Arsyeja e shqyrtimit
Poezia e Fishtës Metamorphosis, botuar në përmbledhjen “Anzat e Parnasit” (1907), hyn në rrethin më të ngushtë të krijimeve më cilësore të satirës fishtiane. Ajo është dëshmi e pandërmjeme e konceptit krijues satirik, por edhe poetik e kombëtar të Fishtës. Disa nga vargjet e kësaj poezie si
“T’a dijë Shqypnija /
Prá, e sheklli mbarë, /
Se mâ mbas sodit /
Un s’ jam Shqyptár”
ose
“Un mâ me sodjet /
Shqyptár nuk jam”
tash gati një shekull përdoren në biseda dhe në shkrime me kuptime të ndryshme: herë për të dëshmuar ndjenjën kombëtare të poetit, herë për të mohuar atë e për ta shpallur autorin antishqiptar (siç u veprua gjatë sistemit komunist), herë për të mohuar vetë kombin shqiptar dhe shqiptarizmën. Me pak fjalë, ky mesazh, që shqiptohet nëpërmjet disa vargjeve të përdorura në poezinë Metamorphosis, u shfrytëzua e u keqpërdor në mënyra e në raste të ndryshme, më së shpeshti duke i shkëputur vargjet nga konteksti ku ato gjenden, nga koncepti krijues satirik fishtian ose edhe nga koncepti krijues poetik i tij në përgjithësi. Interpretimet e këtilla, herë nga mosdija e herë nga qëllime të ndryshme, bënë ndikimin e tyre dhe shkaktuan mëdyshje, mbështjellime dhe ngatërresa. Së këndejmi, jo një herë dhe jo vetëm në një kohë, kam menduar rreth këtij mesazhi të poetit e atdhetarit tonë të madh. Mirëpo, herë-herë krijuesi me vështirësi i shpjegon disa punë që i zvarris prej një dite në tjerën dhe prej një viti në tjetrin!
Konteksti ynë i sotëm më bëri që t’i kthehem poezisë Metamorphosis të Fishtës dhe t’i shpreh disa mendime e përsiatje rreth saj.
Satira fishtiane – jehonë e realitetit konkret shqiptar
Në fillim të shekullit tonë, kur Fishta shkroi e botoi disa nga poezitë e veta patriotike e satirike, pastaj këngët e para të epit Lahuta e Malcís si dhe shkrime të llojeve të tjera, jetën e përditshme shqiptare e cilësonte një gjendje e rëndë, qoftë në rrafshin shoqëror, ekonomik e politik, qoftë në atë shpirtëror e moral. Për këtë arsye është fare e natyrshme që krijimet e para të Fishtës, siç ndodh edhe me ato të shkruara e të botuara më vonë, të jenë të lidhura me ngjarjet dhe me gjendjen konkrete ose jehonë e pandërmjeme e tyre.
Fishtën, si dhe intelektualët e tjerë shqiptarë, e shqetësonte pa masë gjendja e popullit dhe e atdheut, për shumëçka e padurueshme, prandaj ai gjakoi forma të ndryshme për t’i bërë të ditur njeriut të tij domosdonë e një veprimi aktiv për ndërrimin e kësaj gjendje – për një zotim më këmbëngulës për mirëqenien e botës e të jetës shqiptare si dhe përparimin e atdheut, Shqipërisë.
Fishta ishte i vetëdijshëm për faktin se sundimi i gjatë osmano-turk kishte lënë pasoja të rënda në mendësinë shqiptare, prandaj ishte i bindur se te një shtresë e shqiptarëve, te të cilët ishin shuar në një masë të ndjeshme fryma patrotike e epike si dhe cilësitë dhe virtytet që i kishin dalluar paraardhësit e tyre, Të Parët tanë, poezia satirike, e gërshetuar me sarkazmë, me ironi e me groteskë, mund të ndikonte në mënyrë të veçantë. Pra, vetëm nëpërmjet kritikës, përqeshjes e thumbimit dhe prekjes në sedër, do të mund të “trokitej” në ndërgjegjen e përfaqësuesve të kësaj shtrese, e cila edhe kishte rol të rëndësishëm në mirëvajtjen dhe në zhvillimin shoqëror e kulturor të vendit. Së këndejmi, kritika e drejtpërdrejtë dhe e ashpër do t’i nxitte ata të mendonin një herë e mirë për fatin dhe përparimin e botës e të atdheut të tyre.
Duke u përcaktuar për një gjë të tillë dhe duke qenë i vetëdijshëm për mundësinë e ndikimit të artit të fjalës, sidomos të poezisë, Fishta sikur kishte parasysh mendimin e Eliotit, i cili, duke bërë fjalë për kritikën që bëjnë shkrimtarët, për rëndësinë dhe rolin e saj, shkruante: “Kritika është po aq e pashmangëshme sa edhe frymëmarrja… Unë jam i mendimit se kritika e përdorur nga një shkrimtar i ushtruar e i shkathët në veprën e vet është më qenësorja, është lloji më i lartë i kritikës dhe disa shkrimtarë kreativë janë superiorë ndaj të tjerëve, vetëm ngase aftësia e tyre kritike është superiore.”
Njëjtësim e vijimësi
Në vitin 1907 Fishta shkroi poezitë satirike Metamorphosis, Nakdomonicipedija dhe Koha e arit në Shqypni, të cilat ndërlidhen mes veti për shumë tipare.
Në poezinë satirike Nakdomonicipedija (satira Metamorphosis për herën e parë u botua si pjesë e fundit e kësaj; më vonë poeti e botoi si poezi më vete) Fishta vë në thumb të kritikës gjendjen e rëndë shoqërore e shpirtërore të shqiptarëve, të cilët, të dhënë pas fitimit e interesave vetjake, kishin lënë anash kujdesin ndaj atdheut. Poezia është shtjelluar në formën e një letre, dërguar Dom Ndoc Nikajt, intelektual e shkrimtar i shquar, i cili atë kohë kishte botuar një libër të historisë së popullit shqiptar. Në fillim të kësaj satire Fishta i përkujton autorit të librit të historisë:
Sod n’Shqynpi, more lum miku,
Histori âsht meteliku.
dhe se shqiptarët po ia thoshin këngës
“Haja qênit – pija qênit, /
Edhè bjer karaduzênit!”.
Pra, gjërat që nuk “pjellnin” napoleona, siç ishte historia, shkrimi e botimi i vjershave ose veprimtari të tjera artistike e shpirtërore, s’kishin asnjë vlerë. Me fjalë të tjera, siç shprehet Fishta, në Shqipëri dija, kënga e historia merreshin për punë dokrrash!
Nga fakti se në Shqipëri njerëzit mirreshin vetëm me punë dhe interesa vetjakë, përbuznin dhe mohonin të mirën kombëtare dhe mirëqenien e atdheut, gjallimin e përditshëm e cilësonte një situatë e rëndë dhe e pazakonshme: të mirës i thuhej e keqe ose të bardhës i thuhej e zezë dhe anasjelltas. Domethënë, në kontekstin përkatës ishte përmbysur logjika normale dhe e natyrshme e veprimit dhe e mendimit.
Pse nder né kjo kohë ká ardhë,
Qi nji e zezë me u thirrë e bardhë:
M’êmen t’vet sendet s’duen qujtë
Per n’don qyqja mos me t’mujtë
E me t’frý era n’kuletë…
Pra, ndër shqiptarë punët po shkonin si ishte më keq “Ke na shkojn pûnët kambë e krye” dhe një shkallëzim më i rrezikshëm e me pasoja“Shoqi shoqit m’ia xjerrë trût.” Një kohë e tillë kishte shkaktuar përsëritjen e së keqes e tragjikës, që ishte dëshmuar edhe në të kaluarën: mospërfillja e njëri-tjetrit, kundërvënia, përçarja, mashtrimi, tradhtia:
“Medét per né!
Pse heret si n’e s’ vonit /
Skem’ mujtë dy vetë me u vû kurr m’ nji hulli: /
Njani bje thumbit, tjetri patkonit”
ose dy vargjet e njohura të Fishtës
“Sod mâ shpejt nji thes me pleshta/
Ti bân bashkë se dy Shqyptarë.”
(nga satira “Koha e arit në Shqypni”).
Po qe se do të vazhdonte edhe më tej kjo gjendje dhe kjo sjellje e shqiptarëve, thekson poeti, atëherë për ta s’do të ketë as mëkëmbje e as përparim kombëtar; në qoftë se ata nuk do të kthehen për së mbari e nuk do të bashkohen dhe nuk do të kujdesen për atdheun e tyre, për ta nuk do të ketë më agim, po natë, varfëri dhe turp. Këtë Fishta e thotë në mënyrë të pandërmjeme e të qartë:
Pá nji bashkim t’vertetë s’ká per t’ague
Per né agimi kurr; gjithmonë por nata
E marrja e skami kanë per t’na ngushtue.
(Nakdomonicipedija)
Rrënimi i logjikës së natyrshme
Poezia Metamorphosis dëshmon me një anë jehonën e drejtpërdrejtë të gjendjes së rëndë shoqërore, shpirtërore e morale të botës e të gjallimit konkret shqiptar dhe, më anë tjetër, ndjenjën e madhe atdhedashëse të Fishtës. Poeti është i shqetësuar deri në paskaj për shkallën e ulët të vetëdijes kombëtare te një pjese të shqiptarëve, për përmasën e shprishjes e të rrënimit shpirtëror të tyre, për qëndrimin mëdyshës po shpesh edhe përbuzëz ndaj atdheut dhe ndaj trashëgimisë shpirtërore e materiale, për zvetënimin ose lënien anash të virtyteve: burrërisë, besës, bujarisë, mikpritjes, gjë që vërehej sidomos tek ata që ishin në pushtet ose që ishin pasuruar e po pasuroheshin në mënyra të ulëta, duke shfrytëzuar djersën e të tjerëve dhe gjendjen e vështirë në të cilën po gjallonte pjesa dërrmuese e popullit shqiptar. Pra korrupsioni, mitoja, mashtrimi, tradhtia kishin marrë një përmasë të ndjeshme. Sa më shumë që individi tregonte indiferencë ose e mohonte atdheun, prejardhjen dhe të kaluarën kombëtare, çmohej e nderohej më shumë, zinte pozita më të larta dhe bënte një jetë të pasur e të rahatshme për t’u shpallur më në fund edhe udhëheqës shpirtëror e kombëtar! Në të kundërtën e kësaj, ai që bënte e vepronte për të mirën e popullit dhe të atdheut të vet, që synonte në forma të ndryshme të nxiste e të zgjonte ndërgjegjen kombëtare pas sundimit shumëshekullorë osmano-turk dhe zotohej për përparimin e vendit në pajtim me kohën, merrej si njeri i dështuar, i mjerë, madje edhe i marrë!
Katër vargjet e para të satirës Metamorphosis e përcaktojnë dhe e shprehin në mënyrë të pamëdyshtë këtë gjendje të pazakonshme të gjallimit konkret shqiptar. Poeti është i shqetësuar thellë, prandaj me qëllim flet në veten e parë dhe që në këto vargje prek çështjen thelbsore.
Qe besa, o burra,
Nuk dij kah t’çajë,
Mbasi do t’thirret
Sot derri dajë…
Domethënë, në një kontekst të tillë të jetës kishte pushuar logjika e zakonshme dhe e natyrshme e gjallimit, e vlerësimit, e mendimit dhe e veprimit. Derrit i thuhej dajë! Një krahasim e kontrast i pazakonshëm: derr quhet daja, vëllai i nënës, njeriu më i afërt për nga vija e qumështit dhe e gjakut! Pra, obstruksioni ishte bërë bazë e vlerësimit dhe e gjallimit të përditshëm dhe kishte marrë përmasa gjithsunduese, për këtë arsye çdo mendim e veprim jashtë asaj logjike çmohej si jo normal. Kështu, merrej punë e parëndësishme, për të mos thënë e kotë ose e marrë, interesimi për çështjen kombëtare dhe veprimi në të mirë të saj; përpjekja për ruajtjen e trashëgimisë dhe pasurimin e mëtejshëm shpirtëror, kujdesi për gjuhën amtare, për arsimin. Me një fjalë: çdo gjë që nënkuptonte përtëritjen e jetës shqiptare në të gjitha rrafshet e saj.
Nëpërmjet ligjërimit në veten e parë Fishta na bën të kuptojmë se, si individ, ai mjaft kohë ishte përpjekur për t’i ardhur në ndihmë njeriut të tij dhe çështjes kombëtare; kishte luftuar pa frikë kundër armiqve të Shqipërisë dhe kishte qenë i gatshëm të presë e të durojë çdo ndëshkim e flijim.
Me anmiq t’Shqypnís
Un pa u frigue
Mjaft jam, i mjeri,
Kacagjelue.
Pse kam pasë thânun
Deri sivjet:
Lum aj qi shkrihet
Per atme t’ vet.
Një punë e këtillë për atdhe – brenda logjikës së përmbysur – nuk ishte pranuar e nuk ishte çmuar, përkundrazi ishte nënçmuar e përbuzur dhe si individ ai kishte pësuar për arsye se nuk kishte gjetur përkrahjen pikërisht të atyre që ishin në pushtet dhe duhej të punonin e të ndihmonin për mirëqenien e bashkimin kombëtar. Së këndejmi:
Po, po; kujdesi
Per Gegë e Toskë
Mue sod m’ka hjedhun
Si hút n’ketë prroskë…
Pra, po të kishte punuar ndryshe, siç vepronin shumë të tjerë, atëherë edhe ai do të ishte në një gjendje tjetër, do t’i kishte punuar kuleta e fjala; do të ndihej pikërisht si ata, të cilëve nuk u interesonte as e kaluara, as të Parët, as Shqipëria e kohës.
Porsi njatyne,
Qi ndêjë n’ Shqypni,
Kujtojn se gjinden
Shi n’Australi;
E per dhé t’Parvet
S’u bjen nder mend
Me sa per kpurdha
Qi bijn n’dervend.
Konteksti i tillë kishte rrënuar qenësinë e veprimit të zakonshëm dhe të sjelljeve të njerëzve dhe kishte kushtëzuar që të çmoheshin e të zgjedheshin në pozita me rëndësi shoqërore e politike njerëz që ishin zhveshur nga cilësitë kombëtare dhe si të tillë, më së paku, e meritonin të ishin në ato vende e t’u besoheshin detyra të tilla. Fishta vë në dukje se ata “Kanë spaten n’mjaltë” dhe përherë ngriten lart e më lart, po edhe
Per ditë t’u mâjun,
Si mâjet njala,
U punon n’shekull
Kuleta e fjala.
Ky kod sociokulturor, mbi bazën e të cilit çmoheshin njerëzit dhe puna e tyre, e shqetëson poetin dhe të thuash e rrënon shpirtërisht, prandaj shpreh sa zhgënjimin, po aq mospajtimin dhe kundërshtimin e tij. Kjo nuk bëhet me mjete e në mënyrë tradicionale, duke i dhënë përparësi vetëm pohimit të pandërmjemë. Të keqes poeti i qaset këtu nga një strategji dhe nga një mënyrë e veçantë: kalohet formalisht në anën e së keqes dhe prej andej rrëfehet e bëhet vlerësimi për të, shqiptohet qenësia e saj.
Akti i indentifikimit me bazën e kodit të tillë sociokulturor e me logjikën e njerëzve të tillë, ku e keqja mirret për të mirë, antikombëtarja për kombëtare, e bardha për të zezë, ka një shenjëzim të qenësishëm dhe thellësor. Poeti deklaron se për arsye “Me kênë i vetit” (lexo: ta shikojë vetëm punën dhe interesin vetjak) do të shporret nga Shqipëria e do të heqë dorë nga ajo që kishte bërë deri në atë çast. Shkallëzimi arrin pikën kulminante:
T’a dijë Shqypnija
Prá, e sheklli mbarë
Se mâ mbas sodit
U’ s’jam Shqyptár.
Këto vargje japin qëndrimin dhe përcaktimin e poetit në një rrafsh të përgjithshëm. Adresanti i mesazhit është, para së gjithash, atdheu, Shqipëria, por dhe më gjerë: shekulli (lexo: bota). Shndërrimi, përkatësisht metamorfoza e tij nuk duhet të kalojnë në heshtje; akti i tillë është për shumçka i rëndësishëm dhe për të duhet t’u bëhet e ditur atyre që kanë pozita në jetën shoqërore e politike, pra që heqin peshë dhe vendosin në Shqipëri për – zotërinjtë – sundimtarët. Katër vargjet pasuese, që në esencë e përsëritin mesazhin e vargjeve të përmendura më lart, përcaktojnë në mënyrë të pandërmjeme e të qartë adresantin e vërtetë, të cilit i drejtohet mesazhi fishtian.
A ndiet, Zotní,
Qi rrini n’ shkam?
Un mâ me sodjet
Shqyptár nuk jam.
“A ndiet, Zotni / “Qi rrini n”shkam?”, bëhet pyetja e prerë (shih shkrimin e fjalës Zotní me shkronjë të madhe), që shenjëzon përcaktimin e rëndësishëm. Pra, mesazhi fishtian në qenësinë e vet u drejtohet zotërinjve, njerëzve të pasur, atyre që pasuria u ishte bërë ideal veprimi e jete, përkatësisht njerëzve të pushtetit, që me qëndrimet e tyre kishin kushtëzuar gjendjen e tillë tejet të rëndë e të padurueshme të jetës shqiptare.
Pse zgjedhet kjo strategji e shqiptimit dhe e ligjërimit dhe pse veprohet në këtë mënyrë? Pse ky mohim i përkatësisë kombëtare i atdhetarit të madh, pse ky “shndërrim” në një person me qëndrime krejt të kundërta nga ato që i kishte mbrojtur me aq këmbëngulësi deri në atë çast, pra që ishte “kacagjelue” (lexo: kacafytur, luftuar) pa frikë me armiqtë e Shqipërisë? Pse ky përnjësim pohues me atë grup individësh, të cilët nuk çanin kokën për punët e atdheut e të mirëqenies shqiptare, me ata të cilët, edhe pse jetonin në Shqipëri, e ndienin veten të huaj pikërisht në atdheun e vet: “Kujtojn se gjinden ? Shi n’Australi”?
Ashpërsia e protestës dhe thellësia e sarkazmës
Në poezinë Metamorphosis Fishta dëshmon vetëdijësimin atdhetar e poetik, strategjinë e krijuesit të madh, që jo vetëm e di detyrën e vet, por di ta mbërrijë qëllimin në një mënyrë të veçantë e të rrallë: pohon identifikimin me këtë shtresë njerëzish të zhveshur nga ndjenja kombëtare e morale për të shprehur më plotnisht e më gjithashëm shpirtin e tyre, për t’i vënë në pah veset dhe tiparet e ulëta: lakminë, karrierizmin, poshtërsinë, tradhtinë, korrupcionin, dyfytyrësinë, zbrazëtinë shpirtërore dhe morale. Njësimi formal me këta njerëz synohet të bëhet sa më i plotë për arsye se në këtë mënyrë shpalohej më bindshëm, nga një anë, thelbi i veprimit, i karakterit dhe i shpirtit të korruptuar, ndërsa, nga ana tjetër, shprehej ironizimi, kundërshtimi dhe urretja ndaj tyre, pra vihet në pah shpirti i botës së kësaj shtrese, po njëkohësisht ajo qëllohet mu në palcë dhe zhveshet deri në paturpësi. Poeti, pasi njësohet formalisht, rrëfen nga “taborri” i atyre njerëzve.
Per mue Shqypnija
Kufij mâ s’ká,
Nuk kam kund atme
As fis as vllá,
Fis kam mâ t’fortin
E vllá bujarin,
Per atme barkun,
Per erz kam arin.
Çfarë mund të ishte kjo qenie, ky njeri që mohon ose që s’ka as atme (atdhe) e as fe, as fis e as vëlla; që fis ka të fortin e vlla bujarin, që atdhe ka barkun dhe erz e nder arin? Të jetë shqiptar? Po si mund ta mbante veten për shqiptar ai që s’ka as fis e as vëlla, që barkun e ka në vend të atdheut, Shqipërisë, dhe paranë (lekun) e ka në vend të nderit dhe të erzit? Shqiptar i tillë Fishta as nuk donte të ishte e as nuk mund të ishte.
Nëpërmjet një strategjie të këtillë të shqiptimit, mesazhi i Fishtës fiton kështu peshë e të drejtë më të madhe morale dhe etnike, edhe efekti i ndikimit të vargut të tij bëhet shumëfish më i madh dhe më shkallëzues. Pra, nëpërmjet identifikimit si pohim, poeti rrëfen dhe shqipton botën nga brendësia e saj, gjë që e bën rrëfimin më të bindshëm, më të natyrshëm dhe më të drejtpërdrejtë. Me fjalë të tjera, nga pozicioni i tillë Fishta flet me shumësinë e zërave të shtresës me të cilën njësohet formalisht; luftohet e keqja jo me të keqen personale, por nga pozita e së keqes së përgjithshme. Me gjuhën që “ther e pret” ai përqesh, ironizon; shpreh protestën e vet të pamëdyshtë. Gjithë këtë e bën për hir të ndryshimit, të zgjimit e të krijimit të vetëdijes kombëtare, edhe pse mesazhi i tij shqiptohet nga pozita e kundërt, e përmbysur, që në artin letrar përdoret shpesh.
Fishta i jepte rëndësi të jashtëzakonshme kritikës për arsye se nëpërmjet saj prekte sedrën e këtyre njerëzve, të cilët duhej e mund të bënin shumë për popullin dhe atdheun. Kjo strategji nuk është e rastit dhe atë e kanë vënë në dukje edhe studiues të ndryshëm, njohës të mëdhenj të veprës së Fishtës. Kështu, Lasgush Poradeci theksonte se “Nuk duhet harruar trumbat me gjëmba e satirave, Anzat e Parnasit, të mbushura me një shfryerje mendimtare të tharbët, të tmerrshme, dhe të cilave Fishta – më rrëfen At Pali – iu jepte për veten e tij më shumë rëndësi sesa Lahutës”, ndërsa Ernest Koliqi shkruante më 1956: “Vishkullen e sarkazmit Fishta e përdori me qortue shqiptarin dhe me nxitë të rrahi udhen e drejtë të qytetnís dhe fisnikoi në vepër të vet prirjen e talljes që nganjiherë ndër neshtihet në punë me vra zemra dhe me përtrí ngatrresa e dasina. Gjuha shqipe sikur asht e pasun në skaje e fraza ku idhnimi e mënija shfrejnë me ma të madhen gjallní, ashtu ka mundsí të lakohet e të përkulet në shprehje dykuptimshe ku xhixhillon ironia e ku fjala në mbrendinë e vet që duket e mitun përmban thumbin ma shporrues.” Pra, në këtë satirë fishtiane del ajo që thotë Poradeci, duke folur për Fishtën, “Krijuesi kombëtar i vetdijshëm prej kombësije shqiptare të pavetdishme”, i cili nuk kursei asgjë për ta bërë edhe atë të vetëdijshme, që është synimi kryesor i gjithë veprës së tij poetike.
Për të qenë edhe më i bindshëm në shqiptimin e tipareve të kësaj shtrese shoqërore shqiptare, Fishta shkon dhe e plotëson imazhin e saj edhe me disa elemente të tjerë: njerëzit e kësaj shtrese si të tillë në mbrëmje binin si grekë, ndërsa në mëngjes zgjoheshin “Shkjá ose Zebjek”, ashtu siç e kërkonte navoja dhe interesi vetjak; flitnin në gjuhë të huaja (herë gjermanisht, herë italisht, herë sllavisht, herë greqisht e herë turqisht) pa çarë kokën për gjuhën e nënës – shqipen; prandaj historinë, ngjarjet e mëdha dhe heronjtë kombëtarë i merrnin për dokrra; lavdëronin qyqarët, mashtruesit, pakurrizorët, puthadorët, të gjithë ata që nuk e kishin as unin e as mendimin e vet; edhe kryetrimin kombëtar, që në vetëdijen shqiptare kishte marrë përmasën mitike, e kishin harruar dhe e merrnin për hiçgjë. Pra, mohonin krejt atë që dikur e kishte dalluar e cilësuar botën shqiptare dhe shpirtin shqiptar. Pas shndërrimit edhe atij do t’i ndodhë e njëjta gjë.
Luftët e Kastriotit
E t’Dukagjinit
Un kam me i mbajtun
Per dokrra t’hînit.
Sot per mue Leka
E Skanderbegu
Janë Palok Cuca
e Jaho Begu.
Përmes rrëfimit cilësor satirik, sarkazmës dhe groteskut, Fishta vë në dukje edhe çështjen e emërtimit dhe të gjinisë së këtyre njerëzve. Atyre u pëlqenin emrat nga të cilët nuk mund të dallohej përkatësia nacionale e as ajo gjinore: mashkull ose femër. Për ta ishte me rëndësi të bëjnë jetë të mirë, të hareshme e të qejfit dhe të jenë hyj midis njerëzve, të sundojnë mbi të tjerët pa i kursyer ata për asgjë. Ndodhte kështu për arsye se
Kemi për t’kênun
Si hyj në tokë,
Kem’ per t’zotnue
Pa dhimbë mbi shokë
qoftë edhe duke shkelur mbi eshtrat e të vdekurve bashkëkombas: Kemi me shkelun / Mbi rrashtë t’Shqyptarve…gjëqë shenjëzon shkallëzimin sa të tragjikës e të pësimit, po aq të shqetësimit e të protestës.
Pikërisht këta njerëz që vepronin brenda kësaj logjike të përmbysur (obstruktive) çmoheshin e shpalleshin (natyrisht të nxitur e të kushtëzuar kurdoherë nga ata vetë) edhe personalitete me rëndësi kombëtare. Për të ndodhur edhe më e keqja, të tillët viheshin në këngë dhe u ngriteshin murana e mbishkrime të ndryshme, ashtu si në kushte normale të gjallimit kishte ndodhur me njerëz të shquar të historisë sonë kombëtare, flijuar për atdhe, për fis, për nder të familjes e për fé. Pra, koha, në të cilën mbretëron logjika e tillë e përmbysur, kushtëzon edhe paradoske të tilla: këndimin e personit të tillë, as shqiptar, as turk, as femër e as mashkull:
E ka me u gjetun
Ndo’i far Orfeut
Qi lavdet t’ua
T’i a kndoje dheut.
Ose në pllakën e rrasës së varrit të personit të tillë do t’i shënohen edhe këto fjalë
“Ktû njaj fatbardhi
Âsht tue pushue
Per Fé e per Atme
Qi pat jetue.”
Është ky perceptim e shqiptim sa i veçantë, aq edhe dramatik e tragjik, i jetës dhe i gjallimit shqiptar në fillim të shekullit XX dhe një nga demaskimet më të plota dhe më thellësore që i ka bërë një gjendjeje të tillë ndonjë krijues shqiptar deri në ditët tona.
Vijimësia e aktualitetit
Poezia Metamorphosis, ndër krijimet më të fuqishme që ka dalë prej penës së Fishtës dhe të satirës shqiptare të të gjitha kohëve, në qenësinë e vet ka ruajtur edhe sot e gjithë ditën aktualitetin e saj. Rrjedha dhe ndodhitë e viteve të fundit në botën shqiptare dëshmuan se elemente të asaj gjendje e të asaj mendësie, që Fishta me aq mjeshtëri e ashpërsi i kishte vënë në thumb të kritikës në poezinë e tij dhe i kishte demaskuar e ironizuar pa kursim, u përsëritën e po përsëriten në forma të ndryshme. Fishta intelektual e poet i madh kishte kryer për gjeneratën e vet (e jo vetëm për atë gjeneratë) detyrën e shenjtë që e theksonte Sartre: “Intelektuali është i shtyrë të bëjë vetëdijesimin për vetveten dhe, rrjedhimisht, për të gjithë”. Nevoja e këtij vetëdijesimi është e mbetet një detyrë qenësore edhe në kontekstin e gjallimit të sotëm.