More
    KreuKinematografiAndreas Dushi: Kinematografia shqiptare dhjetë vjet para Kinostudios “Shqipëria e Re”

    Andreas Dushi: Kinematografia shqiptare dhjetë vjet para Kinostudios “Shqipëria e Re”

    A fillon vërtetë kinematografia shqiptare me kinostudion “Shqipëria e Re”? Metarrëfime të ngulura thellë në historinë e artit shqiptar dhe gjykimi mbi to, për të arritur në rezultate të reja…

    Metarrëfimi i parë: “Shqipëria e Re”, studioja e parë filmike në Shqipëri

    Para dy muajsh, në ambientet e ish-kinostudios, Ministria e Kulturës me disa partnerë të tjerë shtetërorë organizoi 70 vjetorin e kinostudios së parë shqiptare, e quajtur atëherë “Shqipëria e Re”. Gjithnjë këtë emër e kam lexuar si një tjetër përpjekje për indoktrinimin e tipareve të njeriut të ri, projektit më ambicioz të secilës diktaturë në histori, që në Shqipërinë e pas ’44 u kthye në projekt zyrtar shtetëror (shih. Albert Nikolla, “Njeriu i ri shqiptar ndërmjet moralit komunist dhe krizës së tranzicionit”, sh. b. “Onufri”, 2012). Gjithsesi, përtej kësaj, paçka se debati për shfaqjen a jo të filmave që kinostudioja prodhoi çelet e mbyllet periodikisht çdo gjashtë muaj, synimi i këtij shkrimi nuk është analiza estetike a sociologjike e përmbajtjes së produkteve të kinostudios, por vetë historia e filmit në Shqipëri.

    Në atë kohë, lajmi për ndërtimin e kësaj vepre madhështore pasqyrohej kështu në “Zëri i popullit”(13 korrik, 1952, fq. 1-2):

    Dje në orën 9 para dite, në përvjetorin e IX të themelimit të Ushtrisë sonë popullore, u bë inagurimi i veprës paqësore të planit 5 vjeçar, qendër e madhe e artit kinematografik, Kinostudjoja “Shqipëria e Re”. […] Shumë shtete kapitaliste nuk e kanë as sot një vepër të tillë arti.

    […]

    Kinostudjoja është një provë tjetër e kujdesit të Partisë dhe Qeverisë sonë për zhvillimin kulturor të popullit tonë dhe për mirëqenien e masave punonjëse, një tjetër vepër e paqes që shtohet në vargun e veprave paqësore të vëndit dhe kampit tonë.

    […]

    Duke sajuar miqësinë me popullin sovietik, Partia jonë e shpëtoi vëndin tonë jo vetëm nga ushtritë e agresorëve amerikanë, englezë dhe kuislingëve të tyre të Beogradit, të Athinës e të Romës, por e shpëtoi edhe nga okupacioni i tyre ideologjik, kulturor dhe ekonomik.

    […]

    Të gjithë njerëzit e kulturës, artistët, shkrimtarët, kompozitorët, punëtorët e shfrytëzimit lidhen me një mënyrë ose me një tjetër me prodhimin e së parës kinostudjo të vëndit tonë (nënvizim i imi, A.D.). Sigurisht, ky institut do të përhapë veprat e tyre nëpërmjet filmit, do të inkurajojë prodhimin e tyre, do të zhvillojë talentin e tyre.

    Në inagurimin e saj ishin të pranishëm njerëz nga sfera të ndryshme, duke filluar me atë politike ku printe Kryetari i Këshillit të Ministrave, gjeneral – armate Enver Hoxha, presidenti i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Dr. Omer Nishani, anëtarë të byrosë si dhe funksionarë të lartë të ushtrisë, përfaqësues të organizatave të masave punonjëse, njerëz të artit dhe të kulturës, si dhe i dërguari i jashtëzakonshëm dhe ministri fuqiplotë i Bashkimit Sovjetik, zoti (po, me zoti i drejtohet gazeta Zëri i popullit, jo me shoku) K. D. Leviçkin. Shumë syresh folën, pa  harruar të  përmendin një dëshmor të rënë për ndërtimin e kësaj vepre madhore si dhe kontributin e jashtëzakonshëm që kishte dhënë populli vëlla sovjetik.

    Metarrëfimi i dytë: Filmi i parë artistik shqiptar realizohet në vitet ‘50

    Por kthesa e madhe për kinematografinë tonë të re dhe që shënoi një ngjarje të rëndësishme në prodhimet tona artistike është ajo që para dy muajve, me forcat tona, realizuam filmin e parë artistik shqiptar “Tana”.

    Kështu shkruhet më 3 shtator, 1958 në gazetën “Zëri i popullit”, pas mbylljes së një festivali të kinematografisë sovjetike në Shqipëri. Artikulli me titull “Kinematografia sovjetike – shkollë e madhe për kinematografinë tonë” na sugjeron të kthehemi më para, përkatësisht në korrik, ku me datë 18 të po atij muaji, po në të njëjtin organ shtypi, botohet në një kolonë shënimi “U çfaq filmi artistik shqiptar ‘Tana’”

    Mbrëmë në kinema “Partizani” të kryeqytetit, u dha premiera e filmit artistik shqiptar “Tana”.

    Në çfaqje ndodheshin udhëheqësit e partisë e të shtetit shokët: Liri Belishova, Manush Myftiu, Rita Marko, Spiro Koleka, Koço Theodhosi, Pilo Peristeri, nënkryetar i këshillit të ministrave Abdyl Këllezi, anëtarë të komitetit qendror të partisë, anëtarë të qeverisë, përfaqësues të artit e të kulturës, punonjës të qendrave të punës e të prodhimit e të tjerë.

    Me këtë rast përshëndeti të pranishmit nënkryetari i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve së Shqipërisë shoku Llazar Siliqi.

    Filmi pati sukses dhe u duartrokit nga të pranishmit.

    […]

    Çfaqja e filmit “Tana”, është një sukses i madh i kinematografisë sonë të re dhe një ngjarje e rëndësishme në jetën kulturore dhe artistike të vendit tonë. Ky fakt dëshmon edhe një herë për kujdesin e madh që tregon partia dhe qeveria jonë për lulëzimin e kulturës dhe të artit në Republikën popullore të Shqipërisë.

    Të gjitha detajet për filmin “Tana” paraqiten dhe shpjegohen në një tjetër shkrim, tanimë botuar te “Bashkimi”. Më 18 korrik, 1958, në faqen 3 të saj, A. Rada dhe I. Kurshumi botojnë “’Tana’, filmi i parë artistik shqiptar”, ndarë në pesë pjesë: Filmi “Tana” sukses i madh i kinematografisë sonë të re; Ç’thotë kompozitori i muzikës së filmit “Tana”; Krenohem bashkë me realizonjësit e filmit “Tana”; Gjykimi i popullit, vërejtjet e tij do të na ndihmojnë për vepra akoma më të bukura në të ardhmen; Çfaqja e fundit.

    Qysh në fillim, shkruhet:

    Kinematografia shqiptare është shumë e re. Ajo është një krijim krejtësisht i pushtetit popullor, i fitores së revolucionit popullor. Në një të kaluar shumë t’afërt, aty deri përpara çlirimit as që mund të flitej për kinematografinë tonë kombëtare, për filma tonë shqiptarë. Mirëpo për këtë gjë për të cilën deri 15 vjet përpara as që mund të mendohej, sot për këtë gjë në Shqipërinë tonë mund të flitet bile të flitet për sukseset e saj të para.

    Disa vjet më parë, kinematografia e jonë në bashkëpunim me kinematografinë sovjetike realizoi filmin e parë artistik shqiptaro – sovjetik filmin “Skënderbeu” i cili korri sukses të madh në vendin tonë dhe jashtë Shqipërisë. Gjithashtu kohët e fundit kinostudjoja “Shqipëria e Re” vuri në qarkullim filmat artistikë me karakter dokumentar hidrocentrali “Karl Marks” mbi lumin e Matit.

    Filmi “Tana” konsiderohet si filmi i parë artistik i kinematografisë sonë të re dhe një sukses i madh i saj.

    Gjithsesi, duke i lexuar këto tre paragrafë të parë si dhe pjesët e marra nga “Zëri i popullit” vërejmë diçka tepër interesante: mëshimin me forcë, gati me dhunë në dy pohime: se në Shqipëri kinematografia është e re (Është shumë e çuditshme se në këto shkrime, gjithnjë fjala kinematografi shoqërohet nga mbiemri e re. Nuk mund të them nëse kjo vjen pasi shkruesit e këtyre artikujve donin t’i jepnin rëndësi faktit se në Shqipëri gjithçka ishte e re, si sprovë për t’i vënë dërrmën së vjetrës ku njerëzit vuanin nga mungesa e gjithçkaje, apo sepse ata vërtetë e dinin se kjo kinostudio ishte e re, pasi para saj ekzistonte një tjetër, e vjetër…) dhe se “Tana” është filmi i parë artistik shqiptar. Me kohën, propagandën dhe mungesën e studimeve serioze historike në këtë fushë, të dy këto pohime janë kthyer në fakte, aq sa sot, të gjithë pa përjashtim i thonë me bindje, sidomos për “Tanën” si filmi i parë shqiptar.

    Nga artikulli në fjalë, sikurse thashë, marrim vesh disa të dhëna për filmin që po i përmbledh: Filmi bazohet në novelën “Tana” të Fatmir Gjatës dhe skenari është shkruar nga vetë autori në bashkëpunim me Nasho Jorgaqin dhe Kristaq Dhamon. Ai trajton problemin e kolektivizimit në fshat dhe përgjithësisht të jetës që po ndërtohej. Nuk ka dyshim se ky problem politik në vepër dhe në film është gërshetuar dhe mbushur me ngjarje të jetës, me dashuri, me zemërime, me urrejtje, me cmirë, me një fjalë, me ngjarje të cilat si dallgë përplasen mbi njerëzit duke i bërë ata të luftojnë për të ndërtuar dhe krijuar diçka të dobishme në jetë., sikurse shkruan A. Rada. Përveçse bashkëskenarist, Kristaq Dhamo ishte dhe regjizori i filmit. Personazhi kryesor, Tana është luajtur nga aktorja Tinka Kurti, Stefan Gjoka nga Naim Frashëri, Lefter Dhosi nga Kadri Roshi, gjyshi i  Tanës nga Pjetër Gjoka ndërsa muzika qe kompozim i Çesk Zadejës. Filmi është 2450 metra i gjatë dhe për të janë harxhuar 22500 metra film. Për të, përveç aktorëve janë aktivizuar dhe 1000 vetë, figurantë nga populli, montazhierë, punonjës të laboratorit, elektriçistë e të tjerë., shkruan I. Kurshumi.

    Ndërkohë, shkrimi shkon më tej kur pohon se “Tana” është i pari film artistik shqiptar që luhet nga artista të vëndit tonë. Që të gjithë syresh janë artistë teatri, duke lënë të nënkuptuar se ne nuk kishim një kuadro artistësh kinematografikë.

    Në një intervistë të disa viteve më parë, dhënë për Enver Morinën, regjizori Kristaq Dhamo vijon të shprehet i bindur se “Tana” ishte filmi i parë shqiptar. Madje shkon më tej, kur shpjegon sesi Enver Hoxha vetë kërkoi me domosdo të realizohej ai film:

    Në një nga seancat e Kongresit të Shkrimtarëve dhe Artistëve që u mbajt në Tiranë në maj të vitit 1957 vjen edhe Enver Hoxha. Në pushim shkon të takojë disa nga të ftuarit e huaj. Pasi i prezantoj shkrimtarin hungarez, pranë të cilit më kishin caktuar si përkthyes, më pyeti për emrin dhe vendin e punës. “Aha, tha, ti qenke ai regjisori që kërkon të bësh një film artistik. Hë, si shkon puna? “Ka mundësi të mos bëhet”, i thashë me gjysmë zëri. “Ashtu? Po përse?” “Është vështirë, shoku Enver, mungon thuajse çdo gjë.” “Kur i dije këto, përse pranove t’i hyje  kësaj valleje?” “Mendova se kjo punë nga dikush duhet të bëhet. Më mirë sot se sa mot.” […] Heshti një çast, pastaj hodhi vështrimin diku, bëri një shenjë me dorë dhe sa kaq pranë nesh ia behu Liri Belishova, atëkohë sekretare e KQ të Partisë për ideologjinë nga e cila varej arti, kultura dhe shkenca shqiptare. “Më duket, Liri, se ky djalosh ka të drejtë!” – i tha Enveri dhe vazhdoi më tej me takimet. Kaq u desh. U dha urdhri: të filloni sa më parë. Filmi duhet të shfaqet në festat e nëntorit. Qeveria miratoi strukturën e shumëdiskutuar, që praktikisht nuk i shërbente filmit që kishim në dorë, por që ligjëronte prodhimin e filmit artistik dhe përcaktonte ngritjen e infrastrukturës së nevojshme brenda vitit të ardhshëm. (Nacional, nr. 247, 27 – 4 prill – maj, 2014, fq. 6).

    Edhe Përparim Kabo njeh Kinostudion si gjenezë të kinematografisë shqiptare, por me një ndryshim. Ai na thotë se filmi i parë shqiptar është “Fëmijët e saj” i Hysen Hakanit (Krh. Dr. Përparim Kabo, “100 vjet pavarësi – 60 vjet kinematografi”, “Gazeta Shqiptare”, 10 korrik, 2012, fq. 21). Ky është një film me metrazh të shkurtër, trembëdhjetë minutësh.

    Natasha Lako, në studimin e saj “Filmografi e Filmit Shqiptar, 1953-1990” propozon të njihet si filmi i parë shqiptar “Skënderbeu”, paçka se pjesa më e madhe e stafit realizues ishin të huaj, duke filluar me regjizorin e duke mbaruar me aktorin që luan personazhin kryesor. Gjithsesi, është po Natasha Lako ajo që, ndër të parat tregon, fare shkarazi, ekzistencën e një kinostudioje të mëhershme, gjatë kohës së sundimit fashist:

    Në mes të këtyre të rinjve të kulturuar, të cilët u përpoqën të ruajnë ekuilibrin e neutralitetit, emri i Mihallaq Mones është emri që lidhet direkt me Institutin “Luçe” dhe aktivitete kinematografike dhe ndoshta për këtë arsye direkt me drejtorinë famëkeqe të propagandës. […] Duke qenë se aktiviteti i Mihallaq Mones mbyllet shumë shpejt, emri i tij nuk u përmend në historinë e kinematografisë shqiptare.

    Por ky realitet zhvillimi tregon se ishte vetëm vullneti etaist, që mund të bënte në Shqipëri më shumë sesa dëshira personale, disa hapa për kinematografinë.

    […]

    Më 30 shtator 1942, me porosi direkte të kontit Çiano dhe Benito Musolinit, krijohet në Shqipëri “Tomori Film” me synimin për të prodhuar filma. Mbas vitit 1945 M. Mone shkon në Itali dhe pastaj në Sh.B.A. (Natasha Lako, “Energjia filmike”, “Toena”, 2004, fq. 42 – 43).

    Edhe pse ngul këmbë disa herë te aspekti propagandistik i kinematografisë së asaj periudhe duke e parë si diçka thelbësore, Lako është e vetëdijshme se edhe kinematografia e re, ajo që prodhohet nga Kinostudioja, bën gjithashtu të njëjtën gjë:

    Krijimi i studios së parë filmike shqiptare të vitit 1952, ka sfumuar të gjitha përpjekjet dhe gjurmët e xhirimeve të mëparshme të kryera në Shqipëri nga vetë shqiptarët, pasi pushteti totalitarist i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, kërkoi të krijojë një Shqipëri nga e para.

    Po ashtu, studiuesi më i njohur i kinematografisë shqiptare, Abaz Hoxha në librin e tij “Enciklopedi e kinematografisë shqiptare” (“Toena”, 2002), një zë të veçantë i kushton rregjizorit Mone. Aty, për herë të parë përmendet edhe një film artistik i mëhershëm sesa kinostudioja Shqipëria e re:

    Mone, Mihallaq. Rregjisori i parë dokumentalist shqiptar. Lindi në Vlorë më 1917. E filloi veprimtarinë e tij krijuese në xhirimin e filmave kronikalë dhe dokumentarë në vitet 1942 – 43 në bashkëpunim me Shoqërinë Kinematografike Italiane Luce dhe nën drejtimin e Drejtorisë së Shtypit dhe Turizmit në periudhën e pushtimit fashist. […] M. Mone bëri përpjekjen e parë për realizmin e një filmi të shkurtër artistik ku interpretuan Kristaq Antoniu, Merita Sokoli dhe motrat Xhaçka. Ky u quajt Takim në Liqen…

    Një zë tjetër, Hoxha ja kushton edhe Antoniut (shih. fq. 23 – 24), ndërsa Merita Sokolit jo. Duket qartë se referenca është marrë nga një gazetë për të cilën do të lexoni në vijim.

    Kinematografi 10 vjet para Kinostudios?!

    Një kallndor, 1943 është data në krye të një revistë të veçantë, në formatin e gazetës, me letër ndryshe nga të tjerat dhe jo veç me ngjyrat bardh e zi. Plot gjashtëmbëdhjetë faqe përmblidheshin në titullin Artistët kinematografikë shqiptarë. Ishte hera e parë kur kinematografia shqiptare përfaqësohej nga një periodik dhe për shumë kohë, edhe e vetmja!

    Pra, i bie që qysh një vit më përpara, 1942 në Shqipëri kishte si art, ashtu edhe artistë kinematografikë. Dhe kjo është fiks një dekadë përpara prerjes së shiritit të Kinostudios nga Enver Hoxha.

    Një paragraf dhe dy metarrëfime që bien

    Ky botim kishte qëllim të veçantë i cili do të shpërfaqej në një numër të vetëm, sikurse shkruhet në fund të faqes së parë:

    Qëllimi i ktij numuri të vetëm të kësaj reviste asht ai me i sjellë dobi të gjithë atyne që zhvillojnë ose kanë dëshirë me ndjekë aktivitetin kinematografik, qoftë në fushën artistike, qoftë edhe n’atë të prodhimit kinematografik; si edhe për të gjithë ata që kanë dëshirë me njoftë pak a shumë artin kinematografik që ka pushtue të katër anët e botës. – Lënda e kësaj pune ësht rezultati i nji studimi të dalun nga eksperienca e jetës praktike të filmit e jetueme si në kohën e përgatitjes, ashtu edhe në kohën e kalueme ndër godina kinematografike gjatë punimit të tyre.

    Si imazh qendror është ai i aktores Miralena Ekonomi, ndërsa në brendi janë fotografi dhe jetëshkrime të më tepër se njëzet djemve e vajzave që donin të bëheshin aktorë kinematografikë, të gjithë shqiptarë! Revista synon të hedhë dritë mbi disa aspekte të kinematografisë në Shqipëri:

    1.Krijimin e shoqërisë filmike “Tomori Film Sh.G.K.” dhe realizimin prej saj të një filmi tërësisht shqiptar.

    Shoqërija “Tomori – Film”që asht krijue në Tiranë më datën 30 shtator 1942 ka realizuar filmin me matje të shkurtë (cortometraggio) me këtë subjekt: “Takim në Liqen”. Ky film asht xhirue po thuej krejtësisht në liqenin e bukur të Pogradecit dhe në vendin panoramik shqiptar Shën Naum.

    Interpretimet kryesore janë: Merita Sokoli, Kristaq Antoniu e motrat Xhaçka.

    Regjizor [ishte] Mihallaq Mone.

    Pra, “Tomori Film” si shoqëri filmike, si kinostudio daton më herët se Shqipëria e Re, por askush, për hir të disa studimeve të varfra, nuk e kujton këtë në ndonjë përvjetor a datë, e aq më pak ta festojë. Nëse sivjet u festua vetëm 70 vjetori i Shqipëria e Re, pa nënkuptuar edhe shtatëdhjetë vjetorin e filmit shqiptar, atëherë në rregull. Por në secilën, pa asnjë përjashtim secilën nga fjala e të pranishëmve në atë ceremoni fancy me muzikë të filmave shqiptarë, herë mes rreshtave e herë në rreshta nënkuptohej se filmi shqiptar fillon me kinostudion Shqipëria e Re.

    Sikurse e vërejtëm më lart, ka studiues që fillimin e filmit shqip ia atribuojnë Hysen Hakanit me “Fëmijët e saj”, film me metrazh të shkurtër. Por asnjëherë të vetme nuk shihet që dikush t’ia atribuojë zanafillën Mihallaq Mones. Pse? Pasi, po të thuhet se kemi të bëjmë me një film me metrazh të shkurtër, prandaj s’mund të merret si filmi i parë (?!), rrëzohet pikërisht nga rasti i Hakanit. Po ashtu, edhe pohimi i Natasha Lakos ku përligjet mospërmendja e Mones nuk qëndron pasi i biem të përligjim mospërmendjen e regjizorit të të parit film shqiptar!

    Të tjera aspekte të kinematografisë shqipe në vitet ‘40

    2. Shpjegimin e kinematografisë dhe termave të saj.

    Që nga faqja tre fillon Fjalorthi kinematografik ku shpjegohen gjithë termat e këtij arti, duke filluar me pozicionet e njerëzve dhe profesionet që merren me të: regjizori, kinofotografi, skenë – ngjyruesi, shndruesi, kinozanori, kinoprestari, çikaisti, subjektisti, skenë – shkruesi, muzikanti, aktori, fotogjenija, drejtori i prodhimit si dhe inspektori i prodhimit. Gjithashtu, edhe llojet e filmave.

    Film. – Me fjalën film tregohet nji prodhim kinemtografik; pra duhet të konsiderohet si një prodhim artistik. Me gjith që fjala asht prej origjine anglo – amerikana, në Amerikë si edhe në Angli filmi quhet edhe “motion picture” ose edhe “picture”. N’Europë filmi quhet edhe pellicola.

    Llojet e filmave:

    Filma me subjekt;

    Filma dokumentarë;

    Filma propagandë industrijale;

    Filma me matje të shkurtë me subjekt (short);

    Filma reklamash;

    Filma shkenctarë.

    Pastaj tregohet se çfarë është secili syresh, duke krijuar një panoramë të plotë për njohjen e këtij arti rishtar.

    3. Qëllimet e kinematografisë shqiptare.

    Gjithkush pyet se shka ka dhanë deri më sot kinematografija shqiptare. Fare pak ose aspak mund të thuhet nga njena [anë], por nga ana tjetër mund të shtohet se ka qenë e mjaftë për me na paraqitë në Firenze me rastin e festimeve ndërkombëtare kinematografike të Europës.

    Deri tani realizimi ma i math i industris kinematografike shqiptare ka qenë krijimi i nji shoqërije kinematografike që quhet “TOMORI – FILM”; me krijimin e kësaj shoqërije Vëndi i ynë do të ketë një fitim të math sepse shoqërija në fjalë do të dijë me përfitue nga elementat e mirë që kemi për karjerën kinematografike si edhe nga bukuritë e shumta natyrore, elementa këto të nevojshme ose edhe drejt për së drejtshme të domosdoshme për nji film. Do të arrihet me e paraqit Shqipërin e bukur të huejëve me anë pamjesh shqiptare e me interpretimin e elementave shqiptarë. Dikush mund të pyesi edhe në se në Shqipni kemi elementa për nji paraqitje kinematografike; pergjegji tue thanë se të tillë elementa kemi të mjaftë bile edhe të shumtë por natyrisht ktyne i u mungon udhë-heqja. E prej ktyne elementave të vlefshëm të gjithë nuk mendojnë veçse të inkuadrohen për të shërbye në Shqipërin e tyne të dashtun me anë të nji arti aq të bukur dhe aq të defryeshëm sikurse asht arti kinematografik.

    Për vlerësimin e marrë nga të rinjtë në Firence, e përditshmja “Tomori” më 16 korrik të ’42 shkruan:

    Prej datës 14 qershor deri me 1 korrik 1942 – sikurse asi kohe u njoftue gjatë e gjerë nga lajmet e botuara prej fletoreve – u zhvilluanë në Firenze manifestime kulturore të rinisë evropiane, ku përfaqësoheshin plot 14 Kombe, midis të cilëve Shqipërija, përfaqësuesit e së cilës dualën mjaft të nderuar, me gjith se ishte e para herë që kishin hyrë në radhët e kaqë të vështira të garavet ndërkombëtare të këtij lloji.

    […]

    Shqipërija u përfaqësua në Firenze me grupin e kinematografisë duke u klasifikuar në vendin e tretë, me grupin e pikturës ku u klasifikua e gjashta si dhe me grupet e radiofonisë dhe të theatrit. Në Ëeimar të Gjermanisë Shqipëria mori pjesë me dy akademistet Bernardina Qerraxhia dhe Mile Marku. Në kuvendin Ndërkombëtar të Kinematografisë për të rinjtë, në të cilin Rinija Shqiptare u pohua shkëlqimisht, shoku Mihallaq Mone lexoi një raport t’interesantshëm dhe të plotë rreth qëllimeve, programeve, zhvillimit dhe orientimit edukativ të kinematografisë së rinisë në Shqipëri, duke korrur pëlqimin e shumicës së të pranishëmve.

    […]

    Në kuvendin Ndërkomëbëtar Kinematografik të të Rinjëve në Firenze, kanë marrë pjesë këta Shtete: Italija, Gjermanija, Ungarija, Spanja, Finlanda, Daminarka, Sllovakija, Norvegjija, Bellgjika, Kroacija, Bullgarija, Rumanija e Shqipnija.

    4. Nxitjen e të rinjëve shqiptarë për t’ju përkushtuar kinematografisë.

    Kjo realizohet në dy mënyra: Fillimisht duke treguar se kinematografia nuk është një art “jomoral”, sikurse mendohej në shoqërinë e gjerë. Kjo realizohet nëpërmjet një editoriali të titulluar Kinematografija dhe morali i sajë brenda të cilit, në një kutizë, shkruhet Rini shqiptare, Vajza e Djem!

    Në se dëshironi me marrë karjerën e artit kinematografik, përgjigjuni thirrjes me vullnet e pa turp; dhe hidhni prapa krahve ç’do mendim prapanik për artin.

    Arti është simboll i naltësimit moral, shpirtnor, qytetnimi, e jo sikurse kan menduar e mendojn përbuzësit demagog t’artit!

    Së dyti, duke ftuar drejtpërdrejt nëpërmjet thirrjes së përmendur pak më lart, të rinjtë për t’u bërë aktorë. Kjo ftesë bëhet po në atë kutizë ku vijohet:

    Shoqërija Kinematografike Shqiptare “Tomori – Film” shpall përsëri nji konkurs për artista kinematografik për vajza e djem, për zgjedhjen eventuale të aktreshave dhe aktorve shqiptarë për marje pjesë ndër filmat që do të realizohen shpejtazi në Shqipëri.

    Konkurentat janë të lutur me dërgue në adresën e Shoqrisë “Tomori – Film” Tiranë, të paktën tri fotografina format kartolinë – një ku përfaqësohet personi në këmbë dhe dy gjysma trupi në pozicjone të ndryshme.

    Fotografinavet duhet t’u bashkangjiten këto gjeneralitete në një letrë të thjeshtë: Emni e mbiemni, gjuhërat e hueja që din, sportet që ushtron dhe studimet e kryera.

    E njëjta kutizë botohet sërish, në faqen 10.

    5. Për të paraqitur konkurentët që i ishin përgjigjur thirrjes së mëhershme.

    Shohim se në të gjitha faqet e revistës, pjesën më të madhe e zënë fotografitë e vajzave dhe kryesisht djemve që i janë përgjigjur thirrjes për t’ju përkushtuar kinemasë. Në vijim, si faksimile nga gazeta, po paraqes disa syresh. Vërehet se pjesa më e madhe e tyre mundohen të marrin poza të njëjta me artistët e huaj, duke i imituar shumë mirë.

    6. Për të prezantuar disa nga aktorët kinematografikë më të njohur të kohës.

    Nëpërmjet kësaj gazete njihemi me aktoren që është në faqen e saj të parë, Miralena Ekonomi e cila mbasi mbaroi liceun në Rumani, u regjistrua në universitetin e Bukureshtit e mbasandei erdhi në Itali dhe u regjistrua në Universitetin Pisa, por tue pasur një sevda të madhe dhe e tërhequr prej magjis t’artit kinematografik, la studimet universitare e u regjistrua në Centro Sperimentale të Kinematografis në Romë. Aktresha jonë korçare (nënvizim imi, A.D.) vazhdoj rregullisht të tre vjetët e kursit artistik e, mbasi u diplomua, mori pjesë në filmin italjan “L’angelo dei crepuscolo” dhe në filmin italo rumen, ku los një nga pjesët më kryesore “La squadriglia bianca”.

    Gjithashtu, edhe për një tjetër aktor të njohur të asaj kohe, Dino Bardhi që nga teatri donte të kalonte në kinematografi. Po aty, për herë të parë në Shqipëri, i jepet hapësirë edhe të tjerë njerëzve pa të cilët filmat nuk do të mund të realizoheshin. Pikërisht skenëngjyruesit Fadil Pullumbi (Sipas Fjalorthit Kinematografik: Skenë-ngjyruesi. -Ky ka për detyrë me vizatue kopjet e skenave e nga nji herë edhe duhet të kujdesohet për paisjën (në këtë rast duhet të jetë nji arkitekt i mbaruem); duhet të njofi stilet e kohnavet të ndryshme e të vendeve ma të ndryshme. Nga skenat e kopjueme ai studjon skenat e ndryshme të mbrendshme e të jashtme që nevojiten. Skenëngjyruesi konsiderohet si bashkëpunëtor teknik e për këtë arsye ban pjesë me kategorin e teknikëve. Prej tij mvaren piktorët, dekorantët, makinistat, zdrukthatarët, etj.) dhe shndrruesit Ibrahim Qoku (Sipas Fjalorthit Kinematografik: Shndrrues. – Asht ai që ban pjesë me kategorin e teknikëve, sepse ai njef mënyrën e përdorimit të pudrave, të kuqet e buzëve, mjekrat e parukat; ai njef edhe tekniken e posaçme të shndrimit cinematokrafik. Nji shndrues i mirë i a ndron fytyrën krejt artistit; i heq të mbetat dhe i a ban lëkurën e fytyrës pa rudha. Shndruesi ka nën mvarjen e tij ndihmësa e flokatarë).

    7. Projektet e ardhshme të shoqërisë “Tomori – Film”.

    Projektet e ardhshme janë dy:

    a)Në prendverën e ardhshme “Tomori – Film” do të zhvillojë “Bija e Bajraktarit” subjekt i shkruem nga dora e shkrimtarit – poet të mirë njohun Ernest Koliqi.

    b)”Tomori – Film” do të bashkëpunoj me një shoqëri italjane për sa i përket realizimit të filmit dedikue herojt t’onë kombëtar “Skëndërbeu” që do të drejtohet prej regjizorit italjan Forzano. Në këtë film që do të zhvillohet shpejtazi në Shqipëri do të marrin pjesë artistat kinemtagorafik ma të mirë shqiptarë.

    Për këto projekte si dhe dy filma me matje të shkurtër me subjekte që do të përfytyrojn pasunin fokloristike kombtare të cilët gjithashtu janë në plan, thuhet se do të bëjnë që Shqipërija të marrë pjesë për herë të parë në manifestimin ndërkombëtar kinematografik të Venedikut që do të ket vënd prej 30 gusht – 14 shtator 1943=XXI.

    Dhe një vështrim krahasues në vend të konkluzionit

    Kinematografia italiane fillon me vëllezërit Lumière që, mes viteve 1895 – 1905 realizuan disa filma me metrazh të shkurtër, për të vijuar pastaj me pionierin e regjizurës Vittorio Calcina që, qysh në 1896 filmoi papën e kohës, Leon XIII. Pas Luftës I Botërore, industria kinematografike italiane u rrit ndjeshëm dhe disa nga filmat më të njohur u prodhuan pikërisht prej saj.

    Kinematografia sovjetike, filmin e parë të prodhuar ka Njeriu i madh, film me metrazh të shkurtër realizuar nga  Alexander Drankov. Duke qenë përherë nën censurë, kjo industri filmike nuk ia doli thuajse asnjëherë të realizojë filma që u vlerësuan ndërkombëtarisht, përveç ndonjë rasti të rrallë, ku bëhet fjalë për filma që përshkruanin sesi Ushtria e Kuqe çliroi Gjermaninë dhe gjithë Evropën nga nazizmi, filma të cilët transmetoheshin gjerësisht në vendet komuniste apo ato jokomuniste ku përherë ekzistonin celula të tilla.

    Filmi i parë i kinostudios “Shqipëria e Re” u realizua bazuar në një roman të Fatmir Gjatës, përplotësues tërësor i të gjitha tipareve estetike e sociale të realizmit socialist. Ndërsa “Tomori film” kishte në plan të realizonte një film bazuar në një subjekt të Ernest Koliqit, bashkëthemeluesi i modernizmit në prozën shqipe.

    Të gjitha rregjimet synojnë shndërrimin e njeriut dhe përherë, arti mbetet një nga format më të pëlqyeshme e më efikase, por mes mënyrës së zgjedhur nga “Tomori film” dhe asaj që zgjodhi “Shqipëria e Re”, nuk mund ta them dot se e dyta ishte më pak e dëmshme se e para: ndoshta e kundërta është e vërteta!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË