*******
Ledhatim mizor
Unë e puth, pastaj largohem
Lotët e saj vdesin porsi gjethe vjeshte
Prej syve të saj të bukur
Si flutur …
Me krahë të këputur
Hija ime më ndjek nga prapa
Flokët e saj të gjata
Djersë frike – therje thike
Harresë e paharrueshme
Omega…
Unë çaj përmes ajrit transparent
Disa më thonë se kam talent
Veshët më dëgjojnë një këngë mjelme
Po këndon e vetme
Me mall për të djeshmen
Frikë-në-një-qytet-pa-dritë
Një mjerushë po jep shpirt
Vetëvrasje e pamëkatshme
E përgjakshme………
Rrethprerje vaginale
Kënaqësi banale——momentale
Unë largohem përtej qiellit, prapa diellit
Një gurë varri pa emër
U ngrit për një femër
Të bukur, si flutur – me krahët e këputur
*******
Merr frymë thellë, mbushu me ajër kotësie
Kujto të vdekurit me nderim
Mblidh plaçkën e luftës
Lëre të hyjë të huajin që po troket te porta
Ushqeje frikën tënde me mjaltë
Masturbohu me krenari
Nga perënditë imagjinare mos u fshih
Bota do të marrë fund prej një dallge kolosale
Ngopu me mish njeriu si qenie kanibale
Zbulo sekretet e Edenit
Merre nusen prej dore
Çoje në faltore
Vish buzëqeshjen e Mona Lizës
Falsifiko ëndrrat e tua
Aktro mbi skenën e zbrazët
Hapi krahët gjerë
Në këtë kafaz vdekatarësh
Me tërbim
Me zjarr
Me inat
Shpërtheje flluskën e dëshirës
O i ngratë
Brohorite e duartrokite
kryeengjëllin e gënjeshtrës
Politikën e së keqes përtype brenda zorrëve të grykësisë
Përkëdheli kthetrat e skifterit
Vrojto përmes mjegullës të së gjallëve
Shqyeje gojën e klith
Më pas hesht
Hesht
Dhe hesht
Zbraztia e përjetshme po të pret
Me një kanavacë e penel në dorë
Për të pikturuar portretin tënd të plogësht, të kotë
Pa mimikë, pa sy, pa sqimë
Një grimcë e zezë
Një mosgjë
Një psherëtimë
Thjesht një iluzion i së shkuarës
Një varr i padukshëm
Në barkun e bishës së lashtë
Në mitrën e universit
Merr frymë thellë e mbushu me ajër kotësie
Mbushu me lavdi në këtë terrinë marrëzie …..
*******
Dhimbje, vetmi, mall e dëshpërim
Kreh kurorën e flokëve të saj
Një urith i ligë ia shpon shpirtin thellë
Por unë nuk jam pranë saj, ta mbroj, ta përkëdhel
E munduar dhe e torturuar nga barra e shekujve
Ajo lexon fatin e saj ndër faqe
Ditë e natë, duke pritur kalorësin e saj të zi
Por unë jam këtu, një hero pa lavdi
Zemra e saj vajton por bota nuk ka veshë
Duke i injektuar helm dhe frikë
Duke plagosur ndezjen e saj të brishtë
Me heshtë e me kamë
I zbraztë nga lotët e mi, larg saj unë jam
Ajo klith e lyp me lutje qiellore
Qenia e saj e kërcënuar si një plesht,
Lumenjtë e thatësirës i gjarpërojnë nën lëkurë
Por unë jam këtu
I vdekur nga brenda, një gur
Më zgjo, lutet ajo
Më jep jetë me puthjen tënde
Princi, dielli, dëshira ime përvëluese
Më ushqe me balsamin e zjarrit tënd
Më vrit e më rrëmbe në të panjohurën
Jam hienë që ndjek një kërmë
Një shpresë, një vdekje, një iluzion
Por unë jam këtu, rob në labirinth
I shkrirë prej akullit, i shqyer, i copëtuar
I dënuar nga demonët e maskuar
Ajo drithëron dhe qan, nuk ka jetë në sytë e saj
Ajo gjakoset dhe gulçon nga prekja e dashurisë
Dhe unë jam këtu, larg, i djegur në turrën e druve
Në gostinë me krimba
Duke ushqyer çmendurinë time
Duke kuvenduar me nëpërkat
Duke thithur fyerje
Dhe muzika mbaron – pa kërcim
Dy skeletë përqafohen si dry dashurie në një gardh
Të kapur për dore
Duke kujtuar me mall
Ditët e arta të horizontit të tyre të kuq
Anijet nuk lundrojnë më, era kthen rrugën e saj
Një luledielli vyshket në agim
Piano blu po hesht dhe të dashuruarit arratisen
Për t’u endur në shkretëtirë
Në shtëpinë e tyre,
Të lirë ….
*******
Jeta është pyetje
Vdekja përgjigje
Më jep më shumë vdekje
Të kuptoj kotësinë e jetës
Të nuhas utopinë e ekzistencës
Të perceptoj dëshirën e vërtetë të zemrës
Të deshifroj kuptimin e dhimbjes
Qëllimin e njeriut
Tovollinë e Adamit
Joshjen e Evës
Këngën e diellit
Pikëllimin e errësirës
Misterin e artit
Mbretërinë e kohës
Më jep më shumë vdekje
Të vdes
Dhe të mos lëngoj më ….
*******
Lëmoshë
Lëmoshë
Për një lypës dashurie
Një hije
Ku dielli s’bie
Më prek
Më prek
Vetëm një herë—–dy herë
Para se nata të bjerë
Para se të hedh trutë në erë
Dhe muret të spërkaten me gjakun tim
Të pavlerë
Para se qielli të nxihet
Akulli të shkrihet
Më duaj
Më duaj
Me mijëra herë ma thuaj
Në libra ma shkruaj
Kockat më janë ndryshkur
Prej të qenit i huaj
Më vrit
Më vrit
Sytë m’i shqit
Grije mishin tim dhe hidhja qenve
Vetëm ti mos ik
Më puth
Më puth
Ngopmë me mëkat
Vetëm këtë natë
Parajse në shtrat
*******
Natë kopile që s’le gjurmë në kalendar
Disa pika gjaku bien mbi kitarrë
Një hije po troket në dritare
Kërmilli ndezi një cigare
Një muzë po bën banjë
Piranjat po e hanë
Shishe bosh
Graal i thyer
Damarë të therur
Qiell pa yje
Tinguj abstrakt
Ndarje e padurueshme
Zemra e copëtuar
Sëmundje e pashërueshme
*******
Një ushtri mizash po më hanë nga brenda
Po më zbrazin kafkën
U çmenda …
*******
Përshpirtje
Vertigo
Ëndërr mashtruese
Kthinë në qiell
Botë pa diell
Masturbatori i madh
Dy shpirtra të humbur
Notojnë
Në topin e qelqtë të peshqve
Vezë e thyer
—– Kullon mbi kanavacë
Kolazh dashnoresh
Eraksion viagror
Bombë atomike —– terror
Kërthizë e thellë, si shpellë
Që fsheh të papjellurën
Shaman
Mediatorët po parashikojnë të shkuarën
Fëmijë të zinj pa gjymtyrë
Mona Liza pa fytyrë
Një përbindësh në pasqyrë
Me ty, ose pa ty —–
Ç’dilemë e ndyrë
*******
Një piano blu,
e çakorduar gjer në fund
Qerpikët e tu …
dhe unë që të pëshpëris lehtë
Qetësi vdekjeje, vetëm zhurma e puthjeve
Kujtime të pluhurosura,
tela të këputur
Unë i puth buzët e tua më shumë se një herë
Mendime turbulluese,
frikë dramatike
Poetët bien në gjumë nën pauzën e përjetshme
Ti je e vetmja shenjë bukurie
Arrij t’i ndjej gjurmët e tua mbi ujë
Dallgët, si kuaj të bardhë, që gjoksin tënd lehtë
e prekin
Rrezullimi yt,
triumf nëpër beteja
Si Danieli
në shpellën e luanëve
Unë, ti,
silentium amoris ….
*******
Po pres
Njësoj si dje
Njësoj si pardje
Po pres
Si një foshnje për t’u ushqyer
Si një gurë për t’u flakur
Si Llazari për t’u ringjallur nga vdekja
Po pres
Qysh kur bota ish ujë
Qysh kur Krishti u kryqëzua
Do pres
Gjersa vera të thartohet
Gjersa ky shtegtim të mbarojë
Gjer atë ditë kur do hap derën
E atij vendi ku vetëm thonjtë dhe flokët rriten
Po pres
Qysh prej zanafillës
Po pres
Që këmbanat të bien …