KreuLetërsiBibliotekëCikël poetik nga Sokol Sylejmani

Cikël poetik nga Sokol Sylejmani

Umbilicus

Nanë, secilën nyjë
Jetës merrja e lidhja nyjë
E vegzë ’em vegzë, falma
Vetën tande; merre, shtro,
Përqafo shum; jepi gji;
Lidhe n’djep – shtine n’gjumë…
Rritën tande!


Sot (118:24, Psalmet)

As buka s’e pat t’njejtën shije
sot. As untija, lakminë e njejtë; as na
‘dy – të njejtën hije… rrotat përpara shtyejm
Në jetë – rrotat kohën mbajnë
Zhdjergun në ije.


Dreni ‘plaguem

Si fjolla e borës që
Ban yrysh m’u shkri si ta prekin – pa kuptu se
A po e dojnë a p’e lodrojnë; qashtu njejtë,
Yrysh me ikë prej deke, përpjeket n’ujk
Dreni ‘plaguem.


Kur fryen Jugu

Kur bora shkrinë
Ti mbetesh
E strukun ndër plepin e zi
Që mbanë mbi duert e veta
Çerdhet e qyqeve.
Diftoju erës së Jugut
Ashtu çysh je
E ambël dhe e bukur
Tue u shkri në pikë uji
Ndër buzën e
Thamun prej fjalëve
Të shumta, po që s’thonë asgja
Nanë.
E ambël dhe e bukur
E shkrime në mu.


Dielli

Kur Hanës i zdritë sall gjysa e
Ftyrës së saj… ti i avitesh tuj e qetësue.
I difton për Diellin.


Vyshkun vjeshte

(Prelude)

Ke nisë me u vyshkë
Si gjeth i dërrmuem martese,
Që kotet kryeulun në cep të degës së
Vjeshtës që e lam pas vjetëve të qenit,
Që na randojnë shpatullave e lehin
Tejsa t’biem, gërmaz’ shkyem, dekun n’tokë.

(akt I)

Ke nisë me u vyshkë bashkë me ndjenjën e epshin
Që kqyrin përmallshëm, lidhun për gardhi t’gabuem
E lakmojnë si fmija që sheh n’sahan t’tjetrit e lëpihet,
Se për veti i ‘get se ka ma pak. E s’un nxjerrë za me diftue,
Se marre.

(akt II)

Ke nisë me u vyshkë, bashkë me trungun, me u kalbë
Si pema e kajsisë n’oborr t’miqëve që
U dasht m’e u pre se
Krejt hijeshinë i’a merrke fikut.

(akt III)

Kem’ nisë me u vyshkë,
Si gjethe t’dërrmueme vjeshte,
Të lodhun jemi te dyt. Kryeulun në cep te jetës që
E hap zgorin’ e bërtet, tejsa t’biem dekun n’tokë.


Ninullë

Kur fmija t’kanë n’zemër
Zoti asht tuj t’knue në vesh, me t’diftue se
Ka me çelë sabahi.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË