatin dhe kohën e poetit, po ashtu dhe fatin dhe kohën e të tjerëve. Pamja (një fotografim i mrekullueshëm që vjen në kaptinën e dytë)- e vdekjes, i ngjan një lumi, i cili kalon pa ndalë, përditë nën urë.

    Raportet metonimike mes tri kaptinave dhe simbolikës, madje dhe “skematizmit” (ura dhe lumi), janë absolutisht të kuptueshme, as të kërkuara, as të artificializuara, qoftë nga konceptimi kritik ashtu dhe nga poeti. “Qefini” organizohet mbi mundësinë komunikuese dhe informuese të lexuesit, përmes tri fjalive të thjeshta (situata dhe mundësi rrëfyese), të cilat “diktohen” nga lexuesi i të gjithë niveleve vertikalisht, pavarësisht dekodimit simbolik dhe figurativ tjetër. Kaptina e parë dhe fjalia e parë:- Mizat e shkronjave, sterrin faturën e vdekjes… Kaptina e dytë dhe fjalia e dytë:- Para syve (është, pret shfaqet), nata e përjetshme (vdekja), firmos me kutin (moshën), e njëzetë e dy pranverave (vjeç), këputur nga plumbat me saktësinë (fabrikimin e procesit, kushtin, detyrimin, diktatin e pakundërshtueshëm, planifikimin), e mortit. Kaptina e tretë dhe fjalia e tretë:- Zbret vdekja, në tridhjetë e gjashtë (vjeç), pranverave të tjera, në qefin transparent (ka një koncept gjithë kohorë dhe mizorë), veshur ditë e natë  (në çdo kohë dhe papushim)…

    Krejt ligjërata dhe kumti duket se “ngecin” dhe mbeten tek “qefin transparent”, i vetuar dhe numër njëjës, ekstra- kuptimi i të cilit (kumtit), definohet përmes alkimizmit, i cili duket dhe “matricë” sasiore dhe “matricë” cilësore. “Qefin transparent” është një simbol i rrallë, i cili ka të bëjë me punën dhe aftësinë e “sendërtimit” artistik të një mjeshtri, të një metonimisti unik dhe kontekstualisht i gjithëkohshëm; “qefin transparent” ka të bëjë me një fat kolektiv, një fat i beftë, i papritur, i cili “troket” në çdo kohë, në çdo vend dhe tek kushdo.  Në asnjë rast tjetër apo dhe vetë poeti Ferra, as ndonjë poet tjetër nuk ka arritur ta nyjëtojë kaq thjeshtë, ekonomikisht dhe stilistikisht fatin kolektiv. Simboli që rrjedh prej tij është raporti i vdekjes me hapësirën, është raporti i vdekjes me të gjithë.

    Marrëdhënia dhe leksikologjia e togfjalëshit me bazë emërore të “dyfishtë”, s’mund të orientohet ndryshe. “Qefin transparent” është një simbol kontekstual, i cili hyn në marrëdhënie dhe shndërrohet në ”nyjë” në një “klimë” të caktuar dhe të shumëfishtë kumtesh, e caktuar dhe e kushtëzuar. Për kritikën tropike (shih Fraj, “Anatomi e kritikës”, fq 35), e cila sendërtohet, jo përmes tezës krahasuese apo hipotetike, por merret me aktualitetin e poezisë, d.m.th modernitetin e saj, këtu ka një situatë në të cilën fryjnë të gjithë erërat e mundshme të konstrukteve të kritikës, e cila niset nga teksti letrar për të shkuar në vendosjen në kohë. “Qefini” nuk është një tekst ”bujar”, nuk është një “derë e hapur”, e cila të lejon të hysh brenda, kur të duash, si të duash dhe kushdo qofsh. Është një tekst me disa shtresime, pra, është një “tezgjah” i vështirë, i cili është nisur të endet para 50 vjetësh.

    Në këto kondita, leximit të nevojshëm letrar i duhet të pyesë “simbolikën e thellë”, embrionin, në dy rrafshe: Rrafshi i parë, që lidhet me tekstin dhe leximin:- A janë mbivendosur tekstet e tjera mbi këtë tekst, të cilin e lexojmë dhe shohin formën e tij të vargëzuar? -Sa tekste janë brenda këtij teksti? -A mund ta gjejmë tekstin e parë dhe pastaj tekstet e tjera, që natyrisht janë mbivendosur nga pashmangshmëria për të kryer të kundërtën? -Si duhet lexuar teksti i parë? -A është i plotë leximi estetik dhe ai artistik, nëse nuk do të merrnim në konsideratë tekstet e tjera? –

    Pse teksti “Qefini” kumton (lexohet), vertikalisht, horizontalisht dhe diagonalisht? -A mund të propozojmë leximet e tjera të këtij teksti, duke pyetur për të marrë përgjigje për çdo tekst?

    Për studiuesin dhe tekstologun (realisht një studiues i mirë është patjetër dhe një tekstolog i mirë), teksti i parë është i pranishëm në atë poetik, që Ferra ia propozon lexuesit të poezisë. Natyrisht poezia simboliste dhe poezia me një bazë të madhe stilemash, nuk është një tekst bujar, për të dhënë lehtësisht atë që ajo e ka të rëndësishme dhe petkun e saj. “Shkronjat, faqet e procesit, breg lumi, natë e përjetshme, rrezet e hënës, plumbat e parazbardhjes, saktësinë e mortit, shkrepjen e prokurorit, këput frymën, veshur ditë e natë pas trupit, shpirti jeton, momentet e fundit,“,-janë fjalë, togfjalësha dhe leksema të njohura, të cilat pa shumë vështirësi të orientojnë në kohë dhe në vend. Patjetër i gjithë burimi themelor emëror, foljorë dhe ndajfoljor është teksti i parë, është teksti mbi të cilin është ngritur teksti poetik, i cili në një lloj kuptimi është “superstruktura” e tij.

    Për studiuesin dhe kritikun, ka vlerë burimi dhe se teksti poetik nuk është i pari. Poeti ka përdorë një sasi të konsiderueshme elementesh informues, për atë që është teksti i parë (pavarësisht në ai është shkruar apo nuk është shkruar), çfarë i ka dhënë poezisë një lloje stilizimi “telegrafik”, me çfarë kuptohet, se çdo gjë është kundër njeriut, ashtu siç ndodh në përgjithësi në letërsinë ekzistencialiste të Sartrit, Kamusit apo të Kafkës. Para se “Qefinit” t’i bënim leximin estetik, do të duhej të pyesnim për rrafshin e dytë, që është rrafshi i leximit të tekstit dhe që është i nevojshëm jo vetëm për studiuesin apo kondicionimin e poezisë, por dhe për lexuesin.

    Atëherë na duhet të pyesim përsëri:- Si do ta lexonte këtë tekst psikanaliza? -Si do ta lexonte këtë tekst psikologjia? -Si do ta lexonte këtë tekst etikologjia? Dhe së fundi: -Si e lexon këtë tekst studiuesi dhe estetisti i letërsisë artistike? Burimet leksikore janë të njëjta për të katër përgjigjet që kërkohen. Psikanaliza, psikologjia dhe estetikologjia artistike ka një bazë simbolike, pavarësisht se si lexohet i njëjti simbol në psikologji dhe në estetikë. Përgjithësisht Ferra përmes burimit fjalor e tipizon kohën, d.m.th na njofton se “Qefini” është nënprodukt i marrëdhënieve të njeriut me “fatin” e tij në -X- kohë. Bëhet fjalë për një kohë ekzistenciale, e cila vepron për shkakun e marrëdhënieve armiqësore, vrastare fatale, shkakësore dhe të befta, që shteti kishte vendosur me njerëzit e tij. Natyrisht këtë lloj lufte, në këtë lloj kushtëzimi, njeriu nuk e kishte pasur dhe në kohët e vështira, dhe në kohët primitive, në të cilën zotëronte “jeton më i forti”.

    Këtë psikologji të ftohtë me një vrastaritet cinik, poeti e shtrin në të gjithë tekstin, i cili është mbi- tekst, ku janë mbivendosur konceptet dhe njoftimet, pa i prishur punë njëri- tjetrit. Poeti Ferra shfrytëzon në maksimumin e vet simbolikën, si burim kuptimor dhe “zbulues”, për të cilin një poezi simboliste ka shumë nevojë.      

    “Qefini” është njëra prej poezive, që Ferra e ka strukturuar mirë dhe kodifikuar metaforikisht në mënyrë inteligjente dhe rezistente për kohën. Pjesa më e madhe e pjesëve të ndryshueshme të ligjëratës, pavarësisht se ato i gjen dhe në fjalorin e komunikimit përditësor të çdo njeriu, arrijnë dhe shndërrohen në stilema dhe leksik reflektues të kumtit vertikal, horizontal, duke qenë të realizuara me definicione të kapshme, të cilat e zbulojnë tekstin estetik me realizëm. Është krejt e mundur që “Qefini” të zbulohet përmes strukturës poetike vertikale dhe asaj horizontale, përmes stilemave, togfjalëshave dhe mega-metaforave emblematike, nën të cilat fshihet një kumt tragjik. Nën të, jeta e njeriut, si një parcelë e vogël a e madhe, duket se është mbjellë me një vdekje, që pritet të “mbijë” hap pas hapi, kohë pas kohe a çast pas çasti.

    Marrëdhëniet gjuhësore mes fjalëve, janë thuajse të gjitha kundrinore, çka tregon se poeti e definon vektorin kumtues, i jep destinacion. Tre mega-metaforat (metafora të mëdha), mbulojnë endjen 50 vjeçare të poezisë “Qefini”. Strofa e parë është ndërtuar mbi funksionimin e një metafore literale, që sipas Fraj do të thotë,- “një relacion në mes dy (a më shumë D.C), simboleve, që mund të jetë një puthitje e thjeshtë, strofa e dytë, është ndërtuar mbi funksionimin e një metafore universale, që sipas Fraj do të thotë,- një identitet i individit me klasën e tij, dhe strofa e tretë, që funksionon  mbi një metaforë analogjike, e përkufizuar ndryshe “një pohim i identitetit hipotetik”.

    Duket se metafora universale ka qenë e pranishme që në krye të herës dhe për shkakun, se ajo plotëson dhe emërton më herët se çdo figurë tjetër fatin e njeriut në rrethanat e dhunshme, në rrethanat refuzuese dhe aq më tepër fatalitetin e tij, i cili është i tillë për arsyen e përthyerjes përballë shtetit të vet apo sunduesit të vet. “Qefini” është ndërtuar si një strukturë skëterrore dhe poeti arrin të na e tregojë atë në të gjithë elementët dhe funksionin e vet, pavarësisht një teksti poetik.

    Ashtu si struktura e ferrit tek anonimët e Egjiptit, tek Shën Agostini apo dhe Dante. Vertikalisht dhe horizontalisht nëpër të duket terri (nata e përjetshme), ngrirja e kohës (saktësia e mortit), ecja e kohës mbrapsht (faturën e kthyer në qefin transparent, veshur ditë e natë pas trupit), mbetja në vend (këputur nga plumbat e parazbardhjes), humbja e shpresës (kujtesa endet në fundin e ditëve, të netëve, të çasteve), të cilat janë cilësitë  e njohura të një strukture klasike ferri. “Qefini” është një poezi tipike e sendërtuar me një marrëdhënie të kërkuar, të domosdoshme për të funksionuar mes strukturës poetike horizontale dhe atë komunikuese vertikale. Kjo e fundit përmes një kolone (a skuadre) stilemash dhe nyjëtimesh (mizat, sterrin, faturën, çezmën, qefinin, para syve, firmuar, matur, tridhjetë e gjashtë pranvera, qielli, zbret vdekjen, qefin transparent etj), poeti arrin të krijojë furtunën, dimrin, një fushnajë dimërore dhe vdekatar-e, ku rrjedh dhe kumtohet vetëm dhënie shpirti dhe marrje shpirti.

    Struktura vertikale e komunikimit të poezisë ngjan me një lajm vdekjeje dhe klimë mortore. Për vdekjen kanë shkruar të gjithë poetët e botës. Kanë shkruar dhe më mediokrit dhe më të mirët. Dhe kjo është për një shkak të hershëm, thuajse biblik. Sjellja me vdekjen është elementi tregues, më fondamentali dhe më i nevojshmi i shoqërisë njerëzore nëpër kohë. Madje dhe dueli i parë nga njerëzit dhe hyjnitë, si ai i Hektorit me Akilin, që në thelb ka të bëjë me gjykimin e vdekjes dhe sjelljes ndaj saj.

    Poeti Ferik Ferra bën të njohur simbolikën e kësaj strukture skëterrore. Qefini është rroba e bardhë, me të cilën mbështillet trupi i të vdekurit në ditën e vdekjes dhe jo më parë. Simbolika skëterrore, pavarësisht detajeve që poeti i sjell përmes gjithë lëndës poetike, është që në titullin e poezisë. Koha ecën mbrapsht që në momentin e parë kur poeti fillon të “arsyetojë”, ta “detalizojë” qefinin, si zakon i rekuiemit. A s’na njofton dhe Homeri, se Hektori kishte vdekur që para se të “rikthehej” në duel me Akilin? Fantazma e vëllait ishte vetëm një halucinacion… “Qefini” ka një inversion intrigues, i cili na kujton “malin e brinjës” tek Makbethi. Ai është një rrobë e të vdekurit, është pjesë e nëntokës, e errësirës, natës së përjetshme, është e pa- kthimit, e fatit të individit dhe projektit për të tjerët, që rrëfehet prej andej poshtë.

    Në leximin estetik “Qefini” është një strukturë e ngurtë për shkakun e fjalorit dhe leksikologjisë së fjalëve mortore që nga vdekja deri tek nata e përjetshme. I “mbjellë” me të gjithë lëndën dhe kumtin e tragjedisë, duket se poeti është hepuar për ta definuar “detajin” me një qëllim të njohur, që kumti të ketë shtrirje, të ketë gjerësi, ashtu siç ka qenë në të vërtetë në “tekstin“ e parë, i cili është realiteti jetësor. Realisht tragjedia është në tekstin e parë, pavarësisht se ai nuk mund të ishte i poetizuar.

    Leximi vertikal i poezisë e zbulon mirë atë. Në leximin artistik, “Qefini” i elementuar me ndalimi i kohës, ecja mbrapsht e saj, nevoja për ta njohur skëterrën, nis me një element vdekjesor, si në tragjedi, që realisht flet dhe “rrëfen” vdekjen, por që lejon dhe depërtimin brenda saj.

    Qefini si element i “argumentit artistik të poezisë është një metonimi funksionale, pavarësisht se e tëra duket pakës si larg, për shkakun selektiv të ndërtimit të Ferrit dhe strukturës së ashpër vertikale për ta vizatuar vdekjen e porositur dhe akt-ë-sinë e  saj (…dhe saktësinë  mortit, në fund shkrepja e prokurorit.) Qefini është një metonimi aktive në të gjithë shtrirjen e kumtit poetik të thënë dhe të ndërthënë. Teksti “Qefini”, për rastin në fjalë është ndërtuar si një rrëfim emocional nga poeti Ferik Ferra, por për rrugët prej nga na e sjell informimin, ai rrëfen rrugën e vet.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË