More
    KreuLetërsiBibliotekëArdian Ndreca: Jeta e mundimshme e Gjovalin Gjadrit nga “B2” në “2B”

    Ardian Ndreca: Jeta e mundimshme e Gjovalin Gjadrit nga “B2” në “2B”

    1.

    Për thuejse nji shekull nji tubë fletësh gati të tejdukshme, të zverdhuna e të brishta, kishin mbetë të mbylluna në nji sirtar mes skicash, përllogaritjesh, kartolinash të vjetra dhe projektesh të harrueme. Askujt nuk i kishte shkue ndër mend, dhe arsyeja fatlume asht gjuha e dorëshkrimit, se bahej fjalë për nji dramë, madje për nji vepër teatrale moderne dhe interesante që e nxjerr në pah Gjovalin Gjadrin si nji shkrimtar të mirëfilltë e jo thjesht si nji bashkëshort që mori shtysën me shkrue librin e tij të mirënjohun Letra grues seme teme të vdekun prej tragjedisë familjare që përjetoi.

    Dihet tashma se ky libër asht shfaqë pakujtue në pano-ramën tonë letrare si nji bestseller, tue pasë në nji kohë krejt të shkurtë disa botime të njimbasnjishme dhe tue zanë vendin që meriton.

    Edhe kësaj herë kemi të bajmë me nji vepër me sfond të theksuem autobiografik që trajton atë pjesë të shkurtë të jetës së autorit që ai ka kalue si inxhinier në Bashkimin Sovjetik. Emigrimi i tij në atë shtet nuk përban nji çudi për kohën, edhe pse nuk ka lidhje me ideologjinë e shtetit sovjetik por thjesht me profesionin e tij.

    Në fundin e viteve ‘20 Bashkimi Sovjetik për arsye të numrit të madh të veprave publike që po ndërtonte dhe nevojës për specialista kishte mbërrijtë me tërheqë inxhiniera dhe arkitektë nga Austria, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, të cilët paguheshin shumë mirë dhe kishin kushte të mira jetese. Gjadri vetë deklaron në nji autobiografi të tijën se paga që merrte në Moskë ishte treqind rubla, gati trefishi i pagës së nji puntori të specializuem të kohës. Gjadri, me formimin e tij profesional në shkollën austriake të shkencave të ndërtimit, i plotësonte kushtet për nji kontratë pranë Komisariatit të Transporteve në Moskë që asokohe drejtohej nga ministri Rikov.

    Drama me shumë gjasa asht shkrue në harkun kohor 1930-’31, dhe ka shumë elemente që na shtyjnë me mendue se asht hedhë në letër me turr, menjiherë sapo Gjadri ishte kthye në Tiranë. Si e tillë ajo ruen freskinë e emocioneve të forta të tragjedisë që ai kishte përjetue në periudhën e kalueme në Rusinë sovjetike.

    Dorëshkrimi asht i shtypun në makinë dhe përmban qortime me dorë, shtesa dhe shlyemje të tekstit. Tek tuk ka edhe ndonji gabim shtypi. Gjuha e përdorun pasqyron disa veçori të gjermanishtes austriake të kohës.

    Skena e parë ka tetë fletë, e dyta dhe e treta skenë kanë nga nandë fletë, skena e katërt ka vetëm gjashtë fletë dhe asht e vetmja ku nuk shenjohet nga autori “fundi i skenës”. Skena e pestë ka dhjetë fletë. Gjadri ka pasë nji luhatje në emnin e protagonistit, në skenën I dhe III patronimi i tij për gjashtë herë paraqitet Enrik Aleksandroviç, ndërsa në skenën V kur tashma drama ka hy në fazat e saja përfundimtare dhe karakteri i protagonistit asht afrue gjithnji e ma tepër me autorin e saj, patronimi për katër herë del Enrik Andrejeviç. Mos të harrojmë se edhe në dokumentet zyrtare emni i autorit paraqitet “Giadri Ivan Andrejeviç”, tue qenë se atësia e tij e vërtetë asht Andrea. Gjithsesi kemi mendue mos me e qortue këtë luhatje në respekt të dinamikave të mbrendshme krijuese të autorit të dramës, i cili gjithnji e ma tepër identifikohet me protagonistin e saj. Nji luhatje tjetër asht edhe patronimi i Williamit, që në dramë del William Vasiliç, në nji kohë që do të kishte qenë ma koherente për natyrën e vetë rusishtes që të ishte William Vasiljeviç. Nji pasaktësi gjejmë edhe tek përshkrimi i petkut fetar të ipeshkvit katolik Brisanski, që s’mund të ishte i purpurt siç pohohet në dramë por ngjyrë vjollcë.

    2.

    Në pesë aktet e veprës zbulohet nji dramaturg me nerv të fortë, i cili mbërrin me ndërthurë dinamizmin skenik me thellësinë e mendimit filozofik. Janë të pranishme nuancat büchneriane si edhe ndikimi i teatrit ekspresionist vjenez, të cilat ndërthuren me forcën e mendimit dhe me ndjeshmëninë tej mase të thellë të autorit. Dashunia dhe vdekja krijojnë kushtet ideale për nji tension dramatik “in crescendo”. Tablotë e dramës zhvillohen në Moskë, në Alupka në Krime dhe në Shafranovo, nji sanatorium në Urale.

    Tuberkulozit pulmonar, rrezikut që ia kërcënon jetën protagonistit Enrik Vremida, i shtohet edhe survejimi dhe përndjekja nga ana e agjentave të G.P.U.-së (Gosudarstvennoe političeskoe upravlenie), Sigurimit të Shtetit, prej të cilëve arrestohet edhe pse asht i sëmurë randë. Vetë titulli i dramës B2 i referohet nji prej stadeve të zhvillimit të sëmundjes së tuberkulozit pulmonar, ndërsa autori asht nënshkrue në faqen e parë të dorëshkrimit me pseudonimin Gjovy Maranay.

    Dashunia e tij plot tallaze për Tatjanën, marrdhanjet komplekse shoqnore me kolegët, diskutimet me tone nietzscheane me ipeshkvin katolik Brisanski në qelitë e Lubjankës, si edhe skena e fundit me të dashunën e tij, duken të shkrueme prej nji shpirti që jo vetëm e ka njohtë ekzis-tencën në palat e saja ma të mshehta e tragjike por zotnon artin dramatik dhe sekretet ma të thella të tragjedisë.

    Familjariteti i tij me skenën spjegohet edhe pse tashma dihet se Gjadri gjatë viteve të studimit në Vjenë e kishte ba zakon që çdo muej të hiqte mënjianë aq sa i duhej për me pague biletat për shfaqjet teatrale në Burgtheater.

    Gjuha e dramës asht e pasun, nji gjermanishte e zhdërvjellët dhe shumë shprehëse, figuracioni i larmishëm, ndërsa ajo që të bjen në sy asht sensi i pritjes, element ky i dramës ekspresioniste, gja që e ban autorin nji pionier shqiptar në këtë lloj drame dhe nji dramaturg shqiptar “sui generis”.

    Uni i protagonistit Enrik Vremida asht ai i shkrimtarit, i cili në vepër ka mbërrijtë me përçue me tension dramatik nënvetëdijen e tij dhe temperaturat e nalta emocionale që ajo përmban. Kumti i qenjes krijon dinamizëm skenik, vetë qenja kërcënohet prej nji rreziku të epërm. Gërryemja dhe asgjasimi i saj i japin kësaj vepre nji status unik në gjinin e dramaturgjisë shqiptare.

    Gjinia e dramës në letërsinë tonë asht nji punctum dolens i gjithmonshëm. Dramaturgjia e realizmit socialist për arsye të dogmatizmit rigoroz të asaj rryme, reflektohet në nji seri veprash që vuejnë prej skematizmit shpirtnor dhe skenik, asnji prej të cilave nuk i ka rezistue përmbysjeve të kohës.

    Ndërsa drama shqiptare e tri dekadave të fundit asht paraqitë ma së shumti si rezultat i nji oksidimi të beftë të shpirtit krijues të disa autorëve shqiptarë në kushtet e takimit të papritun me lirinë dhe me artin botnor. Ky i fundit, në format dhe de-format e tija mbetej i huej për ta, tue qenë se ishte zhvillue larg ndjeshmënisë dhe botës së tyne shpirtnore. Rezultati qe nji duzinë dramash të sheshta, nji tokë e mihun cektë ndërmjet nji absurdi naiv dhe nji eksperimenti cerebral pa impulse kreative, nji flakë krandesh që nuk la mbas vetes thuejse asgja.

    Gjadri me këtë vepër hyn në dramaturgji tue u paraqitë modern edhe sot, por mbetet krejtsisht jokoherent me letërsinë shqipe. Në fakt vetëm autori në këtë rast asht shqiptar, mund të themi pa ndrojtje se drama i përket letërsisë gjermane të nji shekulli ma parë.

    Veprës i mungon shelbimi njerzor, prandaj elementi tragjik asht shumë i fortë edhe pse nuk ka lotë, ofshama, sentimentalizëm. Në të gjejmë thellësi mendimi filozofik, ndërsa në sfondin ekzistencial projektohet dualizmi mes arsyes dhe ndjenjave. Elementet dramatike janë autentike pse i përkasin skenës së jetës dhe na janë besue nëpërmjet veprës për t’u vu në skenën e teatrit.

    Elementet konkrete që të shtyjnë me besue në afrimitetin e Gjadrit me teatrin ekspresionist zanë fill tek karakteri episodik i skenave dhe struktura e tyne e izolueme. Edhe batutat incizive së bashku me kontrastet e forta që mbartin janë në funksion të krijimit të nji tensioni dramatik që jonizon atmosferën e dramës. Gjithçka sillet rreth eksperiencës personale të vehtjes kryesore, Enrik Vremidës, alter ego i vetë autorit, i cili ndihet i shtypun shì prej botës së tij të pasun shpirtnore. Kundërshtitë që prodhojnë dramaticitet nuk janë ato mes tij dhe botës por ato që ai ka mbrenda vetes. Kjo pamundësi përshtatjeje me realitetin ban që personazhi kryesor i dramës të jetë nji kandidat për t’u përjashtue nga skena e jetës, prandaj skena e teatrit përfaqson të përkohshmen nëpërmjet së cilës ai kërkon me dhanë kumtin e palumtunisë kozmike që e karakterizon.

    Rreziku i përjashtimit pa të drejtë apeli i rrin varë mbi krye vetë autorit të dramës gjatë gjithë jetës, lirinë e së cilës ai e ruen me nji mburojë ashpërsie karakteriale që e ndihmon me ruejt distancën e duhun me filistinizmin e përbotshëm që e rrethon. Çdo gja e randësishme tek ai e ka zanafillen mbrenda unit. Aty nis e përfundon lufta, edhe pse ndonji betejë zhvillohet jashtë asaj përmase të mbrendshme.

    Enriku nuk mbërrin me dashunue atë që don, nuk pranon nji regjim nën të cilin jeton, refuzon versionin e nji Zoti me të cilin e kanë edukue, nuk beson tek progresi gradual i shoqnisë njerzore, nuk beson se shëndeti asht gjendja jonë normale dhe sëmundja nji anomali e sistemit. Obsesionet e tija, kënaqësia mizore me gërrye në mënyrë freudiane unin e tij, bota paralele që ia zymnon jetën, kundërven tek ai individin me masën.

    Mekanizmi që e ban të padashtun Enrik Vremidën për masën asht i rranjosun në faktin që masa urren çdo gja që asht e papërshtatshme për te, tue nisë tek liria shpirtnore. Edhe në dramën ekspresioniste të Gjovalin Gjadrit të gjitha personazhet tjera, përfshi pjesërisht edhe vetë Tatjanën, janë në funksion të ekzaltimit të lirisë pa objekt të personazhit kryesor. Kjo domethanë se dinjiteti i njeriut nuk qëndron në faktin se ai asht i lirë me ba diçka të përcaktueme, pse atë lloj lirije mund të mbërrijnë me e përjetue edhe njerëzit e randomtë që kanë njifarë pushteti mbi të tjerët. Liria e vërtetë asht ajo pa objekt: i lirë në vetvete, jo i lirë me ba diçka apo me zgjedhë mes dy rrugësh të cilat janë të dyja të kufizueme.

    Kontraste të tilla për t’u zhvendosë në ambjentin skenik kanë nevojë për arsenalin e dramës ekspresioniste që Gjadri e ka njohtë mirë. Tek ai gjejmë të përdoruna me profesionalizëm dritën skenike së bashku me efektet e saja në dukje të parë edhe ma të papërfillshme, teknikat moderne të aparatit skenik, praninë e rampave dhe dritareve, ndërtimin e detajuem të skenave, veshjeve, përdorimin e sloganeve të kohës, krijimin e detajuem të atmosferës, tonalitetin e zaneve, sfondet natyrore dhe artificiale, arkitekturën, pauzat, distopinë.

    3.

    Historia e letërsisë botnore numron jo pak inxhiniera që kanë qenë shkrimtarë të mëdhenj, kujtojmë këtu Fjodor Dostojevskin, Robert Musil, Georges Sorel, Carlo Emilio Gadda etj. Megjithatë asht e vështirë me gjetë edhe nji të vetëm që të ketë qenë njikohsisht edhe inxhinier i suksesshëm. Gjovalin Gjadri asht i tillë. Ai din me folë mrekullisht edhe me gjuhën e arkitekturës, tue përdorë fuqinë e saj organizuese të hapsinës dhe tue modernizue me vepra nji territor që sapo kishte hapë sytë mbas nji letargjie të frikshme shpirtnore. Nga ana tjetër Gjadri arsyeton edhe me zemër, asht tejet kërkues ndaj vetes dhe jetës, asht përçmues i mendësisë oportuniste orientale të cilën e trajton sa me përbuzje aq edhe me adiaforí.

    Kronologjia e zbulimit të Gjovalin Gjadrit si shkrimtar nuk përkon me kronologjinë e të qenit të tij i tillë. Kjo gja ka shty jo pa arsye shumëkend me mendue se Gjadri asht kthye në shkrimtar prej dhimbjes, siç shihet tek vepra Letra grues seme të vdekun. Në të vërtetë kjo dramë që po i paraqesim lexuesit dëshmon se dhimbja kozmike e individuale asht shoqja e tij e pandame dhe e heshtun e cila e ban atë nji shkrimtar të veçantë.

    Dhimbja për pafajninë e humbun kur kujton fëmijninë në kolegjin jezuit. Dhimbja për dështimin e shekullit kur përjeton terrorin revolucionar në Rusinë sovjetike. Dhimbja për nji dashuni të pamundun e aritmike për Tatjanën. Dhimbja mos me pasë nji cak.

    Në këto kushte sëmundja nuk asht tjetër veçse konden-simi i realitetit tek uni i shkrimtarit e këtu arrihet ajo sinteza kozmiko-politike e ekspresionizmit të viteve ’20.

    Ajo e Gjovalin Gjadrit asht nji luftë pa flamur, asht lundërthyemja e individit përpara shoqnisë. E atëherë ato fletët e zverdhuna të kësaj drame ngjasojnë me nji grusht hi ku janë koncentrue pasionet dhe gjithçka e çmueshme që bota nuk e meriton. Gjadri vjen prej nji bote primitive ku mbretnon zbraztia dhe papritmas gjindet në nji vend ku dhuna revolucionare kërkon me racionalizue çdo kthinë të ndërgjegjes. Kjo plotní e velë menjiherë inxhinierin shqiptar, e kjo gja shenjon edhe nihilizmin e tij ekstrem ndaj urës së vlerave që përpiqet me hjedhë mbi greminën e njerzimit komunizmi sovjetik. Ma mirë që ajo urë mos të ekzistojë kurrë, ma mirë ai individi i çartun që jep e merr me natyrën tue kërkue vana të përkohshme sesa ajo urë që shpërfytyron njerzimin.

    4.

    Pyetja që lind natyrshëm menjiherë mbas leximit asht se sa autobiografike paraqitet kjo dramë e Gjovalin Gjadrit? Përtej elementave përmbajtësorë, përkimeve kohore dhe biografike, ka nji seri elementesh psikologjike që përforcojnë hipotezën se drama ka nji karakter të thellë autobiografik.

    Nga ana tjetër dokumentet që ruhen pranë Arkivit historik të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dëshmojnë për peripecinë e kthimit të Gjadrit nga Moska në vitin 1930.

    Në nji letër të datës 6 mars 1930, konsulli Kolë Rrota, i cili ishte bashkëqytetar i Gjadrit, njofton nga Vjena Ministrin e Jashtëm shqiptar Rauf Fico se inxhinier Gjovalin Gjadri i kërkon zyrës në fjalë me u pajisë me pasaportë për me u kthye në atdhe. Konsulli Rrota saktëson se nuk ka nji adresë të Gjadrit, por nëpërmjes së motrës, Nine Gjadri, që banon në Vjenë, do të përpiqet me u marrë vesht indirekt me të dhe përfundon: “Sikundër jemi informue do të jet shumë e vështirë për Gjadrin qi Rusët t’a lëshojnë me u nisun për Shqipni”.

    Me datë 15 mars 1930 konsulli Rrota i shkruen rishtas Ministrit Fico ku i komunikon se i asht ba e dijtun Gjadrit nëpërmjes së motrës se asht i lirë me u kthye në Shqipni.

    Ndërkaq në prag të nisjes nga Moska, me datën 30 korrik 1930, Gjadri pajiset me nji vërtetim nga ana e Zyrës së Urave (Mostovoje Byro), në të cilin pohohet se “Giadri Ivan Andrejeviç” ka qenë në shërbim të asaj zyre prej datës 3 maj 1927 deri me 1 gusht 1930.

    Konsulli Rrota në nji shkresë të datës 6 gusht 1930 njofton Ministrin e Jashtëm Rauf Fico se me datën 2 gusht ka mbërrijtë në Vjenë inxh. Gjovalin Gjadri, rreth të cilin – nënvizon konsulli mbretnor – i janë dërgue dikasterit në fjalë dy shkresa tjera në muejin mars.

    Ndejtja në Vjenë e inxh. Gjadrit zgjatë rreth dy muej, pse nji tjetër shkresë e konsullit njofton me datën 3 tetor 1930 eprorët në Tiranë se Gjadri së bashku me Dr. Nush Bushatin u nisën për në Shqipni.

    Gjovalin Gjadri asht lindë në Shkodër, në lagjen Arra e Madhe, me 2 korrik 1899, biri i Andrea Gjadrit, tregtar i mesëm, që e len jetim djalin e tij në vitin 1905, dhe i Tereza Dedës e cila ishte e datëlindjes 1876. Motra, Antonina, kishte lindë në vitin 1904 në Shkodër. Mbas vdekjes së Andreas e ama i rritë jetimat në kushte modeste, tue e fitue bukën me punë doret.

    “Nji nga mësimet qi më ka dhanë mama – shkruen Gjadri tek autobiografia zyrtare që dorëzon në Ministri – asht ai mos me rrejtë. Këtë mësim jam mundue t’a baj për vehte qysh se kam qenë i vogël në shkollë”.

    Studimet e para i ndjekë si i jashtëm në Kolegjen Saverjane nga viti 1905 deri në fundin e vitit 1913. Në janar të vitit 1914 shkon me bursë në Austri ku ndjekë studimet në liceun e Kremsit, drejtimi real, pra shkencor dhe jo humanist. Mbasi merr maturën në vitin 1917 frekuenton në Vjenë Fakultetin e Inxhinierisë civile të Shkollës së Naltë Teknike. Në vitin 1923 jep provimin e gjuhës latine në liceun klasik tue qenë se kishte frekuentue për katër semestra Degën e Ekonomisë Politike të Universitetit të Vjenës. Në vitin 1925 diplomohet inxhinier civil në Shkollën e Naltë Teknike të Vjenës.

    Në fundin e viteve ’20 e motra shkon në Austri, ndoshta me studime, dhe atje i bashkohet edhe e ama në vitin 1936. Ma vonë e motra do të martohet me nji shtetas austriak dhe do të jetojë deri në fund të jetës në Salzburg, ndërsa e ama në vitet ’50 kthehet në Tiranë pranë të birit.

    Gjadri sapo kryen studimet kthehet në Shqipni dhe në nga viti 1925 deri në vitin 1927 asht inxhinier në dispozicion të Ministrisë së Punëve Botore. Ngarkohet me detyrën e drejtuesit të punimeve në ndërtimin e Urës së Matit, por mbas përfundimit të gjashtë harqeve të urës largohet nga detyra për shkak të mosmarrveshjeve me specialistat italianë dhe për shkak të trajtimit të diferencuem që qeveria shqiptare i bante atyne në krahasim me shqiptarët. Mbas periudhës 1927-1930 që kalon në Bashkimin Sovjetik, kthehet rishtas në Ministrinë e Botores si inxhinier deri në vitin 1935 kur emnohet sekretar i përgjithshëm i atij dikasteri, detyrë në të cilën rrin vetëm për dy vjet për shkak të integritetit të tij moral dhe profesional që nuk pranonte kompromise. Si sekretar i përgjithshëm i asaj Ministrie merr pjesë dhe ka shumë sukses në Kongresin II të IABSE (International Association for Bridge and Structural Engineering) në Berlin në vitin 1936. Ulet në detyrë tue u emnue shef i kontrollit teknik pranë asaj Ministrie dhe qëndron në atë post nga viti 1937 deri në vitin 1945. Pushtimin fashist, siç dëshmon edhe tek Letra grues seme të vdekun e pret me shumë indinjatë, kurse ma vonë, edhe pse ndaj gjermanëve ka nji qëndrim të diferencuem, nuk pranon me bashkëpunue me ta, aq sa si shantazh Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë Hysni Dema i çon xhandarët e tij për me e nxjerrë me dhunë prej shtëpisë. Detyrohet me lanë Tiranën dhe gjen strehim tek ungji i tij prift, dom Nikollë Deda, famullitar në Hajmel, ku qëndron gati gjithë vitin 1944.

    Nga viti 1945 deri në vitin 1947 vijon punën në Drejtorinë Rruga-Ura të Ministrisë së Punëve Botore, kurse në vitin 1952 emnohet si ndërshkim në Ndërmarrjen e Projekteve me detyrën e shefit të sektorit Ura-Porte.

    Kulmi i moskuptimit të situatës në të cilën ai ndodhet tashma shenjohet nga letra e famshme që ai i drejton Ministrisë së Punëve Botore me datën 24 mars 1947 ku kërkon që të lirohet nga detyra dhe të pajiset me pasaportë për me emigrue në Austri ku e ama dhe e motra jetojnë në kushte ekonomike jo të mira. Në letër ai flet për “degradim”, pra ulje nga detyra, që e ka vra tej mase dhe shton se megjithëse në rini ka vuejt larg vendit të tij “nuk kam gjetë atdheun as këtu në Shqipni” dhe përfundon tue u shprehë se “të drejtat e mija këtu në Shqipni janë të parealizueshme”. Në letër ndihet trysnia psikike që ai provon aq sa e mbyllë letrën tue thanë se don me e lanë Shqipninë pse jashtë shtetit e presin detyra tjera.

    Letra në fjalë ndodhet në “dosjen formulare” të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit së bashku me shumë materiale tjera.

    Cilat detyra e presin Gjovalin Gjadrin jashtë shtetit? Studimet, projektet dhe kujdesi për nanën e motrën siç shprehet ai vetë! Si mund të ndiheshin funksionarët e Sigurimit të Shtetit mbas leximit të kësaj letre? Nji dorë disi e pasigurtë në shumë aspekte ka shkrue në fund të letrës së Gjadrit: “Miltjadh shiko ka gjë matrial sek. IV-të, bizedo me shokët në Ministri si qëndron këjo çështje”.

    Hija e asaj letre ka për ta ndjekë gjithë jetën Gjovalin Gjadrin, madje edhe mbas vdekjes së tij ajo letër do të përmendet në dokumentet sekrete të Sigurimit të Shtetit.

    Ndër dokumentet e dosjes operative ndeshim edhe në nji proceverbal të datës 18 tetor 1951 të mbajtun në Ministri, ku Gjadri akuzohet për humbjen e disa materialeve sekrete të Ministrisë së Punëve Botore, ndër to edhe nji hartë të Shqipnisë ku shënjohet të gjitha urat dhe karakteristikat e tyne teknike. “Gjyqi” që i bahet – për fat vetëm në Ministri – do të përfundojë me transferimin e tij në nji detyrë ma të ulët.

    Ndër materialet komprometuese që Sigurimi i Shtetit ka për të, përveç kërkesës së marsit 1947 për me ikë prej Shqipnije, përmendet fakti që në vitin 1946 ka pritë në zyrë ungjin e tij, dom Nikollë Dedën, dhe ka hapë para tij hartën e Shqipnisë, i përmendet fakti se ka vonue projektin e fabrikës së makaronave në Shkodër, gjithashtu për të flitet se asht i implikuem në procesin e Beqir Çelës dhe se ka pasë dijeni për “organizatën e teknike-Intelektualëve” (sic). Gjithashtu thuhet se ka lëvdue zotësinë profesionale të anmikut Lutfi Strazimiri që asokohe ndodhej në burg, se ka pritë keq specialistin sovjetik Getisov, se vazhdon me përdorë literaturë gjermane etj.

    Me datën 14 shkurt 1954 Seksioni III i Degës III të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme vendosë që Gjovalin Gjadri të kalojë në kontroll operativ 2B, që zakonisht rezervohej për pinjoj të familjeve të deklasueme, funksionarë që nuk ishin aktiv në veprimtarinë e tyne anmiqsore ose mbërrinin me e mshehë atë mirë.

    Hija e tij e padukshme për shumë e shumë vite do të jetë aspirant Zabit Gjetani, punëtor operativ pranë Seksionit III, i cili evidenton takimet e Gjadrit, letrat që ai merr, thashethemet rreth tij, informatat, hamendësimet. Sigurisht që aspirant Zabiti me gjithë vullnetin e mirë që ka nuk asht në gjendje me lexue letrat me shkrim dore në gjuhën gjermane që Gjadri i dërgon së amës në Salzburg.

    Dikur në Moskë profesor Lomonosovi ndiqte zhvillimin e tuberkulozit pulmonar të gradës B2 të Enrik Vremidës, kurse tashti në Tiranë aspirant Zabiti, i vetëm, mbante nën kontroll operativ 2B inxhinierin ma të talentuem të kohës.

    Bota asht përmbysë, por gjithnji, në qendër të saj qëndron stoikisht inxhinier Gjadri.

    Nemezis (Νέμεσις) e fatit asht kthye rishtas në sulm, kësaj here nëpërmjet derealizimit të botës. Duket se asht vërtetue ai mendimi paralizues i Nietzsche-s, kthimi i përjetshëm i identikes. Kësaj herë ama elementit tragjik i asht shtue grotesku, e keqja mundohet me shkaktue katastrofën e inteligjencës tue përdorë armët e veta ma të topituna.

    Kopjeve fotografike të letrave në atë dosje i bashkohen edhe përkthimet shqip, për të cilat asht zgjedhë nji person i besueshëm që nuk i përket arealit verior dhe që herë herë përkthen edhe me vesh por gjithsesi pa qëllim të keq për me ngarkue subjektin në fjalë.

    Ban përshtypje sesi në nji prej letrave ku e ama plakë i kërkon me u kthye pranë tij në Tiranë, Gjovalini i përgjigjet se nuk ka kushte, pse orenditë shtëpiake dhe almiset i ka shitë e jeton prej vitesh në nji pension së bashku me të birin, se ushqehen në nji restaurant të thjeshtë, gja që nuk asht aspak e shëndetshme për mirërritjen e djalin, Egonin. Në fakt ky i fundit shkonte tash e parë edhe tek nanadaje, Pashoja, e veja e Abdi bej Toptanit, e cila e donte shumë dhe përpiqej me ba çdo gja për të.

    Gjovalin Gjadri siç dihet vdes me 13 mars 1974, ndërsa dosja e tij, ku përfshihen edhe dy çertifikata vdekjet të nxjerruna mbas katër vitesh, arkivohet vetëm me datën 12 shtator 1978.

    Tue u kthye rishtas tek dosja e kuadrit, atmosfera e së cilës nuk ndryshon shumë prej dosjes së Sigurimit, ndeshim në nji shkresë të datës 12 tetor 1955 me të cilën Kryetari i Institutit të Shkencave prof. Kolë Paparisto i komunikon Gjadrit vendimin se asht caktue si bashkëpuntor i vjetër shkencor me të drejtë rroge.

    Në fakt në nji shkresë të datës 3 dhjetor 1942 që ruhet në Arkivin e Shtetit në Tiranë, dom Lazër Shantoja, asokohe antar i Këshillit Akademik të Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare, i kishte propozue këtij të fundit pranimin e Gjadrit si antar të rregullt në degën e shkencave fizike-matematike e natyrore, por për arsye që nuk njihen propozimi nuk kishte pasë efekt.

    Ndërkaq nga viti 1957 deri në vitin 1973 Gjadri asht docent pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Universitetit të Tiranës. Komisioni i atestimit i akordon në vitin 1966 titullin “docent” dhe “kandidat i shkencave”, ndërsa po i njejti organizëm i akordon me datën 26 janar 1973 titullin “profesor”.

    Karakteristikat e kuadrit prej fillimit të viteve ’50 deri në fund e përshkruejnë si indiferent gjatë periudhës së LANÇ-it por me nji farë simpatije për qëndresën antifashiste edhe pse s’ka dhanë asgja konkrete për të. Gjadri konsiderohet si njeri me botëkuptim idealist, mizantrop, brutal me vartësit, që nuk përpiqet me përfitue nga literatura shkencore sovjetike, nuk shkon në mbledhje e në forma edukimi, i trajton komisionet ministeriale si burokraci të kotë. Për aparatçikët komunista ai ka nji mendësi mikroborgjeze, mendime politike konfuze, i ushqyem me filozofinë nietzscheane kujton se nji mbinjeri do t’i zgjidhë problemet e shoqnisë njerzore. Ndër të tjera thuhet se nga ana karakteriale e konsideron veten superior ndaj turmave, asht i mbyllun në vetvete, meditativ dhe sentimental. Rrethi i tij familjar konsiderohet anmik i pushtetit, si nga ana e grues, bijë Toptanësh, si nga ungjit e tij: dom Nikollë Deda dhe i vllai, të persekutuem randë nga pushteti komunist. Gjithashtu si njeri i kohnave të vjetra thuhet se ai ka nji “klikë” të tijën në Ministri, rreth tij mblidhen nëpunës si Ali Bejtja, Rrapush Bumçi, Çefo Fico etj. Nuk i mohohet kapaciteti teknik por edhe fakti që nuk asht përmend kurrë për përfitime të paligjshme, gjithsesi theksohet se nuk asht njeri i besuem i pushtetit në fuqi.

    Konsideratat e autoriteteve ndaj Gjadrit sado që përmbajnë kontradikta në vetvete për arsye se përpiluesit për nga formimi dhe shkollimi janë heterogjen, gja që reflektohet edhe në nivelin e përdorimit të gjuhës shqipe, nuk ndryshon shumë ndër vite. Gjykohet se ka nji qëndrim të keq politik, se asht reaksionar, se nuk don me marrë përgjegjësi, se nuk bashkëpunon me vartësit dhe përdor vetëm literaturë gjermane dhe asht kryekëput indiferent ndaj çështjes së ngritjes ideo-politike. Gjithashtu gjykohet si sentimental, i pashoqnueshëm me të tjerët, vuen nga nervat dhe preket shumë lehtë.

    Pjesa pozitive e karakteristikave ka të bajnë me aftësitë teorike në punë që i lejojnë zgjidhje optimale të problemeve e i kursejnë fonde shtetit, vlerësohet formimi i tij si socialist idealist dhe antipatia që ka rreth kapitalizmit, theksohet disiplina dhe kërkesa në punë si edhe të qenit element i ndershëm dhe i padjallzuem. Në nji prej vlerësimeve pak a shumë objektive ndaj tij, eprori Salih Angoni në mars të vitit 1953 në karakteristikën vjetore vëren:

    Ing. Gjovalin Gjadri asht Inginier i vjeter, i zoti dhe me shumë eksperience, punen e nxjer të sakt dhe te paster por te shtrenjt. Eshte shef i sektorit Ura, i afte per drejtimin e tij, por nenvlefteson punen qe nxjerr meqe objektet qe projekton i duken gjera te vogla dhe te thjeshta per te. E mbi çmon mjaft vehten dhe nenvlefteson tekniket e rinj. Po thuaj nuk ben asnje perpjekje qe te perfitoje nga eksperienca Sovjetike por me fanatizem ju permbahet librave te vjetra Gjermane. Eshte egoist, pretencioz dhe i pa kenaqur ne pune.

    Nga ana ideopolitike qendron ne pozitat idealiste, eshte mizantrop dhe nervos deri ne arrogance me inferioret e tij.

    Nga ana politike qendron indiferent, punet shoqerore dhe mbledhiet e ndryshme i nenvlefteson duke mos marre pjese (ne raste te jashtezakonshme merr pjese formalisht). E njejta gje dhe me mbledhiet  teknike.

    Per ngritjen ideopolitike nuk bene asnje perpiekie.

    Me kalimin e kohës qendrimi ndaj tij sikur zbutet, krijohet përshtypja se nuk asht ma në shënjestër si përpara, ndoshta mosha dhe afrimi i kohës së pensionit e kanë largue prej fokusit të funksionarëve të zellshëm komunista. Me datën 1 mars 1968 nxirret në pension, këtë gja rektori i Universitetit të Tiranës Kahreman Ylli ia komunikon kartotekës së kuadrit. Ndërkaq dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Besim Daja i komunikon Gjadrit me 13 dhjetor 1968 se marrdhanjet mes tij dhe Fakultetit në fjalë priten për arsye të daljes në pension tue nisë nga data 1 janar 1969. Diçka ndodhë, pse me datën 28 maj 1969 në nji shkresë me fuqi mbrapavepruese rektori Kahreman Ylli njofton zyrën e kartotekës së kuadrit se inxh. Gjadri rikthehet në punë me rrogën e maparshme mujore.

    Me sa duket regjimi ka vendosë që Gjovalin Gjadri të mos dalin kurrë në pension.

    Sulmi i ashpër fillestar ndaj tij pak nga pak asht zbutë dhe në fund, ndoshta për faktin se tashma në pozicione drejtuese ndodhen disa prej bashkëpuntorëve dhe ish studentave të tij, kursi ka ndryshue dhe ai vlerësohet maksimalisht.

    Nji gja asht e patundshme, inxhinier Gjadri në tri dekada socializëm nuk ka ndryshue botëkuptim dhe nuk asht ngritë nga ana ideologjike siç i kërkohej nga regjimi, thjesht Leviatani – në variablin e irracionalitetit të vet – nuk e shihte ma idealistin me mendësi borgjeze, mizantropin arrogant me idena nietzscheane Gjovalin Gjadri si nji individ të papranueshëm për atmosferën revolucionare.

    5.

    I gjithë ky ekskursus biografik i Gjadrit shërben për me kuptue përmasat autobiografike të dramës së tij. Ka nji vijimsi karakteriale, botëkuptimore që bashkon Enrik Vremidën dhe autorin e dramës. Sido që të kenë shkue punët në Moskë në fundin e viteve ’20, Gjovalin Gjadri nuk ka nxjerrë asnji mësim për jetën e tij. Ai ban pjesë tek nji kategori njerzish që nuk i përshtaten rrethanave, madje as i anashkalojnë ato, por përpiqen me i pranue vetëm tue i dominue. Në nji farë kuptimi Gjadri asht nji i përzgjedhun i fatit për të cilin ekzistenca kthehet në diçka pafundsisht tragjike, ai ka nji “gjemb në trup” (2 Kor, 12, 7) që s’ia lejon me e gëzue jetën përveçse nëpërmjet profesionit që ushtron.

    Josif Stalini ka përdorë njiherë – tue e ba të famshme madje – nji shprehje të shkrimtarit Yuri Olesha që i përcak-tonte shkrimtarët si “inxhiniera të shpirtit njerzor”. Enrik Vremida asht i tillë edhe pse nuk ka ndër mend me ndërtue atë që synon Stalini.

    Vizioni filozofik i Enrik Vremidës asht ai i nji mendimtari vitalist, nji individ që asht në thelb shtegtar pa cak, pa familje e pa atdhe, nji ashkël drite në kërkim të nji prehje për-fundimtare në terrin që e shoqnon kudo.

    Shoqnia ia ka rrokjezue gjithmonë detyrimet që ai ka ndaj saj dhe ai i ka pranue tue ia imponue vetvetes, ndërsa mbrenda në shpirt i ka ushtue preludi i nji fundi të pash-mangshëm. Vremida e sheh sëmundjen vdekjepruse prej së cilës vuen si nji shenj të dukshëm të përzgjedhjes së fatit. Ai asht ngritë në spiralen vertikale të ekzistencës dhe ka pa gjana që të tjerët s’i përfytyrojnë dot. Kjo asht arsyeja që inkandeshenca revolucionare për të asht vetëm nji forcë e verbët që nuk ndriçon por vetëm djegë. Shembëlltyra e tij në peizazhin e blertë të sanatoriumit të Shafranovos, në Urale, tue u mbajtë me shkop dhe tue tërheqë nji pallto të randë mbas vedit, asht ajo e thyemjes së armatës së idealistave përpara rrulit shtypës së dhunës që natyra (sëmundja) dhe njerzit (terrori i kuq) ushtrojnë në sinkron mbi elementin ekstatik të njerzimit.

    Tatjanën e shpëton zemra dhe arsyeja, pse në fund të fundit ajo ka nji marrdhanje jotragjike me botën. Ajo e ka asimilue botën pasivisht dhe në doza në vogla, së pari si jetime e mandej si femën, ka mësue me u përshtatë në jetë dhe falë kësaj vetie ajo e shpëton Enrikun tue dënue veten me jetue me nji qenje të neveritshme si Fedor Sergejeviç Grohwitzi, funksionari i Lubjankës me të cilin ajo martohet.

    Enrik Vremida jeton në nji botë tjetër, atë e mundon çeshtja e kohës, ngjarjet kuptimplote të së cilës krijojnë atë që quhet ndërgjegje dhe të lidhuna së bashku në nji continuum përbajnë unin tonë të vetëdijshëm. Në vepër ndihet e thukët kultura filozofike bashkëkohore e cila qëndron si nji sfond i natyrshëm në dramë. Në këtë mozaik dallohen ide e reminishenca nga filozofë si Kierkegaard, Nietzsche, Scheler, Bergson, Freud.

    Nga ana tjetër Vremida ka bindjen se teknika krijon njerëz gjysmakë të cilëve u mungon zemra. Këtu kthehet në skenë debati rreth teknikës, i cili pat lindë në qarqet kulturore e filozofike qysh në fillimet e shekullit e pat marrë hov mbas Luftës I botnore. Edhe koncepti i kulturës si fryt i nji mundi të përbashkët sjell disa motive të debatit të kohës. Nji vend të veçantë në vepër ka qëndrimi i Vremidës ndaj Zotit, vrasësit e të cilit ai i sheh pikërisht mes adhuruesve të tij. Motivet nietzscheane janë të dukshme por nuk çojnë domosdoshmënisht në atë drejtim.

    Asht themelore tek ai kërkesa për nji mendim revolu-cionar që të shporrin të vjetrën prej shpirtit njerzor e të krijojë barazi mes njerzve, t’i çlirojë ata përfundimisht prej vargojve të së keqes. Vremida e refuzon kapitalizmin, ndërsa asht dëshmitar i dështimit të komunizmit sovjetik e njikohsisht s’ka besim në nji lloj krishtenimi që e ka humbë frymën profetike dhe asht kthye në nji doktrinë moralizuese. Kjo gja e shtyn Vremidën me pohue në dramë se “feja e dobëson vullnetin”, ide e vjetër kjo që e gjejmë së pari në polemikat e Aurel Augustinit tek De civitate Dei e ma vonë në modernitet tue nisë prej tek Princi i Niccolò Machiavelli-t.

    Vremidën e frymzon mekanizmi heroik i filozofisë nietzscheane, “bota lypë luanë e jo dele” pohon ai, tue rimarrë shembëlltyrën e njohun të Friedrich Nietzsche-s tek teoria e tri metamorfozave. Në të njejtën optikë duhet të lexohet edhe nota kritike ndaj konceptit të familjes në dramë.

    Gjithsesi ai ruen diçka pre-revolucionare që ka të bajnë me përkatësinë e tij fisnore. Këtë motiv e cekë kur përmendet “droja e pararendësve” apo detyrimi me mbrojtë nderin personal. Kjo prani shprehet në formën e nji predeter-minizmi biologjik e kulturor prej të cilit ai nuk ka dëshirë me u distancue përfundimisht. Shfaqje arkaike këto për nji individ që frymzohet tek filozofia e Nietzsche-s!

    Në konstatimin e këtyne forcave pararendëse përzihet ndjesia e fatalizmit dhe ajo e vetëkënaqësisë së funksionimit të nji mekanizmi të verbët që e dallon Enrikun prej nji bote që pothuejse e ka elektrifikue nënvetëdijen.

    Në fakt të gjithë dramatis personae të veprës ngjasojnë me figura gjeometrike që ndodhen atje ku pritet të jenë, i vetmi që asht i tëhuejun dhe ka konflikt të thellë me format a priori të kohës dhe hapsinës asht Enrik Vremida. Kjo gjendje krijon diferencën mes kundërshtive dialektike që të tjerët kanë me botën dhe përplasjes tragjike të Enrikut, përplasje prej së cilës o ai o bota do të shqymben.

    Enrik Vremida shkon drejt nji asgjasimi, ai ka vetëdijen e qartë se rrugën kah lumtunia e ka të mbyllun.

    Çka do të ndodhte me nji individ si ai nëse ma vonë do të përballej me nji tragjedie tjetër? A do t’i forcohej bindja se atij, pikërisht atij, i merret me dhunë nga fati çdo gja që dashunon, tue i lanë vetëm jetën, për me provue sesi asht ekzistenca pa objektet e dashunisë së tij!

    Kur Enrik Vremida largohet nga skena aty nisë nata mistike e shpirtit të tij, ai asht në fill të asgjasimit por me nji shpresë tek diçka të pathanshme për të cilën bota nuk jep kurrë shpresa.

    Autori i dramës ka kuptue se tek thyemja ka diçka ma dinjitoze që asnji fitore nuk të ban kurrë me e provue.

    Kjo dramë ruen nji kumt universal, prandaj për të nuk mund të thuhet se ka ardhë vonë. Po vjen, me gjasë për mos me dalë ma prej letrave shqipe.

    Romë, korrik 2024

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË