More
    KreuIntervistaDavid Szalay për romanin “Flesh”: Fatkeqësisht është e vështirë të shkruash për...

    David Szalay për romanin “Flesh”: Fatkeqësisht është e vështirë të shkruash për seksin

    Bisedoi Lisa Allardice
    Chief Books Writer, The Guardian

    Protagonisti i romanit është i dhunshëm, i pangopur seksualisht dhe aq i paaftë për t’u shprehur sa thotë “OK” rreth 500 herë. Pra si ia doli autori ta kthente historinë e tij në një kryevepër tragjike?

    E martë, 11 nëntor 2025

    Kur takohemi mëngjesin pas shpalljes së çmimit Booker të këtij viti, David Szalay, fituesi, duket një autor tepër i dashur dhe i butë për të qenë krijuesi i një prej personazheve më moralisht të dyshimtë në letërsinë bashkëkohore. Romani i tij i gjashtë, Flesh, për ngritjen dhe rënien e një emigranti hungarez në Mbretërinë e Bashkuar, nuk i ngjan asgjëje që keni lexuar më parë.

    Szalay (shqiptohet “Sol-oy”) shpesh përshkruhet si “hungarezo-britanik”, por këtë mëngjes kjo i ka ofenduar kanadezët, thotë ai. Nëna e tij ishte kanadeze dhe ai ka lindur në atë vend, ku i ati hungarez ishte shpërngulur disa vite më herët. “Mund të thuhet se jam më shumë kanadez sesa hungarez.” Tani 51 vjeç, ai është rritur në Angli, ka mbaruar studimet në Universitetin e Oksfordit dhe ka jetuar 15 vjet në Hungari. Për ta bërë situatën edhe më konfuze, ai ka ardhur nga Vjena, ku tani jeton me bashkëshorten dhe djalin e tyre të vogël, Jonathan.

    Brexit do të shkaktojë ndryshime shumë të thella në psikologjinë e këtij vendi

    Prej shumë vitesh, Szalay ka qenë i vlerësuar nga kritikët si “shkrimtari i shkrimtarëve”. Në vitin 2013 ai u përfshi në listën e Granta-s si një nga Romancierët e Rinj më të Mirë Britanikë. Ka pasur gjithmonë ndjesinë se ai meritonte të njihej më shumë. Në 12 muajt e fundit, ai ka pasur një foshnjë dhe ka fituar çmimin Booker. “Nuk është një vit që do ta harroj,” thotë ai, me zërin e ngjirur nga mungesa e gjumit dhe gjithë ato biseda që ka bërë që në mëngjes.

    Mbrëmja e djeshme nuk ishte hera e tij e parë në ceremoninë torturuese të Booker-it. Në vitin 2016 ai ishte në listën e shkurtër për All That Man Is, një përmbledhje e ndërthurur me nëntë tregime për burra të moshave të ndryshme nga e gjithë Evropa, që shkaktoi debat nëse duhej të konsiderohej roman. “Ishte një mbrëmje shumë, shumë stresuese,” thotë ai. Këtë herë vendosi “të hipnotizonte veten” që të besonte se nuk kishte fituar. “Ndoshta ia dola pak më shumë seç duhej,” thotë. “Isha çuditërisht i qetë – dhe pastaj, kur ndodhi vërtet, mbeta pak i tronditur.”

    Flesh lindi nga dështimi i një romani që ai kishte punuar për katër vjet. Pjesërisht kjo erdhi nga presioni i vëmendjes që All That Man Is kishte marrë. Gjithashtu: “koncepti qendror ishte i gabuar.” Szalay kishte shkruar 100,000 fjalë përpara se ta braktiste më në fund. “Ishte një ndjesi e jashtëzakonshme lehtësimi, si edhe ankthi se tani duhej të filloja diçka tjetër,” thotë ai. “Të braktisja dy libra me radhë do të fillonte të dukej si diçka fatale.”

    “Kisha provuar të hipnotizoja veten” … Szalay me Mbretëreshën Camilla në një pritje të çmimit Booker dje. Foto: Stefan Rousseau/Reuters

    Ai donte të shkruante një roman që shtrihej mes Anglisë dhe Hungarisë, për të pasqyruar ndjesinë e të qenit “emocionalisht i bllokuar mes dy vendeve”. Ai gjithashtu donte të shkruante për “fizikalitetin e ekzistencës”, thotë ai. “Sigurisht që është pjesë e çdo historie, por shumë rrallë del në plan të parë si ide.” Hapi një dokument të ri në Word dhe i vuri titullin provizor Flesh. Titulli i dukej shumë “jo letrar”, thotë ai, dhe e bëri redaktorin e tij nervoz. Por në fund, të gjithë ranë dakord se i përshtatej shqetësimit të përhapur të romanit dhe preokupimit të tij qendror – trupit.

    Kapitulli i paharrueshëm hapës erdhi i pari, pothuajse si tregim i shkurtër. Pesëmbëdhjetëvjeçari István po jeton në një qytet të ri, në një lagje hungareze, me nënën e tij beqare. Një fqinjë 42-vjeçare e josh, dhe një përleshje me burrin e saj përfundon në katastrofë. “Unë me siguri do ta lexoja kapitullin e dytë,” thotë Szalay. “Kështu që pastaj mendova: ‘Si mund ta çoj këtë histori më tej?’”

    Dhe historia ecën përpara, me shpejtësi. Istváni kalon kohë në një qendër paraburgimi për të mitur, pastaj si pjesë e ushtrisë hungareze në luftën e Irakut. Të dyja këto përvoja ndodhin jashtë skene. Herën tjetër që e takojmë ai punon si roje dere në një klub në Londër. Më pas merr një punë si shofer personal për një njeri absurdisht të pasur. Përfundon duke u bërë edhe vetë absurdisht i pasur. Të tregosh më shumë do të thoshte të zbuloje tepër. Shumë gjëra i ndodhin Istvánit, shumica shumë të këqija. “Nuk doja të isha frikacak. Nuk doja të shmangia apo të lija jashtë gjëra që ishin mjaft ekstreme,” thotë ai. “Sigurisht, në sipërfaqe është krejtësisht bashkëkohor, por poshtë saj unë e konceptova si diçka të ngjashme me një tragjedi greke, në të cilën heroi duhet vënë plotësisht në provë që të arrijë pikën e tij të katharsisit.” Lexuesi vihet në provë po aq sa ai.

    “Kam qenë sa më i drejtpërdrejtë që kam mundur.” Foto: Sarah Lee/The Guardian

    Tema që Szalay ka përsosur përgjatë gjashtë romaneve dhe 15 viteve është mashkulloriteti: çfarë do të thotë të jesh burrë sot, me një theks të pashmangshëm mbi seksin, dhunën dhe paratë. Në vitin 2025, këto nuk janë tema që të çojnë lehtë drejt çmimit Booker. Për vite me radhë, shkrimtarët mezi prisnin të shpalleshin “Martinejmisi i ri”, por tani kjo do të konsiderohej paksa turpëruese. Siç tha në fjalimin e tij të hënën, Szalay e dinte që po shkruante një roman të rrezikshëm. “Një nga rreziqet që po merrja ishte të shkruaja për seksin nga një perspektivë shumë specifikisht mashkullore, dhe të përpiqesha ta bëja këtë sa më ndershmërisht të ishte e mundur.” Ne e shohim István-in duke pirë cigare dhe duke bërë seks. Ndonjëherë ha. “Është shumë e vështirë, fakeqësisht, të shkruash për seksin,” thotë autori. “U përpoqa të shkruaja për të sa më thjesht dhe drejtpërdrejt që të mundja.” Seksi dhe zemërimi, shpjegon ai, janë kryesisht “përvoja jo-verbale” – dhe shpesh sfidat më të forta për një romancier, pasi “duhet të merresh me gjithçka përmes fjalëve, përveç nëse lë një faqe bosh”.

    Është e ngjashme me një tragjedi greke. Heroi duhet vënë plotësisht në mundim.

    Vetë István-i është pothuajse një hapësirë e zbrazët në faqe. Nuk kemi asnjë ide se si duket, megjithëse gratë janë tepër të gatshme të flenë me të. (Ky është mallkimi i tij.) Ne nuk dimë çfarë mendon apo pse i bën gjërat – dhe as ai vetë, duket, nuk e di. Ai është një njeri me pak fjalë. Kurrë më parë “OK” nuk është përdorur kaq shpesh (rreth 500 herë, mesa duket) apo kaq domethënës në një vepër letrare. “Është një nga aspektet kryesore të karakterizimit,” thotë Szalay. “Shumë specifikisht nuk doja një personazh që e shpjegon veten për lexuesin, as në mënyrë të besueshme, as të pabesueshme.” Rezultati është një triumf i jashtëzakonshëm i jashtësisë së pamëshirshme dhe realizmit brutal, njëkohësisht tragjik dhe komik në banalitetin e vet.

    I kujdesshëm që romani të mos “futej në një kuti” thjesht si një traktat mbi burrat, Szalay redaktoi shumicën e referencave të hapura ndaj mashkulloritetit. “Shpresoj që të jetë për shumë më tepër se kaq,” thotë ai. “Shpresoj që libri të ketë ndikim shumë emocional – dhe kjo funksionon vetëm nëse i duket shumë i vërtetë lexuesit.” Ai ia del. Është një arritje e vërtetë autoriale që mund të na bëjë të kujdesemi kaq thellë për një protagonist që është kaq i panjohshëm, sa në një moment vendimtar moral, jemi të pasigurt se si do të sillet.

    Pavarësisht fiksimit të romanit me trupin, István-i ekziston në një moment specifik historik. Duke shtrirë përafërsisht jetën e autorit, romani përmend ngjarje të jashtme, nga lufta e Irakut te migrimi nga Evropa lindore në atë perëndimore, e deri te pandemia, për të treguar se si jetët tona formohen nga forca politike e socioekonomike përtej kontrollit tonë. “Fundi i komunizmit, hyrja e Hungarisë në BE, këto dy gjëra e transformuan krejtësisht jetën për hungarezët,” thotë ai. “Brexit-i do të shkaktojë ndryshime shumë të thella në psikologjinë e MB-së.”

    Szalay është shumë i lumtur ta quajë veten romancier europian. Duke kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij si shkrimtar në Hungari dhe tani në Austri, ai e përshkruan veten si një “eremit letrar”. Ai nuk flet vërtet gjermanisht, thotë ai, dhe nuk është pjesë e asnjë skene letrare. Në intervista të mëparshme, mund të ndihet frustrimi i tij ndaj njëtrajtshmërisë së shumë prej letërsisë bashkëkohore. Sigurisht, ai nuk ka durim për formën tradicionale. “Ai lloj romani rus që fillon me gjyshërit e personazhit kryesor dhe ngadalë shkon deri te lindja e tyre rreth 200 faqe më vonë – nuk është lloji im i preferuar,” pranon ai. “Unë preferoj romane më të ngjeshura, më koncize, libra që nuk të tregojnë gjithçka.”

    Nuk është çudi të mësosh se Ernest Hemingway dhe John Updike ishin të preferuarit e tij kur ishte adoleshent. “Virginia Woolf kishte një ndikim gjithashtu,” thotë ai. “Lexoj po aq romane nga gra sa edhe nga burra.” Ai tashmë është në gjysmën e librit të tij të ardhshëm, i cili “pjesërisht” përfshin një perspektivë femërore, thotë ai duke qeshur.

    Ai kishte planifikuar ta kalonte këtë ditë në Londër me gruan e tij. Në vend të kësaj, ajo po kthehet në Vjenë tek foshnja e tyre, ndërsa ai qëndron për të folur për mashkulloritetin. Është hera e parë që ata e kanë lënë djalin e tyre me njerëz të tjerë (te tezet e tij). “Mendoj se ky është ndoshta momenti i duhur për ta bërë këtë,” thotë Szalay. Fitimi i çmimit Booker është me siguri një justifikim shumë i mirë për të thirrur dado. “Me të vërtetë nuk e dija si do ta prisnin njerëzit librin,” thotë ai për fitoren e tij. “Jam krenar që ka arritur të lidhet me kaq shumë njerëz.”

     Përkthimi nga ExLibris

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË