Dyert e kopshtit zoologjik hapen por vetëm disa prej kafshëve shtyhen të dalin jashtë. Nuk shkojnë larg gjithsesi, rrotullohen nëpër rruginat e kopshtit dhe sërish, shumë shpejt, kthehen në kafazet e tyre…
Pak a shumë kështu më vjen në kujtesë një skenë nga libri “Bota sipas Garpit” i John Irving (Pegi 2016; përkth. D. Çuli), që dëshmon për ndikimin reflekseve të kushtëzuara, dhe vështirësinë e çlirimit prej tyre. Fundja bota jashtë kafazit është një botë e panjohur, për pasojë zor të orientohesh në të. Ndërsa bota brenda kafazit, një botë që të ka përkitur për një kohë të gjatë, të ka formuar duke të treguar shtigjet orientuese brenda saj. Ka qenë një botë e ngushtë, sigurisht, por a nuk mësohesh gjithnjë t’i shtrish këmbët sa ke jorganin?
Në ujëra të ngjashme noton Besnik Mustafaj në librin “Porta e ngushtë e purgatorit” (Onufri, 2024). Në novelën e parë e të tretë, “Zbulimi i Amerikës nga shqiptarët” dhe “Zbulimi i Parisit nga shqiptarët”, këta të fundit, shqiptarët pra, përballen me botën jashtë kafazit të tyre që ka qenë i kyçur deri në vitin 1991. Bota jashtë është e madhe, e hapur, e ndërlikuar. Në krye të herës nuk ia kupton dot mekanizmat sepse je formuar brenda një bote krejt të ndryshme: të ngushtë, shtypur nga diktatura dhe mendësia anakronike, me disa rregulla që të janë ngurtësuar përbrenda. Shqiptarët e këtij libri mu dukën mu si statuja allçie. Lënda në fillim ka qenë e lëngshme (enkas) por pasi është derdhur në një kallëp të paracaktuar, ka ngrirë dhe jo vetëm ka marrë formën e imponuar por nuk të lejon mundësi tjetërsimi. Ndryshimet, tani mund të bëhen, pra e drejta ekziston, por janë invazive, për pasojë të dhimbshme, gjithsesi sipërfaqësore. Nëse do të shkosh thellë sipërfaqes duhet kohë, shumë kohë dhe një mund i madh i cili në fillim fare është çoroditës.
Shqiptarët në botën e madhe
Le të hyjmë në hollësi më konkrete:
Alush Bello quhet personazhi e novelës “Zbulimi i Amerikës nga shqiptarët” i cili ka emigruar përtej oqeanit. Sa kohë jetonte në Shqipëri, dhe ka qenë një kohë e gjatë, “për fat ai nuk kishte marrë kurrë ndonjë ftesë e as ndonjë urdhër nga sigurimi për të bashkëpunuar. Gjatë këtyre viteve të lirisë […] ai kishte pyetur veten shpesh, me njëfarë çudie dhe lehtësimi, se pse kishte shpëtuar, për më tepër pa asnjë përpjekje, prej këtij çarku të lemerishëm. Nuk gjente shpjegim tjetër të arsyeshëm veç fatit. Por, edhe ky shpjegim binte duke sjellë parasysh rrethanat e Shqipërisë së asaj kohe. Sigurimi nuk linte vend për rastësinë hyjnore”.
Ky është, pra, një aspekt i së shkuarës së një shqiptari që pat jetuar në Vlorë dhe pat punuar për një kohë të gjatë si mësues e më pas si drejtor i bibliotekës së qytetit. Politikën s’e kish qasur, madje pa asnjë sens protagonizmi, kur e patën emëruar drejtor biblioteke, nuk i kishte shkuar ndërmend as të shprehte mirënjohje. Fundja nuk e kishte kërkuar një gjë të tillë.
Kohët ndryshojnë, përmbysen dhe Alush Bello merr rrugën, dikur as një ëndërr, për në Amerikë. Çfarë bën atje? A e ka gjetur veten? A e ka ndihmuar pasioni i tij, adhurimi për letërsinë amerikane? Mos vallë ia kanë shtruar rrugën shkrimtarët amerikanë që i kish përkthyer në gjuhën shqipe? Gjithsesi, përvoja që kishte, puna si drejtues biblioteke, angazhimi i gjatë në mësimdhënie, njohja e mirë e anglishtes dhe e letërsisë amerikane iu shfaqën si një dritë e ndezur, për një çast: iu paraqit mundësia të fillonte punë në një ndër kolegjet më në zë të qytetit. Por sigurisht, më parë duhej t’i nënshtrohej një testi që do ta vlerësonte përshtatshmërinë e tij për atë vend pune.
Dhe ja tek gjendet Alush Bello përpara kompjuterit në ekranin e të cilit do të shfaqen pyetjet e njëpasnjëshme të pyetësorit. E para: “Ju jeni…” dhe në vijim 5 emra burrash si alternativa për të zgjedhur, mes tyre vetë emri i Alush Bellos. Këtu zë fill befasia. Ngrenë krye dilemat e njëpasnjëshme mbi domethënien e një pyetjeje të tillë, absurde. Këtu buis dyshimi se mos diçka që nuk duket fshihet pas asaj që duket. Se diçka me siguri fshihet, diçka duhet të jetë duke u inskenuar, përndryshe pse një pyetje e tillë?! Për ta vënë në lojë? Për ta poshtëruar? Nëse është kështu, nga kush?! Më shumë të ngjarë kishte që Alush Bello të gjendej përballë një komploti të fshehur me kujdes, padyshim, nga FBI-ja. Siç duket po kërkonin t’i caktonin një detyrë të posaçme. Një detyrë që ai nuk donte ta kryente. Nuk e kish kryer në Shqipëri, atëherë pse ta kryente në Amerikë? Kur kish ikur nga Shqipëria kish menduar, veç të tjerave, se po ikte nga një botë që nuk i jepte mundësinë e të qenit siç do të donte; kur kish mbërritur në Amerikë kish menduar se gjendej në botën që i krijonte mundësinë e të qenit siç do të donte. Por në fakt si është Amerika? Bota e re a është në të vërtetë toka e premtuar? A qëndron te Amerika një problem i paparashikuar? Apo problemi qëndron te Alush Bello? Shqiptarit në Amerikë po i ngatërrohen bota nga kish dalë me botën ku kish hyrë përmes moskuptimesh dhe keqkuptimesh. S’ka si të jetë ndryshe: botën nga ka dalë nuk e ka lënë dot pas, atje larg në pikën e kuqe të kontinentit të vjetër. E po, asnjëherë e shkuara, nuk mbetet atje ku e kur ka ndodhur. Duam s’duam, çdo botë brenda të cilës jetojmë shndërrohet në një botë nga e cila zor se dalim. Sepse ka hedhur rrënjë në thellësi të qenies, duke u shndërruar në një botë të brendshme. Është fjala, pra, për një botë që s’ke çare pa e marrë me vete kudo shkofsh. Për pasojë çdo reflektim bëhet mbi “rregullat” e asaj bote.
Një botë brenda vetes, me “rregullat” e saj, me mendësinë e saj, me mënyrën e saj të perceptimit të realitetit, është edhe ajo e deputetit të parlamentit të parë pluralist shqiptar, rrëfimtarit të novelës “Zbulimi i Parisit nga shqiptarët”. Një botë që edhe ai e ka marrë me vete pa e ditur. Asnjë implikim politik në këtë rast, pa ndonjë lidhje të veçantë me diktaturën, megjithatë një botë e ndërtuar dhe e ngurtësuar në një mungesë të theksuar lirie. Pasojë e mendjembylljes, tipike e të jetuarit në izolim kur s’ka çare të mos e përfytyrosh prapamendimin pas çdo fjale, veprimi, qëndrimi krejt të rëndomtë, edhe pse prapamendimi, në të vërtetë, nuk ekziston…
Rruga e kundërt
Sigurisht, jo të gjithë shqiptarët e pasviteve ’90, për zgjedhje apo për destin, morën rrugët për gjetiu. Si e shohin ata, në këto kushte, nëse jo botën jashtë, mundësinë e reflektimit të dritës së saj në botën e tyre? A e shohin, në fund të fundit? A ju shkon mendja se mund të ndërtojnë një botë më të mirë brenda, për veten, siç e ndërtojnë të huajt në botën jashtë?
Në intermexon “De profundis” që lidh novelat e skajeve është një francez që bën rrugën e kundërt: nga bota e madhe dhe e hapur vjen në botën ende të vogël e të ngushtë të shqiptarëve të fillimviteve ‘90. Ai vjen që të ofrojë ndihma humanitare por konstaton se ata ndihen “aq të pafuqishëm për të ndihmuar veten dhe për të parë më gjerë, sa nuk bënin as përpjekjen më të vogël për të kuptuar se si mund të dilnin nga humnera”.
I mësuar të notojë pa ngurrim në oqeanin e mundësive, i aftë për t’i mbërritur brigjet shpëtimtare edhe në raste aspak të favorshme, francezi tronditet nga dorëzimi tipik shqiptar, nga pafuqia dhe paaftësia e tyre për të bërë diçka për veten. Madje shqiptarët as që e ditkan se çfarë do të thotë të bësh diçka për veten. S’ka çare që ata të mos u ngjajnë zogjve që gjithë jetën kanë “kënduar” në kafaz. Kanë “kënduar” për maraz e jo për gaz ama, kur dera e kafazit papritmas është hapur ata nuk fluturojnë për ta ndryshuar tingëllimën e trishtuar të këngës. Flatrat e tyre e kanë humbur refleksin e lindur të flatrimit, por më e keqja është se kanë humbur kujtesën dhe tani nuk e dinë më se ekziston mundësia e fluturimit nga humnera drejt qiellit të mundësive…
***
Në njërën anë janë shqiptarët që reflektojnë për botën jashtë që po e njohin për herë të parë, por gjithnjë me mënyrën e tyre të reflektimit dhe me mundësitë që u lejon vetë bota brenda të cilës kanë jetuar deri në fillim viteve ’90; në anën tjetër janë të huajt që reflektojnë për botën tonë, tronditshëm duke mos kuptuar se pse ajo botë nuk shpërthen për të rrokur hapësira mundësie.
Të dy botët, kaq të ndryshme, përplasen.
Shpjegim për autobiografizmin
Kur ndala pak më sipër te historia e Alush Bellos, citova një copëz nga komenti që bën për të zëri rrëfimtar (i njëjti për të tria novelat): “… ai nuk kishte marrë kurrë në jetën e tij ndonjë ftesë e as ndonjë urdhër nga sigurimi për të bashkëpunuar”. Déjà vu. Hapa librin “Dhomat pa mure” (Arta Marku / Toena 2021/ f. 87) ku gjendet mes të tjerave një intervistë që pata bërë me Besnik Mustafajn, me rastin e botimit të librit “Bishti i kometës” (Toena 2014). “Nuk kam pasur as nderin që të kundërshtoj bashkëpunimin me Sigurimin dhe as turpin të jem informator. Nuk më është qasur ndonjëherë kush që të më kërkojë bashkëpunim” – më pat thënë ai, kësaj here për veten.
Nuk e theksova këtë përkim vetëm sa për të përmendur elementin autobiografik të përmbledhjes “Porta e ngushtë e purgatorit”, tepër të pranishëm, fund e krye, duke e lidhur dukshëm zërin rrëfimtar të tri novelave me autorin e tyre: në novelën e parë rrëfen ministri i jashtëm që gjendet në Amerikë për të marrë pjesë në Asamblenë e përgjithshme të OKB; në të dytën ambasadori shqiptar në Paris që i kërkon mikut të tij francez që gjatë misionit humanitar në Shqipëri, të çojë ndihma edhe në Tropojë për ata që e votuan si deputet në zgjedhjet e para pluraliste; në të tretën deputeti i parlamentit të parë pluralist i cili, në cilësinë e shkrimtarit gjithsesi, udhëton në Paris për të marrë pjesë në një takim shkrimtarësh të vendeve ish komuniste, organizuar nga ministri francez i kulturës, Jack Lang.
Në gjykimin tim, prania e autobiografizmit nuk shkon në favor të kureshtjes së lexuesit lidhur me shkrimtarin por vlen si dëshmi për reflektimin e thellë që kalon përmes përvojave vetjake. Afërmendsh që përvojat vetjake gërshetohen me përvojat kolektive, përbashkuese të shqiptarëve e fillimviteve ’90, për të shpjeguar pikërisht kalimin përmes portës së ngushtë të purgatorit, vështirësinë e pastrimit të domosdoshëm para kapërcimit nga bota e mbyllur në botën e hapur, nga izolimi në liri…
Një kapërcim aspak fizik e asfare i jashtëm. Përkundrazi, siç thashë, gjithçka ndodh në thellësi të qenies ku janë lëshuar rrënjët e një bote që gjendet (apo gjendej) brenda vetë shqiptarit, sigurisht pasojë e botës brenda të cilës gjendet (gjendej) shqiptari. Një botë që ishte por me shumë gjasë vazhdon të jetë, pavarësisht sa duket, sepse e shkuara të përndjek, historia është gjithnjë me ty.
“Porta e ngushtë e purgatorit” është reflektimi i radhës mbi raportin e shqiptarëve me historinë, lajtmotivi tipik i krejt veprës së Mustafajt.