More
    KreuLetërsiBibliotekë"Balona", tregim nga Donald Barthelme

    “Balona”, tregim nga Donald Barthelme

    përktheu Granit Zela

    “Balona, duke filluar nga një pikë në “Rrugën katërmbëdhjetë”, vendodhjen e saktë të së cilës nuk jam në gjendje ta them, u zgjerua në drejtim të veriut gjatë gjithë natës, ndërsa njerëzit po flinin gjumë, derisa ajo arriti parkun. Aty e ndalova. Në agim, skajet më veriore shtriheshin mbi sheshin qendror; lëvizja e lirë në ajër ishte e papeshë dhe e butë. Por duke ndier një acarim të vogël kur u ndal, edhe pse për të mbrojtur pemët, dhe duke mos parë asnjë arsye që balona të mos lejohej të zgjerohej lart, mbi pjesët e qytetit që tashmë mbulonte, në “hapësirën ajrore” që gjendej atje, u kërkova inxhinierëve të kujdeseshin për të. Ky zgjerim ndodhi gjatë gjithë mëngjesit, një shtytje e butë, e padukshme e gazit përmes valvulave. Më pas balona mbuloi dyzet e pesë blloqe banesash në drejtimin veri – jug dhe një zonë të parregullt banesash në drejtimin lindje – perëndim, deri në gjashtë blloqe banesazh të kryqëzuara në të dyja anët e Bulevardit në disa vende. Kështu ishte situata, atëherë.

    Por është e gabuar të flitet për “situata”, për të nënkuptuar një mori rrethanash që çojnë në njëfarë zgjidhjeje, në njëfarë arratisjeje nga tensioni; nuk kishte situata, thjesht balona rrinte pezull atje – fasha gri të heshtura, të rënda dhe ngjyrë kafe në pjesën më të madhe, në kontrast me të verdhën e arrës dhe të butë. Mungesa e qëllimshme e çuarjes deri në fund, e theksuar nga instalimi mjeshtëror, i jepte sipërfaqes një cilësi të ashpër dhe të harruar; peshat rrëshqitëse në brendësi, të rregulluara me kujdes, e ngulte masën e madhe në forma të lamishme në një sërë pikash në tokë. Tani kemi pasur një vërshim idesh origjinale në të gjitha mediat, vepra me bukuri të veçantë, si dhe çaste të rëndësishme në historinë e inflacionit, por në atë ishte vetëm kjo balonë, veçanërish konkrete, që rrinte pezull.

    Pati reagime. Disa njerëzve balona iu dukej “interesante”. Si përgjigje, kjo dukej e pamjaftueshme krahasuar me pafundësinë e balonës, shfaqjen e saj të papritur mbi qytet; nga ana tjetër, në mungesë të histerisë ose ankthit tjetër të shkaktuar nga shoqëria, duhet të vlerësohet si i qetë, “i pjekur”. Pati deri diku një argumentim fillestar rreth “kuptimit” të balonës; por u hoq dorë prej tij, sepse ne kemi mësuar të mos këmbëngulim në kuptime, dhe madje tani ato rrallëherë kërkohen, përveç rasteve që përfshijnë dukuritë më të thjeshta, më të sigurta. U ra dakord që duke qenë se kuptimi i balonës nuk mund të dihej kurrë në mënyrë absolute, diskutimi i thellë ishte i pakuptimtë, ose të paktën më pak kuptimplotë sesa aktivitetet e atyre që, për shembull, varën fenerë jeshil dhe blu letre në pjesën e poshtme gri,  të ngrohtë, në disa rrugë, ose shfrytëzuan rastin për të shkruar mesazhe në sipërfaqe, duke shpallur gatishmërinë e tyre për të bëre veprime të panatyrshme, ose gatishmërinë e të njohurve të tyre për veprime të tilla.

    Fëmijët e guximshëm kërcenin, veçanërisht në ato pika ku balona rrinte pezull pranë një ndërtese, kështu që hendeku midis balonës dhe ndërtesës ishte një çështje prej disa centimetrash, ose në pikat ku balona në të vërtetë i prekte, duke ushtruar një presion gjithnjë më të lehtë. Mbi faqen e një ndërtese, kështu që balona dhe ndërtesa dukeshin një. Sipërfaqja e sipërme ishte e strukturuar aq shumë sa paraqitej një “peizazh”, lugina të vogla si dhe gropa të lehta ose tuma; me të aritur në majë të balonës, ishte e mundur një shëtitje, apo edhe një udhëtim, nga një vend në tjetrin. Qe kënaqësi të ishe në gjendje të vrapoje nga një pjerrësi, pastaj në shpatin e kundërt, të dyja të sajuara butësisht, ose të bëje një kërcim nga njëra anë në tjetrën. Kërcimi ishte i mundur, për shkak të sipërfaqes së ajërt, madje edhe rënia, nëse kjo ishte dëshira jote. Fakti që të gjitha këto lëvizje të ndryshme, si dhe të tjerat, ishin brenda mundësive të dikujt, në përjetimin e anës “lart” të balonës, ishte jashtëzakonisht emocionuese për fëmijët, të mësuar me lëkurën e sheshtë dhe të fortë të qytetit. Por qëllimi i balonës nuk ishte të argëtonte fëmijët.

    Gjithashtu, numri i njerëzve, fëmijëve dhe të rriturve, që përfituan nga mundësitë e përshkruara nuk ishte aq i madh sa mund të ishte vërtetë: u vërejt njëfarë ndrojtjeje, mungese besimi te balona. Kishte, për më tepër, njëfarë armiqësie. Për shkak se ne kishim fshehur pompat, të cilat e ushqenin me helium në brendësi, dhe për shkak se sipërfaqja ishte aq e gjerë sa autoritetet nuk mund të përcaktonin pikën e hyrjes, domethënë pikën në të cilën u injektua gazi, – u evidentua një shkallë mllefosjeje nga ata zyrtarë të qytetit në zonën e të cilëve zakonisht shfaqeshin reagime  të tilla. Mungesa e dukshme e qëllimit të balonës ishte bezdisës (siç ishte fakti që ishte “aty” si prani). Po të kishim shkruar me bojë, me shkronja të mëdha, “PROVA TESTESH LABORATORIKE” ose “18% MË TË EFEKTSHËM” në anët e balonës, kjo vështirësi do të ishte anashkaluar, por nuk mund të duroja ta bëja këtë. Në përgjithësi, këta zyrtarë ishin jashtëzakonisht tolerantë, duke marrë parasysh përmasat e anomalisë, kjo tolerancë ishte rezultat, së pari, i testeve sekrete të kryera gjatë natës që i bindën ata se pak ose asgjë nuk mund të bëhej për të hequr ose shkatërruar balonën, dhe, së dyti, prej mbështetjes publike që lindi (jo e paprekur nga hijet e armiqësisë së lartpërmendur) ndaj balonës, te qytetarët e thjeshtë.

     Ashtu si një balonë e vetme duhet të qëndrojë një jetë të tërë duke menduar për balonat, kështu çdo qytetar shprehu, në qëndrimin që zgjodhi, një shumësi qëndrimesh. Dikush mund të mendojë se balona kishte të bënte me nocionin i ndotur, si në fjalinë: “Balona  madhe ndoti qiellin e Manhatanit më parë të pastër dhe rrezatues. Kjo do të thotë se balona ishte, në këndvështrimin e këtij njeriu, një mashtrim, diçka inferiore ndaj qiellit që kishte qenë më parë atje, diçka e ndërkallur midis njerëzve dhe “qiellit” të tyre. Por në fakt ishte janar, qielli ishte i errët dhe i shëmtuar; nuk ishte një qiell në të cilin mund ta shikoje, i shtrirë në shpinë në rrugë, me kënaqësi, me përjashtim të rastit kur kënaqësia, për ty, buron nga të qenët i kërcënuar, nga të ndierit i keqpërdorur. Dhe pjesa e poshtme e balonës, përkundrazi, ishte kënaqësi ta shikoje – ne kishim parë atë pjesë të heshtur më së shumti ngjyrë gri dhe kafe, në kontrast me ato ngjyrë arre dhe me me ngjyrë të verdhë, të butë dhe të harruar. Dhe kështu, ndërsa ky burrë po mendonte i ndotur, përsëri kishte një përzierje të njohjes së këndshme në të menduarit e tij, e cila luftonte me perceptimin origjinal.

    Një burrë tjetër, nga ana tjetër, mund ta shihte balonën sikur të ishte pjesë e një sistemi shpërblimesh të paparashikuara, si kur punëdhënësi i dikujt hyn dhe thotë: “Ja, Henri, merre këtë pako me para që kam mbështjellë për ty, sepse kemi ecur kaq mirë në biznesin këtu dhe e admiroj mënyrën se si i vjel tulipanët, pa vjeljet e departamentit tuaj nuk do të ishin një sukses, ose të paktën jo suksesin e tanishëm”. Për këtë njeri, balona mund të jetë një përvojë e shkëlqyeshme heroike “muskujsh dhe shkuljeje”, edhe nëse është një përvojë e kuptuar keq.

     Një tjetër mund të thotë: “Pa shembullin e ……….., është e dyshimtë që …….. do të ekzistonte sot në formën e tanishme” dhe të gjejë shumë që janë të një mendjeje me të, ose për të debatuar me të. U paraqitën idetë “zmadhoj” dhe “plukoj”, ashtu si edhe konceptet e ëndrrës dhe përgjegjësisë.

    Të tjerët u përfshinë në krijimin e fantazive jashtëzakonisht të detajuara që kishin të bënin me një dëshirë ose për të humbur veten në balonë, ose për ta shfryrë atë. Karakteri vetjak i këtyre dëshirave, i origjinës së tyre të panjohur, të varrosur thellë, ishte e tillë që nuk u fol shumë për to; megjithatë ka dëshmi se ishin të përhapura. U argumentua edhe se e rëndësishme ishte ajo që ndieje kur qëndroje nën balonë; disa njerëz pohuan se ndiheshin të strehuar, të ngrohur, si kurrë më parë, ndërsa armiqtë e balonës ndjenin, ose raportuan se ndiheshin të kufizuar, përjetonin një ndjenjë “të rëndë”.

    Reagimet më të mëdha ishin të kundërta:

    “reshje e përbindshme”

    “harpa”

    XXXXXXX “disa kontraste me pjesët më të errëta”

    “Gëzimi i brendshëm”

    “Qoshe të mëdha, katrore”

    “mballomë konservatore që ka udhëhequr deri më tani dizajnin modern të balonave”

    ::::::: “fuqi anormale”

    “Shtigje të ngrohta, të buta, dembele”

    “A e ka sakrifikuar uniteti cilësinë e shpërhapjes?””

    “Quelle catastrophe!”[1] 

    “përtypje e zhumshme”

    Njerëzit filluan, në një mënyrë të çuditshme, të pëcaktojnë vendndodhjen e tyre në lidhje me aspekte të balonës: “Unë do të jem në atë vend ku zhytet në “Rrugën dyzetë e shtatë” gati në trotuar, afër “Restorantit Alamo” ose “Pse të mos i hipim sipër, të ajrosemi, dhe ndoshta të ecim pak, aty ku formon një vijë të ngushtë, të lakuar me fasadën e Galerisë së Artit Modern – ” Kryqëzimet në skaej mundësonin hyrje brenda një kohëzgjatjeje të caktuar , si dhe “shtegkalime të ngrohta, të buta, dembele” në të cilat . . . Por është e gabuar të flitet për “kryqëzime të skajshme”. Çdo kryqëzim ishte vendimtar, asnjë nuk mund të shpërfillej (sikur, duke ecur atje, mund të mos gjeje dikë që mund të të kthejë vëmendjen, menjëherë, nga rrugëkalimet  e vjetra në rrugëkalimet e reja). Çdo kryqëzim ishte vendimtar, pikëtakimi i balonës dhe ndërtesës, pikëtakimi i balonës dhe njeriut, pikëtakimi i balonës me balonën. 

    U propozua që ajo admirohej te balona ishte në fund të fundit kjo: nuk ishte e kufizuar, apo e përcaktuar. Ndonjëherë një fryrje, flluskë ose sektor dytësor të çonte deri në lindje deri në lumë me nismën e saj, në mënyrën e lëvizjeve të një ushtrie në një hartë, siç shihet në një shtab të largët nga luftimet. Atëherë ajo pjesë, si të thuash, flakej mbrapsht, përsëri ose tërhiqej në pozicione të reja; mëngjesin tjetër, ajo pjesë do të kishte bërë një tjetër fluturim, ose do të ishte zhdukur fare.

     Kjo aftësi nga ana e balonës për të ndërruar formën, për të ndryshuar, ishte shumë e këndshme, veçanërisht për njerëzit, jetët e të cilëve ishin modeluar në mënyrë shumë  të ngurtë, personat për të cilët ndryshimi, megjithëse i dëshiruar, nuk ishte i mundur. Balona, për tre javët e ekzistencës së saj, ofroi mundësinë, me format e saj të rastësishme, për të humbur, për të humbur veten, në kundërshtim me rrjetën e shtegkalimeve të sakta, drejtkëndore nën këmbët tona.  Trajnimi i specializuar që nevojitet, dhe dëshira e natyrshme për përfshirje afatgjatë, shkaktohet nga rëndësia gjithnjë në rritje kësaj makinerie të ndërlikuar, gati në të gjitha llojet e veprimtarive; ndërsa kjo prirje rritet, gjithnjë e më shumë njerëz i drejtohen, për shkak të një mungesë të çuditshme që ata ndiejnë, zgjidhjeve për të cilat balona mund të jetë një prototip, ose “variant bruto”

    Të takova nën balonë, me rastin e kthimit tënd nga Norvegjia. Më pyete nëse balona ishte e imja; Të thashë se ishte. Balona, të thashë, është një zbulesë e pa paramenduar autobiografike, që ka të bëjë me shqetësimin që ndjeva gjatë mungesën tënde dhe me mungesën seksuale, por tani që vizita jote në Bergen ka marrë fundë, nuk është më e nevojshme apo e përshtatshme. Heqja e balonës ishte e lehtë; kamionët me rimorkio e morën pëlhurën e dobësuar, e cila tani ruhet në Virxhinian Perëndimore, duke pritur një kohë tjetër fatkeqësie, një kohë, ndoshta, kur të jemi të zemëruar me njëri-tjetrin.


    [1]  Frëngjisht: “Çfarë katastrofe!”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË