More
    KreuLetërsiBibliotekëArben Velo: Dy karfica malli për nënën (poezi)

    Arben Velo: Dy karfica malli për nënën (poezi)

    DY KARFICA MALLI PËR NËNËN

    Tre javë pa e parë nënën
    Një lëmsh prej gjaku
    muroset te stomaku.
    Brenga më djeg
    Si thëngjill prej loti.
    Ajo sytë e mi
    i ka vendosur mbi flokë
    Si dy karfica qëmoti.

    Nga dita që më lindi
    në zemrën time
    fle dhe zgjohet nga gjumi…

    Malli, si athtimë shege,
    më bëhet lukth te fyti,
    sa më mbledh ujë gjuri.


    FJALË TË ZGJEDHURA PËR NJË QYTET TË ZBRAZUR

    Në  qytetin e zbrazur
     janë mëkat të rinjtë.
     Sërish në Gusht, lindën fëmijë më pak. 
    Ngjajnë sheshet
    si komça të zbërthyera rrugësh
    si paliçeta bebesh,
    nderur neonët çdo darkë..
     
    Veç të moshuar ka,
    të cilët nuk flasin.
     Me heshtjet që ju qajnë
      të kyçura në kokë.
    Si vetull fëmije, ikur diku larg
    Ngjan jaka e hënës, zhubrosur në tokë.
     
    Veç peshën e vetes  
    po mbajnë pallatet.
     Këndojnë trille dhimbjeje
     si në koret greke.
     Prindër vetmitarë,
    mbajnë celësat  e dyerve
    si kërthiza të sapoprera bebeje.
     


    KUMRIA VISHET MURGESHË

    Një bletë po qan
    për pjalm ska para,
    si monedhë bitcoin,
    polenin fsheh nën krahë.
    Njerëzit ngarkojnë ditën
    me pjalm ofshamash .

    Në vend të urimeve
    zgjedhin mallkimin.
    Dashuritë ua vodhi,
    dreqi me të birin.

    Për ne lutet kumria,
    në pritje të dimrit.
    vishet si murgeshë.
    mëngjeseve harron psalmën,
    te pragu i manastirit,

    Paqja lutet për luftë.
    Heshtja bekon zhurmë.
    Unë mbi vete shtoj.
    një kryq më shumë.


    E PREMTE E PAPËRDORUR NË MASËN E DUHUR.

    Është e Premte
    Njëri-tjetrin
    se njeh më askush.
    Dielli në mëngjes, u faneps si tigër
    Në mesditë
    si një manar u zbut.

    Njerëzit ngjajnë
    si përrenj që humbën shtëpitë
    edhe te rënia e gjetheve, shohin nëntekse.
    Si një kafe ,
    mbetur përgjysmë
    i lanë pa pirë ditët
    deri të enjte.

    Është e Premte
    Pemët fanepsen
    si gra të trishtuara
    Neonët –
    Si burra mbetur të brishtë.
    Prej inateve,
    cmirës
    mund ti lënë të nesërmet
    ,si kafe përgjysmë.

    KËRMILL PA DEFEKTE

     Zvarritës pa defekte,
    shkon  të votoj
     në një qëndër mungese.
    mes jargësh  qëndrese…
    Zvarritës i bukur!
     Zoti  e ruajtë
    këtë ndjellës drite
    përmbytur në shkumë!

     Në vend të guaskës
    në rrugëtim,
    një kockë gjuri,
    mban si borsalinë.
    VERË E RREJSHME!

    U tret dhe kjo verë
    si një përrua në Vjosë.

    Shtatori nis të mbledh
    në bohçe të vet
    veriget e lotëve nga shtrati me erë…
    vetmitë,
    iu fryjnë si brirë minareve
    Hixhabin shirat,
    se zhveshën asnjëherë…

    Hije pallatesh
    përplasen me hijen time
    Si desh të një kopeje
    që iu hanë brirë.
    Mes shtëpive strofkë,
    vetëm për dy njerëz
    Të pres verën tjetër,
    e kam të vështirë.


    FAT FSHATI

    Në fshatin pa njerëz,
     mua më ha vetmia
    Marr frymë thellë, kollitem,
    brinjët mbush me ajër.
    Në rrugën kalldrëm,
     metro kaq e bukur,
    çdo gur ngjan
    një kokë bashkëfshatari,
    nga trupi e këputur.
     
    Portat i hodhën gjerdheve si këmisha,
     Dritaret i nderën mureve si bluza.
    Catitë si kapele, vunë mbi kokë
      oxhakët, kthyen si çibukë,mbi buzë.
    Shtëpitë
     që torbat,si mbanin dot
      I mbartën në shpinë.
     Dhe u nisën,
     për rrugë.
     
     Ikën larg.
    Cfarë fati iu ra,
    e dinë bunarët e lotëve.
    Si bizhu i groposën në tokë
     qeshjet,
    brengat,
    kollën
     çdo   lemzë.
    Ca nuskëza trëndafilash
     varën nxitimthi në qafën e kopshteve,
    si hajmali kundër syrit të keq.
      


    KËMBANA REUMATIZME MALLI.

    Sa herë thika e hënës,
    më godet në eshtra,
    zanoret e emrit tënd,
    fluturojnë e kthehen
      xixëllonja Maji.
     Nga mungesa jote,
    kokallat e mia
    kthehen
      këmbana reumatizme malli.

    Ah qeshjet e tua
      ajrin kanë dredhur
     gjithë këto ditë,
     gjithë vesat
    I vë  
    mbi vete.
     si napë me kripë.
     Duke të pritur Ty
     kokën vendos mbi supet e verës  
     Dhimbjen e kyçeve të udhëve
      kthej si bishtra ketrash,
    dhe i var pas derës.


    DHE HIJET NË JUG KUSHTOJNË KËTË VERË MË SHUMË
     

     Hijet në jug,
     kushtojnë këtë verë më shumë.
     
    Ku ta gjej një strehëz të lirë,
     në lirinë që mban erë det.
     Gjinkallat ofrojnë mjuzikëll falas,
     me një frape valësh
    për një poet.
     
    Kalldrëmi i Vunoit,
     gjuhë e fortë labe,
    me theks,si thep
     Iu gërvisht këmbët turistëve
     si shqipe e sertë
    ( Unë zhapa me jod perëndimesh ilire
    Për çdo të papritur
    mbaj në xhep)
    “Buonosera”!
     « Kalispera”!
     «Good evening»!
    ua kthejnë labërishte
    “ Mirëmbrëma”!
    nën kapelet e blerta, ullinjtë.
     
     
    Pse s’ndihem i lumtur?
    Në mersinat e syve
    befas  më bujtin dy çajme.
    Vijnë nga qiejt,
      nuk kuptohen në tokë.
    Iu kanë ngecur zjarret’
    si nyjë në grykë.
      tymi i shkrehur
     si dhimbje nëpër kokë.
    Me puplat e bardha
    marrë me qera,
     në  butikët e ankthit të detit,
      pyesin;
    “Kushton lirë ,të flemë,një natë
      në bujtinën e syve të një poeti”?
     
    “Një hënë e plotë.
     Dhe  merrni falas tre gllënjka vese Vunoi
    distiluar në lot!”
    Gusht dhe gunë”
    Dhe Hijet në jug
    ,kushtuan këtë verë më shumë!


    PI ESËLL CA GLLËNJKA DHIMBJESH QYTETI

    Mëngjes,
    Teksa shkallët e natës zbres
    Disa vetëtima
    Si gozhda të ndryshkura
    kanë mbetur te retë

    Si ta ngre ngrehinën e ditës time
    në shkrumbin e natës ngjyrë meiti?
    Pi esëll ca gllënjka dhimbje qyteti
    Me kursin e euros që kushton lirë
    blej muranë shpirti.

    Në gjak dhe në mish
    Kërkoj themelin, lidhjen time me tokën
    Si nofka që njerëzit
    i vënë njëri tjetrit
    Me ngjan
    kafeneja e lagjes..

    Se di pse fshihem
    nën kurora pemësh,
    si gjinj të gjelbër dite.
    Qytetit i qep nuskëza metaforash
    ti ketë
    modele të reja këmishe.


    MËKATE DHJETORI

    Ky është një Dhjetor pa shtat Dhjetori
    me qiej brenda meje si në jerm.
    Si një xhaketë, hedh zbrazëtinë mbi supe
    nuk jam askushi, siç do duan të jem.

    Kaloi mes qytetit, e dua a se dua?
    Shtrëngoj fortë sytë në prehër të ballit.
    te kendi i lajmërimeve,
    më ngjajnë fotot e të vdekurve,
    si medalje malli

    Një Dhjetor pa orë,
    rropatet drejt heshtjes
    Se mësova as sot
    kur njerëzit do të njohin njëri- tjetrin.
    ca qeshje të gënjeshtërta i presin në buzë
    si bileta kinemaje,
    për Shën Pjetrin.


    NJË RRUGICË LAGJEJE, SA NJË PSHERËTIMË

     Në lagjen time.
    është një rrugicë
     e gjatë  sa një psherëtimë.
    Aty kalonin dikur dhjetra njerëz gazmorë
    Tashmë kalojnë ca burra që ankohen nga reumatizma
    dhe gra me flokë të kapura
    me karfica pikëllimesh.
     
    Në fund të saj,
     është një shtëpi e braktisur
      me tjegulla të kuqe.
    Ku macet varin mjaullimat
    Si stalagtite dimrash
     
    Te porta
    trokëllin herë- herë
    me poterë
       një hekurmbledhës
    Përsërit
    formulën e tij të bukës
    “Kush ka vjetërsira për të shitur!”
     
     Në shtatin e portës si plagë,
     shfaqen gjurmët e fëmijve të ikur.
     

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË