More
    KreuOpinionAndreas Dushi: Në Mbuzat, për 300-vjetorin e lindjes së Jul Varibobës

    Andreas Dushi: Në Mbuzat, për 300-vjetorin e lindjes së Jul Varibobës

    Komuna arbëreshe e Mbuzatit në Itali, me datat 22-23 prill të këtij viti, përkujtoi figurën e shquar të dalë nga ai komunitet, Jul Varibobën, prift dhe shkrimtar, autor i “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër”. Në një aktivitet mbresëlënës ku përqasjet shkencore ndaj veprës së Varibobës gërshetoheshin me tipare folklorike të vetë zonës, morën pjesë banorë jo vetëm të asaj komune, por edhe të të tjerave përreth si Vacarrizo, Çifti, Shën Mitri, etj.

    Në librin e tij “Abrëreshët, Shqiptarët e Italisë” (Toena, 2024), Fatmir Toçi na thotë se Mbuzati, me emrin italian San Giorgo Albanese, përmendit më së pari në fillimin e viteve 1100, me një popullsi që fatkeqësisht zhduket në gjysmën e shekullit XIV për shkak të një murtaje e cila u pasua nga një tërmet i fuqishëm i vitit 1456 si dhe nga luftra të ndryshme. Të gjitha bashkë sollën, sigurisht, edhe zinë e bukës. Rreth viteve 1469-1470, zona ripopullohet nga emigrantët arbëresh të cilët sollën me vete edhe gjuhën, zakonet, traditat, mënyrën e jetesës dhe besimin e tyre fetar. Ata rindërtuan kishën e fshatit e cila ekziston akoma dhe sot.

    Në ditën e parë, Kryetari i Komunës, z. Gianni Gabriele çeli takimin me tre himnet kombëtare, atë të Italisë, atë të Shqipërisë dhe atë të Kosovës, për të vijuar me një minutë heshtje në kujtim të Papa Françeskut që ndërroi jetë një ditë më heret. Më pas, autoritetet civile përshëndetën aktivitetin, ku mes tyre ishte edhe ambasadorja e Shqipërisë në Itali, znj. Anila Lani, ambasadorja e Kosovës në Itali, znj. Nita Shala, ambasadori i Kosovës në Vatikan, z. Vehbi Miftari, si dhe zëvendësministria e kulturës e Kosovës, znj. Daulina Osmani.

    Më pas, në sesionin shkencor, folën profesorë të nderuar ku sigurisht, vendin kryesor e zunë kumtesat e profesor Francesco Altimarit dhe profesor Matteo Mandalasë, të cilët u ndalën gjerësisht në kontributin e Varibobës për shkrimin dhe ruajtjen e arbërishtes.

    Zv/Drejtorja e Bibliotekës Komëbtare të Shqipërisë, znj. Majlinda Toçi vuri në dukje një problem të rëndësishëm, atë të mospërfaqësimit të Varibobës në tekstet shkollore shqiptare. Më pas, prof. Gëzim Gurga prezantoi një projekt shumë interesant të ndërmarrë nga disa katedra universitare për rregjistrimin dhe ruajtjen e leksikut të arbërishtes. Ndërkohë edhe z. Miftari, tanimë në pozitën e studiuesit, foli për peshën e personalitetit të Varibobës në kulturën e shkruar të shqipes. Ndërhynë po ashtu edhe studiuesit Giovanni Agrondizza, Battista Spostalo dhe Cosmo Laudone.

    Dita e nesërme përkonte me Shën Gjergjin, pajtorin e komunës. Për kremtimin e meshës solemne, mes gjithë priftërinjëve të komunave përreth, ishte i pranishëm edhe Ipeshkvi i Epriarkisë së Lungros, Mons. Donato Oliverio. Para meshe, ai bekoi bustin e Jul Varibobës që u vendos në oborrin e përparmë të kishës.

    Po ato ditë, në komunat arbëreshe zhvilloheshin edhe Valljet, ceremoni tipike arbëreshe që shoqëron Pashkët. Pata fatin të merrja pjesë në Valljet e mbajtura në Çift, ku të gjithë, veshur me kostume kombëtare arbëreshe, këndonin dhe kërcenin këngë të marra me vete thuajse gjashtë shekuj më parë, kur u larguan dhe u vendosën në ato ngulmime.

    Vendbanimet arbëreshe në Itali janë, pa diskutim, një mrekulli antropologjike, sikurse studiuesit kanë thënë, por në të njëjtën kohë janë edhe një përvojë krejt e veçantë falë së cilës mund ta njohësh më mirë veten tënde dhe ta kuptosh, ndoshta për herë të parë, se shprehja O sa mirë me kenë shqiptar ka një domethënie krejt tjetër nga ajo e zakonshmja prej tifozi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË