Shënime për romanin “Bija e Minotaurit”
të Agron Tufës, Onufri, 2025
Romanin “Bija e Minotaurit” të Agron Tufës (e pamundur ta shmangim këtë klishe stereotipe analizash në hyrje) mund ta lexojmë në disa mënyra. Ne, që kemi jetuar kohën e komunizmit, mund të shpurisim hirin e kujtimeve, të fshijmë me mëngë brymën nga xhamat e dritares për të shquar më qartë personazhet që gjallojnë matanë, te kopshti i librit.
E dimë që kurioziteti njerëzor është një bishë e egër që ushqehet me mish të freskët ndodhish dhe si shkul turinjtë nga preja pa i ngjyer ata me gjak. Kush të jetë kjo Dafina Luçi? Po ky Samuil Ismari? Hamendësojmë, zëvendësojmë shkronja, ndezim drurët në oxhakun e fantazisë, përfytyrojmë çfarë kanë humbur ata si njerëz dhe çfarë kanë fituar si pesonazhe. Bëjmë bilancin e mishit njerëzor me brumin që është dashur për t’i ngjizur si personazhe në faqet e librit, etj.
Në lirinë e tij autori mund të ndryshojë përmasat fizike dhe shpirtërore të personazheve të vet: merret një masë mishi nga vithet e X, për ta shtuar në fytyrën e Y, zbret 30 % hipokrizi nga A për të shtuar 50 % tek B, e kështu me rradhë. Kjo është e pashmangshme në një roman që e merr temën nga bashkëkohësia. Por kjo është ana më pak e rëndësishme në këtë roman. Ai është veç grepi i artë që i ngulet lexuesit tek nofulla për ta tërhequr atë tek faqet e librit. Sepse libri, krahas bashkëkohësisë, ka një frymë krejt tjetër, atë universale.
Në kohën e Rabelaise, p.sh, mbretëresha e Francës deshi të priste pishat e pyllit të Bulonjës. Rabëleja i dha priceshës te libri i tij pamjen e një pele xanxare. Është harruar vetë mbretëresha , ama jo pela gjigande e autorit, e cila vërtit bishtin e saj të stërmadh përmbi trungjet e pishave dhe i shkul ata me gjithë rrënjë. Episodi jeton artistikisht, pavarësisht faktit historik. Do të harrohen edhe njerëzit realë të Agron Tufës dhe do të mbeten personazhet, sepse koha ka vërtetuar që letra, allçia, gipsi, kur janë prej cilësie të mirë, janë ku e ku më jetëgjatë se mishi njerëzor.
Personazhi kryesor i romanit “Bija e Minotaurit” është një vajzë e bukur me emrin Dafinë. Thitheni edhe ju kundërmimin e jetës te gjethet e gjelbra të këtij emri, por mos harroni të keni kujdes edhe farërat e zeza të vdekjes që ajo i ka te çdo tufë. Dafina, qysh nga adoleshnca, ka një adhurim romantik për sigurimin e shtetit, makinerinë e mynxyrshme të diktaturës. Ç’të jetë vallë ky adhurim? Dëshira për t’i futur gjarprit gishtin në gojë dhe për t’i shkulur dhëmbin helmues? Devotshmëria e detyrës, apo instikti i lashtë për të qenë fli? Me një fjalë mos është një lloj i kundërt i Antigonës? I gjithë libri është një odise e gjatë, për të na përshkruar se si kjo mjegull adhurimi romantik, e ngjyer e gjitha në rozë, fillon dalëngadalë të degradojë, të bëhet një re e zezë shtërngate, mbushur brenda me thika të kuqe rrufesh kërcënuese. Ato që asaj i dukeshin kokrra breshëri, apo oriz dasmash brenda gjirit të shtrëngatës, janë thjesht saçma çiftesh vrastare. Gabimi i saj i parë, një gabim adoleshenteje, bëhet një plagë, të cilën do ta mbajë të varur si hartë memece në muret e shpirtit, plagë të cilën që të gjithë ia shqyejnë me thonj. Dafina Luçit fillon t’i neveritet kjo jetë dhe fut gishtat në fyt për të nxjerrë ushqimet helmuese të saj. Kur s’i ka mbetur gjë tjetër duket se nxjerr vrer të verdhë. Dhe ke përshtypjen se shumë faqe të këtij romani janë shkruar bash me këtë vrer.
Gjithë ngjarjet e romanit zhvillohen brenda një familjeje, asaj që në këtë rast, mund ta quajmë me ironi qelizë, sepse, në fakt, është një hoje grerëzash. Mund të flasim për të siç flet Bachtini, por edhe siç e do tradita jonë foklorike: që anëtarët e një familjeje janë qënie të lidhura me njëri-tjetrin si zorrët e barkut, të cilat, ashtu, të flligshta dhe lapërdhare, të kujtojnë edhe shpërgënjtë e një djepi. Një familje e lidhur me shpërgënj zorrësh, por tashmë jo intime, por banale. E lidhur me to, ashtu kollopan, ajo të sjell ndër mend vetiu se po kështu, kollopan, është lidhur edhe atdheu. Veç jo me zorrë, por me tela me gjemba. Vjen një çast që këto zorrë, këto rropulli shndërrohen në litarë, ku çdokush nga pjesëtarët mëton të varë pjesëtarin tjetër. Sepse zemra e tyre nuk është një organ i mbushur me gjakun e kahmotshëm gjenetik, por një shishe plot me bojë të kuqe propagande, me të cilën shkruheshin parrullat e kuqe të komunizmit. Një shishe me bojë zemre, një kovë me bojë parrullash! Njëlloj. Zorrë, vrima, jashtëqitje, tunele. Vetiu, diku më tej, na pret edhe labirinthi i Minotaurit, babait të Dafinës. Sepse përbindëshi i lashtë, nuk kërkon asgjë më shumë se ç’kërkon i riu, pavarësisht se nga pamja ndryshojnë aq sa ndryshon një krokodil nga një hardhucë. Kurrë më parë miti i familjes, sentimentalizmi gjithë sherbet i saj, s’ka marrë një goditje kaq të ashpër. Është përmbysur tava me bakllava dhe sherbet së bashku.
Bash në oborrin e kësaj familjeje autori ka mbjellë për t’u rritur pjergullën e rrëfimit të vet, të cilën e shtrin në kolona, i lidh degëzimet e shumtë të filizave dhe na thotë të bëjmë durim dhe të presim gjersa të piqen kopanët e rrushit. Dhe kur vjen shtatori letrar kjo hardhi na shfaq midis fletëve të librit ca kopanë të kuq inçesti: gjinj femërorë, tope mashkullore. Shiheni, shiheni, duket sikur na thotë autori: pjergull e pjerdhur, hardhi me herdhe. Një pjergull e ushqyer me plehërishtet e komunizmit, me ujrat e zeza të tij, s’mund të prodhonte veçse fruta të tillë. I gjithë vendi, si të jetë një vathë e madhe blektorale, funksionon si një sistem çimkash, apo këpushësh, të cilat, siç shpjegon Agambeni, janë të verbra, rrinë varur në degët e pemëve, dhe, sapo kalon ndonjë bagëti, i lëshohen vrikthi mbi trup, instiktivisht, dhe nuk shkulen andej gjersa të ngordhin, të plasin prej sasisë së gjakut që kanë thithur. Veçse janë çimka metalike, mikrofonë përgjimi. Ç’tmerr! Heronjtë kthehen në përbindësha, babai në Minotaur.
Autori e lënur me nge shtëllungën e tekstit letrar, ka gjithë kohën e mjaftueshme për të na zbuluar, ose për të na lënë të nënkuptojmë shumë pikëtakime me tekste autorësh të tjerë. Kjo është siguria e autorit që e di mirë se ç’bën. E gjithë struktura dhe makineria e sigurimit të shtetit, për shembull, na sjell ndër mend makinerinë në novelën e Kafkës “Në koloninë ndëshkimore”. Me to nuk pohohen vetëm lidhjet, por edhe kundërshtitë. I tillë është rasti me shkrimtarin Samuil Ismari që, me një çelës, shënon numrin e akteve seksuale me Dafinën te koka e krevatit. Çfarë vithisje e asaj kreshte epike këndezërore! Çfarë shkumë e zezë gjithë parfum special ironie. Shndërrimi i solemnitetit në bufoneri. Shkrimtari i famshëm një lloj Don Zhuani. Ky i fundit, për shkak të impotencës intelektuale, siç vëren Kierkegaardi, numëron numrin e të dashurve, shkrimtari shkon më tej: numëron jo vetë femrat, por gjënë që i mban ato në këmbë, numrin e akteve seksuale. Të shikosh te veçse një rrufull të zezë përpirëse, mos do të thotë vallë t’i iksh një dërstile tjetër përpirëse shumë më të madhe, politike dhe shoqërore? Aufklärung, sipas Adorno-së, merr të gjithë substancën e miteve për ta shkatërruar dhe, teksa po ngjyhet me masën vishtulloze të tyre, teksa po ushtron funksionin e gjykatësit, fillon e magjepset vetë nga mitet. Në rastin e Dafina Luçit kemi krejt të kundërtën: është miti që e shqyen dhe thith lëngjet e saj vishtulloze.
Dallohet qartë dora zotëruese e autorit në frerët e fabulës së romanit. I gjithë relievi narrativ është gjithë përthyerje dhe dhe kurba estetike: tek bërryli i parë të pret një peizash mahnitës, diku më tej një ngjirë e rrufulla të kaltra, përrenj të vrullshëm meditimesh, borë e ftohtë alpine. Nëse lexuesi e pret autori diku, në anë të një rruge të gjerë (me një tufë me lule në dorë, sigurisht), vetë autori i bën bisht kësaj, i largohet pritës së lexuesit, merr një shteg, ose një dhiare tjetër. Kjo krijon befasinë. Lexuesi që, siç e dimë, mendon se e ka shkruar vetë tekstin, ha inat me veten. “Mua të ma hedhë ky që s’ma ka hedhur dot as Prousti, apo Houellebecq?”, bren thonjtë me dhëmbë nga inati. Kjo lojë kukafshehti e autorit me lexuesin, një lojë e përfytyruar nga lexues të tjerë, paksa më të kualifikuar, e bën shumë interesant librin. Romani, në dukje, është shtrirë brenda plaçentës së një nga atyre romaneve serialë me vrasje, krim, madje edhe me happy end. Ama kjo është bërë thjesht për të mashtruar, sepse gjëja e dalë nga kjo plaçentë, është krejt tjetër gjë. Kjo është një formë e njohur të shkruari, e përdorur edhe nga shkrimtarë të tjerë si Gëte, Shekspiri, Kafka (tek Amerika, formën e së cilës e ka marrë nga Dikensi), apo nga vetë Llosa te “Pesë qoshet”.
Mendoj se në këtë libër Tufa u është larguar eksperimenteve të formës, sepse, në thelb, risitë e vërteta lindin në brendësi të librit. Derisa këto risi janë të shumta, nuk ka pse ndërrohen gjithmonë fuçitë e lisit. Mjafton të jetë vera, e re. Me sa duket modernia nuk është veçse shumë arkaike.


