More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAziz Mustafa: Parodia distopike e trenit magjik

    Aziz Mustafa: Parodia distopike e trenit magjik

    Leximi i romanit “Pilisama selfie” të Zija Çelës më dha kënaqësi estetike, mesazhe të rëndësishme dhe gjurmë të pashlyeshme në kujtesë.

    Që në rreshtat e faqet e para të librit, lexuesi i vëmendshëm e kupton se kemi të bëjmë me një roman distopik. Sipas definicionit në “Fjalorin e Oksfordit”, distopia është “vend ose gjendje imagjinare ku gjithçka shkon aq keq sa nuk ka më”. Zakonisht, autorët që shkruajnë vepra distopike ngjarjet i vendosin në të ardhmen ose edhe në të tashmen dhe me anë të tyre i ironizojnë shoqëritë dhe klimat politike dhe sociale. Shoqëria shqiptare në tranzicion është truall i përshtatshëm dhe frymëzues për të krijuar letërsi distopike.

    Duke filluar nga titulli e deri në faqen e fundit, Zija Çela ka krijuar një karusel personazhesh, toponimesh e ngjarjesh, ku secili prej nesh, duke përfshirë të gjitha nivelet, gjen patjetër diçka nga vetja. Njeriu bashkëkohor, shqiptari i ditëve tona, tipologjia e secilës gjini e moshë reflektohet me të metat e veset e qenësishme. I pajisur me një përvojë të gjatë jetësore dhe një karrierë të shkëlqyer letrare, autori ka krijuar gjithashtu një toponomastikë satirike me një stil që të bën të qeshësh dhe të vajtosh njëkohësisht. Në këtë parodi të duket sikur askush nuk i shpëton fshikullimit. Tendencat e krijimit të karaktereve dhe toponimeve distopike janë vërejtur edhe në krijimet romanore të mëparshme të autorit, bie fjala, në dy romanet paraardhëse, “Banka e Ankesave” dhe “Lavjerrësi i qytetit”. Është në natyrën e Zija Çelës që duke parë nga afër, në të vërtet sheh larg dhe jep në kohë ca paralajmërime alarmi. Te “Pilisama selfie” ato mbërrijnë kulmin. Me kaq realizëm janë përshkruar ngjarjet, kaq besueshëm irealja është shndërruar në reale, sa lexuesit as që i shkon ndër mend se po lexon fikcion. Në çdo faqe të librit vërehet satira deri në sarkazëm, por e përjetuar në mënyrën origjinale të Zija Çelës: ku ka satirë, ka dramë dhe ku ka dramë, ka gjithashtu qortim e dhembje. Romani, siç pritet nga mjeshtri, është shkruar me stil që rrjedh, gjuhë të pasur e plot kolorit, zhvillim shkallë-shkallë të konfliktit, çka e mban gjallë tërheqjen e leximit, si dhe me erudicion që të mrekullon.

    Ngjarja zhvillohet rreth një treni (magjik në iluzionin e pilisamëve) që, sipas një projekti nga Brukseli, duhet te përfshijë një rrjet hekurudhor mes pesë qyteteve. Dhe pilisamët, në vend t’i hyjnë punës, nisin debatin se çfarë do të sjellë ky magjiku, por edhe çfarë do të marrë nga qyteti i tyre. Vjen apo s’vjen treni aty, dua ta anashkaloj këtë, sepse ju mbetet ta lexoni vetë.

    Gama e gjerë e personazheve fillon me Viktor Frankurtin, kryetarin ose kryeparin e bashkisë së Pilisamës, njeri gjithë komplekse, personifikim i politikanit që ka për qëllim të mbetet në karrigen e pushtetit me çdo kusht. Vazhdon pastaj me Gerhard Hirsonin, përfaqësuesin e Brukselit, Klaus Kolerbahun që udhëheq një institucion po ashtu distopik (Agjencinë Botërore të Kohës), me Leandro Doçin, Qenan Qafalinë, bashkëshorten e Viktorit, gazetarin televiziv Natan Brashova, hetuesin Mirel Krifca, drejtorin e bibliotekës Pandush Adura, Harun Cerunin – biznesmenin e paskrupullt, Ylber Dautin që shkruan një Poemë me sonete për të gjithë këta personazhe, etj etj. Një gamë e tërë personazh që ndër veprojnë duke u dashur a duke u urryer, duke punuar apo duke bërë gallatë, duke vjedhur a mashtruar, duke parë ëndrra në diell e duke u marrë me thashetheme, madje edhe duke u vrarë me njëri-tjetrin për një fjalë goje. Por, prej të gjitha veprimtarive, më e dendura është ajo e hedhjes së shortit për numërtimin e banorëve në listën e pranisë. Ç ‘numër do të ketë emri im, ç ‘domethënie ka ky numër, ndjell mbarësi apo ters, cili është emri që gjendet mbi mua dhe cili nën mua, është i denjë ky fqinjë të qëndrojë përkrah meje?, pyesin veten pilisamët. Këto shqetësime sikur ua tymosin kokën, duke i çuar në shpërqëndrim dhe shpërdorim mizor të kohës. E  si shfaqet mentaliteti i tyre? Përgjigjen e gjejmë në roman, por edhe në përmbledhjen që i bëri autori gjatë përurimit të librit kur tha: “Në vendlindjen e përbashkët, në Pilisamë, njerëzit nuk rrojnë dot pa vënë baste dhe pa bërë shaka me zarar, madje atje edhe vetë koha shndërrohet në një shaka të madhe. Zakonisht, pilisami e nget makinën me njërën dorë në timon, me tjetrën në telefon dhe, po ta kishte pasur, me të tretën duke kruar veshin. Me të shkelur për vizitë në një muze, pyetja e parë është: Ka wireless këtu? Qyteti ynë po bëhet i mërzitshëm, ankohet njëri nga protagonistët, njerëzit këtu krijojnë halle të ngjashme, prandaj flasin thuajse njëlloj, teksa herë-herë më duket sikur na kërcënon një përmbytje kolektive. A thua nga balta që jemi mësuar të krijojmë vetë?! Shkurt, vazhdon protagonisti,  s’më ka mbetur tjetër, veçse ta marr kryet nën sqetull dhe të largohem nga vendlindja, siç largohet djali nga nëna. Por ta dini, më tepër se nga Pilisama, njerëzit ikin nga pilisamët.”

    E megjithatë, duke qenë ziliqarë të thekur, si të gjithë shqiptarët, e kanë të lindur ndjenjën lokaliste, pra që ata janë më të mirë se banorët e qyteteve fqinje, se ata janë më të vjetër, se kanë një histori më të pasur, se kanë një mal më të lartë etj. Jo më kot, kur në qytetin kundërshtar të Algurit ndodhte që një njeri nuk shihej në rrugë për disa kohë, dilte dikush që thoshte: “Ai ose ka vdekur, ose ka vajtur në të s’ëmës!”, duke aluduar me tallje për Pilisamën.

    Përveç personazheve dhe vendeve, emërtimet e të cilave janë satirike dhe ironizuese (Mali i Pulës, Pilisama TV, Kullat Nusret e Kudret, Fabrika për Larjen e Krehjen e Leshit etj.), edhe kompozicioni i romanit është solid, madje do të meritonte vëmendje më vete. Narracioni vjen i organizuar në pesë pjesë, që emërtohen me pesë nëntituj: Libri i Hapur, Libri i Pranisë, Libri i Shortit, Libri i Treshit dhe Libri i Mbyllur. Kompozim që i ngjan një opere të madhe klasike me uverturën, ariet, kulmin dhe finalen, që në fakat mbetet fund i hapur për fantazinë e lexuesit.

    Por a kanë pilisamët binjakët e tyre nëpër botë? Komisionari Hirson, i cili ka bredhur shumë, gjatë një fluturimi natën me avion përpiqet të krijojë një hartë të rruzullit me këtë synim. Dhe i rezulton se njerëzimi ka gjithandej pilisamat e veta. Prandaj, me një frikë në zemër, heq dorë nga kjo hartografi, sepse i duket si tumorgrafi.

    Shkrimtari i shquar Mehmet Kraja e ka vërejtur me kohë prirjen e Zija Çelës për të përqeshur pambarim bashkëkohësit në romanet e tij. Në vlerësimet për “Pilisama selfie”, ndër të tjera Kraja thekson: “Duke qenë kuptim universal i shpresës dhe dështimit për Pilisamat e ngjashme të botës, ajo bëhet gjithashtu garë stigmatizuese për pushtet, prestigj e rang shoqëror, madje edhe për të arritur kuptimet e pamundura të universit.”

    Dhe unë pajtohem plotësisht, sepse si të tillë e lexova dhe e përjetova, pasi në lojën e artit Zija Çela mbetet njëkohësisht gjithnjë i paparashikueshëm.

    NJË KOMENT

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË